Me gjak shqiptar edhe poeti i madh Lorenzo Mavili
Fisi Dushmani është ndër më të vjetrit fise të trevave veriore, të cilët kanë bërë emër në histori dhe kanë dhënë një ndihmesë të madhe në qëndresën dhe identitetin shqiptar. Me së shumti vëmendja e studiuesve është e përqendruar te Lek e Pal Dushmani, aleatë të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit, pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës në vitin 1444. Por degët e këtij fisi fisnikësh shqiptar kanë një përhapje të gjërë në Greqi e deri në Amerikë. Dushmanët njihen herët në histori, ndaj dhe nuk duhet të këtë asnjë keqkuptim me fjalën turke dushmani-armiku. Së shumti fjalën dushmani e shpjegojnë si bashkim i fjalëve dush-të duash, dhe fjalën tjetër arbërore meni, pra mosdashje, në kuptimin që nuk i do armiku. Gjithsesi, emri Dushmani është i njohur shumë kohë më parë se të shfaqeshin turqit në tokat arbërore e as nuk mund të vihet në dyshim burimi i tij prej gjuhës vendase arbërore me rrënjë në ilirishte. Në të dhënat e hershme thuhet se familja fisnike Dushmani kishte zotërimet që nga fusha e Nënshkodrës dhe deri në verilindje të qytetit rrëzë maleve. Në shekullin XIV përmendet fakti se kjo familje ishte vasale e Balshajve. Ndërsa në Betejën e Ankarasë në vitin 1402 mes ushtrisë së Sulltan Bajazitit dhe të Timur Lengut, në të cilën ushtria turko-osmane u shpartallua dhe vetë sulltani u zu rob, krahas fisnikëve të tjerë shqiptarë si Gjon Kastrioti, në këtë luftë kishte marrë pjesë me trupat shqiptare edhe Gjin Dushmani. Kuptohet se nga kjo luftë perandoria turke thuajse u shkatërrua për të mos u përmendur të paktën për 12 vjet, derisa me ndihmën e Serbisë u ripërtëri plotësisht, ani pse kjo ndihmë e ripërtëritje më pas do të rezultonte fatale për popujt e Ballkanit. Pas këtij rrënimi të osmanëve, një pjesë e fisnikëve shqiptarë krijuan lidhje me Republikën e Venedikut, e cila kishte mjaft zotërime në Arbëri.
Në vitin 1403 Senati i Venedikut konfirmoi si anëtar të tij, anëtarë të familjes Dushmani. Përmenden emrat e Demjan, Goran dhe Nenad Dushmani si zotërues të Pultit. Anëtarë të kësaj familje qenë zgjedhur gjithashtu edhe si klerikë të lartë të Kishës Katolike, ndër të cilët shquhet Pal Dushmani, peshkopi i Dioqezës së Pultit në vitin 1427. Ai do të ishte një person me influencë të madhe në atë kohë në marrëdhëniet tepër delikate të shqiptarëve me Republikën e Venedikut, dhe qëndroi deri në fund mik besnik e i patundur i Gjergj Kastriotit.
Në qytetin e Lezhës, më 2 mars të vitit 1444 u mblodh kuvendi i prijësve që formuan Besëlidhjen Shqiptare e ku morën pjesë: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia bashkë me dy djemtë, Komini e Muzaka dhe të nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me vëllanë Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin etj.
Megjithë dëshirat e mëdha për bashkim forcash përballë një armiku shumë të fuqishëm që vinte nga Lindja, ambiciet e prijësve shqiptarë me plot konflikte sollën mjaft shqetësime për Skënderbeun.
