Para se ta përplaste shuplakën mbi tavolinën i rrethuar nga ministrat e tij, Edi Rama e mbylli mbledhjen e parë të vitit me një mesazh euforik “Mbi bazën e 2022, kemi arsye të besojmë se 2023 do ta bëjmë… tërmet”.
Në fjalorin politik të socialistëve, “tërmeti” simbolizon rezultatin e bashkisë Dibër në 2016, bazuar në disa biseda të përgjuara të Damian Gjiknurit me elementë kriminalë.
Në të njëjtat përgjime u kap edhe Edi Rama që i kërkonte arritjen e objektivave njërit prej blerësve kryesore të votave në Dibër, Arben Keshit drejtor në Ministrinë e Brendshme.
Nga përgjimet e “Dosjes 184” u provua angazhimi i shefave të policisë në zgjedhje, presioni ndaj mësuesve për votën, shpërndarja e parave për 20, 30 apo 40 mijë lekë për një votë, përfshirja e njerëzve të krimit etj.
Atëherë pse i shpërndan kryeministri të njëjtat mesazhe si në përgjimet e “Dosjes 184”, kur aty janë faktuar mënyrat e paligjshme me të cilat mbledh votat Partia Socialiste?
Dështimi i drejtësisë me krimin elektoral në Dibër
Arsyeja e parë se pse Rama evokon “tërmetin” e Dibrës është se u dërgon të tijëve një mesazh. Kryeministri nënkupton faktin se për zgjedhjet e 14 Majit rezultati duhet të arrihet me të njëjtin model si në zgjedhjet e Dibrës, pavarësisht se si u arrit ai.
Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se drejtësia pati një dështim spektakolar para masakrës zgjedhore në Dibër. Madje ditët e fundit, në Gjykatën e Dibrës po i shpëtojnë burgut dy të pandehurit e fundit.
Prokuroria e Dibrës kërkoi 3 vite burg të konvertuar në dënim me kusht për 4 vjet për ish-shefin e Komisariatit të Peshkopisë Robert Aga dhe 2 vjet burg të konvertuar në 3 vjet shërbim prove për ish-administratorin e njësisë Lurë Hasan Hoti, të akuzuar për tjetërsim të votave.
Pretenca e prokurorisë do të thotë se asnjë nga të pandehurit nuk do të bëjë asnjë ditë burg.
Vendime të ngjashme u morën edhe për Drini Gjecin dhe Nuri Medën në të njëjtën dosje. Asnjë prej tyre nuk bëri asnjë ditë burg.
Gjeci u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 120 orë punë publike, ndërsa Meda u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 16 muaj dënim me kusht.
Si i shpëtuan hetimit Rama dhe deputetët
Praktikisht çështja u varros kur Arta Marku vendosi ta dërgojë dosjen për hetim në prokurorinë e Dibrës duke ndryshuar akuzën nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”. Pastaj ishte kreu i SPAK, Arben Kraja që nuk e mori nën hetim “dosjen 184”, pavarësisht kthimit nga prokuroria e Dibrës. Duke e trajtuar si një “patate të nxehtë”, Arta Marku dhe Arben Kraja e shmangën hetimin e çështjes, duke ia lënë barrën prokurorisë së Dibrës, që ankohej se kishte konflikt interesi me të pandehurit dhe se nuk kishte burimet e mjaftueshme ta hetonte atë dosje.
Prokuroria e Dibrës nuk guxoi të marrë në pyetje asnjë nga qeveritarët e Partisë Socialiste që dolën në përgjime. Kryeministri Edi Rama nuk dha llogari se përse bisedonte me një njeri që blinte vota në Dibër. Nuk u pyetën as politikanët e tjerë socialistë megjithëse shefat e policisë komunikonin direkt për votat me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe deputetët socialistë, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, Artan Gaçi etj.
Asnjë prej tyre nuk u hetua, madje edhe vetë personi që komunikonte me kryeministrin Rama dhe më pas drejtonte operacionin e blerjes së votave u përjashtua nga hetimi. Akuzat për Arben Keshin, ish Drejtor në Ministrinë e Brendshme ranë pas tejkalimit të afateve, ndërsa Rama i quante përgjimet “sallatë fjalësh”.
Kronologjia e varrosjes së “Dosjes 184”
Lapsi.al ka ribërë edhe njëherë kronologjinë e këtij mashtrimi të madh për të kuptuar se sa e lehtë është të tallesh me drejtësinë e re, njësoj si me të vjetrën.
11 Shatator 2016/ Në Dibër mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale pas shkarkimit të kryebashkiakut socialist Shukri Xhelili i cili ra pre e një videopërgjimi seksual. Situata ështe e tensionuar dhe palët politike përdorin te gjitha mjetet
1 Shtator 2016/ Në dy javët e fundit opozita vëren një mobilizim anti ligjor të aparatit shtetëtor, Në 1 shtator PD bën kallëzim penal për manipulimin e votave në Dibër, duke nisur hapjen e dosjes së famshme 184. Opozitës do ti mungonin më shumë se 4 mijë vota në krahasim me zgjedhjet një viti më parë.
8 Shtator 2016/ Prokurori i dosjes së sapo hapur Gentian Tërnova vë në përgjim mbi 20 persona të dyshuar se po merreshin me manipulimin e zgjedhjeve. Sikurse do merrej vesh me vonë në rrjetën e tij bien peshqit më të mëdhenj të mundshëm, duke filluar që nga kryeministri.
