Dy qytete egjiptiane në Detin e Kuq janë goditur me predha të premten, duke bërë që të lëndohen disa persona si pasojë, thanë zyrtarët egjiptianë.
Predhat ranë në qytetet Taba, i cili ndodhet në kufi me Izraelin, si dhe Nueiba, rreth 70 kilometra larg kufirit, thanë dy burime egjiptiane të sigurisë për agjencinë e lajmeve, Reuters, duke shtuar se janë duke mbledhur informacione shtesë.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë, por sipas televizionit të lidhur me shtetin e Egjiptit, Al-Qahera, predha që ra në Taba duket të ketë pasur lidhje me luftimet mes militantëve të Hamasit dhe Ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës, rreth 220 kilometra larg.
Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit tha se gjashtë persona u lënduan në Taba, katër prej të cilëve janë liruar nga spitali tashmë, pasi u goditën një ndërtesë banimi dhe një objekt ambulance.
Dëshmitarët në të dy qytetet, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin, thanë se i dëgjuan shpërthimet dhe panë tym.
Ushtria e Izraelit tha se është e vetëdijshme për një incident të sigurisë jashtë kufijve të tij.
Taba dhe Nuebia, të dyja në Gadishullin Siani të Egjiptit, janë vende të njohura turistike.
Duke qenë i kufizuar me Gazën dhe Izraelin, Egjipti është i ekspozuar ndaj konfliktit i cili nisi pasi Hamasi i sulmoi qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor dhe Izraeli i nisi bombardimet në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje.
Kajro ka avokuar vazhdimisht për lejimin e futjes së ndihmave humanitare në Gazë, lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi dhe arritjen e një armëpushimi.
Fundjavën e kaluar, disa roje kufitare egjiptiane u plagosën pasi u goditën aksidentalisht nga copëzat e një predhe të një tanku izraelit.
Izraeli kërkoi falje për incidentin.
Të mërkurën, Hamasi tha se e sulmoi qytetin izraelit, Eliat, i cili është afër Tabas përgjatë kufirit, me një raketë.rel