IRENA E BUKUR E DUSHMANËVE DHE VRASJA TRAGJIKE E LEK ZAHARISË
Lek Dushmani, një prej prijësve shqiptarë që mori pjesë në formimin e Besëlidhjes Shqiptare, ishte dhe një nga aleatët më besnikë të Gjergj Kastriotit. Ai kishte një vajzë të vetme dhe kësisoj kush do të martohej me Irenën e bukur do të kishte edhe fatin të zotëronte pasuritë e mëdha të Lek Dushmanit. Për këtë vajzë, të cilën familja, por edhe vetë ajo ishin të përcaktuar në një fejesë me prijësin e Danjës, Lek Zabarinë, kishte ambicje edhe vëllai i Lek Dukagjinit, Nikolla. E vërteta është se përtej bukurisë së mahnitshme të Irena Dushmanit, e njohur në tërë Arbërinë, që disa e quajnë edhe Jerina, në vëmendje të princërve ishte një pasuri e madhe dhe tokat e Zadrimës që zotëronte Lek Dushmani. Në kohën kur Lek Zaharia po kthehej nga kullat e Dushmanëve, ku ishte nënshkruar kontrata e martesës së tij me Irenën e bukur, tek po kalonte në pyllin e e Kovinenit afër Drinit, ra në pritën e ngritur nga Nikoll Dukagjini. Kjo vrasje tronditi prijësit shqiptarë dhe vetë Gjergj Kastriotin, sepse Lek Zaharia ishte ndër aleatët e tij më besnikë. Ishin të njohura ambicjet e Republikës së Venedikut për të zotëruar tokat arbërore, ndaj është e natyrshme që kjo vrasje të sillte konfliktin shqiptaro-venecian 1447-1448. Dy familje të mëdha si Spani dhe Dushmani ishin kundër luftës me Venedikun prandaj nuk morën pjesë në asnjë veprimtari luftarake mes venedikasve dhe shqiptarëve. Në këtë konflikt Venediku me marrëveshje arriti të mbante kështjellën e Danjës. Në vitin 1451 Lek Dukagjini bashkë me Bozhidar Dushmanin duke përfituar nga gjendja e turbullt në tokat arbërore, bënë një plan për të sulmuar kështjellën e Drishtit, të cilën e mbanin venecianët, por kjo u zbulua dhe ky i fundit, Bozhidar Dushmani, u detyrua të ikte jashtë trojeve të veta. Gjasat janë të jetë vendosur në ishullin e Korfuzit, i cili ishte nën sundimin e Venedikut.
LEK E PAL DUSHMANI, ALEATËT MË BESNIKË TË GJERGJ KASTRIOTIT
Këto ambicje prijësish sillnin shqetësime mjaft të mëdha për Besëlidhjen Shqiptare që përballonte fushatat e perandorisë osmane. I kësaj kohe është edhe konflikti mes Gjergj Kastriotit dhe Lek Dukagjinit, rivalitet që ishte bërë i njohur edhe përtej Adriatikut. U desh ndërhyrja e Papës, i cili në korrikun e vitit 1452 dërgoi si përfaqësues të vet peshkopin Pal Dushmani që të gjente frymën e mirëkuptimit mes Gjergj Kastriotit dhe Lek Dukagjinit, çfarë edhe u arrit. Pal Dushmani, një prej emrave të mëdhenj të fisit Dushmani, ishte autor i disa biografive të shkurtra dhe kronika të ngjarjeve bashkëkohore. Ai ishte Kryepeshkopi i Krajës kur vdiq në vitin 1457.
Në betejat e kryetrimit Gjergj Kastrioti, që u priu shqiptarëve kundër trupave pushtuese osmane, shkëlqeu edhe trimëria e mjaft prijësve shqiptarë që bashkë me trimat e tyre dhanë jetën në mbrojtje të trojeve arbërore, e ndër këta lartësohen emrat e Pjetër, Frano e Marin Spani dhe vëllezërit Lek e Pjetër Dushmani.
Është e kuptueshme që me vdekjen e Gjergj Kastriotit dhe pushtimin e Arbërisë nga trupat turko-osmane, përpara shumë familjeve fisnike shqiptare mbeteshin vetëm dy rrugë, o të shkonin maleve atje ku pushtuesit e kishin të vështirë të kalonin, ose të merrnin rrugën e mërgimit. Një pjesë e fiseve arbërore u ngjitën maleve dhe mbijetuan. Në një relacion për Vatikanin i 4 majit 1596 thuhet se kryengritësit udhëhequr prej kalorësve Tomë Plezha dhe Mark Gjini prej Zadrime kanë sulmuar Shkodrën dhe Lezhën, por kanë dështuar para forcave të shumta të Turqisë, por edhe nga përçarja që futën venedikasit ndërmjet kryengritësve si dhe nga informacioni që i dhanë perandorisë turke në lidhje me këtë kryengritje. Megjithë shtypjen e pamëshirshme, asnjë herë qëndresa në këto krahina përreth Shkodrës nuk u shua.
