Më 19 korrik, 1930, në Zvërnec të Vlorës, lindi Fatos Arapi, ndërsa më 19 korrik 1940, në Shkodër, lindi Frederik Rreshpja..
Sot , të dy ata nuk janë më këtej, nga zhurmënaja jonë, por ,atëbotë përtej ,janë takuar e po bisedojnë…
Le t’u afrohemi e t’i dëgjojmë se çfarë thonë dhe si e shohin poezinë, universin, enigmat dhe “ stinën e humbur” të lexuesve tokësorë.
– Pse nuk flet, Frederik? Ende më mban mëri, duke më quajtur një poet klasor?!
Apo ka diçka tjetër që të pengon?…
– Ah, Fatosi, poeti i shquar i sistemit…! Pa çka se kishe dell poetik dhe gjetje idesh e metaforash, zor se të hapnin rrugë,
Fatos…
Partia i kishte ndarë podiumet; duhej që poezia të thoshte se armikun e klasës do ta lëmë pa bukë dhe mund ta varim në bulevardin e madh…
Falë zotit, ti nuk shkove deri atje, sepse je poet , dhe poezia nuk është as thikë , as helm e as hanxhar!
Më pëlqente ai vargu yt : …” Ç’ka Salamina e Vjetër ,/ Ç’do Salamina më tepër…”
Por poezitë e tua, ato që t’i shpunë për karton, ishin shumë të bukura, kishin jetë dhe jo sistem, lëviznin , nga erotika, në simbolizëm dhe shpesh më dukeshin si nudot e fshehura…
– Frederik, po më habit me këto fjalë!
Sa do doja t’i kisha dëgjuar kaherët…!
Poeti e do dashurinë e poetit, apo jo?
Edhe unë e kam lexuar dhe e kam dashur poezinë tënde fluturake…, atë të hershmen…, kur shumëkush atje , në Lidhjen e Shkrimtarëve, vinte buzën në gaz me ty, me pamjen tënde…, e më shumë me lirizmin tënd, sa refuzues, aq. edhe çmitizues i poeziideologjisë.
Ishte koha kur Republika vishte kominoshe…
– Ku nuk e shputë atdheun , Fatos…: në Beograd, në Moskë, në Pekin, në Amerikë, në OKB…! E lyet dhe e ngjyrosët, e veshët ushtarakisht dhe e armatosët, e plagosët dhe e ringjallët, e pajtuat, blatuat dhe e tradhëtuat ose e ndeshët me tradhëtarët…
Aso kohe, për një dashuri të lirë në një mullar bari, unë hyra( më shpunë) në burg…
Por ama, ajo natë nën yje , me aromë lëkure femërore, ishte shumë më frymëzuese sesa dylli i ideologjisë, që ju e shisnit për musht frymëzimi…
– Ka vajtuar poezia, Frederik, madje jo vetëm ajo, fjala u armatos me propagandë, mendimi bënte rreshtore, u krijua kodi i figuracioneve, figurat letrare u shprehën në një tekst magjistral, që vinte nga lart, nga udhëheqja, dhe lyhej poshtë me frymën e popullit…
Kështu u krijua ushtria e poetëve, ndërsa ti, Frederik, ishe dezertori i madh, ishe i lirë dhe i pasur, sepse ishe vetja…
– Dëgjo, Fatos Arapi, për ty kam pasur dhe kam respekt; ti e di që unë nuk jam konjukturial, unë jam anarkist, unë e thyej qiellin dhe e bëj një park me shtatore nudosh femërore e secilës prej tyre , natë për natë u shkoj e u shpreh dashuri, por kam një pyetje:”
Pse e le prozën? Ti e nise me prozë dhe ajo ishte shumë e ndjerë…!”
– Eh, more Frederik!
