Me pikëllim të thellë po ndahemi sot me Dr. Gjon Buçaj, njeriun që dinjitetshëm ka ndritë në aktivitetin e vet të pandalshmëm në dobi të çashtjeve shqiptare për sa kohë qe frymoi në këtë jetë.
Jeta dhe vepra e Dr. Buçajt mund të katergorizohet në tri periudha kohore përkitazi me vendet ku ai e kaloi këtë jetë: Shqipni, Kosovë, Maqedoni, Itali, dhe Shtetet e Bashkueme të Amerikës.
Në Shqipni, Dr. Buçaj ishte vetem 10 vjeç kur forcat partizane të dirigjueme nga Beogradi, të ndihmueme edhe nga anglezet si aleatë të Bashkimit Sovjetik, u futën në Pukë dhe në zona të tjera të veriut me pretekstin që po luftonin gjermanët. Në Arst të Pukës, mu afër vendlindjes së Dr. Buçajt, edhe pse aty nuk kishte gjerman, forcat partizane ushtruen terror ndaj popullatës që donte lirinë, por premas jo edhe komunizmin. Ata që e andrronin dhe kërkonin pluralizmin politik i pritte çdo formë e mundeshme e asgjesimit. Gjoni i vogël i pa me sy dhe i ndigjoi me veshë krimet barbare të brigadave partizane të cilët kishin për qëllim me marrë pushtetin në dorë me çdo mënyrë, pra, nji pale shqiptar tue ekzekutue nji pale tjeter. Sigurisht, këto skena të trishta kanë lanë gjurme të pashlyeshme në jeten e tij. Jo shum ma vonë, ai u regjistrue në shkollën unike në Shkodër. Aty edhe nisi me u hapë horizonti i tij i dijes, nëpërrmjet librave që lexonte dhe bashktakimeve që kishte me njerez të dijes e kulturës së qytetit të Shkodrës.
Në vitin 1951, familja Buçaj u arratis prej Shqipnie dhe doli në Kosovë. Populli shqiptar në Jugosllavi në atë kohe kalonte nji periudhë shum të veshtirë. Meqenëse gjatë luftës së dytë botnore, shqiptarët në Kosovë ishin armatosë mirë, objektivi i qeverisë jugosllave ishte mbledhja e këtyne armëve. Për t’ia arritë këtij qëllimi, me mija shqiptarë në Jugosllavi u futën nëpër burgje dhe u torturuen me metoda çnjerëzore. Qellimi tjetër i politikës serbo-jugosllave ishte vazhdimi i planit të shpernguljes së shqiptarëve, i projektuem qysh prej vitit 1937 nga anëtari i akademisë së shkencave të Beogradit, Vasa Cubriloviq. Pra, edhe këtë terrorizëm barbar ndaj shqiptarëve, Dr. Buçaj e pa me sytë e vet.
Sa herë që Dr. Buçaj shprehte admirin për bujarinë e familjeve të Kosovës ndaj emigrantëve të Shqipnisë, kujtonte gjithashtu copëza perjetimesh të veprave terroriste të pushtetit serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve.
Dr. Buçaj i filloi studimet në Gjakove, mandej në Prishtinë e Shkup, ku studioi mjekësinë. Gjatë qendrimit të tij në Kosovë e Maqedoni, kishte hy në kontakt të tërthortë me figura prominente shqiptare që jetonin ne Itali. Ndër këta ishte edhe Kol Bib Mirakaj. Për këtë arsye, dhe për qendrimet e tij kombtare, Dr. Buçaj ishte nën vezhgim te UDB-së Jugosllave, që rezultoi edhe në arrestimin e tij. Për fat të mire, në vitin 1965 i jepet mundesia të shkojë në Itali, ku studioi e punoi për afër nji dekadë. Në Rome, u lidh me Prof. Ernest Koliqi. Shpejt u aktivizue në partinë Bloku Kombtar Independent, parti politike shqiptare në diasporë, platforma e së cilës bazohej në dy objektiva: Të përdorte të gjitha masat për të çlirue Shqipninë nga komunizmi dhe për t’i mundësue popullit shqiptarë të fitonte pavarësinë e nevojshme për me zgjedhë lirisht me votë të lirë të ardhmën e vet. Paradoksalisht, Shqipnia e jonë e dashtun edhe sot po vuen prej shit-blemjes së votave!