Në fillim të shekullit XX, Edith Durham e vizitoi Shqipërinë dhe shkruante se Dushmani përbëhet nga dy grupime, Temali dhe Dushmani. Ato janë pjesë e krahinës së Postribës ku përfshihen edhe Mazreku, Drishti, Shllaku dhe Dushmani. Gjasat janë që fshati Dushman, që kishte jo më shumë se 180 shtëpi, ta ketë marrë këtë emër prej peshkopit Pal Dushmani.
FAMILJA FISNIKE E DUSHMANËVE MERR RRUGËN E MËRGIMIT NË KORFUZ
Dihet se pjestarë të fisit të njohur dhe të shquar të Dushmanëve të Nënshkodrës, morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën në Korfuz, gjurmët e të cilëve gjendën edhe sot dhe përbëjnë një nga familjet më të shquara në Greqi. Familja Dushmani duke qenë se i përkiste fisnikërisë kishte edhe stemën e saj familjare e cila e shoqëroi edhe në Korfuz. Atë stemë e kemi gjetur në një botim periodik “Metaphysical-Art”, n.11-13, N. Velissiotis, 2014. Më parë edhe Posta Shqiptare ka shtypur një pullë të veçantë me stemën e stilizuar të kësaj familje të njohur shqiptare.
Duhet thënë se në 21 mars të vitin 1800 Turqia e Rusia firmosën marrëveshjen e krijimit të Republikës së 7 ishujve Joniane, përfshirë dhe Korfuzin, në të cilën një rol të madh kanë luajtur dy familjet Mavilis dhe Dushmani, njëra me origjinë italiane (ka që shkruajnë spanjolle) dhe tjetra shqiptare. Emri i parë që gjejmë të shkruar nga fisi arbëror i Dushmanëve që u vendosën në Korfuz është Antonio Lefkoçilo Dushmani, kont dhe politikan i Bashkimit të Ishujve Joniane. Për të shkruhet se ka lindur në Korfuz në vitin 1800 në një familje fisnike. Halla e tij ishte e martuar me konsullin Lorenzo Mavilis, i njohur edhe si Mabilis për shkak të b-së që në alfabetin grek lexohet v.
Në një dokument të asaj kohe shënohet se Lorenzo Mavilis vjen në Korfuz si konsull i Spanjës. I vdes gruaja e parë, njihet me një vajzë nga familja shqiptare Dushmani me të cilën martohet më 18 qershor 1809. Interesante është se ajo shënohet si Konteshë Katerina, por shënohet edhe Tonina, emër që përdoret më së shumti në Shqipëri, veçmas në Shkodër, kemi parasysh Motrën Tone. Katerina-Tonina Dushmani ishte 29 vjeç, vajza e kontit Xhiovani, Spiro Dushmani, i cili mbante lidhje dhe kishte influencë në shumë familje mbretërore në Europë, duke përfshirë oborrin perandorak osman, por edhe atë rus. Dushmanët vazhdonin të ishin edhe në Korfuz një familje e besimit katolik. Mundet që pikërisht ky të ketë qenë një nga personalitetet që kanë ndikuar për dhënien e pavarësisë 7 ishujve dhe krijimin e Republikës Joniane.
