Mediat tona gjithandej kanë bërë zhurmë këto kohë rreth largimit të mundshëm të tre lojtarëve të Kombëtares Shqiptare të Futbollit për t’u përfshirë në Kombëtaren e Kosovës të Futbollit.
Është pragu i eleminatoreve të Botërorit 2018 dhe Federata Kosovare e Futbollit iu bën ftesa të gjithë lojtarëve me prejardhje nga Kosova për t’u përfshirë në ekipin shtetëror të futbollit, në mënyrë që shteti i ri shqiptar të përfaqësohet sa më mirë në këtë sport kaq popullor. Dhe kjo dëshirë tek disa shkon deri në fantazi të papërmbajtur duke përfytyruar një kombëtare ideale të Kosovës ku të përfshiheshin të gjithë yjet e kombëtareve të Shqipërisë dhe të Zvicrës.
As lojtarët e kombëtares së Zvicrës me prejardhje shqiptare nga Kosova, as lojtarët e kombëtares së Shqipërisë me prejardhje shqiptare nga Kosova nuk do të ikin nga formacionet ku janë për të shkuar në formacionin e ri.
Futbolli i Kosovës sapo është pranuar në UEFA e FIFA dhe është e natyrshme që autoritetet e futbollit dhe institucionet zyrtare e më gjerë të jenë në ethe për formimin e konsolidimin e kombëtares së re dhe të futbollit në Kosovë në tërësi. Kjo do pritur e do kuptuar drejt nga i gjithë opinion shqiptar, sidomos ai në Shqipëri. Sukseset e Kosovës në futboll, në sportet e tjera dhe kudo tjetër janë suksese për të gjithë shqiptarët. Po ashtu sukseset e Shqipërisë janë suksese për të gjithë shqiptarët.
Nga asnjëra anë e kufirit nuk ka pse të shikohet me ndjenjë xhelozie, inferioriteti apo superioriteti zhvillimet futbollistike, sportive apo zhvillimet e tjera në anën tjetër të kufirit. Ato do pare vetëm me realizëm dhe me ndjenjë të vërtetë vëllazërore.
Në këtë kontekst, do pranuar se Kosova vjen nga një traditë sportive jugosllave, ku është investuar me bujari, pa kursim, ndër të tjera, sidomos në fushën e artit, të sportit dhe të kulturës. Në Shqipëri ka qenë pothuajse e kundërta. Në Kosovë janë zhvilluar të gjitha sported që janë zhvilluar në Jugosllavi, pra të gjitha sported që zhvillohen në Perëndim dhe në botë. Shumica e këtyre sporteve nuk janë zhvilluar fare ose pothuajse fare në Shqipërinë komuniste as në nivel amator, as në nivel profesionist.
Për arsye të vetizolimit, Shqipëria nuk ka trashëguar as infrastruktura komunikimit në nivel evropian apo botëror, megjithëse ka qenë anëtare e të gjitha federative në këto dy hapësira. E kundërta është për Kosovën, e cila, si në të gjitha fushat, zotëron trashëgimi të infrastrukturave të komunikimit në të dyja nivelet.
Në Kosovë, siç e kam përmendur edhe herë të tjera, përveç sporteve, u zhvilluan, në nivel amator dhe professionist të gjitha rrymat bashkëkohore mioderniste dhe postmoderniste të artit dhe të kulturës. Kjo traditë u mbart edhe në emigracionin kosovar, ku prindët talentet e tyre ua transmetuan dhe ua nxitën fëmijëve, si një nga mënyrat më të suksesshme dhe më të shpeja për integrim në vendet ku emigruan. Rastti i Valon Behramit, babai i të cili, Ragipi, kishte qenë vetë fubollist, apo rasti i Lorik Canës, babai i të cilit, Agimi, ishte po ashtu futbollist, janë vetëm dy nga rastet e panumërta të vazhdimësisë së talenteve në emigracion nga prindërti tek fëmijët.
Kosova, pas vitit 1999, shumë shpejt e rigjallëroi jetën artistike e kulturore dhe atë sportive. Kryesisht me iniciativë private, u ngritën dhe funksionojnë kampionatet në të gjitha sportet. Përfshirja e talenteve sportive në kombëtaren e Zvicrës, në kombëtaren e Shqipërisë, në kombëtare të tjera, në klubet më të famshme evropiane e botërore të futbollit ishte edhe një nga argumentet e fuqishme për pranimin e futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pra, përfitimi i Shqipërisë, Zvicrës e tjerë nuk ishte i njënashëm, sepse edhe Kosova përfitoi shumë.
Një nga rrjedhojat pozitive praktike të kësaj përvoje është se Kosova shumë shpejt do të krijojë një kombëtare të fuqishme futbolli me djem të rinj të talentuar anembanë kampionateve perëndimore e më gjerë. Nuk ka pse të ketë asnjë drojë, asnjë ankth, asnjë panik.
Në Shqipëri shumica e sporteve bashkëkohore nuk u zhvilluan, ishin të ndaluara. Nuk u lejua as zhvillimi i rrymave bashkëkohore të artit dhe të kulturës. Nëse pas vitit 1990 artet dhe kultura bashkëkohore u zhvilluan disi, sportet mbeten prapa, madje edhe ato pak sosh që patën përparësi në diktature¨. Duke filluar nga kampionati i futbollit, pothuaj asnjë nga kampionatet e sportit nuk funksionojnë.
Suksesi i Kombëtares Shqiptare iu kushtohet lojtarëve shqiptarë të klubeve perëndimore, ku vendimtare është përfshirja e djemve shqiptarë me prejardhje nga Kosova. Por meritën absolute për këtë sukses ka trajneri italian de Biasi, që arriti të krijojë një ekip kompakt, çka vështirë se do ta arrijë ndonjë trajner tjetër në asnjërën anë të kufirit.
Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016 me tetë pjesëtarë. Mali i Zi, fqinji ish jugosllav, që ka disa herë më pak talente se Kosova, mori pjesë me 46 sportistë. Në Lojërat e ardhshme Olimpike, nëse fillon t’iu kushtojë rëndësi qysh tash, Kosova do të ketë një pjesëmarrje disa herë më të madhe e më të suksesshme se sivjet.
Në mes dy shteteve shqiptare, siç e theksova edhe më lart, nuk ka pse të ketë xhelozi as ndjenjë inferioriteti, as ndjenjë superioriteti, sepse jemi të bërë nga i njëji brumë, kemi të njëjtin konstitucion natyror dhe shpirtëror. Sa më shpejt e sa më shumë të përfitojmë nga shembujt dhe përvojat tanë, aq më shpejt dhe më mirë do të zhvillojmë talentet tona në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
Komentet