Disa piktura të lashta të shpellave u zbuluan së fundmi përgjatë bregut të Spanjës nga studiuesit, duke përdorur një teknikë të re pioniere. Duke fluturuar dronët në një terren malor të paarritshëm, studiuesit ishin në gjendje të dallonin pikturat, të cilat me gjasë mbetën të pazbuluara për mijëra vjet (prehistorike), sipas një studimi të botuar në revistën “Lvcentvm”.
Në total, 18 shpella në Alicante, një provincë përgjatë Detit Mesdhe, u eksploruan nëpërmjet dronëve të pajisur me kamera, sipas studimit. Rajoni besohet të ketë qenë një nga zonat kryesore në Gadishullin Iberik i banuar dikur nga njerëzit neolitikë dhe është i mbushur me formacione shkëmbore të paeksploruara që mund të strehojnë art të ruajtur mirë.
Nga shpellat e kontrolluara, dy u gjetën se përmbanin vepra arti parahistorike, thanë studiuesit. Imazhet e papërpunuara u analizuan në Adobe Photoshop, ku motivet mund të shiheshin më qartë pasi të zmadhoheshin. Në fotot e bëra në shpellën e parë, një zgavër e cekët pranë një guroreje, shihen figura të turbullta të vendosura në muret e shkëmbinjve. Me përmasa rreth disa cm në madhësi, figurat besohet se përshkruajnë njerëz dhe kafshë.
Sipas “20 Minutos”, një gazetë spanjolle, pikturat portretizojnë ato që duken të jenë femra harkëtare dhe drerë e dhi, disa prej të cilave janë plagosur nga shigjetat. Vepra e artit besohet të jetë rreth 7000 vjet e vjetër. Në shpellën e dytë, e vendosur në një luginë të thepisur dhe të fshehur nga bimësia e dendur, u gjetën një seri tjetër pikturash, megjithëse ishin në gjendje të keqe për shkak të pranisë së kërpudhave.
Pikturat e reja të gjetura janë disa nga të parat që u zbuluan duke përdorur pajisje ajrore pa pilot, thanë studiuesit. Në të ardhmen, dronët mund të rezultojnë shumë efektivë në kryerjen e shpejtë dhe të sigurt të punës së ngjashme në terren në zona të largëta.dita