NJË TJETËR VAJZË E BUKUR E DUSHMANËVE DHE LIDHJA ME KONSULLIN MAVILI. NIPI I SAJ POET I MADH I GREQISË ME FAMË NË EUROPË
Shqiptares Katerina-Tonina Dushmani i lindën dy fëmjë, vajza Adelaide më 1812 dhe djali Paolo më 1814. Adelaide Mavili u martua në moshën 15-vjeçare në vitin 1829 me Giorgio de Chirico-n. Katerina Dushmani ka vdekur më 3 janar 1845 në Danta Mavra, Lefkadha, ndërsa i shoqi konsulli Lorenzo më 7 tetor 1853 në Korfuz. Djali i tyre Paolo u martua me Xhiovanina Kapodistria- dhe kishte dy fëmijë, Ester dhe Lorenzo. Ky i fundit u bë një emër i njohur në letërsinë evropiane, poet, dramaturg e filozof. Kësisoj na del se një nga poetët më të rëndësishëm të Greqisë, Lorenzo Mavilis, është nga gjyshja me gjak shqiptar, gjë e cila deri më tani nuk ka qenë e ditur. Antonio Dushmani, djali i vëllait të Katerina Dushmanit, në vitin 1833 u emërua nën-sekretar i Senatit të Bashkimit Jonian dhe në 1834 u bë sekretar i departamentit politik dhe në vazhdim sekretari i departamentit të përgjithshëm në 1853. Ndërsa në vitet 1841-1857 shërbeu si sekretar i komisionit të përgjithshëm të mësimit publik në Republikën e Ishujve Jonianë. Për shërbimet e tij për kurorën britanike ai u emërua komandant Kalorës i Urdhërit të Shën Mëhillit dhe Shën Gjergjit më 26 shtator, 1849. Pas bashkimit të ishujve të Jonit me Greqinë në vitin 1864, Antonio Dushmani ka përkthyer në italisht nga anglishtja shënimet e William Ewart Gladstone mbi Ishujt Jonianë dhe i ka botuar ato në vitin 1869. Gladstone ka qenë disa herë kryeministër i Britanisë së Madhe.
Poeti lirik Lorenzo Mavilis, ka lindur në ishullin e Odisesë, në Itakë. Babai i tij ka qënë konsull i Spanjës në Kretë. Mavilis u rrit në një mjedis familjar me kulturë europiane. Më 1880 shkoi në Gjermani për studime në filologji dhe filozofi. Është ndikuar nga idetë e Emanuel Kant-it, Arthur Shopenhauer-it dhe Nietzsche-s. Veç greqishtes dinte gjuhët sanskrite, indiane, latine, gjermane, italiane, franceze, angleze dhe spanjolle. Më 1896 mori pjesë në kryengritjen e Kretës. Babai i tij Paolo ish i lindur nga një nënë shqiptare Katerina-Tonina Dushmani nga Korfuzi. Në 1910 e zgjodhën deputet në parlamentin grek si përfaqësues i Korfuzit. Njihet si poeti grek që ka marrë pjesë në shumë luftra. E fundit ishte ajo ku grekët luftonin kundër trupave osmane në Drisko të Janinës me 28 nëntor 1912, ku poeti u vra në krye të një formacioni ushtarak me vullnetare garibaldinë nga Italia . Duhet theksuar se edhe poeti Nobelist Odisea Elitis nga nëna është me origjinë arvanite, pra shqiptare.
VIKTOR DUSHMANI, GJENERALI TRIM TË CILIN VENEZILLOSI E DËNOI ME BURGIM TË PËRJETSHËM, POR AI KURRË NUK U PËRKUL
Ndër emrat e mëdhenj të fisit shqiptar Dushmani të vendosur në Korfuz janë edhe vëllezërit Viktor dhe Sofokli Dushmani, nipa të Antonio Dushmanit.
Viktor Dushmani u lind në vitin 1861 në Korfuz. Hyri në Akademinë e ushtrisë greke dhe u diplomua në vitin 1883. Tre vjet më pas u gradua toger dhe në vitin 1890 kapiten. Mori pjesë në Luftën Greko-Turke të vitit 1897. Në vitin 1899-1904, ai shërbeu si kreu i Shërbimit të Shtabit të Ministrisë greke të Punëve ushtarake dhe në vitin 1904, me themelimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u transferua në Korpusin e Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë Luftës së parë Ballkanike të viteve 1912-1913 kundër Perandorisë Osmane, ai ishte shef i Operacioneve për forcën kryesore greke, Ushtria e Thesalisë nën Princin e Kurorës, Konstandinit. Në Luftën e Dytë Ballkanike kundër Bullgarisë në verën e vitit 1913, ai shërbeu si shef i shtabit të ushtrisë në terren, përsëri nën Kostandinin, i cili ishte bërë tashmë mbret i Greqisë. Në të njëjtin vit u gradua kolonel dhe pastaj në gjeneral.
