Më 12 gusht 2024 Paolo Mieli, gazetar, monografist, drejtues emisionesh televizive dhe opinionist italian që merret kryesisht me politikën dhe historinë (drejtor i gazetës La Stampa në vitet 1990-1992, i Corriere della Sera nga 1992 deri më 1997 dhe nga viti 2004 deri më 2009, nga 2009 deri më 2016 drejtor i RCS Libri dhe, nga 2020 editorialist i Radio 24), boton në Corriere della Sera një shkrim për qëndrimin e Italisë ndaj Ukrainës.
Dy ditë më vonë, në Corriere della Sera, botohet letra e Ministrit të Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, drejtuar drejtorit të Corrieres, në përgjigje të opinionit të Paolo Mielit.
Kolegu ynë Eugjen Merlika i ka përkthyer të dy shkrimet të cilët ne po i botojmë këtu njërin pas tjetrit. :
ALEATI DHE FJALËT QË PESHOJNË
Nga PAOLO MIELI
Ec e beso në Italinë si aleate. Kundrejt kalimit të kufirit ukrainas në territorin rus, Evropa me një deklaratë zyrtare ka gjykuar : “Ukraina ka të drejtë të sulmojë armikun kudo që ajo t’a quajë të nevojshme”. Shtetet e Bashkuar, nëpërmjet zëdhënësit të departamentit të shtetit, Matthew Miller, ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë: “I takon Ukrainës të vendosë sa i takon kësaj mësyemje”. Edhe se nuk e ka nxitur të shtyhet shumë “përtej kufirit”. Italia është shkëputur haptas e është hera e parë që kjo ndodh që nga fillimi i luftës. Së pari ministri i ynë i Mbrojtjes Guido Crosetto ka theksuar se kurrë arma italiane nuk do të duhej të kishte shtënë edhe një plumb të vetëm përtej kufirit që ndan Ukrainën me Vendin pushtues. Deri këtu asgjë e re, mbetemi në dallimin tradicional hipokrit ndërmjet përdorimit “mbrojtës” e përdorimit “sulmues” të armëve të dhëna qëndresës ukrainase. Ndërmjet të tjerash dhuratat tona, nga sa dihet, nuk janë të tilla për t’u mbajtur në konsideratë për një mësymje të llojit t’asaj të kryer nga Zelenski në truallin rus. Aq është e vërtetë sa që Shtatmadhoria e Kievit, gjithnji simbas asaj që del, nuk ka parashikuar përdorimin.
Ministri mund të ndalohej këtu. Por, madje ka menduar të shtojë se “asnjë Vend nuk duhet të mësyjë një tjetër Vend”, duke vënë kështu në heshtje, në të njëjtin rrafsh “dy mësyemjet”, atë ruse dhe atë ukrainase. Ka shtuar pastaj se me qenë se, simbas mendimit të tij, “lufta do të bëhej akoma më e ashpër po të zhvendosej në territorin rus”, sulmi në drejtim të Kurskut “do të largojë gjithënjë e më tepër mundësinë e një armëpushimi”. Me fjalë të tjera, Ukraina nuk ka aspak të drejtë të sulmojë armikun (siç pohojnë SHBA dhe Evropa) “kudo që e quan të nevojshme”, por duhet të luftojë vetëm brënda kufijve të saj. Përndryshe ajo bëhet fajtore sepse ka ndaluar pritmërinë e paqës. Herën tjetër do të thuhet se Zelenski, për të mbajtur pushtetin, dëshëron t’a zgjasë luftën në përjetësi.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani me zë të përvajshëm u vu në rradhë me të. Matteo Salvini, siç ishte e parashikueshme u ngazëllua duke ripropozuar vënien në diskutim të gjithë politikës së dërgimit të armëve në Kiev. Një pjesë e vogël e Pd – Quartapelle, Guerini, Sensi – u alarmua për këtë ndryshim petku të ministrit. Me ironinë që nuk i mungon, kushtetuetari Michele Ainis e ka këshilluar Crosetton (tek Fakti i Përditshëm) të bëjë edhe një hap të mëtejshëm e t’i propozojë NATO-s dërgimin e F16 Rusisë së “mësyer” nga Ukraina, në funksion mbrojtës, kuptohet. E në respektimin e nenit 11 të Kushtetutës.
