VOAL

VOAL

DW: A rrezikon Europa të humbasë rëndësinë e saj në këtë shekull

January 5, 2023

Komentet

BIRN: Si e emëroi Rama drejtoreshë të AZHT, Adelajda Rokën, motrën e anëtarëve të bandës së Suel Çelës

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi të martën kryeministrin Edi Rama se kishte emëruar në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit motrën e dy të akuzuarve nga SPAK si anëtarë të organizatës kriminale nën drejtimin e Suel Çelës.

“Znj. Adelajda Roka, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, vartëse direkte e Kryeministrit Edi Rama, rezulton se është njëkohësisht edhe motra e dy prej anëtarëve të Bandës së Elbasanit Marsel dhe Xhino Roka. SPAK duhet të hetojë kush ia propozoi Edi Ramës emërimin e saj si Drejtore e Përgjithshme e AZHT dhe pse Edi Rama e emëroi menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim?”, thuhet në reagimin e Bardhit.

Marsel dhe Xhino Roka u arrestuan gjatë operacionit të fundit kundër organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela dhe SPAK ka ngritur ndaj tyre akuza të shumëfishta.

Adelajda Roka u emërua në nëntor 2023 në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në administratën publike.

E pyetur në telefon nga BIRN, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka refuzoi të komentonte mbi akuzat e PD, ndërsa kërkoi që të mos merrej “në telefon për gjëra të tilla”.

Bardhi akuzon kryeministrin se ka lejuar forcimin e organizatave kriminale. “Është fakt se ndikimi i krimit të organizuar në jetën shoqërore dhe politike të vendit është forcuar së tepërmi gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Grupet kriminale jo vetëm kanë vepruar të pashqetësuara, por njëkohësisht janë fuqizuar ekonomikisht, si dhe kanë pushtuar/diktuar emërimet në pozicionet kyçe të qeverisjes së vendit”, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e tij, Bardhi i kërkoi SPAK të hetonte lidhjet e këtij grupi të krimit të organizuar me politikën. Duke iu rikthyer përplasjeve të dhunshme në fushatën elektorale të vitit 2021 në Elbasan, Bardhi tha se anëtarët e grupit ishin denoncuar edhe atëherë nga Partia Demokratike si pjesë e stafit të Partisë Socialiste në fushatë.

“Çfarë po bëhet me kallëzimin e depozituar nga PD për këtë qëllim që në 7 Prill 2021, ku secili prej tyre ka qenë i indentifikuar me emër dhe mbiemër? Vetëm përgjigja e shpejtë ndaj këtyre pyetjeve do ta bënte të besueshëm hetimin e SPAK, duke na treguar të gjithëve se ky hetim nuk është detyrim me përcaktim i agjencive ligj zbatuese të huaja, por arritje e pjekurisë institucionale të prokurorisë së posaçme”, theksoi Bardhi.

Opozita akuzon anëtarët e këtij grupimi se u përfshinë në fushatën elektorale në vitin 2021 dhe se po ashtu u përfshinë në përplasjen me armë që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve. PD akuzoi anëtarët e grupit se ishin përfshirë në blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste gjë që rezultoi në një përplasje fatale. Hetimet e prokurorisë mbi vrasjen gjetën se policia nuk veproi dhe tentoi të manipulonte ngjarjen./BIRN

SPAK zbërthen organizatën e Suel Çelës: Atentate për eliminimin e rivalëve dhe trafik kokaine. Bujar Shega rol kyç në vrasje dhe…

SPAK godet Organizatën Kriminale nga Elbasani në Trafikun Ndërkombëtar të Kokainës. Një ditë pas ekzekutimit të disa urdhër arresteve; 18 masa arresti me burg, 1 arrest shtëpi dhe 2 gazetarët detyrim paraqitje, SPAK ka zbardhur disa prej aktiviteteve kriminale, atentate, trafiqe, vrasje etj kryer nga grupi kriminal i Suel Çelës.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Ky hetim i bazuar në komunikimet e koduara SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
Arrest në shtëpi për 1 avokat.
Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  • Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, Ardian Çapja, në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  • Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit Bledar Muça, mars 2020;
  • Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit Elton Kila, në vitin 2020.
  • Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  • Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  • Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.Shtetasi

Marjus Lulaj (alias Suel Çela) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela, A.V., Bujar Shega, K.M., Xh.R. etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë
Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (Dedan Gjoni) dhe të sistemit gjyqësor (Pjatime Fetahu) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

Marjus Lulaj (Suel Çela) ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjtën kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:
a. Në blerjen e lëndës narkotike
b. Në gjendje cash-i në Shqipëri
c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

Shënim për gazetarët:

Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:

Marius Lulaj alias Suel Çela, 36 vjeç, banues në Elbasan
Mario Çela– 35 vjeç, banues në Elbasan
Xhino Roka – 33 vjeç, banues në Tiranë
Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja) – 37 vjeç, banues në Elbasan
Sergej Hasanpapaj – 30 vjeç, banues në Elbasan
Bruno Hazizolli– 34 vjeç, banues në Elbasan
Ledio Zabeli– 33 vjeç, banues në Elbasan
Marsel Roka– 37 vjeç, banues në Tiranë
Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku) – 39 vjeç, banues në Tiranë
Preke Kodra – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
Fuad Verzivolli– 48 vjeç, banues në Elbasan
Metin Mehjam– 27 vjeç, banues në Elbasan
Renato Hasani – 35 vjeç, banues në Elbasan
Skender Sufaj – 34 vjeç, banues në Tiranë
Artan Hoxha– 50 vjeç, banues në Tiranë
Elton Qyno – 39 vjeç, banues në Tiranë
Pajtime Fetau – 65 vjeç, banues në Elbasan
Dedan Gjoni – 48 vjeç, banues në Tiranë
Marsel Shega (alias Bujar Shega) – 51 vjeç, banues në Tiranë
Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa) – 40 vjeç, banues në Tiranë
Blerina Beqiri– 39 vjeçe, banues në Elbasan

Veprat penale të dyshuara:
“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Elton Kila dhe Bledar Muça.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
“Grup i strukturuar kriminal”.
“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
“Shpërdorim detyre”.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .

(BalkanWeb)

SPAK: Si bashkëpunonte Suel Çela me dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno

Në njoftimin e publikuar pak më parë nga SPAK ku sqarohen detaje nga goditja ndaj grupit të Suel Çelës, bëhet me dije se ky grup kriminal ndikonte jo vetëm në sistemin e drejtësisë me korruptimin e gjyqtares Pajtime Fetahu dhe oficerit te policisë Dedan Gjoni, por ndikonte edhe opinionin publik duke përdorur gazetarë.

Prokuroria e Posaçme sqaron se ky grup, ka manipuluar opinionin publik duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

“Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”, shprehet SPAK.

(BalkanWeb)

Gazetari Tucker: Me urdhër të Vuciqit-Vulin jep intervista në mediat ruse, duke menduar se ato nuk i sheh perëndimi

Maxim Tucker gazetari i pavarur me bazë në Kiev, së fundi ka shkruar një tekst për qëndrimin e Serbisë ndaj BRICS dhe BE-së q ë është publikuar në London Times.

E pos kësaj, ai vazhdimisht ka vënë në pah lojën dhe veprimet e presidentit serb Aleksandar Vuciq në raport me Perëndimin dhe besnikërinë e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Ai në një intervistë për N1 së ka vënë në pah se loja që po bën Vuçiq e dukshme. “Sepse padyshim që po i dërgon mesazh Rusisë, Vulin jep intervista për mediat ruse dhe autoritetet në Beograd nuk po presin që ato intervista të përkthehen për një audiencë perëndimore”, tha ai.

Dhe sipas tij ndryshe nga ato që i thotë Vulin nëpër mediat ruse, e që normalisht qarkullojnë edhe tek evropianët, flet Vuciq kur takohet me perëndimorët.

“Kryeministri iu thotë diçka krejtësisht ndryshe liderëve të BE-së dhe do të shkojë në Berlin, të flasë me Scholz-in. Pra, këto janë dy mesazhe krejtësisht të kundërta. Në fakt, ata nuk shkojnë bashkë. Por është një lojë”, tha gazetari Tucker.

Ai thotë se BE-ja ende dëshiron të ruajë këtë marrëdhënie me Serbinë, por e kotë.

“Pra, BE-ja po përpiqet ta mbajë Vuçiqin në anën e saj, dhe Vuçiq po përpiqet t’i mbajë të gjithë në anën e tij. Por gjithashtu, në një moment, do të ketë një pikë ku nuk mund t’i keni më ato dy akte balancuese”

Por gazetari thotë se BE-së mund edhe t’i harxhohet durimi me Serbinë.

“Kështu që në një moment do të prisja që BE-ja të thoshte: nëse vazhdoni të devijoni në atë drejtim, do të duhet të kemi një diskutim serioz për të ardhmen e Serbisë në BE”. sn

Si ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu u kërkoi bandave të hakmerren për gazetarin Saimir Kodra!

Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu është në mesin e 21 personave për të cilët SPAK ka lëshuar 21 urdhër arreste për lidhje me bandat kriminale në qytetin e Elbasanit.

