Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor, Dushko Arsiqin, nën akuza për krime lufte ndaj popullatës civile, konfirmoi avokati i tij mbrojtës, Nebojsha Vllaiq.
Arsiq ishte arrestuar më 8 dhjetor 2023 nën dyshime për krime të kryera në periudhën janar-qershor 1999 në rajonin e Prishtinës.
Në aktakuzë thuhet kishte marrë pjesë në vrasjen e B.Sh, më 20 prill të vitit 1999 në Butovc të Prishtinës dhe kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht A.K.
Arsiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, në periudhën janar-qershor të vitit 1999, kishte marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina, u tha në aktakuzë, raporton Betimi për Drejtësi. Aty po ashtu u tha se Arsiq së bashku me një grup tjetër kishin plaçikur dhe më pas dëmtuar pronat e shqiptarëve, duke ua vënë zjarri.
Arsiq është akuzuar për keqtrajtim të civilëve shqiptarë, plagosje dhe vrasje.
Avokati i tij, Nebojsha Vllaiq, pas shqiptimit të dënimit nga gjykata e shkallës së parë, tha se klienti i tij është akuzuar dhe dënuar për krime lufte vetëm se u përpoq të rimarrë pasurinë që i ishte uzurpuar dhe të kthehej në Prishtinë.
Vllaiq tha se do të apelojë këtë vendim.
Arsiq ishte arrestuar në veri të Kosovës dhjetorin e kaluar dhe atëbotë, Zyra e Prokurorisë Speciale nuk kishte dhënë më shumë detaje, duke u thirrur “në ndjeshmërinë e rastit”.
Ariq është me origjinë nga Matiqani, që gjendet në periferi të Prishtinës, dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, kishte jetuar në Kralevë të Serbisë, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë ekipi i tij mbrojtës. Gjatë seancave gjyqësore, ai është deklaruar i pafajshëm.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.rel