Dr. Buçaj luejti nji rol të randësishëm në ndihmen qe u dha refugjatëve shqiptarë në Itali, pjesa ma e madhe e të cilëve ishin shperngulë nga Maliz i Zi, vazhdimësi e pastrimit etnik të shqiptarëve në Jugosllavi. Kahmos hasë shqiptarë në SHBA sod e kësaj dite që e kujtojnë me respekt Dr. Buçajn për ndihmen që u pati dhanë kur ata ishin nëpër kampet e refugjatëve në Itali. Me anë të partisë Bloku Kombtar Indipendent, Dr. Buçaj u aktivizue për çashtje kombtare, kundër shkeljeve të të drejtave njerëzore që ushtronin regjimet barbare komuniste si ai në Shqipni po ashtu dhe ai në Jugosllavi. Në vitin 1968, Vatra i kishte ba nji ftesë zyrtare Prof. Ernest Koliqit. Sigurimi i Shqipnisë, por edhe ai i Jugosllavisë, kishin tentue ta sabotonin këtë program, por pa sukses. Në vizitën e tij në SHBA, dhe në takimet me Vatrën, Prof. Ernest Koliqi kishte marrë me vete Dr. Gjon Buçajn si pjesë e delegacionit të tij. Në vitin 1972, në Madrit, Mbreti Leka kishte ftue partitë politike shqiptare në mërgim për të ba nji platformë të përbashkët për të rrëzue komunizmin në Shqipni. Ismail Vërlaci, kryetari i Blokut, e kishte dërgue si përfaqsues të tij Dr. Gjon Buçajn në këtë Kongres në rolin e vëzhguesit. Kongresi qe drejtue nga Xhafer Deva.
Dr. Buçaj emigroi në Shtetet e Bashkueme në vitin 1974, dhe posa erdhi, pa humbë kohë, vazhdoi aktivitetin e tij në mbështetje të çashtjeve shqiptare. Vazhodi punën e tij si eksponent i Blokut Kombtar Independent dhe si anëtar i Vatrës, ku u shque për aktivitetet e tij në organizimin e shum seminareve shkencore, protestave kundra regjimit komunist të Shqipnisë, si dhe demostratave në mbeshtetje të Kosovës para Shtepisë se Bardhë, para OKBs si dhe Misionit Jugosllav në New York. Në organizimet që bante Dr. Buçaj valvitej flamuri kuq e zi, pa yll, sepse në atë kohë, nga viti 1981-1991, infiltrimi i Sigurimit të Shqipnisë dhe Jugosllavisë kishin mundë me krijue nji përçamje të konsiderueshme në mërgatë, për pasojë dhe konfuzion ndër shqiptarët e Jugosllavise, se flamuri shqiptar asht ai me yll, dhe që sistemi komunist i Shqipnisë ishte i mire.
Në vitin 1990, Vatra po kalonte nji periudhe të vështirë. Elementë të cilët mendonin që regjimi i Shqipnisë ishte i mirë tentuen t’a marrin Vatren peng. Dr. Buçaj me miqtë e tij krijoi kushtet, që nëpermjet Kuvendit të Vatrës, të zgjidhet Prof. Arshi Pipa kryetar. Ky ishte nji kontribut i madh sepse e vu Vatrën në hullinë e vet historike, në mbështetje të interesave kombtare. Dr. Buçaj shërbeu si nënkryetar i Vatrës për dy dekada, dhe nga viti 2010-2017 si kryetar i saj. Duhet të nënvizojmë disa vepra të Dr. Gjon Buçajt kur ai ishte kryetar:
*Organizimi i suksesëshem i 100 vjetorit të Vatrës;
*Dekorimi nga presidenti i Shqipnise të vatranëve që ishin përsekutue apo ekzekutue nga regjimi komunist i Shqipnisë, ndër ta ishte themelusi i Vatres, Kristo Kirka, të cilit Arshi Pipa në “Libri i Burgut” i kushton nji poezi.
*Randesia e harmonisë ndërfetare, që ai thonte na e kanë lanë të parët dhe duhet ta kultivojmë. Në kremtimin e 100-vjetorit të Vatrës, klerikët përfaqësuen të gjitha besimet.
*Krijimi i degëve të Vatrës dhe nxjerrja e gazetës Dielli online dhe në print njiherë në muej.
*Për fat të keq, mbas dorëheqjes se tij si kryetar, Vatra u transformue në nji organizatë ku antarët e rij shikonin interesat personale mbi ato të Vatrës. Kur Vatra u nda në dy pjesë në vitin 2020, Dr. Buçaj zgjodhi të jetë pjesë e Vatrës që doli nga Komisioni i 5 Tetorit 2019.*
*Aktiviteti i tij si kryetar i Vatres asht botue në nji libër me afër 600 faqe. Libri asht printue me 13 maj 2022, por asht shum ngushellues fakti që ai e pati fatin me e preke me dore e me ia gëzue shpirtin nji ditë para se ai te na jepte lamtumirën né dhe kësaj bote.
Dr. Buçajt iu dha titulli nder i kombit nga Presidenti i Shqipnisë, nji nderim i qelluem mbassi nëse nji aktivist në diasporë e meritonte atë, pa dyshim që ai ishte Dr. Buçaj.
