Drejtuesja e Zërit të Amerikës për katër vjet, Amanda Bennett dha dorëheqjen të hënën pasi mbrojti pavarësinë e gazetarisë së organizatës së lajmeve të financuar nga taksapaguesit amerikanë kundër sulmeve nga Shtëpia e Bardhë se Zëri i Amerikës po përhapte propagandën kineze.
Në një mesazh lamtumire për personelin, zonja Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, e cila gjithashtu dha dorëheqjen, shmangën temën e tensioneve me administratën Trump. Në vend të kësaj, ato thanë në letrën e dorëheqjes se Michael Pack, i emëruari i Presidentit Trump për të drejtuar Agjencinë Amerikane për Median Globale, që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, gëzon “të drejtën të na zëvendësojë” dhe se tani është koha për t’u larguar.
“Asgjë që lidhet me ju, me pasionin tuaj, me misionin apo integritetin tuaj nuk ndryshon”, thuhet në letrën e tyre. “Michael Pack u betua para Kongresit për të respektuar dhe nderuar murin mbrojtës që garanton pavarësinë e Zërit të Amerikës, dhe që luan rolin më të rëndësishëm në besimin e jashtëzakonshëm që ka tek ne audienca në mbarë botën”.
Pyetjet mbi pavarësinë e Zërit të Amerikës, dhe shqetësimet se administrata mund të shndërrojë agjencitë e lajmeve qeveritare për të shërbyer si mjet i marrëdhënieve me publikun, u ngritën gjatë muajve të fundit kur Presidenti Trump bëri thirrje për konfirmimin e zotit Pack që në atë kohë ishte bllokuar në Senat.
Karta e Zërit të Amerikës specifikon që raportimet e agjencisë, të cilat i drejtohen audiencës së huaj në Rusi, Iran, Kinë dhe vendet e tjera ku ka censurë dhe shtypje, të jenë “të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse” dhe “të përfaqësojnë Amerikën, jo ndonjë segment të vetëm të shoqërisë Amerikane”.
Shtëpia e Bardhë në ofensivë
Në prill, faqja e internetit e Shtëpisë së Bardhë akuzoi Zërin e Amerikës për ritransmetim të propagandës kineze, pasi kishte postuar një video në lidhje me rihapjen e Wuhanit pas lehtësimit të epidemisë së koronavirusit atje. “Zëri i Amerikës shumë shpesh flet në favor të kundërshtarëve të Amerikës, dhe jo qytetarëve të saj,” thuhen në njërin nga komentet në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë.
Menaxheri i mediave sociale të presidentit, Dan Scavino, promovoi idenë në Twitter, duke thënë, “Taksapaguesit amerikanë paguajnë për propagandën e Kinës përmes Zërit të Amerikës, të financuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara! Turp!!”
Pavarësisht se videoja nuk ishte nga Zëri i Amerikës por nga agjencia e lajmeve Associated Press, dhe statistikat e cituara nga Zëri i Amerikës për vdekjet nga koronavirusi në Kinë ishin të Universiteti Johns Hopkins dhe konsiderohen gjerësisht si të dhënat më të besueshme që janë në disponim, Shtëpia e Bardhë kritikoi Zërin e Amerikës në lidhje me të dyja çështjet.
Amanda Bennett kundërshtoi me forcë akuzat për propagandë dhe ofroi një listë me artikuj të Zërit të Amerikës që sfidonin propagandën kineze, por Presidenti Trump komentoi për këtë në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse dëgjoni atë që po transmetohet nga Zëri i Amerikës, është e pështirë”, tha ai. “Gjërat që ata thonë janë të pështira për vendin tonë. Michael Pack do të shkojë atje dhe do të bëjë një punë të shkëlqyeshme”.
Udhëzimi i CDC-së për të mos përfillur kërkesat e Zërit të Amerikës për intervista
Të dielën, Zëri i Amerikës njoftoi se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kishte vendosur të mos përfillë gazetarët e kësaj agjencie, sipas një memorandumi të brendshëm të CDC-së që u bë publik. Si arsyetim i vendimit për të mos pranuar kërkesa për intervista nga gazetarët e Zërit të Amerikës, dokumenti i CDC-së përmendi akuzat e faqes së Shtëpisë së Bardhë ndaj Zërit të Amerikës në lidhje me Kinën.
Amanda Bennett lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje CDC-së që “të tërhiqte menjëherë” udhëzimin, duke thënë se ai ishte “bazuar në një deklaratë opinioni të Shtëpisë së Bardhë” dhe ishte “shqetësues”.
Në mesditën e së hënës, Bennett dhe Sugawara kishin dorëzuar dorëheqjet e tyre, megjithëse emaili i tyre drejtuar personelit nuk e specifikonte nëse Shtëpia e Bardhë ose zoti Pack kishin kërkuar dorëheqjet e tyre.
Duke cituar zotin Pack, ata shkruanin, “Ne e dimë se secili nga ju do t’i ofrojë atij të gjitha aftësitë tuaja, profesionalizmin, përkushtimin tuaj për misionin, integritetin gazetaresk dhe punën tuaj të palodhur për të garantuar që zotimi është përmbushur”.
Zoti Pack, një regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon, drejton Agjencinë Amerikane për Median Globale, e cila përfshin edhe Radion Evropa e Lirë / Radion Liria, Rrjetet e Transmetimit të Lindjes së Mesme, Radion Azia e Lirë dhe Zyrën e Transmetimeve në Kubë. Zëri i Amerikës është entiteti më i madh në agjenci, raporton në 47 gjuhë për një audiencë javore prej më shumë se 280 milionë njerëzish.
