Kundrim anësor
1.
Kohë të vjetra nga të cilat kujtesa s’del dot. Fundja (si mendon F. V. Schirach), në kujtime s’ka kurrënjëherë kohë…
Më thoshte xhaxhai, një burrë i mençur dhe i njohur në anën tonë: ruaju nga belbanët. Kur e pyesja pse, ai ma kthente: eh, sepse nuk mund të shprehen, e pastaj iu vjen të plasin dhe shpërthejnë keq, pa takt e masë.
Dhe m’përftoi vetishëm kjo dromcë dritëruese, kur, pokështu, belbanët politikë t’një krahu opozitar morën turr e ushtruan dhunë kuvendare. Të tillë që s’kishte parë ky tempull shteti asnjëherë në kronikën e vet.
Vuajnë dhimbshëm mungesën e kauzës dhe artikulimit politik. Ndaj, të varfër e bllokuar shpirtërisht, çlirojnë energjinë e refuzimit në stilin e mundjes në arenë.
I bëjnë me faj të tjerët, pse janë vetë periferikë dhe impersonalë: pa prijës të kulturuar, pa dije, pa karizmë e ide të epërme që pushtojnë vokacione elektorale!
2.
Epruveta e një faktori të tretë nuk mungon kurrë tek xyfjet politike shqiptare.
Në Orët e mëdha të historisë, veçanërisht.
Unë disi, mbase në kufi teprie, në çdo kalvar shqiptar shoh dorën e fshehtë serbiane.
Tani s’them aspak që autorët e rrëmujës parlamentare, janë rekrutë të saj. Por fijet spiunore të Serbisë janë të sofistikuara. Sigurisht mbi inteligjencën mesatare të njeriut politik kosovar.
Shefja e grupit parlamentar të mazhorancës, i hodhi opozitarëve një “fije kashte” për të shpresuar bregun e largët e të humbur në terrin e natës detare…
Por a ishte preteksti i denjë për zallahinë?
Debati publik, i degjeneruar tashmë, do griste pëlhurën e stolisë. Dhe, ashtu, e gjitha do t’përfundojë në temën: kush është më proserb në elitën politike! Sikur duan të thonë: jemi të gjithë, por cili është kryepar me biografi e kartelë?!
Ndërkaq, nga një pjerrinë krejt tjetër, Premieri shqiptar Rama u ngut të prononcohej dy herë dhe aq ethshëm.
Herën e mbramë sikur ishte nxitur nga “miqtë kosovarë”, të cilët, nga mesazhi që i kishin dërguar, rezultonin anëtarë a militantë të partisë së dhunëtarëve opozitarë.
Sidoqoftë, pozicionimi i tij ishte i drejtë: Opozita të kërkojë ndjesë!
Por, përse me aq alarm?
Nuk besoj të jetë anashnxitës. Por, meqë vetë është afishuar së fundmi si mik Serbie dhe armik Kosove ose i qeverisë saj, shpejtoi të shpjegohet. Thuase, kushedi, ndjente nevojë të shplahej. Dhe të dalë i kulluar…
Horizonti është mugët dhe vetëm e vërteta, si do thoshte Zhak Bosye, është mëndeshë e Paqes. Dhe i të Mirës, natyrisht!
3.
Lëdëkë-istët, opozitarë poashtu, qëndruan dje fisnikërisht menjanë.
Janë institucionalistë të regjur, padyshim. Trajektorja e tyre politike shtrihet gjatë në kohë. Dhe me shumë stema e ngjyrnajë flamujsh ndër vite.
Porse, ja, nuk përballuan dot sprovën fine të demokracisë. Mirëpo, sërish, njëj dallimi të thellë qytetarie: ata rrahen mes vete!
Janë krenarë dhe s’para pëlqejnë t’i rrahë kush. A s’është urtake kjo filozofi e artë e dhunës?
Gjithësesi. Mëtej ende: një shkollë e lartë edukimi për brezat që vijnë…
4.
Megjithë justifikimin e saj, apo fajsinë e përplasjeve barbare që ngjan t’ketë mbërritur adresën e vet: Mimoza Kusarin e vraftë i lumi Zot!
Në fakt, më qejfërisht shaj, rrallë e pëshpëritshëm, sesa mallkoj. Por në komunikimin publik sharja, aq më pak e shkruar, më vjen e huaj. E ultë dhe matanë kredos sime etike.
E nëma, që nuk i bie, i shkon si kurrë ndonjëherë!
r.