Në të gjithë këtë, Giorgia Meloni, ka lënë të nënkuptohet, ndërmjet shënimeve të zakonshme jo zyrtare, një murmurimë mos miratimi kundrejt ministrit. Por shënimet e Melonit janë jo zyrtare deri n’atë pikë sa të mos kuptohet se mendimi ndryshe i kryeministres dhe ministrit është apo jo një lojë palësh.
Në të vërtetë, për të dalë nga e gjithë kjo që mban një erë hipokrizie, duhet thënë se misioni i Zelenskit në tokën ruse duket sheshit se shëmbëllen me diçka më shumë se një kundërsulm për të goditur bazat nga nisen raketat vdekjeprurëse që godasin tregjet, centralet elektrike e spitalet ukrainase. Duket se priret më shumë në pushtimin e një zone (në brëndësi të së cilës ka një çentral bërthamor) që të mund të shkëmbehet pikërisht për të krijuar kushtet e një armëpushimi. Për shembull me atë të Zaporizhias, çentralit bërthamor me të cilin rusët ende këmbëngulin. E mundëshme por jo e sigurtë që ukrainasit të arrijnë në synimin, shumë të qartë për Putinin, veprimi i Kurskut – në ndryshim nga ajo që thotë Crosetto – mund t’a bëjë të mundur një traktativë paqeje. Prandaj Evropa dhe Shtetet e Bashkuar, edhe se parandjejnë rreziqet, nga çasti që nuk kanë harruar përfundimet e kundër mësymjes së verës së shkuar, nuk e kanë penguar.
Në këtë pikë duhet thënë, edhe këtu pa hipokrizi, që një dinjitar i lartë i Shtetit siç është ministri i Mbrojtjes do të duhej të kishte kujdes, kujdes të madh në përdorimin e foljeve e të fjalëve. Ka një ndryshim të madh ndërmjet atij që “mësyn” një Vend për t’a pushtuar ose, gjithsesi për të mbajtur një pjesë të mirë të tij për një kohë të pacaktuar) dhe atij që kalon kufirin për të goditur sheshet nga nisen raketat që, prej dy vite e gjysëm, shkaktojnë shkatërrime e vdekje. Apo – nëse është me gjasë e mundëshme hamëndja që kemi formuluar – për të pasur diçka për “të kthyer” në synimin për të mbajtur një pjesë të tokës së Ukrainës, që ende nuk është e pushtuar tërësisht nga armiku.
Të lihet të kuptohet se bëhet fjalë për dy “mësymje” të barabarta o, sidoqoftë, të gjykueshme me të njëjtin metër nuk është e ndershme. Për më tepër t’a bësh në këtë mënyrë, ndërsa Evropa, Britania e Madhe (dje me një deklaratë të vendosur të kryeministrit Keir Starmer) e Shtetet e Bashkuar marrin qëndrime krejtësisht të ndryshëm, është shprehje për të satën herë e provës se në çaste të vështira Italia nuk është një aleat i besueshëm.
Crosetto nuk është i pari, e druajmë, nuk do të jetë i fundmi për t’u tërhequr kur në horizont të duket vagëllimthi rreziku i humbjes. E do t’ishte një padrejtësi të ngarkohej mbi shpatullat e tij një gjykim kaq i ashpër mbi besueshmërinë e Vendit tonë. Por është po aq e vërtetë se në disa çaste si ky nga një hollësi e vogël shihet se nga çfarë stofe janë bërë klasat tona drejtuese. Fatkeqësisht, pothuaj se gjithmonë nga e njëjta.
“Corriere della Sera”, 12 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika
ITALIA ËSHTË SERIOZE, E QËNDRUESHME DHE E BESUESHME ME UKRAINËN.
