Romani “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës që mund të futet në zhanrin e fantazisë abstrakte, bazuar në fakte historike të njohura e të panjohura, mite e legjenda, i cili për stilin e shkrimit, më la shijen e vazhdimit të traditës sonë të lashtë e rrëfimit gojor, ulur pranë vatrës, me një plak të lashtë, të urtë që rrëfen me mënyrë tipike, si një lloj harte për njohjen e botës, që të nxit etjen për dije, dije që mund të jetë e çdo lloji; mitologjike, teologjike, historike, spekulative, magjike, enciklopedike, ishte një përvojë e pritur, e dëshiruar, e malluar.
Romani është një histori rrëfimesh që shtrihen në një periudhë shumë të gjatë kohore, që prej krijimit të botës dhe njerëzve të parë nga krijuesi e deri në historinë e lindjes dhe më pas përhapjes e stabilizimit të kristianizmit. Në qëndër të romanit është mendimi, që rraca njerëzore pellazgjike e ‘përbuzur’ nga krijuesi, jo vetëm diti të mbijetojë, po u shumua dhe njerëzit e saj krijuan civilizimet më të lavdishme e të ndritura të botës mesdhetare.
Në pak fjalë, është historia e jetës së Helenës, nënës 75 vjeçare e Perandorit Kostandin, e treguar nga ajo vet, përgjatë udhëtimit të saj në gjetjen e Kryqit të kryqëzimit të Krishtit, në Aelia Capitolina, emri latin, apo siç e njohim Jeruzalem, udhëtim që në histori njihet ndryshe edhe si peligrinazhi i parë në tokën e shenjtë.
Romani fillon me shpjegimin e fjalës, simbolit, të muzgut dhe yllit të mëngjesit Afërditës – që duken si kundërshti mes vedi, dy koncepte apo dy aspekte të një qënie të vetme – njëra errësirë mbarim, tjetra dritë shpresë. Helena është në muzg të jetës – Afërdita në fillim të saj. Dy personalitete diametralisht të kundërta: njëra tokësore me mentalitet praktik rreth të drejtës dhe të bukurës, me moton, qëllimi justifikon mjetin; tjetra qiellore, me mentalitet idealist mbi të drejtën dhe të bukurën, me moton trajtoje tjetrin njësoj si veten.
Në fund të romanit, kupton që Helena e Afërdita është e njëjta qënie – e njëjta grua, në periudha të ndryshme jete.
Pra Helena, lindi Afërditë, e bukur dhe me plot ideale të larta qiellore, të cilat gjatë rrugës së jetës i ‘vret’ dhe shndërrohet në një njeri tokësor, meskin, me mentalitet praktik, që beson se njeriu e bën vet fatin e tij.
Për mua, romani është një ekzaminim i nevojës për shpjeguar historinë – mitet, fabulat, kronikat, traditat tona familjare, të cilat janë koduar në shtresat dhe nënshtresat e nënvetëdijes e pavetëdijes sonë. Përgjatë gjithë rrëfimeve, merr mesazhin që gjuha shqiptare mbijetoi vetëm nëpërmjet amësisë prej grave dhe jo atësisë siç theksohet nga monoteizmi, dhe që ky monoteizmi, krishtërimi, u shpik për të mbrojtur identitetin iliro-pellazgo-arbëror.
Romani i Arben Kallamatës i shtohet grumbullit shumë të madh të debateve teologjike dhe atyre mbi prejardhjen e kombeve. Me referenca historike të njohura e të panjohura, me mite e legjenda të thjeshta, jo të ndërlikuara, ai ta sjell mendjen vërdallë e të bën të pyesësh veten “Ç’dreqin janë këto?” “A janë të vërteta apo dëshira shqiptarësh për të qenë kështu?” Bile shumë, koncepte, emra, fjalë e fjali, mënyra e shpjegimit të tyre vetëm në gjuhën shqipe, të bëjnë të pyesësh veten nëse e ka seriozisht këtë ky Beni, apo po tallet?
Dhe këto janë të shumta, duke filluar që nga:
– Ekzistenca jo e një, po e dy kopshteve të parajsës: Edinit në Afrikë dhe S’Edinit pranë lumit Shkumbin, në Xhyrë të Librazhdit.
– 2 njerëzit e parë, të dy burra. Adami i Edinit dhe Qygji i S’Edinit
– Gratë përkatëse që u krijuan të dytat, po nëse Eva krijohet siç e dimë nga brinja e Adamit, në S’Edin kemi metamorfozën e Qygjit në Qygje dhe krijimin e Palloshit si burrë.
– Po edhe mëkatet fillestare janë të ndryshme: Nëse në Eden ai i njohuri seksi. Në S’Edin, pavarësisht mosgënjimit nga gjarpri, mosngrënies së frutit të dijes, prapë ka ndëshkim me 3 mëkate. Pse? Duhet lexuar.
– Qygjorët nuk rrjedhin nga inçesti, si rraca e Adamit dhe Evës. Ata rrjdhedhin nga përdhunimi i Qygjes prej pasardhësve të kopshtit të Edinit.
– Lufta e Trojës dhe krijimi i Romës.
– Pirroja i Madh i të Pirit, Lenka e Virgjër e Tepelenës dhe Grepi I.
– Lindja e Shpëtimit në katakombet e Romës dhe si përhapet e shruhet kjo histori.
– Kompromiset e Pirros dhe e të tjerëve pas tij për shpëtimin e pellazgëve.
– Teuta mbretëresha e deteve
E shumë të tjera si këto, ndoshta spekullime/aludime në kufijtë e mjegullës së dendur të mosdijes dhe dijes, për shkak të mungesës së fakteve historike dhe llogjikës, që ky popull shqip-folës ishte aty në ato troje.
Libri të sjell ndër mend Baudolinon e Umberto Eco-s. Nëse Eco është mjeshtër i ‘shpikjeve’ me të cilat na mbush hapësirat (boshe) të njohurive dhe përvojave tona, duke filluar që nga ajri tek qelizat e kuqe të gjakut, nga ëndrrat me sy hapur të ditës tek poezitë, nga gënjeshtrat tek mitet, deri tek falsifikimet, alkimistët e monstrat, edhe Arben Kallamata me këtë roman nuk mbetet pas.
Libri është shumë zbavitës dhe asnjë fakt historik apo sqarim gjuhësor, nuk e bën të lodhshëm dhe të mërzitshëm, pasi fantazia e autorit ka shpërthyer bukur duke e bërë shumë interesant dhe tërheqës për t’u lexuar. Autori ka ç’mitizuar pothuaj ç’do gjë, po njëkohësisht ka mitizuar gjuhën shqipe, si gjuha e parë e mësuar nga vet Perëndia dhe e vetmja e mbijetuar.
Gjithësesi besimi apo mosbesimi në gjithçka që lexojmë në libër, do të jetë provojë interesante për ne lexuesit shqiptarët, sepse do na provojë nëse jemi maturuar, apo jo akoma, duke besuar ende tek ‘Romanca famijare Frojdiane’ – fantazi e vetëdijshme, në të cilën fëmija i vogël imagjinon që është i birësuar, dhe prindërit e tij biologjikë janë fisnike, princër, mbretër apo bij perëndie
Komentet