Qershor 2018/ Prokurori Gentian Trenova shkarkohet nga Vettingu, për parregullsi të vogla në blerjen e një apartamenti, pavarësisht se e gjithë pasuria e tij u gjet e justifikuar nga burime të ligjshme financiare. Pas publikimit të përgjimeve nga Bild, Kryeministri Rama e sulmoi atë në Tëitter: “Ky është i gjithi një skandal i turpshëm,i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë”.
Qershor 2019/ Tabloidi gjerman Bild publikon përgjimet audio të grabitjes së votave në Dibër. Bild që e quan Shqipërinë një “shtet Gangster” zbrardh bisedat mes Edi Ramës dhe një ish shefi policie që gjat periudhëz së zgjedhjeve punonte në ministrinë e rendit, ku ky i fundit i zotohet se po e realizonte objektivin. Aty dëgjohen edhe Saimir Tahiri, Hulsi Manja, Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu që janë të përfshirë në blerjen e votave, përdorimin e policisë dhe kërcënimin e mësuesve me vendin e punës në funkdion të zgjedhjeve.
Korrik 2019/ Pasi janë ndryshuar tre prokurorë dhe pasi nuk është bërë asnjë hetim me gjithë përgjimet spektakolare që gjendeshin në dosje, “184-a” merr një kthesë rrënjësore. Pasi ka votuar në mënyrë antikushtetuese Arta Markun si Kryeprokurore të përkohshme, kjo e fundit vendos gati tre vite pas hapjes së çështjes se dosja duhet të kalojë nga krimet e rënda drejt prokurorisë së Dibrës.
Korrik 2019/ Vendimi për ta larguar këtë patate të nxehtë e cila ishte bërë publike pas zbardhjes së përgjimeve u mor nga prokurori Klodian Braho i cili vendosi për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar nga Arta Marku, kjo përcaktoi edhe juridiksionin e dosjes jashtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gusht 2019/ Prokuroria e Dibrës refuzoi disa ditë më vonë të marrë në dorëzim dosjen, duke pretenduar se prokurorët ishin në konflikt interesi me çështjen dhe se nuk kishin mjaftueshëm staf për ta përballuar atë. Ata kërkuan ndërhyrjen e ish-kryeprokurores Marku për ta kthyer çështjen te Krimet e Rënda, por pretendimet e tyre u konsideruan të pabazuara.
22 janar 2020 / E frymëzuar nga fakti se tashmë ishte ngritur SPAK dhe se reforma në drejtësi mund të jepte frytet e para prokuroria e Dibrës e ridërgon dosjen në Tiranë, me shpresën se tashme dyshjae kapur nga PS, Arta Marku Donika prela nuk do ta kthenin më pas atë. Prokuroria e Dibrës e ndërmer këtë akt duke e rikualifikuar dosjen ku imlikoheshin sferat më të larta të qeverisë si ‘grup i strukturuar kriminal’ gjë që nuk mund të shqyrtohej më prej saj
27 janar 2020/ Pa u mbushur java, njësoj si paraardhësja e saj Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK e rikthen dosjen në Dibër. Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i tha atëherë agjensisë BIRN se procedimi i nisur për manipulimin e votave në Dibër nuk ishte kompetencë e tyre. “Nga shtatori deri në janar nuk është kryer asnjë veprim hetimor nga prokuroria e Dibrës. Është kualifikuar si ‘grup i strukturuar kriminal’ pa pasur asnjë element të ri,” bëri alibinë Kraja. “Asnjë prej personave të shënuar në procedim si të dyshuar, nuk janë subjekte që hetohen nga ne,” u justifikua shefi i SPAK.
18 dhjetor 2020/ Prokuroria e Dibrës e cila që në fillim e kishte shpallur konfliktin e saj të interesit dhe mungesën e kapaciteteve për të hetuar vjedhjen e votës e vulos dështimin e kësaj dosjeje. Ajo mbyll hetimet duke lënë të lirë pëeshqit e mëdhen dhe akuzuar vetëm 4 cironka: Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, i akuzuar për shpërdorim detyre; Drini Gjeçi, ish-drejtor i arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve; Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin, akuzuar për shpërdorim detyre.Hasan Hoti, Njësia administrative Lurë, akuzuar për kanosje të zgjedhësve. E bukra është se akuza as ka marë mundimin të hetojë për arkitektët e vjedhjes, por edhe për ata që ua ka vërtetuar shitblerjen e votës ka gjetur justifikimin. Prokuroria ka konstatuar se Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës por për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merrem në përgjegjësi penale.
13 Dhjetor 2022/ Dy ish-zyrtarë të Partisë Socialiste në Dibër, ish-Drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci dhe Nuri Meda ish-Administratori i njësisë Tomin u dënuan nga Gjykata e Dibrës me 8 muaj me kusht, “për shpërdorim detyre” dhe “kanosje e dhunim të votuesve”
17 Janar 2022/ Prokuroria e Dibrës kërkoi 3 vite burg të konvertuar në dënim me kusht për 4 vjet për ish-shefin e Komisariatit të Peshkopisë Robert Aga dhe 2 vjet burg të konvertuar në 3 vjet shërbim prove për ish-administratorin e njësisë Lurë Hasan Hoti, të akuzuar për tjetërsim të votave./Lapsi.al