Reflektim mbi Bibliotekën e Vatrës.
Mbas postimit të të fotove të gjendjes së mjerueshme të Bibliotekës së Vatrës nga studiuesi Josef Radi dhe ripostimi i tyre nga dega e Vatrës Manhatann, dëgjova që një aksion 3 orësh “me goditje të përqëndruar” kishte ndodhur pardje, dhe rezultati ishte shkrimi dhe disa foto në gazetën Dielli nga nënkryetari i të Vatrës, Grishaj (shih linkun me poshtë). Me këtë rast, vlen të përgëzohet z. Ilir Cubi që pastroi bibliotekën, që në fakt bëri atë që kryetari i Vatrës duhej të bënte me kohë.
Por unë dua të ndalem tek disa momente që më tërhoqën vemendjen nga shkrimi i z, Grishaj në gazetën Dielli.
1. Nënkryetari e fillon me, “Në emrin tim personal dhe në emër të Vatrës”, pra ai flet me gjuhën e kryetarit të Vatrës, dhe pa asnjë dyshim ai është kryetari de-facto i Vatrës. Prandaj, unë mendoj se si arritjet, dhe sidomos dështimet duhet që ti atribuohen atij.
2. Në shkrim autori shkruan se “…në bashkëpunim me studiuesin Elez Osmani, Paulin Marku dhe editorit të Diellit, u arrit sistemimi përfundimtar i të gjithë librave, ndarja sipas kategorive…”
Nga kuriozi për të eksploruar rregullimin e librave sipas kategorive, i bëra një zmallim të shpejtë fotove që autori paraqiti me shkrimin. Ajo çfarë duket, është krejt e ndryshme me çfarë reklamohet në shkrim. Siç e shihni vetë në foton më poshtë, librat e rreshtuar pranë njëri-tjetrit i perkasin kategorive krejt pa lidhje me njëra tjetrën:
a. Histori, [Edit Durham, High Albania]
b. Terapia Natyrale, [The natural Physicians healing Therapy]
c. Erotizmi, [In The Ring],
d. Biznesi, [What they don’t teach you at Harward Bussiness School]
e. Filozofia, [Young Neitzsche] etj.
Fotot flasin vetë, ato nuk gënjejnë, atëherë kush gënjen?!
Pra lajmi bombastik për një punë voluminoze disa mujore, që në shkurt, sikurse shkruhet, është një “flluskë sapuni”. Gjendja në rafte duket e njëjtë, vetëm se librat dhe thasët e zinj me libra thjesht janë hequr nga dyshemeja. Përderisa nuk ka pasur sistemim sipas kategorive dhe gjendja në rafte duket e pandryshueshme, vatranët pyesin se ku kanë perfunduar librat? Dëgjojmë gjithfarë hamendjesh, se librat janë hedhur në kazanin e plehrave, se është mbushur një banjo me librat e autorëve shqipëtarë etj. Unë uroj dhe shpresoj që të mos jetë kështu. Përgjigjen le ta japin drejtuesit e Vatrës.
3. Në fotot shoqëruese të Grishajt, duken dy fotografi të mbështëtura në dysheme përtokë, njëra e themeluesit të Vatrës, Theofan Noli dhe tjetra e themeluesit të Pavarësisë, Ismail Qemali.
Të dashur drejtues të Vatrës, është dhimbje e madhe për këdo, mungesë vlerësimi, respekti, dhe patriotizmi ndaj të mëdhenjve e kombit, kur shikon portretet e tyre në dyshemetë e mykta të podrumeve. Unë e kuptoj gjendjen e vështirë financiare të Vatrës, dhe ju mirëkuptoj, prandaj në shenjë simbolike, po ju dërgoj me postë dy gozhdë, dhe mundësisht dhe sa më parë ti përdorni për të vendosur në mur dhe sa më lart, korifejtë e Vatrës dhe të Pavarësisë. Shoh fotot me poshte.
4. Kryetari de-facto i Vatrës, flet me një gjuhë urrejtëse dhe përçarëse ndaj vatranëve që kërkojnë ruajtjen pasurisë së Bibliotekës dhe atyre ja thonë të vërtetat në sy.
Ky fjalor anatemues që nuk i shërben askujt, është i dënueshëm edhe nga Kanunorja që vetë gjoja ata e aprovuan e cila e ndalon botimin në Gazetën Dielli, të shkrimeve që nuk kanë etikë dhe shkaktojnë përçarje në mes vatranëve. Kjo gjuhë duhet të dënohet nga të gjithë.
Veçoj paragrafin e fundit nga shkrimi i nënkryetarit të Vatrës, Grishaj:
“Prej javësh një i pa ndergjegishem, hyri në Bibliotekë me gjasme për të kërkuar Shejzat e Koliqit, një besëprerë me mision, shkrepi disa fotografi gjatë kohës që beheshin punime, i shiti si zbulim Kolombistik dhe ushqeu klubin e “sharësve dhe përçarësve” me matetial të neveritshëm. Prej kohesh klubi i rrugës që vec shan e mallkon, pa integritet dhe moral, shpifjen, deformimin dhe mashtrimin e kane kryefjalë”.
