Koncerti i Dua Lipës, që organizohet nga Komuna e Prishtinës do të mbahet nesër në Parkun e Gërmisë, në kryeqytetin e Kosovës
PRISHTINË – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot priti në një takim këngëtaren Dua Lipa.
Dua Lipa, e lindur në Londër, por me prejardhje nga Kosova, po qëndron në Kosovë për një koncert, që do të mbahet nesër në Prishtinë.
Pas takimit me kryetarin Ahmeti, Lipa u shpreh se ndjehet shumë e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe falënderoi kryetarin Ahmeti për mikpritjen.
“Nuk mund t’i përshkruaj me fjalë emocionet, jam shumë e gëzuar që jam këtu. Me padurim po pres. Secila audiencë është ndryshe, por kam pritur një kohë të gjatë dhe e kam paramenduar se si do të jetë koncerti”, u shpreh Lipa.
Ajo shtoi se tani Prishtinën e sheh shumë më mirë, dhe se ky vend çdo ditë e më shumë po përparon.
Ndërkohë Ahmeti shprehu kënaqësinë për ardhjen e këngëtares Lipa, në atdheun e saj, në Prishtinë, duke bërë të ditur se gjatë një takimi në New York, ai i kishte bërë ftesën këngëtares, dhe se ajo në rastin e parë të mundshëm kishte ardhur në atdhe për të performuar.
“Pra, nesër në mbrëmje do të jetë koncerti i Duës për herë të parë në Prishtinë. I dëshirojmë sukses në karrierë dhe në përgjithësi dhe shpresoj se nesër do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme”, u shpreh Ahmeti. Ai gjithashtu theksoi se në koncert pritet që të ketë një pjesëmarrje e madhe.
Koncerti i Dua Lipës, që organizohet nga Komuna e Prishtinës do të mbahet nesër në Parkun e Gërmisë, në kryeqytetin e Kosovës. aa
Komentet