Sejcili nga ne qe kemi pasë fatin me e njoftë nga afër Dr. Gjon Buçajn, ka kujtime të ndryshme me të. Që në takimin e parë, ai të impononte respekt dhe dashamirësi. Interesohej për të kaluemen dhe shqetesimet e gjithsecilit.
Takimi i parë i imi me Dr. Buçajn ka qenë në vitin 1986, kur isha fare i ri. Ashtu si edhe ai dikur, unë isha arratisë nga Shqipnia atë vit, dhe nji jave mbassi mbrrina në SHBA, mora pjesë në celebrimin e 28 nandorit që organizohej nga Vatra. Kur u prezantuem, u ngrit në kambë, më dha dorën dhe me përqafoj, më pyeti gjanë e gjatë për gjendjen në Shqipni, krejt sy e veshë, tue ndigjue me vemendje të jashtëzakonshme.
Takimi i fundit me të ishte Me datën 20 tetor 2021 në Kafé Môtier French Pastry & Cuisine në Clifton, VA. Ai takim ishte koordinue me nji përfaquesues të Departmentit të Shtetit amerikan, ku u diskutuen tema me randësi për gjendjen e shqiptarëve në Ballkan dhe për shqetësimet tona si nënshtetas amerikanë.
Në këtë takim të fundit, sigurisht, nuk e dijsha se kaq shpejt, këtu, në këte vend, ka me mu dashte me ardhe e me qendrue para trupit të tij.
Por po, i dashun Dr. Buçaj, jemi përpara trupit tand. E dijmë qe ky trup ka qene kafazi i shpirtit tand, dhe tash shpirti yt fluturon dhe me lumtuni kthehet prej andej nga ka ardhë.
Në jetën tande, ti gjithnji pate guximin e moralin për të ndjekë rrugën e drejtë. Ti kurrë nuk hoqe dorë nga e drejta dhe ishe i bindun që e keqja nuk triumfon mbi te miren. Sinqeriteti yt të impononte dashamirësi. Gjithnji i vune nevojat e të tjerëve mbi tuejat.
E kemi nji shprehje ne malsorët, “Asht ma mire me vdeke me nderë se sa me jetue me marre.” Ti e përmbylle jetën tande në këtë botë me nder, dhe për këte, ke me qenë shembull për brezat e ardhshëm.
Ngushllimet ma te thella familjes, grues znj. Nikolete; djemeve, Eduardit dhe Lekes; vajzave, Teutes e Norës; motrave, Mrikës dhe Drandës; nipave, mbesave, kusherijve, dhe miqeve e dashamirëve të tij të shumtë.
Mithat Gashi, anëtarë i Vatrës që nga viti 1990, ka mbaruar studimet për marëdhenje indërkombëtare në Columbia University School of International Affairs, dhe doktoraturën në Fordham University.
*Shenim: Qëndrimet Dr. Gjon Buçaj mbi Vatrën mbas vitit 2017, reflektohen në këto shkrime dhe intervista të botuara tek VOAL.CH si më poshtë:
Qendrimi i Dr. Gjon Buçaj mbi Vatrën pas vitit 2017
- Pse unë e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës* Nga Dr.Gjon Buçaj, Ish Kryetar i Vatrës
- Ish Kryetari i Vatrës Dr.Gjon Buçaj: Kanunorja me Amendamente asht hedhun në shportë edhe nga Dritan Mishto, edhe nga Kuvendi i 26 shkurtit
- Dr.Gjon Buçaj: Mishto ishte negativ për Vatrën njëlloj sikur Basha ishte negativ për PD – Dritan Mishto ndryshoi vijën kombëtare të Vatrës – Intervistë me ish Kryetarin e Vatrës Dr.Gjon Buçaj
- Intervista e plotë e ish Kryetarit të Vatrës- Dr.Gjon Buçaj:Elmi Berisha ka vazhdue veprimet shkatërruese në Vatër të Dritan Mishtos, ka ndryshu Kanunoren dhe ka futur praktikën e padive gjyqsore – Pjesa e Parë
- Dr.Gjon Buçaj:Elmi Berisha ka vazhdue veprimet shkatërruese në Vatër, ka ndryshu Kanunoren dhe ka futur praktikën e padive gjyqsore – Intervistë me ish Kryetarin e Vatrës Dr.Gjon Buçaj -Pjesa e Dytë
- Dr.Gjon Buçaj: Me Agim Karagjozin &një grup shokësh na bashkoi qendrimi antikomunist & amaneti i themeluesave të Vatrës, në interes të kombit dhe Atdheut Intervistoi Elida Buçpapaj
Nje jete interesante. Ngushllime vamiljes se Dr. Bucajt, njeriut qe jetoi me ndere si thote autori e keti shkrimi.