Vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga nga 29-vjeçari Denis Meçe, nipi i një njeriu me “pushtet rilindasi” në Pogradec si Valter Gora, duket se po shkon nga skandali në skandal.
Pasi, fillimisht ishte Policia e Pogradecit ajo e cila tentoi të fshihte krimin, tashmë bëma e radhës vjen nga drejtësia e reformuar.
Pas arrestimit, autoritetet policore e referuan dosjen ndaj Denis Meçes në Prokurori nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Por, pas 40 orësh Prokuroria e Korçës ka zbutur akuzën 29-vjeçarit, pasi depozitoi dosjen në Gjykatë për rivlerësimin e masave të sigurisë për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose maksimumi me burgim deri në 5 vjet.
Pra, prokurori i çështjes e ka cilësuar si një vrasje nga pakujdesia, rrahjen brutale që Denis Meçe i bëri babait të dy fëmijëve Egli Proga, duke e lënë të vdekur. “Afërmendsh, këtë masë sigurie e ka konfirmuar mesditën e sotme edhe Gjykata e Korçës duke e lënë 29-vjeçarin në “Arrest me burg”.
Gjithashtu, gjykatësja e Korçës Luljeta Kola liroi nga burgu dhe tre shokët e Denis Meçes: Voltan Shulkun, Arian Manellarin dhe Leonidha Guçen, duke iu caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Familjarët e viktimës akuzojnë institucionet për mosveprim të qëllimshëm, teksa sipas tyre, në këtë rast kemi të bëjmë me një vrasje në bashkëpunim.
Si për familjarët e Egli Progës, po ashtu edhe për banorët e tjerë të zonës, Denis Meçe dhe shokët e tij njiheshin si një grup gjobëvënie në Pogradec. Dyshohet se Denis Meçe i kishte kërkuar xhiron ditore të lokalit Egli Progës, por 42-vjeçari kishte refuzuar ta paguante “gjobën” duke i thënë se kishte dy fëmijë për të rritur.
29-vjeçari Denis Meçe njihet si një person problematik në zonë, kjo edhe për shkak se kishte mbështetjen e dajës së tij, Valter Gora, një ish-drejtor me “pushtet rilindas” në Pogradec, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në juglindje, i përfshirë në shumë afera, si dhe i arrestuar për korrupsion.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar hetim për Drejtorinë e Policisë së Korçës si dhe për Komisariatin e Pogradecit, nëse ka patur tentativë për të fshehur ngjarjen apo jo, por gjithsesi, vlen për t’u theksuar fakti se drejtuesi i komisariatit, Elton Halili nuk është pezulluar, por vijon të jetë ende në detyrë./BOLDNEWS