Nuk është hera e parë që shkruaj për Dritëroin. Në fakt kam pas shkruar diçka vite më parë në një kontekst tjetër, jo aq për personin e tij sesa për fenomenin dhe nuk e kisha me të më shumë sesa me sistemi kulturor posttotalitar, që rreket të ngrihet mbi premisa të dala jashtë loje. I rri pikë për pikë atij shkrimi edhe sot e kësaj dite. Si një njeri që ka dalë nga regjimi në moshën 14-vjeçare, do apo nuk do, ndonjë varg përmendësh e mbaj, qoftë të Dritëroit e qoftë të poetëve të tjerë që na servirte regjimi në lëndën e letërsisë, dëshiroj ta shoh figurën e tij nga një këndvështrim tjetër, duke u nisur edhe nga polemikat e ditëve të fundit.
Sot mendoj që Dritëroi meriton një rekuiem; një pushoftë në paqe! Dritëroi, si çdo njeri në këtë botë, ka bërë betejat e tij, e të fundit fare me errësirën, sikurse thoshte në një intervistë bija e të ndjerit, ndërkohë që ai ishte ende gjallë. Të gjithë, herët a vonë, do të përballemi me errësirën, e cila ka shprehjet e veta te disa pyetje thelbësore në jetën tonë: këto vite që m’u dhanë vallë ç’i bëra? Ku i çova? E tani ç’më pret vallë? Vjen kjo ditë dhe vjen për të gjithë, herët a vonë. Asnjë nga ne nuk e di se ç’ndodh në intimitetin e zemrës së një njeriu, se sa valë përplasen, sa vendime dhe sjellje bëhen e zhbëhen, para të cilave dridhesh duke u ndjerë tmerrësisht fajtor ose ngazëllehesh, duke e ndjerë veten krenar, sidomos kur në horizont sheh se po jeton orët e fundit mbi këtë tokë.
Këto janë dritëhijet tona, bashkudhëtare të pashmangshme, të cilat theksohen sa më shumë kalon koha, thinjen flokët e rrudhet balli. Mendoj se të flasësh për një njeri, kur ai tashmë ka ndërruar jetë (për mua që besoj në jetën e përtejme, Dritëroi thjesht ka ndërruar jetë) ka shumë rëndësi të ruhemi nga dy ekstreme: lartësimi i tepërt apo poshtërimi i tij, pasi historia (kjo mësuese jete), me ngadalësinë dhe rreptësinë historiografike që e karakterizon, mund të hedhë poshtë njërën edhe tjetrën. Ka shumë rëndësi që shikimi ynë të jetë i vëmendshëm, por ama plot respekt për një njeri që ka ndërruar jetë, kushdo të ketë qenë ai, edhe pse mund të mos kemi respekt, madje kundërshti për veprimet apo sjelljet e tij.
Shqipëria po kalon situata të njëjta si shumë vende të tjera ish- komuniste me të gjitha problematikat që kjo gjë sjell. E sigurisht në këto vende, sikurse edhe në Shqipërinë tonë, ka pasur poetë dhe shkrimtarë, mendimtarë dhe shkencëtarë, konformistë dhe jokonformistë, disidentë dhe obedientë. Ne kemi nevojë akoma për distancë historike të gjykojmë faktet, por kemi më shumë nevojë për empati të shikojmë personat. Personi dhe faktet, njeriu dhe aktet e tij, edhe pse kanë lidhje të pashmangshme, nuk mund të gjykohen në të njëjtën gjykatore.
Pak javë më parë ndërroi jetë një nga figurat më interesante, e për mua më kontroverse të bashkëkohësisë, Zigmund Bauman, sociolog hebre me origjinë polake që jetoi vitet e fundit në Angli. Mendimi bashkëkohor ia ka borxh atij shpikjen e termit moderni e lëngët (liquid modernity). Mediat botërore shkruan shumë rreth tij duke lartësuar mendimtarin, por pak media ishin ato që folën për errësirën e këtij njeriu, i cili kishte qenë marksist i paepur në rininë e tij dhe pjesë e strukturave të shërbimeve sekrete polake gjatë komunizmit. Edhe ai vetë nuk ka dashur asnjëherë të përgjigjet apo të hyjë në trajtimin e asaj periudhe të jetës së vet.
