Shefi i Misioni të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ,Lars-Gunnar Wigemark pjesëmarrës në këtë promovim të veçantë
Në bibliotekën “ Pjetër Bogdani” në Prishtinë është bërë përurimi i librit “Duke ndjekur fluturat” i autores Mihane Hoxha.
Ky libër është një prozë për fëmijë në formën e romanit grafik i shoqëruar me ilustrime dhe i shkruar në gjuhën shqipe dhe angleze. Ka subjekt një fabulë që përkon me edukimin e nxënësve për rolin e policisë në sigurinë e njerëzve e posaqërisht fëmijëve.
Kështu autorja kësaj radhe ka zgjedhur të na vijë me një tjetër dhuratë tashmë për të vegjlit, vepër që sipas njohësve të fushës është e vetmja e këtij lloji në Kosovë, roman i ilustruar për fëmijë.
Flora Peci, redaktore e librit tha se utorja përmes një personazhi fëmijë i shfaq kujtimet e veta nga fëmijëria duke na ofruar dashuri ndaj natyrës, të parëve tanë dhe duke ardhur në fëmijërinë e sotme jep mjaft mesazhe. “Të shkruar për fëmijë është ndjesi e veqantë por edhe madhështi. Ajo u’ a servirë fëmijëve një mesazh relevant për sjelljet dhe bindjet e tyre si dhe besimin dhe dashurinë ndaj policisë së Kosovës, gjë që fëmijët hezitojnë pak dhe kanë frikë ndaj uniformës”, ka thënë Peci.
Ndërsa Don Lush Gjergji në fjalën e tij ka thënë se e la lexuar librin dhe është kënaqur me vizionin dhe përshkrimin e autores duke thënë se ajo është si bleta në kërkim të nektarit, për ta dhënë mjaltin që janë veprat e saj.
“Ajo është “Shqiponja” që fluturon në qiellin e lartë, por edhe “Urithi” që gjurmon rrënjët e lashta dhe aktuale, me shpirtin e saj të dëlirë dhe të mirë, me mendjen e saj të ndritur, me zemrën e saj të madhe me shumë frymëzim dhe plot dashuri. Mihane Hoxha është shkrimtare dhe poete, sepse si e tillë jeton dhe krijon, apo krijon dhe jeton, për veten e saj, por edhe për të gjithë ne. Përshkrimet e saj në këtë botim janë poetike, filmike dhe idilike, si për shembull jeta në fshat, në familje, gjyshi, gjyshja, toka, jeta e sotme, policët shqiptarë, ata na ruajnë nga rreziku,të udhëzojnë”, ka thënë Gjergji.
Politikani, njëherit ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, në fjalën e tij shprehu konsideratë të lartë për autoren Mihane Hoxha, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka bërë Policisë së Kosovës edhe përmes veprave të mëparshme e edhe në këtë të fundit.” Hana ka vite që është njëra ndër bashkëpunëtoret më të rëndësisme më të mira të policisë së Kosovës dhe unë ndihem shumë krenar. Autorja e di që nuk do të ndalet dhe ky është vetëm fillimi, e di që ka elan e përkushtim të madhe e që të vazhdojë më tutje”, është shprehur Qalaj.
Shefi i Misioni të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark pjesëmarrës në këtë promovim të veçantë është shprehur i lumtur që një grua ka arritur të përçojë mesazhe pozitive për njerëzit në uniformë përmes librit. “Policia në Kosovë është një prej institucioneve më të respektuara. Si shef i EULEX-it jam shumë i lumtur që kemi bashkëpunim të mirë me policinë e Kosovës dhe që këtij institucioni i ipet hapësirë edhe në krijimtari”, ka thënë mes tjerash Wigemark.
Në fund të promovimit të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe vet autorja e kësaj ngjarje, Mihane Hoxha, e cila bëri të ditur edhe detaje nga libri.
Ajo tha se “Duke ndjekur fluturat”, është nxitur nga preokupimi i saj aktiv dhe përcjellja e aktiviteteve dhe punës fisnike që bën policia e Kosovës për sigurinë dhe rendin në vend. Libri provon, që, nëpërmjet një fabule letrare të shkurtër me personazhe, fëmijë, prindër si dhe policë, të zbulojë se sa i rëndësishëm është misioni i policisë dhe falënderimi që ne duhet ta kemi për punën e përkushtimin e tyre për të na mbrojtur në të gjitha raste, madje edhe në rastet e pakujdesive tona rastësore, ka thënë Hoxha.
“Po e provoja veten për herë të parë në zhanrin e prozës letrare dhe atë të prozës së shkruar letrare duke pasur në mendje gjatë gjithë kohës që me fjalë të shkurtëra, fjali pas fjalie të rrëfeja një ngjarje jetësore të pa shkëputur. Po e provoja veten në romanin grafik për të cilin e kisha idenë që në fillim për të qenit atraktiv të një libri për fëmijë, por ta realizuar si të tillë më duhet të bëja një bashkëautor sepse pjesën e grafikës e ilustrimeve nuk e njihja dhe me këtë rast e dija se me kë të bashkëpunoja, ishte kolegu dhe miku im Ridvan Slivova. Ai ka punuan me frymëzim, devocion e mjeshtëri për ti dhënë këtij libri emocionin e ngjyrave, vijave e karaktereve sa që i ka dhënë librit pamje unike për tu mbajtur mend me imazhete tij”. Hana më tej ka thënë se puna e saj e gjatë për ta promovuar punën dhe sakrificën e policisë së Kosovës po kurorëzohet në një vepër letrare narrative. Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë jo vetëm një ndër institucionet më kredibile në Kosovë, por edhe një segment i sigurisë rajonale.
Dy vjet më parë Hana ka promovuar tri libra,“Zërat e kohës sime”, “Policia e Kosovës përmes aktiviteteve edukativo-kulturore” dhe “Ngjyra malli”.