Pas zbardhjes së përgjimeve në aplikacionin e koduar SkyEcc është zbuluar se Pajtime Fetahu ka bashkëpunuar me bandat ndaj gazetarit Saimir Kodra, pas denoncimit në emisionin investigativ të çështjecve korruptive të ish-gjyqtares.

Në bisedën, e bërë publike në emisionin “Opinion”, Pajtime Fetahu komunikon me një personazh në lidhje me gazetarin. Bashkëbiseduesi siguron ish-gjyqtaren se do të hakmerret ndaj Saimir Kodrës duke u shprehur se do ta paguajë 10-fish.

“Ai, djali i vogël, të gënjej me jetën time, nuk ka djegur asgjë, po pse ty do të gënjej unë, ai mund të ketë djegur shtëpinë e familjarëve të Saimir të Stopit, se kam të sigurt. Unë kam menduar që e ke kuptuar. Atë e kanë bërë shokët e mi me dijeninë time. Në fakt unë doja të dëmtoja direkt Saimirin, ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty, ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë më shumë me të, se e di jemi të ngarkuar.

Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht”, thuhet në bisedën e zbardhur. gsh

Gazetari i REL-it, Kuznechyk shënon vitin e tretë në burg në Bjellorusi

Gazetari i Radios Evropa e Lirë (REL), Andrey Kuznechyk, e shënoi vitin e tretë në burg më 25 nëntor, për akuza të cilat ai, punëdhënësi i tij dhe organizatat për të drejtat e njeriut i cilësojnë si të motivuara politikisht.

Kuznechyk, babai i dy fëmijëve, u arrestua më 25 nëntor 2021, dhe fillimisht u dënua me 10 ditë burgim për huliganizëm, akuzë që e kishte mohuar.

Pasi e kreu atë dënim, Kuznechyk nuk u lirua por u akuzua për krijimin e një grupi ekstremist, një vendim për të cilin zyrtarët nuk i kishin njoftuar të afërmit dhe kolegët e Kuznechykut për muaj të tërë.

Më 8 qershor 2022, gjykata rajonale në lindje të vendit e shpalli Kuznechykun fajtor dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim. Gjykimi ndaj tij zgjati vetëm një ditë.

Grupet për të drejtat e njeriut në Bjellorusi e kanë njohur Kuznechykun si të burgosur politik. Kuznechyk punon për Shërbimin bjellorus të REL-it, i njohur në vend si Radio Svaboda.

Kuznechyk, i cili ka këmbëngulur për pafajësinë e tij, dhe rreth 150 të burgosur politikë të tjerë bjellorusë, përfshirë një tjetër gazetar të REL-it, Ihar Losik, dhe ish-kandidatin e mundshëm presidencial Viktar Babaryka, po i vuajnë dënimet në të njëjtën burg në qytetin verior të Navapolatskut.

Që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të gushtit 2020, të cilat nxitën protesta masive kundër fitores së sundimtarit autoritar, Alyaksandr Lukashenka, dhjetëra mijëra bjellorusë janë arrestuar për shprehjen e mospajtimit me regjimin.

Shumica e politikanëve të opozitës, të cilët thonë se votimi ishte manipuluar, janë detyruar të largohen nga vendi duke pasur frikë për sigurinë dhe lirinë e tyre.

Shumë qeveri perëndimore kanë refuzuar ta njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk e konsiderojnë Lukashenkan si udhëheqës legjitim të vendit.

Shumë vende kanë vendosur disa raunde sanksionesh kundër regjimit të tij si përgjigje ndaj shtypjes kundërshtarëve në vend.

Gazetarët e burgosur të Radios Evropa e Lirë (nga e majta në të djathtë): Ihar Losik, Andrey Kuznechyk dhe Vladyslav Yesypenko.

Gazetarët e burgosur të Radios Evropa e Lirë (nga e majta në të djathtë): Ihar Losik, Andrey Kuznechyk dhe Vladyslav Yesypenko.

Kuznechyk është një nga tre gazetarët e REL-it – Losik dhe Vladyslav Yesypenko janë dy të tjerët – aktualisht të burgosur për akuza të lidhura me punën e tyre.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe REL-i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për lirimin e të treve, duke thënë se ata janë ndaluar padrejtësisht.

Losik është një bloger dhe kontributor për Shërbimin bjellorus të REL-it, i cili u dënua në dhjetor 2021 për disa akuza, duke përfshirë “organizimin dhe përgatitjen e veprimeve që shkelin rëndë rendin publik” dhe u dënua me 15 vjet burg.

