Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bashkuar forcat për të çuar Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje të përkohshme. Pajtimi në Bruksel për planin franko-gjerman ka lehtësuar një pjesë të punës, megjithatë për çështjet më të ndjeshme pritet zgjidhje në Ohër më 18 mars.
Për këtë takim të radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic ka raportuar sot Deutche Welle në versionin serbisht përmes një analize të gazetarit Tomas Braj. Siç thuhet në këtë analizë, në takimin e Ohrit duhet të zgjidhen dy çështje, për të cilat është e nevojshme ndryshim pozicioni nga Kurti dhe Vuçiq.
Aleksander Vuçiqit do t’i duhet të tërhiqet nga pozicioni i tij dhe të jepte dritën jeshile për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, pa përfshirë OKB-në.
Ndërsa për kryeministrin Albin Kurti në këtë artikull të DW thuhet se duhet të hap rrugën për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe edhe pse është kundër krijimit të çfarëdo forme institucionale dhe territorial të këtij komuniteti.
Në këtë analizë të publikuar në mediumin gjerman e gjithë situata shihet si një punë që kërkon aftësi të madhe diplomatike meqë mospajtimet janë shumë të mëdha.
Megjithatë sipas gazetarit të DW vazhdon të ekzistojë skepticizmi bazuar në të kaluarën, se edhe një marrëveshje potenciale në Ohër s’do të ndryshonte situatën dhe problemet reale në terren.
“Pas eksperiencave të dekadave të kaluara me politikën perëndimore ndaj Ballkanit, ekziston frika se mund të arrihet edhe një herë një kompromis në të cilin secili të gjejë interesat e tij, por që nuk ndryshon asgjë kur bëhet fjalë për problemet reale”, shkruhet në këtë artikull të DW.
Sipas gazetarit gjerman, Brukseli dhe Washingtoni duhan që ta zgjidhin përfundimisht problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak pritet që gjatë kësaj jave të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd ku do të takohet me Kurtin dhe Vucicin. Siç ka konfirmuar vetë ai, në këto takime do të diskutojë për Aneksin e Implementimit.
Në një bisedim për Atlantic Council, Lajcak ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përgatisin propozimet e tyre realiste për Aneksin e Implementimit të bazuara në dokumentin që BE-ja ua ka dhënë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.