Duhani vlerësohet të jetë shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Sipas statistikave ndërkombëtare, të cilat i prezantojnë edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milion njerëz në botë.
Me datën 31 maj, shënohet dita botërore kundër duhanit. Në Kosovë kjo ditë është shënuar me aktivitete të ndryshme, për vetëdijesimin e qytetarëve për të mos tymosur duhan.
Motoja e këtyre aktiviteteve, sivjet ishte: “Bëhuni Gati Për Paketime të Standardizuara”. Kjo moto nënkupton që, përveç tekstit në pakot e duhanit ku përshkruhet rreziku që paraqet për shëndetin dhe jetën e njeriut, të ketë edhe fotografi të cilat pasqyrojnë sëmundjet që shkakton tymosja.
Ndryshe, ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi para tri vitesh.
Ministri i Shëndetësisë , Imet Rrahmani, ka thënë se ky ligj nuk po zbatohet në masë të kënaqshme dhe, siç thotë ai, ndër shkelësit e këtij ligji janë edhe vetë institucionet publike, pavarësisht se ato do të duhej të ishin shembull i promovimit dhe respektimit.
“Në kohën kur duhanpirja po konsiderohet si epidemi globale dhe pasojat e saj konsiderohen me të drejtë me ato të armëve për shkatërrim në masë, është obligim i shoqërisë, institucioneve dhe të gjithë neve që të fokusohemi në zvogëlimin e këtyre pasojave për të siguruar një mbrojtje efikase të shëndetit publik”, është shprehur Rrahmani.
“Fakti që duhani vret në çdo 6.5 sekonda nga një person, pra që lidhet me sëmundjet që shkakton duhani, është një argument i mjaftueshëm për të mobilizuar gjithë potencialin institucional e profesional, në reduktimin e pasojave të këtij produkti”, është shprehur ai.
Edhe Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka folur për atë se sa po zbatohet ligji për kontrollin e duhanit, në ditën botërore kundër duhanit.
“Mendoj se ligji për kontrollin e duhanit, i miratuar në Kosovë, kohëve të fundit po shënon ngecje në zbatimin e tij. Kjo ndodhë për shkak të mungesës së përkushtimit dhe vetëdijes institucionale, si në nivelin qendror, ashtu edhe atë lokal. Kjo ditë ka për qëllim t’i vetëdijësojë ata që kanë ndikim në opinionin publik, në zbatimin e këtij ligji”, ka thënë Agani.
“Unë do doja sot që të kemi një angazhim të fuqishëm të të gjithë bartësve të institucioneve të vendit, e jo vetëm atyre të shëndetësisë. Gjithashtu edhe gjithë operatorëve ekonomik, në zbatimin e këtij ligji. Mendoj se duhet ngritur edhe vetëdija e qytetarëve për zbatimin e ligjit”, ka theksuar ministri Agani.
Ndërkohë, Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, ka bërë të ditur se tashmë kanë punuar së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë- zyra në Kosovë – në hartimin e udhëzimit administrativ, për vërejtjet e kombinuara shëndetësore, që përveç tekstit, pakot e duhanit të përmbajnë edhe fotografi.
“Me ligjin për kontrollin e duhanit, parashihen një sërë masash që duhet të zbatohen dhe të aplikohen në Kosovë. Një nga to është edhe vendosja e vërejtjeve shëndetësore në paketimet e duhanit. Kjo masë vepron në mënyrë komplementare me masat tjera të kontrollit të duhanit, siç është ndalimi i pirjes së duhanit në vendet publike, ndalimi i reklamimit, promovimit etj”, ka thënë Spahiu.
Edhe Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka deklaruar se “Hulumtimi gjithëpërfshirës rreth duhanpirjes te të rinjtë e Kosovës (2005)” tregoi se 1/3 e nxënësve të moshës 12-18 vjeçare, të përfshirë në hulumtim, kishin pirë cigare ndonjëherë. Ndërsa 1 nga 5 nxënës të tillë këtë shprehi e kishin filluar para moshës 10 vjeçare. Sipas tij, fakti më shqetësues është tymosja pasive, sepse 82 për qind e atyre që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95 për qind e atyre që tash tymosin duhan, janë të eksponuar në thithje pasive të duhanit. (REL)
Komentet