Yesypenko, me shtetasi të dyfishtë ukrainase dhe ruse që kontribuoi për Crimea.Realities, një media rajonale e Shërbimit ukrainas të REL-it, u dënua në shkurt 2022 me gjashtë vjet burg nga një gjykatës rus në Krimenë e pushtuar, pas një gjyqi me dyer të mbyllura.

Ai u dënua për “posedim dhe transport të eksplozivëve”, një akuzë që ai e mohon kategorikisht. REL

Shtëpia e Bardhë: Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump

VOA/Marrë nga Agence France-Presse

Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar, tha Shtëpia e Bardhë të hënën, duke e quajtur atë një “angazhim ndaj vlerave tona demokratike” pavarësisht se zoti Trump nuk kishte qenë i pranishën në ceremoninë e betimit të Presidentit Biden në 2021.

Presidenti i atëhershëm Donald Trump refuzoi të merrte pjesë në inaugurimin e zotit Biden në vitin 2021, pasi pretendoi në mënyrë të rreme se zgjedhjet, që i fitoi zoti Biden, ishin të manipuluara dhe përsëriti këto akuza në një tubim në Uashington, para se një pjesë mbështetësve të tij të sulmonte Kapitolin.

“Presidenti premtoi se do të merrte pjesë në inaugurimin e kujtdo që të fitonte zgjedhjet”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates para gazetarëve.

“Ai dhe Zonja e Parë do ta mbajnë premtimin dhe do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit”.

Zëdhënësi Bates shtoi: “Ai e sheh këtë si një demonstrim të rëndësishëm të përkushtimit ndaj vlerave tona demokratike dhe për nderimin e vullnetit të popullit, ndërsa ne vazhdojmë të ofrojmë një tranzicion të rregullt dhe efektiv.”

Pavarësisht se në mënyrë të përsëritur e cilësoi zotin Trump si një kërcënim për demokracinë gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij viti, demokrati Biden ka vendosur t’i sigurojë Trumpit një tranzicion të qetë edhe pse republikani Trump ia mohoi atij këtë.

Presidenti Biden e ftoi Presidentin e sapozgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë një javë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, në të cilat ai fitoi ndaj rivales demokrate, Nënpresidentes Kamala Harris.

Biden, 82 vjeç, u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në korrik dhe mbështeti Nënpresidenten Harris pasi një paraqitje katastrofike në debatin me zotin Trump shkaktoi frikë tek demokratët për moshën dhe shëndetin e tij mendor.

Nesër protesta e PD- Burimi: Opozita ka fituar pikë në sytë e ndërkombëtarëve!

Nesër në orën 17:00 opozita do të mbajë sërish protestë, duke bllokuar segmentet kryesore rrugore në vend.

Në lidhje me këtë protestë, analisti Genc Burimi, në një intervistë me Skype në News 24 deklaroi se PD ka fituar pikë në sytë e ndërkombëtarëve. Ai tha se rezoluta e PPE është e jashtëzakonshme. Sipas tij, pas protestave, PD do të prezantojë edhe programin ekonomik, gjë që iu intereson shumë shqiptarëve.

“Nuk ka rëndësi numri i protestuesve. Opozita po fiton pikë në sytë e ndërkombëtarëve. Rezoluta e fundit e PPE, që u propozua nga PD është e jashtëzakonshme. PD ka fituar pikë të jashtëzakonshme me rezolutën e PPE. Nuk besoj se është problem bllokimi i rrugëve, sepse në Francë ka protesta të mëdha të fermerëve dhe nuk ka ndonjë problem. Pas tubimeve, opozita do kalojë te programi ekonomik. Kjo opozitë mendon sot se ka rëndësi kryesore që të mbahen zgjedhje të ndershme. Rezoluta e PPE për maxhorancën është shumë e rëndë. Kjo, pasi godet drejtësinë, godet arrestimet e liderëve të opozitës. Incidentet në takimet e Ramës janë normale, pasi ky kryeministër udhëton shtrenjtë me charter, kur drejton një popull të varfër”, tha Burimi.

Në lidhje me datën e zgjedhjeve, Burimi deklaroi se nuk ka rëndësi shumë kjo çështje, por fakti që po shkelen të drejtat e opozitës.

“Opozita nuk thotë se ka problem date, por ka problem të funksionimit të institucioneve. Edhe opozita dëshiron që të ketë kohë që vota e diasporës të numërohet sa më saktë. Janë dy rezoluta të CDI dhe të PPE, që thonë se në Shqipëri partia-shtet përdor burimet shtetërore për interesat e veta. Opozita po fiton terren pozitiv në arenën ndërkombëtare. Nga burimet e mia më thonë se opozita nuk ka kërkuar datën 4. Nëse opozita dëshiron datën 4 maj, duhet të bëjë mbledhje. Maxhoranca ka shkelur me këmbë të drejtat e opozitës. Opozita sot s’po përgjigjet shumë për datën e zgjedhjeve, sepse po i kthen reston kësaj maxhorance”, u shpreh Burimi. bw

SPAK: Arrest shtëpie për gazetarin Artan Hoxha, detyrim për paraqitje gazetarit Elton Qyno

Gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha janë paraqitur në SPAK.

