Javën e ardhshme deputetët e grupit më të madh në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), CDU/CSU, do të merren intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave, shkruan DW.
Të përfshirë do të jenë kryesisht deputetët kristian-demokratë e kristian-socialë të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, i cili drejtohet nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së Johann David Wadephul (CDU), si dhe grupet e punës për çështje të Bashkimit Evropian dhe ato të Jashtme.
Gjatë javës së ardhme ata pritet të takohen si me përfaqësues të qeverisë gjermane, ashtu edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ky i fundit pritet të thirret të premten e ardhshme (13.09) në Berlin, sipas Deutsche Welle.
Sipas saj, një pjesë e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka një pakicë të fortë, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për kaq.
Përveç kushteve të formuluara më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, krimin e organizuar dhe reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019 dhe sqarimi i akuzave për shitblerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.
Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD.
Kjo e fundit dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë.
Nëse unifikohen qëndrimet, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut – shkruan DW.
Komentet