Vazhdon paraburgimi i zyrtarit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës Gafurr Dugollit, i cili u ndalua në Maqedoni me urdhërarrest të Serbisë, ndërsa nga ana tjetër vazhdojnë edhe përplasjet mes subjekteve politike shqiptare.
Nga partia shqiptare në pushtet në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, shprehen të prerë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë ekstradimin në Serbi, ndërkohë që Partia Demokratike Shqiptare kërkon përgjigje se pse u lejua arrestimi me urdhër arrest të Serbisë, raporton Alsat-M.
“Partitë politike të bllokut shqiptar të cilat e quajnë veten opozitë ndoshta nuk kanë njohuri dhe thonë se Serbia ka dhënë urdhër. Gafurri nuk është burgosur me urdhër të Serbisë por të Interpolit. Besoj se institucionet gjyqësore në koordinim me ministrin e drejtësisë e shohin se nuk ka asnjë pengesë dhe besoj se shumë shpejt Gafurr Dugolli do të jetë i lirë. Ministri Adnan Jashari nuk nënshkruan ekstradimin e Gafurr Dugollit”, tha Nevzat Bejta i BDI-së.
Sipas PDSH-së opozitare, neglizhenca institucionale e BDI-së është shkaku kryesor që Dugolli vazhdon të mbetet në paraburgim.
“Rasti i Dugollit është nënçmim për një milion shqiptarët e Maqedonisë. Është nënçmim ndaj Kosovës që e bën BDI-ja dhe është prerje në besë ndaj zotit Dugolli. Rasti i Dugollit, paramendoni kur merr guximin kjo qeveri e VMRO-BDI merr guximin të burgos një epror të lartë të FSK-së, paramendoni si janë shqiptarët këtu në Maqedoni dhe sa të pambrojtur jemi nga kjo qeveri”, deklaroi Bekim Falziu i PDSH-së.
Analisti Arsim Sinani është shprehur se arrestimi i Gafurr Dugollit mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë, të cilat sipas tij janë të brishta për momentin.
“Mendoj se për shqiptarët e Maqedonisë është e papranueshme që ai të mbahet, dhe çdo minutë që mbahet aty i bën shqiptarët të ndihen keq. Mendoj se BDI duhet të jetë shumë e vëmendshme me çështjen Dugolli për shkak se çështja Dugolli mund t’i keqësoj marrëdhëniet të cilat edhe ashtu janë të keqësuara”, tha Sinani.
Gafurr Dugolli tashmë një javë është në paraburgim, pasi ishte ndaluar nga policia e Maqedonisë teksa kalonte kufirin për të ardhur në Shkup, ku duhej të merrte vizë në ambasadën amerikane.
Komentet