Pasi lajmeve jo zyrtare se, ndaj dy gazetarët të njohur të aktualitetit dhe kronikës së zezë, SPAK ka ngritur akuza, Qyno dhe Hoxha kanë shkuar pak para orës 15:00 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Deri më tani, burime jo zyrtare kanë bërë të ditur se, mbi gazetarin Hoxha rëndon akuza “anëtar i organizatës kriminale” dhe është vendosur masa arrest shtëpie.

Ndërsa, për gazetarin Elton Qyno është akuza e korrupsionit dhe është vendosur masa detyrim paraqitje.

Ky operacion i SPAK është drejtuar nga prokurori Vladimir Mara. sn

Kosova në tellallët rusë dhe nevoja për strategji efikase

Flamujt e Rusisë në Mitrovicë të Veriut më 17 janar 2019.

 

Valona Tela

Nëntorin e para gjashtë vjetëve, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Forumin e Paqes në Paris.

Ishte takimi i parë mes tyre ndonjëherë dhe, sipas një postimi që bëri Thaçi atëkohë në Twitter, ai u fokusua në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës citoi homologun rus të ketë thënë qartazi se Rusia do ta mbështeste një marrëveshje të paqes midis dy vendeve.

Rusia – aleate e Serbisë – nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, dhe Putin e përdor atë dhe ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi si “precedent” për t’i legjitimuar veprimet e veta në Ukrainë.

Kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij vendi, më 24 shkurt të vitit 2022, Putin tha se “ky operacion i posaçëm ushtarak” ndjek shumë shembuj të tjerë.

“Fillimisht, një operacion i përgjakshëm ushtarak u zhvillua kundër Beogradit, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por me avionë luftarakë dhe raketa, të përdorura në zemër të Evropës. Bombardimi i qyteteve paqësore dhe i infrastrukturës jetike vazhdoi për disa javë”, tha Putin.

Krahasime të tilla – sipas Perëndimit pa vend – Putin bëri vazhdimisht, sidomos nga 2014-ta e këndej. Kur aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhjetë vjet më parë, ai e krahasoi atë me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Prej vitesh, Rusia u angazhua edhe në luftë hibride kundër Kosovës, duke përhapur informacione të rreme.

Përmes mediave dhe institucioneve të saj, ajo manipuloi narrativët në favor të interesave të veta, duke shënjestruar kryesisht zonat e banuara me serbë.

Në qershor të vitit 2022, për shembull, Ambasada ruse në Shqipëri publikoi një listë me numrin e pretenduar të mercenarëve të huaj që i janë bashkuar luftës në anën e Ukrainës – në mesin e tyre ishin 156 nga Kosova.

Autoritetet e Kosovës i hodhën poshtë këto shifra dhe i cilësuan si propagandë, e ngjashëm edhe hulumtuesit e dezinformimit rus.

Por, tendencat e tilla, për ta paraqitur Kosovën si të paqëndrueshme, vazhdojnë ende sot, sipas një raporti të Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, që u publikua këtë muaj.

Për këtë raport u analizuan mbi 34 mijë fjalë, që u nxorën nga mbi 100 deklarata zyrtare, fjalime, intervista e tekste të tjera të Ministrisë së Jashtme ruse.

Kryesoret prej tyre e paraqesin Kosovën si vend të dështuar, thonë se ndërhyrja perëndimore është bërë për interesa vetjake, se Perëndimi e përdor Kosovën për ta zgjeruar ndikimin e tij dhe për ta izoluar Serbinë.

Raporti thekson po ashtu se vetë Rusia është duke e dëmtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një normalizim i tillë do t’i jepte një goditje të fortë ndikimit të saj si në Serbi, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.

Lulzim Peci, nga Instituti për Hartimin e Politikave, KIPRED, në Prishtinë, thotë se Rusia nuk do që ky dialog të përfundojë sipas planit të Perëndimit dhe se Kosova nuk duhet të shpresojë se sjellja e saj do të ndryshojë në ndonjë të ardhme të afërt.

Me këtë qasje, Peci thotë se Rusia do që ta pengojë sa më gjatë integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

“Rusia tenton që tensionet t’i mbajë të larta, duke e përkrahur Serbinë, përkundër faktit se Serbia është duke i shitur armë Ukrainës”.

