Fragment fotografie
Intervistë me Dr.Gjon Buçaj, veprimtarin e shquar të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, veteranin Vatran dhe ish Kryetarin e Vatrës në kujtim të Ing.Agim Karagjozit, Babait të Vatrës që u nda nga jeta më 1 prill 2018.
Pyetje: I nderuar Dr.Buçaj, kur e keni njohur për herë të parë Ing.Karagjozin?
Dr.Gjon Buçaj: Gjatë nji vizite në ShBA, para emigrimit në nandor 1974, nuk më kujtohet viti, sepse kam ardhë këtu me vizë turistike disa here.
Pyetje: Ju të dy keni qene arratisur nga Shqiperia komuniste, por ne momente te ndryshme, apo jo?
Dr.Gjon Buçaj: Po, ai e ka lane Shqipninë bashkë me t’jatin në nji anije, para ardhjes së pushtetit komunist në vitin 1944 drejt Italisë, kurse unë kam ikë bashkë me familje në korrik 1951 në Jugosllavinë e atëhershme.
Pyetje: Ju kujtohet kur u zgjodh Ing.Karagjozi Kryetar i Vatrës?
Dr.Gjon Buçaj: E mbaj fort mirë mend. Ndryshimet e mëdha n’arenën botnore që erdhën me ramjen e komunizmit, ndikuen edhe në Shqipni, ngadalë por në mënyrë të paevitueshme. Mërgata shqiptare bante thirrje për ndryshime të pavonueme dhe paqsore, ndërsa elita komuniste me në krye Ramiz Alinë, ishin të gatshëm edhe me derdhë gjak të pafajshëm, për të mos i lëshue frenat e pushtetit, siç e dëshmuen me 2 prillit 1991, me vrasjen e katër të rinjve në Shkodër.
Në këtë atmosferë u mbajt Kuvendi i 20 prillit 1991. Nji grup i sapo kthyem nga Shqipnia pasë vizitash me Ramiz Aline dhe me Nexhmije Hoxhën, tentoi të merrte në dorë Vatrën dhe “Diellin”, sollën papritmas 40-50 antarë të rinj, nga të cilët disa u caktuen delegatë, edhe pse Kanunorja parashifte që delegati duhej të ishte se paku 2 vjet antar i rregullt. Këtë konflikt me Kanunoren e kaluen delegatët e rregulltë në fillim të kuvendit, me aprovimin e delegatëve të rij. Megjithë përpjekjet jashtë rregullit dhe me ndonji mbështetje të randësishme si rrjedhim i mashtrimit se Ramiz Alia do të bante reforma demokratike, grupi në fjalë nuk pati sukses; me shumicë votash të mshefta, u zgjodh kryetar Profesor Arshi Pipa, pasi pranoi kandidaturën e propozueme nga ana e jonë, për të marrë kryesinë e Vatrës dhe gazetën “Dielli” për nji vjet, ndërsa në kuvendin e qershorit 1992 u zgjodh z. Agim Karagjozi, i cili ishte në thelbin e të gjitha aktiviteteve të Vatrës prej shumë vitesh. Në aktivitetet që Vatra zhvilloi nën drejtimin e tij, mbështetja e përpjekjeve të Kosovës për liri mbetej prioritet, krahas me përkrahjen e proceseve të demokratizimit në Shqipni.
Pyetje: Gjatë periudhes 18 vjeçare që Ing.Karagjozi ka qene kryetar i Vatrës çfarë kujtoni ?
Dr.Gjon Buçaj: Nji periudhë relativisht e gjatë, e mbushum me shumë kujtime. E kujtoj si njeri i butë dhe i dashtun me të gjithë, por që kur ishte interesi i Vatrës në pyetje, miqsia nuk mund ta ndryshonte. Kemi qenë nji grup shokësh me disa të përbashkëta, ndër të cilat kryesore ishin qëndrimet e kjarta antikomuniste, si dhe për Vatrën si amanet i themeluesavet, pra, në interes të kombit e të atdheut.
