VOA
Dy oficerë të marinës amerikane u akuzuan të enjten se i kanë ofruar informacione të ndjeshme ushtarake Kinës – përfshirë detaje mbi stërvitjet gjatë kohës së luftës, operacionet detare dhe materialet teknike kritike.
Dy marinarët, të dy me bazë në Kaliforni, u akuzuan për veprime të ngjashme për të siguruar inteligjencë të ndjeshme për kinezët. Por rastet e tyre ishin të ndara dhe nuk ishte e qartë nëse të dy ishin rekrutuar apo paguar nga i njëjti oficer i inteligjencës kineze si pjesë e një skeme më të madhe. Zyrtarët federalë në një konferencë shtypi në San Diego nuk pranuan të konfirmonin nëse marinarët ishin në dijeni të veprimeve të njëri-tjetrit.
Të dy u deklaruan të pafajshëm në gjykatat federale në San Diego dhe Los Angeles. Marinarët u urdhëruan të mbahen deri në seancat e paraburgimit, që do të zhvillohen më 8 gusht në të njëjtat qytete.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur prej vitesh shqetësimin për kërcënimin e spiunazhit që ata thonë se paraqet qeveria kineze , duke ngritur çështje penale në vitet e fundit kundër operativëve të inteligjencës së Pekinit që kanë vjedhur informacione të ndjeshme qeveritare dhe komerciale, përfshirë edhe hakerimin e paligjshëm.
Dy çështjet vijnë gjithashtu pas një tjetër ndjekjeje penale për kërcënim të brendshëm të lidhur me ushtrinë amerikane. Departamenti i Drejtësisë në prill arrestoi një anëtar të Gardës Kombëtare Ajrore në Masaçusets me akuzat për rrjedhje të dokumenteve të klasifikuara ushtarake në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe çështje të tjera të sigurisë kombëtare në Discord, një platformë e mediave sociale e përdorur kryesisht nga ata që luajnë lojëra online.
Zyrtarët amerikanë thanë se rastet tregojnë se Kina do që të bëjë gjithçka për të siguruar njohuri mbi operacionet ushtarake të SHBA.
“Nëpërmjet krimeve që dyshohet se kanë kryer këta të pandehur, informacionet e ndjeshme ushtarake përfunduan në duart e Republikës Popullore të Kinës”, tha Prokurori për Distriktin Jugor të Kalifornisë, Randy Grossman. Ai shtoi se akuzat demonstrojnë “vendosmërinë e qeverisë kineze për të marrë informacione që janë kritike për mbrojtjen tonë kombëtare me çdo mjet, në mënyrë që të mund të përdoret në avantazhin e tyre”.
Jinchao Wei, një marinar 22-vjeçar i caktuar në luftanijen USS Essex me bazë në San Diego, u arrestua të mërkurën teksa hipte në anije. Ai akuzohet se ka dhënë informacion të detajuar mbi sistemet e armëve dhe avionët në bordin e luftanijes Essex dhe anijeve të tjera sulmuese amfibe që veprojnë si aeroplanmbajtëse.
Prokurorët thanë se marinari Wei, i cili ka lindur në Kinë, u kontaktua nga një oficer i inteligjencës kineze në shkurt 2022 ndërsa ai po aplikonte për t’u bërë shtetas amerikan dhe i pohoi oficerit se ai e dinte se marrëveshja mund të ndikonte në aplikimin e tij. Megjithatë, me kërkesën e oficerit kinez, Wei ofroi fotografi dhe video të anijeve të marinës, përfshirë nga USS Essex, e cila mund të mbajë një sërë helikopterësh, duke përfshirë MV-22 Ospreys.
Aktakuza pretendon se marinari Wei kishte dhënë deri në 50 manuale që përmbajnë të dhëna teknike dhe mekanike për anijet e Marinës, si dhe detaje rreth numrit dhe trajnimit të marinsave gjatë një stërvitjeje të ardhshme.