“Mosprishja e marrëdhënieve mes tyre, megjithëkëtë, tregon se Serbia i duhet Rusisë si asnjëherë më parë. Asaj i duhet që kjo pikë nevralgjike – e moszgjidhjes së marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Serbi – të mbetet e tillë dhe ta pengojë integrimin e rajonit në BE”, thotë Peci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Gjithashtu, për Ivana Stradnerin, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, Rusia është duke e shfrytëzuar Serbinë për qëllimet e veta. Por, thekson se lufta hibride që bën në Kosovë – me informacione të rreme dhe duke polarizuar shoqërinë në vija etnike, sociale dhe fetare – është “shumë e rrezikshme”.

“Informacioni është armë. Kujtoni se çfarë ka ndodhur në Ukrainë në vitin 2014! Rusia ka arritur t’i përmbushë të gjitha synimet e saj atje, pa një plumb të vetëm”.

“Ajo ka përdorur operacionet e veta të ndikimit, ka shënjestruar grupe, ka përcaktuar rrethanat e informimit, përpara se ka përshkallëzuar situatën. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani në Ballkanin Perëndimor”, thotë Stradner për Exposenë.

Autoritetet e Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Albin Kurti, paralajmërojnë vazhdimisht se Rusia, “përmes satelitit të saj – Serbisë”, synon ta destabilizojë Kosovën.

Gjatë një vizite në Prishtinë, muajin e kaluar, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, dënoi “luftën hibride” të Rusisë, që tha se ka qëllim t’i destabilizojë demokracitë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Dezinformimi në BE paraqet sot një kërcënim serioz për funksionimin normal të demokracisë, sistemit politik, shoqërisë dhe ekonomisë.

Për të luftuar propagandën ruse, autoritetet e Kosovës ndërmorën disa masa, përfshirë ndalimin e punës së mediave dhe platformave online me origjinë nga Rusia, të cilat fabrikojnë informacione të rreme për Kosovën.

Por, Peci thotë se kjo nuk është e mjaftueshme, sepse zëri i Kosovës në shumë shtete të botës – nga Azia në Afrikë – vazhdon të mos dëgjohet.

Sipas tij, vendit do t’i duhej një njësi – që i bashkon të gjitha institucionet, nga Ministria e Jashtme deri tek Agjencia e Inteligjencës – për t’u marrë me Rusinë dhe informacionet keqdashëse të saj.

“E tërë kjo mund të bëhet, por, deri më tani, nuk është bërë asnjë hap konkret në këtë aspekt. Nuk mjafton të jemi reaktivë. Një gjë e tillë tregon se Kosova nuk ka një politikë të mirëfilltë dhe një strategji të kundërvënies ndaj dezinformatave të Rusisë si në nivelin global, ashtu edhe rajonal”.

“Nëse ka vullnet politik dhe ide të qarta se si të ecet përpara, Kosova për gjashtë muaj deri në një vit mund t’i ndërtojë këto kapacitete në mënyrë solide”, thotë Peci.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës për masat e ndërmarra kundër dezinformimit rus dhe a planifikon të reja, por nuk mori përgjigje.

Stradner thotë, po ashtu, se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm.

“Ne nuk do ta bënim këtë bisedë sot nëse Kosova ose aleatët e Kosovës do të bënin një punë fantastike. Propaganda ruse është e gjithanshme në rajon dhe është duke u rritur. Unë nuk arrij t’i ndjek llogaritë në Telegram sesa shpejt që shfaqen”, thotë ajo.

Adresimi i kësaj problematike, sipas saj, bëhet edhe më urgjent në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një administratë të re, të udhëhequr nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.

Ajo beson se administrata e ardhshme do të ndjekë një politikë transaksionale, apo ‘shit e blej’, në Ballkanin Perëndimor.

“Unë dyshoj se fokusimi te çështjet ekonomike do t’i zgjidhë të gjitha. Ajo çfarë do t’i rekomandoja administratës së re, nëse vërtet do që të parandalojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm, është t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit [të Ballkanit Perëndimor] dhe të mos bie pre e lojërave që vijnë nga Moska dhe Beogradi”, thotë Stradner.

Këtë javë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të vizitojë Moskën në maj të vitit të ardhshëm, me ftesë të homologut rus, Putin.

Ai tha se e konsideron si “nder të madh” pjesëmarrjen në festimet për 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Moskë, prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, gati tre vjet më parë.

Serbia nuk iu bashkua kurrë sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të kësaj lufte, dhe vazhdoi bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Moskën.