Për botën, Bauman ishte një mendimtar, sepse shumë njerëz e gjetën veten të pasqyruar në mendimin e tij e vetë bashkëkohësia jonë e gjeti veten të përshkruar e gati-gati si të zbuluar përballë saktësisë së diagnozës së tij për të. Ai mendim e shkriu si një acid koren që kishte zënë moderniteti, duke nxjerrë zbuluar lëngun e saj që herë është i kthjellët e herë i qelbur. Po ashtu, pak ditë më parë ndërroi jetë një tjetër mendimtar dhe shkrimtar i bashkëkohësisë, bullgari Tzvetan Todorov, i cili u mor krejt jetën me letërsinë dhe sidomos me temën e alteritetit në mendimin bashkëkohor.
Edhe ai vinte nga mjedisi bullgar komunist, duke i ikur në moshë të hershme atij regjimi e duke jetuar në Francë ku e kishin çuar nga regjimi për të bërë doktoraturën. Sigurisht dikush mund të hedhë hije rreth këtij njeriu, por që mendimi i tij krijoi shkolla dhe formoi breza. Nuk dua këtu të krahasoj asnjeri me askënd dhe as të vë në peshore një Dritëro, me Kadarenë, Bauman apo Todorov, pasi çdo histori është unike, ashtu sikurse personi është unik. Ne jetojmë shpesh në ambiguitet, në dritëhije e më duket se është kjo gjendja permanente, do të thosha mjedisi jetësor në të cilin zhvillohet jeta jonë në një progres të vazhdueshëm ose në regres, pasi kjo varet nga zgjedhjet që ne bëjmë.
E ka shprehur shumë bukur në fjalët e tij Jezusi, ku thotë se bashkë me grurin rritet edhe egjra e kjo ndodh brenda secilit prej nesh. Nëse e hulumtojmë serinë e gjatë të mendimtarëve, shkrimtarëve etj., të ish-regjimeve komuniste, do të kishim një listë të stërgjatë, por në asnjë rast (me shumë pak përjashtime) nuk mund t’u shmangemi dritëhijeve. Shprehjen, e cila është lakuar shumë këto ditë, e që thotë: për të vdekurin ose fol mirë, ose mos fol fare e shoh në një këndvështrim tjetër. Kjo shprehje ka të bëjë me ditën e varrimit apo më mirë në ditët e zisë dhe është vërtet e papranueshme që në këto ditë të përfshish në gjykime aspak etike një të vdekur.
Unë them se për të vdekurin, në kohën e duhur mund të flitet ndryshe nga heshtja apo nga të folurit keq. Ajo që unë dua të flas ndryshe është pak a shumë kjo gjë, duke iu drejtuar vetë Dritëroit: “Tani Dritëro me ne të këtejmit nuk ke asnjë gjyq për të bërë. Kur ne të këtejmit merremi me ty apo me çdo të vdekur, e vërteta është se po merremi me veten tonë. Po, po! Merremi me frustracionet dhe problemet tona, me frikërat dhe pasiguritë tona. Ti e kreve rrugëtimin tënd.
Mirë apo keq, për ty tani është Ai, i Tejlarti dhe vetëm para Tij ke ende edhe një gjyq, atë të fundmin. Është shkalla e fundit ndaj të cilës nuk ka apel! Edhe pse ndoshta “e ke zënë me gurë” përsëri e përsëri, si në një poezi tënden të para shumë vitesh, Ai dhe vetëm Ai ka për ty një shikim dhe një fjalë që nuk e ka askush tjetër, një shikim plot dashuri, shikimin e një Ati, por me zemër nëne. Pusho në paqe Dritëro e paç Dritë!”
Komentet