Grupet e njerëzve nisën të dukeshin në bulevardin e Tiranës ende pa shkuar ora 19:00. Koncerti i këngëtares Dua Lipa, 21-vjeçares me origjinë nga Kosova, ishte njoftuar ditë më parë se do të niste në orën 20:00, por askush nuk kishte durimin e mjaftueshëm për të pritur
Thuajse menjëherë, minutë pas minute, sheshi “Nëne Tereza” u mbipopullua. Sigurisht, nuk mund të qëndronte larg vëmendjes prania e të rinjve, e shumta adoleshentë, që dyndeshin më parë se të tjerët.
Të dyja kahet e bulevardit që të çonin drejt skenës së koncertit ishin “mobiluar” me polici, e cila kontrollonte çantat në secilën prej hyrjeve të hapura, qoftë nga krahu i bulevardit, qoftë nga ai i Universitetit të Arteve.
Në pritje të këngëtares së famshme, që vinte menjëherë pas koncertit të suksesshëm në Kosovë, të rinjtë nuk harronin të bënin “selfie” për të treguar se ishin të pranishëm në një ngjarje të madhe muzikore që ishte duke ndodhur në Tiranë. Siç ndodh zakonisht në këto raste, më e rëndësishmja e festës nuk mund dhe nuk duhet të shfaqet menjëherë. Fundja, pritja është koha më e bukur.
Pas muzikës së regjistruar që mbushi sheshin “Nënë Tereza” në minutat e gjata të pritjes, nisi muzika “live” nga këngëtarë të ndryshëm shqiptarë. Ndërkaq, që orë më parë, thuajse të gjitha baret përreth zonës ishin tejmbushur në pritje të orës së madhe. Valët e celularit ishin bllokuar në të gjithë zonën përreth, ndërsa këngëtarja me zërin e ngjashëm me legjendat e yjeve të muzikës soul dhe xhaz performoi me atributet e një ylli të vërtetë, që shkëlqeju jo vetëm sonte, por edhe ngado ku ka performuar live.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar dje “Çelësin e Qytetit” këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Dua Lipa. Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj i ka shprehur mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i ka dorëzuar një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet shumë i lumtur që i dorëzon “Çelësin e Qytetit” një vajze që frymëzon shumë njerëz. “Tani Prishtina dhe Tirana janë një, kështu që nuk je veç gocë e Prishtinës dhe e Kosovës, je edhe e Shqipërisë dhe e Tiranës. Unë jam shumë i lumtur për ty dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës dua që ta ruash Çelësin dhe të kthehesh sërish këtu, teksa shkëlqen e bëhesh më e famshme, duke frymëzuar shumë njerëz”, tha Veliaj.
“Besoj që është një mënyrë për të frymëzuar djem edhe vajza të rinj që ta ndjekin këtë model dhe të kuptojnë që me punë, me energji, me talent mund të kapen gjëra që ndoshta duken të pamundura, por që njerëz si ty e provojnë që mundet me ia dalë. Besoj që për shumë djem dhe vajza, Dua Lipa është një histori frymëzimi dhe mezi pres që historinë e saj ta ndajë me ne edhe sot në qytet”, u shpreh Veliaj.
Këngëtarja Dua Lipa tha se për të është një privilegj që ndodhet në kryeqytetin shqiptar për të performuar.
“Është një privilegj shumë i madh për mua të vij pas një kohe shumë të gjatë dhe të më prisni në Tiranë. Dua të theksoj se ndiej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe ju falënderoj shumë për këtë mundësi që të jem me të gjithë shqiptarët”, u shpreh Dua Lipa.
Komentet