Në Kosovë, Rusia ka një zyrë ndërlidhëse, të cilën REL-i e kontaktoi për të mësuar më shumë për aktivitetet e saj, por pa sukses.

Sipas një ankete që publikoi këtë vit Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), për qytetarët e Kosovës, Rusia mbetet kërcënimi kryesor për vendin, pas Serbisë.

Ish-presidenti Thaçi mund të ketë shpresuar se Putin është i interesuar për paqen, por duket se ai e ka versionin e vet të saj, i cili përqendrohet në nxitjen e tensioneve dhe përfitimin prej tyre.

Për ekspertët është imperative që Kosova të zhvillojë një strategji proaktive kundër ndikimit rus dhe t’i forcojë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë. REL

Depolitizimi i mërgatës!- Nga Florim Zeqa 

 

Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por vetëm për tifozeri dhe fansa partiak që i ndihmojnë me mjete financiare dhe më votë partitë e dështuara politike.

Janë këto parti të dështuara politike që e përçanë mergatën edhe në të kaluarën përmes shoqatave, por jo sikurse tani në këto permasa me politizimin e skajshëm të mërgatës.

Një gjë duhet ta dijnë mirë mërgimtarët, se këta kusarë politikë që e zbrazën Kosovën, asnjëherë nuk do të krijojnë kushte për riatdhesim e mergimtarëve në vendlindje!

 

 

Fillim i ri me njerëz të rinj

 

Andaj duhet një fillim i ri, me njerëz të rinj për t’i dhën fund kësaj epoke të errët të historisë sonë kombëtare, për t’i dhënë fund mashtrimeve dhe abuzimeve me pushtetin, për t’i dhënë fund hajnisë dhe haraçit qeveritar, për t’i dhënë fund korrupsionit dhe krimit të organizuar, për t’iu dhënë fund një herë mirë padrejtësive dhe pabarazisë qytetare.

Për të arritur deri këtu duhet një klasë e re politike dhe një lider i ri shtetërorë që e merrë përgjegjësinë morale para qytetarëve për t’a kthyer vendin në binarë të shëndosh të qeverisjes dhe shtetndërtimit, ku funksionon ligji dhe drejtësia sikurse në çdo shtet të lirë dhe demokratik, ku pushtetarët e respektojnë dhe ia kanë frikën ligjit, kurse qytetarët i kryejnë lirshëm dhe më dëshirë të gjitha obligimet ndaj shtetit.

Nga rishpallja e pavarësisë e deri më sot nuk kemi pasur mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë, që i bie se nuk kemi pasur drejtësi të pavarur dhe të njëjtë për të gjithë qytetarët e vendit. Por, në vend të kësaj kemi pasur drejtësi selektive, ku gjithnjë të fortët e politikës dhe oligarkët ekonomik kanë qëndruar mbi ligjin dhe drejtësinë.

Si rezultat i kësaj situate, asnjëherë deri më sot “peshqit e mëdhenj” nuk ranë në grepin e drejtësisë, pasi drejtësinë nuk e vendosi ligji por “maliqi”!

Si rezultat i mungesës së një lidershipi shtetëror, shteti Kosovës është kthyer në ‘Oazë’ të krimit të organizuar, në duart e grupeve kriminale dhe fajdegjinjëve që e kontrollojnë çdo institucion dhe segment të jetës në Kosovë.

Mjafton ta marrim si shëmbull sistemin shëndetësorë, i cili tërësisht ka rrëshqitur në duart e mjekve të fabrikuar dhe të kriminlaizuar, të cilët bëjnë tregti me jetën e qytetarëve. Janë mjekët abuziv ata që ndërmjetësojnë mes familjarëve të pacientëve dhe fajdegjinjëve për dërgimin e të sëmuarve për mjekim jasht vendit, duke përfituar me dhjetramijëra euro për një intervenim që mund të kryhet pa problem në QKUK dhe klinikat tona private!

E gjithë kjo ndodh para syve të tanë dhe të drejtuesve të lartë institucioneve shtetërore!

Në këtë rast, shtrohen pyetjet logjike, cili është roli i prokurorisë dhe gjykatave, cili është roli i ministrit të shëndetësisë, cili është roli i misnistrit të drejtësisë, cili është roli i liderëve shtetëror para këtyre akteve të rënda kriminale që ushtrohen ndaj qytetarëve të vendit tonë?!

Përgjigja është e thjeshtë, këta i shohin të gjitha por nuk bëjnë zë, pasi janë pjesëmarrës në çdo aferë korrruptive dhe kriminale që ndodhë në vendin tonë.

