E pyetur për raportime të pakonfirmuara se Kina ishte fuqia e huaj në fjalë, ministrja franceze tha se ajo “nuk mund të flasë shumë”
PARIS – Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, ka bërë të ditur se dy ish-spiunë francezë janë akuzuar për tradhti lidhur me pretendimet se ata i kaluan inteligjencën një “fuqie të huaj”.
“Dy agjentë francezë në shërbimin tonë dhe ndoshta një nga bashkëshortet e këtyre agjentëve janë akuzuar për veprime serioze që mund të konsiderohen veprime të tradhtisë, në dyshimet për dhënien e informacionit një fuqie të huaj”, tha Parly për televizionin CNews.
E pyetur për raportime të pakonfirmuara se Kina ishte fuqia e huaj në fjalë, ministrja franceze tha se ajo “nuk mund të flasë shumë”.
“Franca ka partnerë, por jetojmë në një botë të rrezikshme dhe për fat të keq mund të ndodhin këto lloje të gjërave”, shtoi Parly.
Dy spiunët e pensionuar u arrestuan dhe u akuzuan dhjetorin e kaluar. Ata po ndiqen penalisht për “dhënien e një informacioni një fuqie të huaj që minon interesat themelore të kombit” dhe “komprometon fshehtësinë e mbrojtjes kombëtare”.
“Njëri prej tyre po ashtu është akuzuar për nxitje të drejtpërdrejtë ndaj krijmit të tradhtisë”, thuhet në raportet franceze që citojnë burime pranë hetimit.
Një person i tretë, që besohet të jetë bashkëshort i njërit prej tyre, është akuzuar për “fshehjen e krimeve të tradhtisë” dhe është vendosur nën kontrollin gjyqësor.
Sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Inteligjencës e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Jashtme (DGSE) njoftoi prokurorët francezë pasi zbuloi sjelljen “jashtëzakonisht serioze” të agjentëve të saj të mëparshëm.
“Fakti që ne dëgjuam alarmin ishte prova e vigjilencës sonë”, tha Parly.
Ministrja franceze e Mbrojtjes tha se ky informacion komprometues i dorëzuar nga agjentët, përderisa ende ishte nën shërbim të DGSE-së “mund të dëmtojë sigurinë e shtetit”. aa
Komentet