Ajo prozë për pak m’u kthye në honë, në një varr ku mund të më fusnin për së gjalli… Trokitën lart, atje në Sarajet e Kryevezirit, dhe thanë:” Ndaloheni! Shkrimtar një do jetë, nuk mund të ketë dy! “ Dhe zbriti Fermani…
Ishin momente që mund të mbyllesha vetëm te ekonomia…, por një natë më trokiti në xham poezia…: Ej, djali prej deti, mos u ligështo…, do jemi bashkë dhe do udhëtojmë shtigjeve që pak njihen…
Pranova, por edhe atje s’e pata të lehtë…
U mor me një poezi timen vetë Kryeministri…
Unë kisha sjellë në poezi pesimizëm… S’e di si shpëtova…
– Fatos poeti, nëse do kishe bërë burg, si unë , do ishe bërë poet më i vërtetë…
Nejse, poezitë pas vitit 1990 i ke poezi, ka shumë frymëzim dhe ndjenjë përgjegjësie, ka shumë dritë dhe shtigje…
Atdheu tek ti më pëlqen, Fatos ! E sjell aq bukur, në një shkallare ku vuajtja, lodhja, mërzitja, dënesa, dashuria, ngjajnë si notat në një tastierë të pianos së fatit. Veç ajo poezia” Si s’të desha pak më shumë”, më ka lënë pa gjumë…
Më përzihej me atë që ke shkruar për detin…, kur kuajt e dallgëve ngriheshin dhe gjithë qënia e tyre ishte një mozaik stërkalash…
– Frederik, por edhe kuajt e tu që i shtrin në fushën e mbuluar me shi, si një vdekje në baladë, më kanë tronditur… Më dukej si një natë apokaliptike, ku qielli dhe balta ishin përqafuar dhe në këtë dashuri shekspiriane dëgjoheshin vetëm hungëllimat e kuajve, që…, si në të verbuar nga rrufetë, binin një e nga një në honet e fatit…
Më dukeshe si Hamleti me kafkën e të atit , në duart që i dridheshin…
Në një nga mitologjitë aziatike, kali është simbol i familjes… Kjo ka qenë tragjedia ime…, me dhe pa familje…
U linda nga një nënë, por asnjë nga dashuritë e mia marroke nuk krijoi dot një nënë… Jaseminët në poezinë time mbetën vetëm aromë pa gonxhe dhe pa fruta…
Jam Frederik Reshpja, pa Frederikë pas… Ti , Fatos, le pas dy fëmijë…
Poezia ime ishte e dashura, shtrati epshor, orgazma, fetusi dhe fëmija im…
Kështu…, zoti më la vetëm…
– Çfarë je duke shkruar, Frederik? Të shoh që ke letra ndër duar…
– Kam në dorë një baladë:” Historia e baltës së hidhur”, një poezi dashurie:” Malli për buzën e humbur”, një sonet:” Këmbanat e veshëve të shurdhër”, dhe një poemë:” Atlasi i gjurmëve pa këmbë.”
– Po ti, Fatos, a po shkruan?
– Po , kam një triptik:” Fati i njeriut të pafatë”…, janë tri stinë…: Jeta- Vdekja- Kthimi si fantazëm…
Kam vendosur që të zbres atje ku jetuam si fantazëm… Dua të përgjoj natën, se si i kanë ëndrrat njerëzit, kanë apo nuk kanë…, si janë dashuritë, a kanë më gjak pushteti ndër deje apo gjak atdheu… Dua të takoj pleqtë e bregut dhe të rri me ta , për të parë diellin horizontit kur zhytet në det…
Dua të dëgjoj si qajnë dhe qeshin bebet, si blegërijnë bagëtitë, a kanë lule ullinjtë dhe si janë bletët…?
Dua të bisedoj me detin dhe me varret e të parëve…
– Frederik, kam edhe një pyetje: “ Si është për ty stina e leximit?”
– Unë e kam humbur orientimin, përpiqem të takoj në ëndërr lexues, por ata më largohen…, kthehen në hije, ikin si fantazma…
– Eh, Fatos Arapi!Ti tani po e provon…Këtej nga bota jonë e eterit, unë e kam njohur herët këtë ikje…
I largoheshin poezisë sime si djalli nga temjani… Çdo varg imi më lidhte si Prometeun…, pastaj vinin skifterët që më çukisnin, laraskat, zhgabat… Ngjiteshin mbi trupin tim edhe gjarpërinjtë… Isha i dënuar të mos lexohesha, isha ndëshkuar të mos kisha stinë leximi…, as edhe në muajin e letërsisë, ku ju mbushnit faqet e gazetave…
I vetmi ,që më mbajti mendjen në kokë, ishte Lasgushi… As ai nuk botohej ndër gazetat e Partisë…
E keqja është se tani njerëzit nuk duan as stinë leximi, as faqe librash me poezi, ku lind dhe shuhet fryma!
Jemi më mirë këtu, Fatos! Ja dhe këmbanat po bien dhe zotat po thërrasin një meshë për ne të dy…!
Ndoshta poetët janë lindur për t’i kënduar frymëzimit qiellor…!
Para ca ditësh takova Spinozën dhe bisedova me të. Ai më bindi se gjithëkzistenca nuk ka nevojë për shkak, as për vullnet dhe liri, sepse ndryshe njeriu nuk do të ekzistonte…
Atje poshtë, ju ishit njerëz që lëvruat poezinë…, këtu jemi të gjithë qiellpafund…, ku frymëzimi lind dhe ribëhet nga vetja, si një mjegullnajë që krijon universe të reja…
Më habiti! M’u duk vetja një nxënës i vogël…
– Ikim, Frederik…! Në tempull na presin… Ka ajër sot…, shumë ajër… Sa mirë që kemi qenë të vdekshëm, sepse kështu u takuam dhe u shpërfaqëm mes vedi, si dy dishepuj të penduar…!
“ Amin!”, – thanë të dy njëzëri.