Është një lajm shumë pikëllues ndarja nga jeta e ish kryetarit të Federatës Pan Shqiptare Vatra, një nga figurat më të ndritura të komunitetit shqiptar në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, këtij pasuesi të madh të trashëgimisë atdhetare të Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Kirkës, Kristo Dako, Arshi Pipës, Agim Karagjozit, i cili jetoi dhe veproi nën moton noliane “Mbaju Nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”
Dr. Gjon Buçaj iu kushtua një gjysmë shekulli Federatës Pan Shqiptare VATRA, iu kushtua çështjes sonë kombëtare të rrezikuar nga komunizmi enverian në Shqipëri, nga shovinizmi serbomadh në trojet tona jashtë Shqipërisë, iu kushtua unitetit dhe përparimit të kombit tonë, integrimeve të tij me Perëndimin, miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I lindur dhe i rritur me ideale të larta kombëtare dhe në një familje atdhetare dhe antikomuniste nga Arsti i Pukës, i formuar dhe i shkolluar në Perëndim, Dr. Gjon Buçaj iu mbeti besnik deri në pikën e fundit të shpirtit këtyre idealeve.
Me largimin e Agim Karagjozit, kryetarit më jetëgjatë të Federatës Pan Shqiptare VATRA, Dr. Gjon Buçaj, si bashkëveprimtari i tij më i ngushtë dhe më i zoti, u zgjodh pasues i tij. Në këtë detyrë, për shumë vite, me zgjuarsi, me guxim e trimëri qytetare, me vizion intelektual e mbrojti institucionin nga trysnitë dhe diversionet e jashtme, nga intrigat dhe përçarjet e brendshme, e ruajti të pacënuar traditën e artë vatrane, e bëri koheziv me sfidat e shumta që sillnin proceset e pas Luftës së Ftohtë në Shqipëri, Kosovë e trojet e tjera shqiptare, në kuadrin bshkëkohor të marrëdhënieve të reja miqësore shqiptaro-amerikane dhe në kushtet e një vale të re emigrantësh shqiptarë të vendosur në Amerikë.
Për Dr.Gjon Buçajt “Zani i Vatrës ishte Zani i Ndërgjegjes të Kombit”.
Në këtë periudhë u forcua miqësia jonë me Dr. Gjon Buçajn, u vendos komunikimi ynë i pandërprerë, i sinqertë, konstruktiv. Gjatë dhjetë viteve në “Bota sot” e më vonë si botues të VOAL, falë komunikimit gjithnjë të papërtuar, gjithnjë mendjekthjellët e mendjalartë të Dr. Gjon Buçajt ne vazhduam të pasqyrojmë me sukses të plotë veprimtarinë e VATRA-s dhe të sjellim në dritë të plotë rolin e saj në të gjitha proceset shqiptare.
Miqësia jonë me Dr. Gjon Buçajn u ruajt e pacënuar edhe pasi u largua nga kreu i VATRA-s dhe nuk rreshti asnjëherë. Dr.Gjon Buçaj na kishte treguar një histori shumë filozofike, se miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët nuk braktisen. Dr.Gjon Buçajn e përjashtuan në moshën 85 vjeçare nga Vatra, pas një kontributi të tij gjysmë shekullor. Dr. Gjoni u lëndua fort për lënien e tij jashtë dyerve të institucionit, për shpërfilljen dhe padrejtësitë ndaj figurës, trashëgimisë dhe ndaj Vatranëve. Dr. Gjon Buçaj nuk u pajtua asnjëherë me frymën përçarëse që u praktikua këto vite në institucion që të sjellin ndër mend metodat e ish-Sigurimit të Shtetit si dhe me shkelje të rënda të Kanunores së VATRA-s dhe me ndryshime të dëmshme të bëra në Kanunore.
Mllefi që patën pasuesit e Dr. Gjon Buçajt ndaj tij u shfry edhe ndaj atyre që nuk i pranonin dhe nuk u pajtuan si me këto qendrime arbitrare ndaj Dr. Buçajt, ashtu edhe me shkeljet e Kushtetutës me datën dhe firmën e Etërve historikë të Federatës Pan Shqiptare që ka mbushur plot 110 vjet ashtu dhe me padrejtësitë ndaj kritikuesve të këtyre dukurive në VATRA.
E ndjejmë dhe do ta ndjejmë gjithnjë mungesën e Dr. Gjon Buçajt, mungesën e fjalëve të tij të zgjuara dhe të ngrohta dhe qendrimet e tij të papërkulura dhe me integritet për të mbrojtur Vatrën dhe të vërtetën.
Me shumë pikëllim, ne botuesit e VOAL, i shprehim ngushëllimet tona zonjës Nikoleta Shiroka Buçaj, gjithë familjes, gjithë të afërmve, gjithë Vatranëve, gjithë miqve e admiruesve të shumtë të Dr. Gjon Buçajt për ndarjen nga jeta të ish kryetarit të Federatës Pan Shqiptare VATRA, çka është një humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e tij, jo vetëm për VATRA-n, por edhe për çështjen tonë kombëtare së cilës iu kushtua deri në fund.
Është në nderin dhe detyrën tonë ta vlerësojmë lart figurën dhe trashëgiminë atdhetare të Vatranit të madh Dr. Gjon Buçaj, emër i shkruar me germa të arta pranë emrave të korifejve të Federatës Pan Shqiptare VATRA;
Është në nderin e institucioneve më të larta shqiptare, në nderin e Shqipërisë, të Presidentit Meta si Kryetar i Shtetit që figurës së ndritur të Dr. Gjon Buçajt t’i bëhen nderimet dhe vlerësimet më të larta.
Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter: U nda nga jeta Dr.Gjon Buçaj, ish kryetari i Vatrës që i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare
ELMI BERISHA MESAZH NGUSHËLLIMI NË EMËR TË VATRËS: SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ
Amaneti i Dr.Gjon Buçajt Kanunorja e Vatrës
Komentet