Sikur të ishte ndryshe, këta do duhej mobilizoheshin të gjithë së bashku për luftimin e këtij fenomeni të krimit të organizuar, i cili po i detyron njerëzit, i madh e i vogël të largohen sa më parë nga vendi i tyre i lindjes në kërkim të shërimit në një shtet të rajonit apo edhe më largë në shtetet evro-perëndimore!

Përgjegjësia në këtë rast bie në radhë të parë mbi liderët shtetëror dhe ata partiak, që mbyllin sy e vesh para fatkeqësisë së qytetarëve, për të cilët u bie ndërmend që ekzistojnë vetëm në fushata zgjedhore derisa t’ua grabitin votën për t’i harruar menjëherë dhe për katër vjet të tjera duke mos i trajtuar as si numra e lërë më si qytetarë të këtij vendi!

 

Çfarë duhet të bëjmë?

 

Ne si mërgatë nëse duam ta ndihmojmë vendin tonë duhet të mobilizohemi si një trupë e vetme për t’i bojkotuar këta kusarë politikë që na sollën shtetin në këtë gjendje të mjerë. Pra, duhet të distancohemi nga të gjitha aktivitetet partiake në mërgatë. Politikanëve që vijnë dhe e kërkojnë votën tonë duhet t’iu themi; “Nuk keni vota nga ne që na larguat nga vendi, kthehuni dhe kërkojuni votën atyre që ua bëtë jetën ferr në Kosovë”!

Vetëm kështu mërgata e jonë do të bënte aktin heroik për shtetin e Kosovës. Për shkak se vetëm largimi i tërësishëm i këtyre kusarve nga skena politike do të hapte rrugën për ndryshime të mirëfillta dhe përmbajtësore për vendin tonë.

Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika e jashtme

VOA/Steve Herman

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar Senatorin republikan, Marco Rubio, për të drejtuar politikën e jashtme amerikane gjatë katër viteve të ardhshme të presidencës republikane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, republikani Rubio ka përfaqësuar shtetin e Floridës në Senatin e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2011 dhe shërben në komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë dhe komisionin për Zbulimin.

Senatori Marco Rubio, 53 vjeç, është bir emigrantësh nga Kuba. Nëse konfirmohet nga Senati, ai do të bëhet i pari sekretar shteti me prejardhje hispanike. Zoti Rubio njihet për qëndrimet e ashpra ndaj regjimeve autoritare në Kubë, Nikaragua, Venezuelë dhe Kinë.

“Ka treguar vendosmërinë për një sërë çështjesh, sigurisht edhe Kina mes tyre”, thotë analisti Michael O’Hanlon me Institutin Brookings.

Senatori Rubio ka thënë se Kina është në një linjë me Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë kundër Shteteve të Bashkuara.

Pas agresionit rus në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në vitin 2022, zoti Rubio ishte një mbështetës i zëshëm i Kievit. Kohët e fundit ai ka bërë thirrje për negociata për t’i dhënë fund konfliktit ndërsa në muajin prill votoi kundër një pakete ndihme prej 95 miliardë dollarësh.

“Qëllimi ynë, kur bëhet fjalë për Ukrainën, është që ta ndihmojmë në një mënyrë që nuk na shteron buxhetin, dhe nuk i dëmton aleancat tona në mbarë botën”, thotë zoti Rubio.

Senatorët që do të votojnë për konfirmimin, pritet që të shqyrtojnë bindjet e tij mbi politikën amerikane, thotë për Zërin e Amerikës analisti Michael O’Hanlon.

“Nëse do ta braktisnim Ukrainën, diçka që Rubio nuk e thotë, por nëse Ukraina do të pësonte disfatë, kjo do të bënte që shumë aleatë në mbarë botën të shtronin pyetjen nëse ne do t’i mbështesim ata.”

Tetë vjet më parë, zoti Rubio ishte një nga rivalët e zotit Trump në garën republikane për president. Në krye të Departamentit të Shtetit, zoti Rubio do të ishte përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Zëri i Amerikës bisedoi hulumtuesen e politikës së jashtme, Vilma Petrash, profesore në Kolegjin Miami-Dade.

“Pavarësisht pritshmërive, duhet të jemi realistë. Shtetet e Bashkuara do t’i japin përparësi interesave të tyre mbi ato të pjesës tjetër të botës”, shprehet ajo.

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, zoti Rubio ka qenë një mbështetës i fortë i Izraelit, në të njëjtën linjë me republikanin Trump. Senatori Rubio i ka bërë thirrje Izraelit që ta zhdukë Hamasin nga Gaza, ndërsa ka kundërshtuar armëpushimet, për të cilat ai thotë se do të mundësonin rigrupimin e Hamasit, që cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.


Send this to a friend