Lufta aktuale në Lindjen e Mesme nuk lë askënd indiferent, as Jakob Fincin, presidentin e komunitetit hebre në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Nga Deutsche Welle
Hebrenjtë e parë arritën në Bosnjë dhe Hercegovinë në shekullin e 15-të. Jakob Finci, president i komunitetit hebre në Bosnje dhe Hercegovinë, ruan traditën e tyre dhe promovon bashkëjetesën mes feve. Por lufta aktuale në Lindjen e Mesme po i polarizon edhe qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Ata prej nesh që i mbijetuan luftës në Sarajevë e dinë se sa e shëmtuar është kur të qëllojnë me granata, kur të bombardojnë, kur nuk ke ujë, dhe je pa energji elektrike, pa gaz.” tregon Jakob Finci në bisedë me DW. Sipas tij situata tani është shumë e vështirë edhe për njerëzit që jetojnë në Gaza, por edhe për ata që janë të detyruar të qëllojnë mbi Gazën, sepse kanë marrë urdhër.
Për shkak të luftimeve që po zhvillohen mijëra kilometra larg, në Sarajevë u anulua koncerti për përvjetorin e Natës së Pogromit nazist. Por pavarësisht kësaj, hebrenjtë në Bosnje dhe Hercegovinë ndjehen të sigurt. “Ne nuk kemi probleme, nuk na sulmon njeri, pra as individët as komunitetin.” – thotë Jakob Finci.
Finci thotë se bashkësia hebreje bashkëpunon shumë ngushtë me komunitetin islam, i cili është më i madhi në Bosnje dhe Hercegovinë, me Kishën Katolike si dhe me Kishën Ortodokse Serbe. “Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira, normale. Të gjitha aktivitetet tona zhvillohen normalisht.”
Si “shalom” dhe “selam” do të thotë paqe
Sipas Fincit që fetë e ndryshme të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore, është e rëndësishme të gjehet një gjuhë e përbashkët dhe ajo të zbatohet edhe në praktikë
“Në hebraisht, hebrenjtë përdorin përshëndetjen “shalom”. Ashtu siç thonë edhe muslimanët boshnjakë “selam” ose “selam alejkum”. “Selam” do të thotë paqe, njëlloj sikurse edhe “shalom” do të thotë paqe. Pra, ne gjithmonë e përdorim atë fjalë, si kur takohemi, ashtu edhe kur ndahemi, por me sa duket në praktikë nuk dimë si ta arrijmë atë.” – thotë Jakob Finci.
Duke e përmbyllur bisedën ai thotë “Në fund kam ç’them tjetër, përveç se shalom për të gjithë, paqe për të gjithë.”