Të dielën, Libby Liu, Drejtore e Fondit për Teknologji të Hapur, një tjetër filial i Agjencisë Amerikane për Median Globale, gjithashtu dha dorëheqjen pasi një pjesëmarrës konservator në emisionin e zotit Bannon në YouTube argumentoi se ajo duhet të pushohej nga puna, njoftoi gazeta New York Times.
“Ne nuk merremi me propagandë”
Amanda Bennett u emërua nga Presidenti Barack Obama dhe mori detyrën në pranverën e vitit 2016. Ajo është fituese e çmimit Pulitzer, gazetare investigative dhe redaktore që ka punuar për disa organizata të mëdha lajmesh, përfshirë Bloomberg News, si redaktore e gazetës The Philadelphia Inquirer dhe si gazetare dhe redaktore në Wall Street Journal.
Ajo u nderua për arritjet në karrierë vitin e kaluar nga Klubi Kombëtar i Shtypit. Në fjalimin e saj në këtë ngjarje, ajo reflektoi mbi rëndësinë e lirisë së shtypit dhe sfidat në përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës për t’u bërë një shembull i gazetarisë së pavarur për vendet në të cilat transmeton programe.
“Mendoni një botë ku nuk mund të besoni asgjë nga ato që shihni ose lexoni. Unë dhe kolegët e mi punojmë çdo ditë në një botë ku nuk ka shtyp të lirë,” tha Bennett. “Jo, ne nuk bëjmë propagandë. … Kurrë nuk do ta bëjmë këtë.”
Zëvendësja e zonjës Bennett, Sandy Sugawara gjithashtu ka punuar me dekada në gazetari si gazetare e UPI dhe gazetës The Washington Post.
Michael Pack u konfirmua nga Senati më 4 qershor pavarësisht kundërshtimeve nga shumica e senatorëve demokratë. Duke iu përgjigjur dorëheqjeve, zyra e tij lëshoi një deklaratë duke thënë, “Agjencia Amerikane për Median Globale vlerëson shërbimin e Drejtores së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe Zëvendësdrejtores Sandy Sugawara dhe u uron atyre më të mirën në përpjekjet e tyre të ardhshme”.
Testi i pavarësisë
Njoftimi se Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka miratuar një udhëzim për të refuzuar të gjitha kërkesat për intervista nga Zëri i Amerikës e përball që në fillim zotin Pack me një sprovë për angazhimin e tij për gazetari të pavarur.
Vendimi i CDC-së u zbulua në një dokument të marrë bazuar në Ligjin për Lirinë e Informacionit të bërë nga Instituti “Knight First Amendment” në Universitetin e Kolumbias.
“Si rregull, mos përcillni tek eprorët kërkesa për intervista nga Greta Van Sustren [sic] ose kushdo që ka lidhje me Zërin e Amerikës,” thuhet në dokument, duke iu referuar postimit kritik të Shtëpisë së Bardhë për situatën në Wuhan.
Van Susteren, juriste dhe në të kaluarën prezantuese e lajmeve në Fox News dhe Gray Television, drejton emisionin e përjavshëm “Plugged In” në Zërin e Amerikës.
“Gjëja që më shtang është se bëhet fjalë për Zërin e Amerikës dhe se unë jam përmendur konkretisht. Askush në CDC, ose në Shtëpinë e Bardhë apo kudo tjetër, nuk ka thënë ndonjëherë që raportimi im për koronavirusin ose ndonjë gjë tjetër ka qenë i padrejtë ose i pasaktë,” i tha Zërit të Amerikës zonja Van Susteren, duke shtuar se ishte “absurde të fusësh një person në listën e zezë”.
Në një deklaratë të hënën duke përshëndetur zonjën Bennett dhe zonjën Sugawara për shërbimin e tyre, ligjvënësi demokrat Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, e quajti udhëzimin e CDC-së “absurd” dhe tha se “duhet të tërhiqet menjëherë”.
“Unë pres që zoti Pack, Drejtori i Ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale, të mbështesë gazetarët dhe pavarësinë e Zërit të Amerikës. Dështimi i tij për ta bërë këtë, brenda një kohe kaq të shkurtër pas konfirmimit për këtë pozicion, ngre pikëpyetje nëse ai është i përqendruar në avancimin e misionit të gazetarisë së pavarur të Agjencisë Amerkane për Median Globale”, thuhet në deklaratën e ligjvënësit Eliot Engel.
Zyra e zotit Pack nuk bëri asnjë koment kur u pyet për këtë të hënën në mbrëmje.
Al Tomkins, i cili jep mësim mbi etikën gazetareske në Institutin Poynter, e quajti udhëzimin e CDC-së për Zërin e Amerikës “të dëmshëm” dhe tha se mund të pengojë përcjelljen e informacioneve jetike rreth pandemisë në vendet “ku ka kaq shumë dizinformata”.
Gjatë mandatit të saj, Amanda Bennett u përball me dy skandale të mëdha. Në vitin 2018, ajo pushoi nga puna ose disiplinoi 15 gazetarë nga shërbimi hausa për marrjen e ryshfeteve nga një zyrtar nigerian.
Në të njëjtin vit, ajo shkarkoi shefen e shërbimit të gjuhës kineze të Zërit të Amerikës për lejimin e një miliarderi kinez në mërgim që të bënte akuza të pabazuara kundër zyrtarëve në Pekin gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë.
Komentet