Pa u shpallur ende pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në shumë vende të Europës ishin marrë masa drastike ndaj virusit që po gjunjëzon gjithë botën.
Italia, megjithëse me një sistem shëndetësor solid, po shihet se nuk u tregua vigjilente. Tani po përpiqet të ndreqë gabimin. E vetmja mundësi është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. E thënë thjeshtë: mbyllja e njerëzve në shtëpi, larg jetës sociale, shkollave, universiteteve, bareve, klubeve me një qëllim më sublim për të shpëtuar jetën. Shembulli më eksplicit që tregoi se si mund të dilet nga një situatë tragjike është Wuhan-i.
Në këto ditë të trishta kemi parë mjekë nga rajoni i Lombardisë të cilët dëshmojnë se nuk kanë mundësi dhe mjete për të shpëtuar të gjitha jetët dhe vjen puna tek seleksionimi.
Tani Italia beson se do të dalë nga ky rreth ferri vetëm duke respektuar coprifuoco-n, dmth mbylljen brënda si në kohë lufte!
Zvicra ka një vijë kufiri shumë të gjërë me Italinë ndërkohë që ka mbajtur një qëndrim të moderuar dhe jo strikt ndaj fqinjit. Si vend limitrof, ka shumë italianë që kalojnë kufirin çdo ditë të punësuar në Tiçino, po kështu Zvicra ka mbyllur vetëm disa nga shumë pikat doganore që ka me Italinë.
Me këtë strategji të zbutur, sikurse Italia ishte e vonuar, e vonuar duket edhe Zvicra.
Por Zvicra nuk është e vetme. Edhe Gjermania dhe Franca nuk janë futur në karantinë.
Ndryshe nga masat drastike që ka marrë Austria, Hungaria, deri edhe Shqipëria, Serbia ka ndërprerë përkohësisht edhe linjën ajrore me Zvicrën.
Në fillim u duk sikur Zvicra do të ishte shumë strikte sepse Këshilli Federal pezulloi Karnavalet e Bazelit, një ngjarje shumë e rëndësishme për qytetin, po ashtu u pezulluan edhe shumë evente ndërkombëtare.
Por tani duket sikur Zvicra po bën vendnumëro.
Në Zvicër, shkollat dhe universitetet janë të hapura, nëpër rrugë nuk shikon njeri me maskë, kafenetë janë me njerëz, po ashtu edhe supermerkatet. Tek tuk sheh dikënd që bën blerje të mëdha me miell e konserva të llojeve të ndryshme, por rutina e përditëshme vijon, autobusët dhe tramat mbushen plot dhe njerëzit janë të shkujdesur. Apo shkujdesja është maskë në fytyrat e tyre?
Por në kantonin e Tiçinos prindërit sot nuk kishin pranuar të çonin në shkollë 20 % të fëmijëve, pra kanë shkuar kundër udhëzimeve!
Po si do të vijohet më vonë?
Në një intervistë për televizionin zviceran në gjuhën italiane primari i spitalit të San Gallen Pietro Vernazza thotë se Këshilli Federal i Zvicrës ka bërë mirë që nuk ka vepruar në mënyrë të rrëmbyeshme, por ndërkohë shton se edhe në Zvicër të infektuarit do të shtohen. Kur gazetarja e pyet a do të mjaftojnë masat e deritanishme të ndërmarra nga autoritetet, Vernazza përgjigjet se vetëm një përqindje e vogël do të ketë një situatë që rrezikon jetën dhe problemi kryesor është që të mos ketë një infektim të menjëhershëm të një numri të madh njerëzish. Kur gazetarja insiston të dijë nëse është e përgatitur Zvicra për të shmangur atë që po ndodh në Lombardi, Pietro Vernazza përgjigjet se “Zvicra do të gjendet në të njëjtën situatë si Italia, brenda disa javësh, përpara Pashkëve.” “Duhet të kuptojmë”, thotë Vernazza, “se jeta njerëzore nuk është eterne dhe ne në momente të caktuara nuk do të kemi mundësi t’ju ofrojmë kura optimale të gjithë të sëmurëve në gjëndje të rëndë. Në këto momente do të na duhet të zgjedhim të kurojmë në mënyrë intensive pacientë me moshë të shtyrë dhe gjendje shëndetësore të dëshpëruar apo të sëmurë me moshë më të re. Deri sot ne mjekët nuk kemi ndërmarrë vendime të tilla, por së shpejti do të na duhet”, e mbyll Vernazza.
Të frikshme fjalët e Dr.Vernazza. Në fillim Dr.Vernazza e pa si të favorëshme që të mos ketë një shpërthim rastesh të infektuar, pastaj shtoi se situata do të jetë e ngjashme me Lombardinë!
Tani coronavirusi është i pranishëm në të gjitha kantonet e Zvicrës. Sot shifra zyrtare e të infektuarve është 876 raste dhe 6 vdekje!
Po a ka mundësi që në Zvicër të shmanget Lombardia? A duhet të bëhet gjithçka që të shmanget një Lombardi e dytë në Zvicër? A ka mundësi Zvicra të ndalë përsëritjen e asaj situate dramatike që po përjeton Italia?
Në këtë kontekst, a duhet Zvicra të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme?!
Ata prindër në Tiçino që nuk pranuan të çojnë sot në shkolla 20 % të fëmijëve a nuk kanë shprehur me këtë veprim një shqetësim real?
Komentet