E SI TË GJITHË MIQTË E NDIHMOJMË TË PËRSIASË
Nga GUIDO CROSETTO, Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Meloni
I dashur drejtor,
Të besueshëm, seriozë e të qëndrueshëm në veprimin e mbështetjes së saj. Kështu na gjykojnë ukrainasit, duke filluar nga presidenti Zelenski, duke kaluar nëpër të gjithë qeverinë e tij, deri tek të gjithë qytetarët e saj. Në të njëjtën mënyrë n’a gjykojnë aleatët tanë të BE e të NATO-s, të parët amerikanët. Krejtësisht e kundërta e përfytyresës që për qeverinë italiane buron nga kryeartikulli i djeshëm i Paolo Mielit, në të cilin ai shpreh gjykimin e tij mbi qëndrimin e Italisë e, veçanërisht atë timin si ministër i Mbrojtjes, në lidhje me luftën ruso-ukrainase.
Ky gjykim, simbas mendimit tim, pak i matur, i botuar në Corriere, më detyron t’i përgjigjem. Po i drejtohem lexuesve të Corrieres, më shumë se vetë Mielit, që nuk merret me luftën në Ukrainë me ngulmin dhe njohurinë me të cilën merrem unë. Sigurisht është më e lehtë të bisedohet për këtë çështje të rëndë pa njohur teknikisht lëndën, atë që ndodh çdo ditë në fushë, taktikat, vështirësitë e shtjellimin e vazhdueshëm të një konflikti tashmë endemik, të përhapur e të ndërlikuar.
Kështu sikurse mund të dijë pak ose aspak Mieli – dhe është e natyrshme të jetë kështu – mbi marrëdhëniet e vazhdueshme, të qëndrueshme, të përditëshme të Italisë, së pari të Mbrojtjes italiane e një kombi, të martirizuar prej më shumë se dy vitesh lufte të pandërprerë në mbrojtje të lirisë së tij si pasojë e mësymjes ruse. Por nëse vërtetë duhet ky komb, në këtë lëndë nuk do të duhej të gjykohej me një sy të njëanshëm, apo me një polemikë për polemikë. Fatkeqësisht kështu duket, duke gjykuar nga fakti që në kryeartikullin në fjalë, janë marrë e komentuar vetëm disa prej fjalëve të arsyetimit tim shumë më të gjërë, duke shtrembëruar kuptimin e së fundi duke dhënë një gjykim pashmangshmërisht të drejtuar.
Më vjen keq që Mieli nuk ka patur rast të informohej më mirë për fjalët e mija të vërteta. Do të kishte zbuluar se un kam shpjeguar menjëherë para atij që fliste për agresion se sulmi ukrainas nuk ishte një mësymje por një taktikë mbrojtëse, për të pakësuar tensionin në Ukrainë, për të shtrënguar rusët të zhvendosnin njerëzit në Rusi, me synimin që të kishin një barazpeshë më të madhe në fushë, për t’u gjindur më të fuqishëm në një t’ardhme të dëshirueshme në një tryezë paqeje. Nuk është e vështirë të kuptohen arsyet që e kanë shtyrë në sulmin e asaj ane e cili është synimi objektiv i manevrës.
Siç thashë (mjafton të kërkohej në Google) ka qenë një lëvizje e arsyeshme, me një llogjikë si të teknikës ushtarake po ashtu dhe të politikës ushtarake.Një lëvizje për të cilën secili prej nesh mund të ketë gjykimin e tij. Disa mund t’a quajnë të drejtë, të tjerët të gabuar. E rëndësishme është që gjykimi të jetë i diktuar nga e njëjta premisë, pra nga e mira e popullit ukrainas, nga arritja e asaj për të cilën jemi zotuar në këta vite: rivendosja e së drejtës ndërkombëtare e të njënjësisë tokësore ukrainase. Mieli ndoshta i ka harruar kritikat e ashpra që kemi marrë në këta vite, sepse kemi ndihmuar (pa nëse e pa sikur) Ukrainën në çdo mënyrë të mundëshme, sepse kemi qenë të vendosur e nuk kemi përdorur fjalë të mëdyshta mbi temën. Do të kishin mjaftuar të dëgjoheshin fjalët që të gjithë ukrainasit kanë shprehur gjithmonë për këtë qeveri (e këtë ministër), për të shmangur sarkazmën përfundimtare mbi një qëndrim të hamendësuar, të dyshimtë. Do të kishte mjaftuar të pyeteshin ata amerikanë o britanikë që përmënden se çfarë mendojnë për sjelljen krejtësisht jashtë çdo dyshimi të kësaj qeverie. Ndërsa shumë flasin nga katedra, ne në këta vite kemi vënë fytyrën, punën, mundimin, mëlçinë e shumë të tjera, shumë më tepër se sa mund të përfytyrohet e më shumë se sa do të mund të tregojmë ndonjëherë.