Në fillim të vitit 1914 u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm, por dha dorëheqjen në nëntor pas një konflikti me kryeministrin Eleftherios Venizelos mbi çështjen e hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore. Në gusht të 1916-ës së bashku me ruajalistë të tjerë të shquar, u dëbuan në Korsikë. Pas kthimit në Greqi me përfundimin e luftës, në vitin 1919, ai u dënua nga gjykata ushtarake e Venizellos me burgim të përjetshëm si i dyshuar për tradhti të lartë. Më pas u lirua dhe u kthye në detyrë, por mbeti gjithnjë kundërshtar i kryeministrit Venezillos. U lirua nga detyra përfundimisht 2 nëntor 1922 dhe në vitet e fundit të jetës iu kushtua shkrimeve mbi çështjet ushtarake dhe historike. Vdiq në vitin 1949.
SOFOKLI DUSHMANI, ADMIRALI I FLOTËS DETARE
Sofokli Dushmani, vëllai i Viktor Dushmanit u lind më 25 dhjetor 1868 dhe ndoqi po karrierën ushtarake duke hyrë në Akademinë Detare Helenike e duke arritur gradën admiral deri sa doli në lirim 20 nëntor 1935. Sofokli Dushmani vdiq në Athinë në vitin 1952.
NJË DUSHMAN FIZIKANT ATOMIST NË AMERIKË
Ende në Korfuz ka familje që kanë lidhje me Dushmanët e vjetër të ardhur në këtë ishull nga Shqipëria, por falë aftësive dhe inteligjencës së trashëguar ata do të zinin një vend të veçantë në shoqërinë e në instancat e shtetit grek. U vendosën në Athinë, por në disa kërkime del se pinjollë të kësaj familje kanë shkuar dhe janë vendosur edhe në Amerikë. Tipik është rasti i një të riu nga familja Dushmani. U dallua si një talent në shkenca dhe për të shkruanin gazetat e kohës. Gazeta e universitetit Columbia në New York “Columbia Spectator” më 17 mars 1947, botoi një artikull të veçantë për të riun 19-vjecar, George Dushmani me një talent premtues në studimet shkencore. Gazeta shkruante se ai është njeri prej 103 grekëve që studiojnë në Amerikë. I etur për dije, me këmbëngulje kishte mësuar frëngjishten dhe anglishten dhe e flet gjuhën, shkruante gazeta, si gjithë amerikanët.
Për George Dushmanin gjejmë edhe njoftime të tjera në shtypin amerikan. Eshtë lindur në vitin 1929. Ka mbaruar studimet universitare në vitin 1953. U mor me studimin e rrezeve laser. Përmendet në librin e Charles H. Townes “Çfarë ndodhi me rrezet Laser: Aventurat e një shkencëtari” botuar nga Oxford University Press 1959.
George Dushmani është i njohur edhe në fushën e botimeve, si autor apo bashkautor i 6 veprave studimore shkencore.
Duhet shtuar se në Amerikë ka me dhjetra familje me mbiemrin Dushmani e që janë pasardhës të Dushmanëve të Shkodrës, ndër këta ka edhe mjekë me emër si Dr. Athanasio Dushmani, neurologist në Bronxville, NY e plot të tjerë. Është mëse e qartë se ata e kanë kujtesën të shuar sa i përket prejardhjes së tyre dhe megjithatë ata janë vazhdimësi e fisit të madh të Dushmanëve të Shkodrës të shekullit XV.
Fisi Duss-Mani e jo
Dushmani eshte thjeshte falce !
Nji fis me kyte emer nuke ka existu kure ?