Autori vjell vrer ndaj “besëprerit me mision” studiuesit dhe gazetarit te nderuar Josef Radi. Një njeri normal dhe me mendje të shëndoshë dhe të hapur duhet të jetë falenderues ndaj kritikës së Josefit, degës Manhatann dhe të gjithë të tjerëve që folën për gjendjen e Bibliotekës. E kush nuk u pezmatua nga ajo gjendje e mjerueshme që ishte dhe është Biblioteka. Por sikurse e thoshte z. Radi, “gjendja mjerueshme e Bibliotekës është fytyra e Vatrës, poshtë rrëmujë, lart, grindje, sharjë e thika mbas shpine”.
Nuk është e para herë që shohim shkrime të tilla “hajvaneske” sikurse i quante gazetari Krasta, por mua me shqetëson një problem tjetër:
Anëtarë të publikut, por edhe disa vatranë, falenderuan me komente z. Cubi për bamirësinë e tij, të tjerë të gezuar nga gjendja e re e Bibliotekës në foto, e pëlqyen duke vënë një LIKE ne fund të shkrimit. Dëgjova se nënkryetari ishte egzaltuar nga pëlqimet që kishte marrë shkrimi, duke e përkthyer si mbështetje ndaj tij për vrerin që ai volli ndaj vatranëvë të tjerë duke i quajtur “klubi i rrugës… pa moral dhe pa integritet”.
Ky shkrim imi është edhe si reagim ndaj ketij fjalori poshtërues të nenkryetarit, pasi “në klubin e rrugës”, ku bëj pjesë edhe unë, janë vatranët më të vjetër, kontribuesit më të mëdhenj, njerëzit më me moral dhe integritet që ka Vatra, nga familjet më të mira shqiptare, nacionalistë, të mbijetuar dhe të arrtisur nga komunizmi, ish të persekutuar dhe të lindur në kampet e internimit, të cilët e duan Vatrën por nuk duan e as durojnë shkelesit dhe manipuluesit në Vatër.
Prandaj të nderuar vatranë dhe anëtarë të publikut, edhe nëse mendoni ndryshe nga ne, apo ne mendojmë ndryshe nga ju, kjo është njerëzore dhe ka një bukuri më vehte. Njerëzore duhet që të jetë edhe kjo, që ju të mendoni dy herë përpara se të bëheni mëkëmbës të së keqes, përçmimit, urrejtjes dhe ofensave të kushdoqoftë kundër kujdoqofte. Edhe një LIKE e vogël e juaja po shërben si “ashke” për të ndezur zjarrin në mes vatranëve dhe dasht-pa-dasht, ju po ushqeni egon e një personi me veti narcisiste, që në shpirt ka urrejtje për ata që mendojnë ndryshe nga ai.
Ju bëj thirrje që ti injoroni dhe ti braktisni shkrime të tilla që cënojnë nderin dhe karakterin e të tjerëve. Nuk jemi në Vatër për t’u ofenduar e as per tu linçuar, jemi vulnetarë dhe vullnetmirë për një qëllim të mirë.
Duhet që ta kuptoni se kryesia aktuale drejtuese e Vatrës, në vazhdim të paligjshmërisë dhe drejtimit nëpërmjet votave të manipuluara, në kushtet kur gati dy vjet mbas Kuvendit nuk ka kushtetutë apo Kanunore e as procesverval përfundimtar të publikuar, kur Vatrës i mungon totalisht demokracia e brendshme dhe liria e shprehjes në struktura, kur në shtëpinë e Vatrës ka disa vjet që nuk bëhen mbledhje të anëtësisë së Vatrës, kjo kryesi pa mandat, ka marrë një rrugë pa kthim, siç thotë z. Grishaj në shkrim e tij me shprehjen e huazuar nga Edi Rama “VETËM PËRPARA”. Aktet e përjashtimit dhe gjuha e urrejtjes që po përdorin këta zyrtarë, kam frigë se po e çojnë Vatrën jo drejt bashkimit por drejt një përplasje dhe ndarje funduese në mes vatranëve.
TITANIC ishe nje anije e madhe, me e madhja ndër të gjitha, por kapiteni nuk diti që ta ruajë, anija u perplas keq, u nda dysh dhe u fundos.
Vatranë, media dhe publik shqiptar, MBRONI VATREN!
Artikulli i Grishajt në Gazeten Dielli
https://www.facebook.com/100064…/posts/692334306268428/…
Artikulli kritik i studiuesit Josef Radi
https://www.radiandradi.com/klithem-per-shpetimin-e…/