Prandaj është e vështirë të pranohen gjykimet e shprehura në mënyrë trashamane që derdhen në provokime absurde, rindërtime dashakeqe të një Meloni që më paska thirrur për të më qortuar. Nëse kam shprehur një gjykim mbi taktikën ukrainase kjo rrjedh sepse është detyra ime të pyes veten nëse kjo zgjedhje ndihmon apo dobëson çështjen ukrainase. Miqtë, ata të vërtetët nuk thonë gjithmonë ke të drejtë. Detyra e tyre është të ndihmojnë përsiatjen. E ne jemi miq të vërtetë të ukrainasve. Jo mbështetës për formë ose për nderim kundrejt politikisht korrektes siç kemi parë shumë në këta vite. Në fakt kam bashkëndarë shqetësimet e mija me kolegët e mij të kombeve të tjerë e të NATo-s, siç bëj gjithmonë edhe me homologët e mij ukrainas, siç ka ndodhur në të shkuarën. Sepse un mendoj se detyra ime është të them atë që e quaj të drejtë e jo atë që bashkëbiseduesit e mij duan të dëgjojnë. Vetëm një mendësi e sëmurë me provincializëm mund të shkëmbejë kurajën e së vërtetës, të një gjykimi, të një opinioni me dykuptimësinë. Kjo po, ndoshta n’a ndan nga shumë të tjerë: guximi për të thënë atë që quhet e drejtë, edhe duke marrë përsipër rrezikun për të gabuar, më parë se ajo të ndodhë. Guximi për të thënë atë që mendohet, jo sepse kemi interesa, por sepse është e drejtë t’a bëjmë.
Duke kaluar në të tjera, më habit fakti që Mieli nuk kupton arsyetimin mbi mësymjen ose mbi përdorimin e armëve italiane në tokën ruse. Është një arsyetim gjithëpërfshirës që nuk ndryshon nga gjykimi për zgjedhjen se në ç’anë je. Një arsyetim në të cilin vihet edhe një temë më e lartë, një temë edhe parimesh, vlerash, ligjëshmërie ndërkombëtare, një arsyetim që ecën në një kreshtë të ngushtë, që ndryshon nga kombi në komb, sepse ndryshojnë ligjet e kushtetutat nga një komb në një tjetër. Kur flitet për përdorim të armëve italiane në tokën ruse dikush mendon për gjëra të përgjithëshme mbi të cilat jepet një gjykim i përgjithshëm mbi bazën e asaj që bëjnë kombet e tjerë, un jo. Un e di se për çfarë flitet, si përdoren, kush autorizon përdorimin, si fillon çdo dinamikë vendimesh e përdorimesh. Un i njoh siç njoh normat italiane që i rregullojnë, të ndryshme nga ato të kombeve të tjerë. Të pamjaftueshme me gjasë për të përballuar çastet në të cilët jetojmë, siç kam patur rastin t’a them në Parlamente dhe në Këshillin e lartë të mbrojtjes, në mospërfilljen e plotë të komentatorëve të njohur. Siç shihet, diçka më e ngatërruar se sa është shlyer në ndonjë artikull.
I kam hequr tashmë shumë kohë gjërave serioze dhe familjes sime dhe ruaj të drejtën për të mos çuar dëm më shumë për të folur më thellësisht për këtë çështje e si do të jetë në të vërtetë edhe më e madhe, me të cilën do të na duhet të përballohemi në t’ardhmen. Druaj se ditët e ardhme do t’a çojnë vëmëndjen tonë në të tjera zona të botës. E do të jetë e nevojshme të merremi me çështje të tjera shumë të ndërlikuara, me rrezikun edhe të thjeshtimeve të reja. Gëzuar Festën e 15 gushtit.
“Corriere della Sera”, 14 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika