Bajram Sefaj, foto shkrepur nga Riza Krasniqi, Prishtinë – 2018
“MAKS VELO, (NJË) TJETËR SHQIPTAR”
Ky është titulli i shkrimit të Ismail Kadaresë, botuar në numrin më të ri të revistës javore franceze, “Paris Match”
Në faqen dhjetë, të numrit më të ri (6 gusht `98), të së përjavshmes se ilustruar parisiene, tejet të popularizuar dhe me tirazh të madh, “Paris Match”, nga pena Ismail Kadaresë është botuar një shkrim me titull: “Maks Velo, I`autore Albanais” (M. Velo, tjetër shqiptar).
Teksti flet për “shkrimtarin dhe piktorin që për tridhjetë vjet ka vuajtur (përjetuar) absolutizmin në Shqipëri. I persekutuar, i denoncuar, i burgosur, ai sot jeton në Paris, ëndërr (kjo) e tij rinore, ku boton përmbledhjen e nja gjashtëdhjetë tregimesh me titull “Tregtia e ditëve” (Le commerce des jours) te editori Lampsaque”.
Është ky një shkas, një rast, qoftë edhe një pretekst, që shkrimtari më i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, të “rrëfejë epopenë e një rezistence”, sikurse thotë, në nëntitull të shkrimit, editori i revistës në fjalë.
“Zakonisht themi se s`ka gjë më të thatë (më të shkretë) se shifrat. Ka, ndërkaq, raste kur akordimi i tyre mund të sjellë esencën e një tragjedie”. Me këto fjalë, sa të urta, aq edhe të sprovuara në eksperiencë, Kadare çel tekstin e shkurtër, por të thukët e kuptimplotë, kushtuar bashkëmoshatarit, bashkatdhetarit, piktorit, poetit, shkrimtarit… Maks Velo. Ai pastaj vë në rrjedhë shifrat vetë: 63 vjet jetë, 8 vjet burg në Shqipëri, 9 ekspozita të pikturës në Paris, 13 dëshmi gjatë proesit tij (gjyqësor), 3 vepra të botuara në Shqipëri, një libër tregimesh nga burgu, botuar në Francë, 28 denoncime nga ana e kolegëve të tij piktorë, 2 ekspertiza të ndërmuara për të zbuluar një plan (qëllim) kriminal në veprimin e tij, midis të cilave 248 të djegura pas arrestimit tij, 78 drugdhendje (gravura) të shkatërruara. Shifra këto që shfaqen sa impozante, herë-herë edhe trishtuese, aq më parë kur ato i ndjek edhe “… një oqean pikëllimesh numerikisht të pabashkëmatshme” – sikurse thotë Kadare.
Në pak rreshtat e tij teksti të spikatur. I. Kadare vërtet rrëfen (tërë) një epope të rezistencës, me kryepersonazhin. M. Velo, brenda saj, të cilin autori e njeh tani e 35 vjet më parë.
“… Maksi më fliste për Shagalin, impresionizmin; unë i evokoja Pasternakun, Kafkën, vetëvrasjen e Fadejevit. Ai më shfaqte punimet e tij sekrete, aso që nuk duhet (duhej) nxjerrë para askujt… Unë atij i jepja të lexojë dorëshkrimet e mia. Ndonjë herë me telefononte: “Kam hasur (gjetur) një përkthim të hershëm të Biblës, nga i cili mund të nxjerrësh diçka…”.
Si për shumë (medet) intelektualë dhe krijues të tjerë, në mbarë Shqipërinë, ashtu edhe për Maks Velon vetë, viti 1973 ishte plot kërcënime. Ai jo vetëm se ishte i kërcënuar nga strukturat oficiele, por edhe nga ana e kolegëve piktorë vetë. Burgosja e tij, në vitin 1978, del, prandaj, si përfundim logjik i një fati të keq. Pas 8 vjetës burgu në Spaç, jo larg Alpeve, në atë “kreshtë të mallkuar”, sikur e quajnë, ëndrra e tij që të ekspozojë në Paris bëhet ralitet.
Në kohën kur të tjerët, moshatarët e tij, me studime jashtë vndit (Moskë, budapest, Pragë, Varshavë…) flisnin e lexonin rusisht, hungarisht e çekisht, Maks Velo, ndërkaq, lexonte frëngjisht e italisht.
Prandaj, ndiseja e këtij krijuesi vetëmohues kurorëzohet me realizimin e dy aspiratave të tij djaloshare: ai jo vetëm që arriti të ekspozojë (aq herë!) në Francë, të botojë aty, vëllim me trgime, por, ç`është më e rëndësishmja, ai sot jeton e krijon në Paris, në “qendrën” e ëndrrave të tij të kahmotshme.
Ky tekst, sa i shkurtër aq edhe i ngjeshur, që, përmes rrëfimit mbi një krijues, sikur fokuson një “epokë të tërë!” (qoftë pjesën më të errët të saj) të komunizmit obskuraant në Shqipëri, sikur sjell edhe një dëshmi të re: ashtu sikurse është (të gjithë) të tjerë, për çdo ditë, shkruajnë mbi opusin gjigantesk letrar të Ismail Kadaresë, edhe ai vetë është i gatshëm të shkruajë (e të botojë) mbi (të gjithë) ata krijues dhe artistë, përgjithësisht, vepra e të cilëve është e njëmendtë dhe që ka fuqinë shpirtërore të tillë, sa të verë në lëvizje penën e tij të hollë e mendjen e tij të ndritur!
(Bota Sot, 23 gusht 1998, fq. 19)
Komentet