Wei vazhdoi të dërgonte informacione të ndjeshme ushtarake amerikane shumë herë gjatë një viti dhe madje u përgëzua nga oficeri kinez pasi u bë shtetas amerikan, tha prokurori Grossman. Ai shtoi se Wei “zgjodhi t’i kthente shpinën vendit të tij të ri”.
Departamenti i Drejtësisë e akuzoi Wei-n sipas një statuti të Ligjit të Spiunazhit të përdorur rrallë që e bën krim mbledhjen ose dhënien e informacionit për të ndihmuar një qeveri të huaj.
Pasi deklaroi pafajësinë në San Diego, Wei iu caktua një avokat mbrojtës, i cili nuk pranoi të komentonte pas seancës. Wei nuk reagoi kur iu lexuan akuzat.
Ndihmës Prokurori amerikan Fred Sheppard i tha gjykatësit se marinari Wei i kishte kaluar informacione inteligjencës kineze dy ditë më parë. Ai tha se Wei, i cili përdore gjithashtu emrin Patrick Wei, i tha një shoku të tij marinar në shkurt të vitit 2022 se ai “po rekrutohej për spiunazh”.
Ndihmës Prokurori Sheppard tha se Wei ka fituar 10,000 deri në 15,000 dollarë vitin e kaluar nga marrëveshja me oficerin e paidentifikuar të inteligjencës kineze. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.
Oficeri e udhëzoi Wei-n të mos diskutonte lidhjen e tyre, të ndante informacione të ndjeshme dhe të shkatërronte provat për t’i ndihmuar ata të mbulonin gjurmët, thanë zyrtarët.
Departamenti i Drejtësisë akuzoi gjithashtu marinarin Wenheng Zhao, 26 vjeç, në Bazën Detare të Distriktit Ventura, në veri të San Diegos, për konspiracion për marrjen e rreth 15,000 dollarëve ryshfet nga një oficer i inteligjencës kineze në këmbim të planeve të stërvitjes detare amerikane, urdhrave operacionalë dhe fotove dhe videove të sistemeve elektrike në objektet e Marinës nga gushti 2021 deri të paktën këtë maj.
Informacioni përfshinte plane operacionale për një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor, e cila detajonte vendndodhjen dhe kohën e lëvizjeve të forcave detare.
Associated Press nuk ishte në gjendje të kontaktonte avokatin mbrojtës të caktuar për Zhao-n, i cili deklaroi se ishte i pafajshëm në Los Anxhelos.
Aktakuza më tej pretendon se Zhao fotografoi projekte për një sistem radari të vendosur në një bazë ushtarake amerikane në Okinawa, Japoni.
Prokurorët thonë se Zhao, i cili përdor edhe emrin Thomas Zhao, regjistroi gjithashtu në mënyrë të fshehtë informacionin që ai dorëzoi. Nëse shpallet fajtor, Zhao mund të përballet me një dënim maksimal prej 20 vitesh burg federal.
Ishte e paqartë nëse zyrtarët federalë po hetojnë marinarë të tjerë amerikanë.
Në Pentagon, Gjenerali Pat Ryder u tha gazetarëve se, “Ne kemi politika dhe procedura të qarta kur bëhet fjalë për ruajtjen dhe mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm. Kështu nëse këto rregulla shkelen, do të ndërmerren veprimet e duhura.” Ai nuk pranoi të diskutonte ndonjë specifikë të rastit.
Prokurori Grossman tha se akuzat reflektojnë se Kina “është më agresive për sa i përket kërcënimit që qeveria e saj paraqet për Shtetet e Bashkuara. Kina nuk ka rivalë në guximin dhe gamën e përpjekjeve keqdashëse për të përmbysur ligjet tona.”
Ai shtoi se SHBA-të do të përdorin “çdo mjet në arsenalin tonë për të kundërshtuar kërcënimin dhe për të frenuar Kinën dhe ata që kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”.