Braktisje 1
Shtëpia ka mbetur po ajo veç orenditë kanë pluhur.
Tavani ëndërron sikur është qiell dhe s’i duhen muret vertikalë
Qiejt kanë frikë nga muret.
Pse zemra ka formën e gjësë që pikon?
Shtëpia bosh pa frymë. Hijet janë tjerrur në fije merimange
Dhe ti je një flutur që s’mund t’u besosh. Dhe zemra pikon.
Kujtesa është labirint në këputje. Mplakur orenditë.
Të vizatosh në pluhur ç’art i mundimshëm: pluhuri s’ka shpirt.
Gjithçka fle si yjësia në teleskopin e Galileut.
Qiejt kanë frikë nga muret. Dhe zemra pikon e pikon.
Libraria Barnes & Noble, WTC, e premte, 23 shtator, 2016
Si në një anije drite ndalem në Manhatan
Si në një anije drite ndalem në Manhatan
Kam veshur këpucët e Lorkës
(më duhen për varka shpëtimi në Oqeanin e Metaforës)
Kam veshur një kostum të Eseninit
(me një fidan bejroze në xhepin mbi zemër)
Borsalinën e Majakovskit mbaj në kokë dhe bastunin e tij: skeptër.
Shtypshkronjën e Uitmanit kam në Tiranë
Ndryshku i së cilës ar do bëhet nesër
Ose mund ta shkrijë ta kthejë në… kambanë-funebër.
Kafe Europian, Queens, 17 nëntor, 2013
Komentet