Si shokë, si Vatranë dhe si shqiptarë antikomunista kemi pasë harmoni dhe veprimtarinë tonë, sado me vështirësi dhe ndonjiherë edhe me probleme, e kemi përjetue së bashku, sepse asnjeni nuk ushqente aspirata të mëshefta për të fitue “pozita”, as për të përfitue, as për ta ndryshue Vatrën. Këto dukuni kanë çue krye herë mbas here në Vatër, por ka qenë nji grup gjithmonë i gatshëm për t’i përballue dhe në këtë grup Agimi ka qenë gjithmonë aktiv i palëkundshëm. Disa here kemi udhëtue bashkë, sidomos në Michigan, për të marrë pjesë në kuvende të Vatrës, për rihapjen apo përforcimin e degës atje, për funeralin e Baba Rexhepit ose për ndonji rast tjetër. Udhtimi 12-13 orësh me makinë, nuk na dukej i lodhshëm për shkak të kënaqsisë se ishim bashkë dhe argëtoheshim me biseda të ndryshme, ku humori ambëlzonte jo vetëm tregime zbavitëse, por edhe bisedat serioze.
Pyetje: Disa nga aktivitetet më të rëndësishme që i keni ba bashkë ata 20 vjet?
Dr.Gjon Buçaj: Kemi qenë bashkë me vite ma gjatë se aq, por sa ka shërbye si kryetar i Vatrës, kam qenë nënkryetar, sepse ai ma kërkoi. Në të vërtetë unë kisha qellimin të mos marr shumë angazhime në Vatër, sepse ishem tepër i zanun me punë dhe në familje, kishim 4 fëmijë në shkollë (nga 10 deri në 16 vjeç), por më erdhi keq me ia refuzue, edhe tue pasë shërbye si nënkryetar me Arshi Pipën. “Kam nevojë me të pasë në krah”, më tha. I premtova se do t’isha në krah të tij edhe pa emnim zyrtar, por nuk iu mbush mendja. Si me Pipën ashtu edhe me Karagjozin kemi qenë dy nënkryetarë, dhe këtu besoj asht nevoja për nji sqarim në këtë kohë konfuzioni dhe sulmesh kundër Kanunores. Si emnimi i dy nënkryetarëve ashtu edhe ndryshime të tjera prej Kanunores së vitit 1926, kanë qenë ba para se unë të shkoja në Vatër, në kuvende legjitime, jo si këto dy kuvendet e fundit krejt jashtë Kanunores, por nuk kanë qenë shtypë e publikue, besoj se edhe për faktin se debatohej për nji version të ri të Kanunores ose për shtesa (Amendments), X me iu përshtatë nevoja të kohës. Ato ndryshime janë hartue si shtesa (Amendments), janë aprovue në dy kuvende të rregullt në 2014 dhe 2015, ma vonë janë përkthye edhe në anglisht dhe janë publiku bashkë me Kanunoren origjinale të pandryshueme si libër më vete. Ky libër me shtesa asht hjedhë në shportë nga Dritan Mishto, ndërsa Kanunorja origjinale asht hjedhë në shportë në kuvendin e 26 shkurtit 2022, si “relike” e vjetrueme, në vend që të ruhej për vlerën historike e juridike dhe për kujtim të atyne që e hartuen afër nji shekull ma parë.
Për pyetjen e aktiviteteve gjatë kohës me Karagjozin, disa i kam përmendë në nji tjetër përgjigje, por këtu po shtoj: seminarë për 90 dhe 100 vjetori i Diellit, për Skenderbeun, për Konicën me rastin e bartjes së eshnave në atdhe, protesta së bashku me komunitetin kundër Jugosllavisë dhe Sebisë për Kosovë, kundër regjimit komunist të Shqipnisë për barbarizmat kundër popullit, si dhe fushata të ndryshme, ndër të cilat po përmendi ato për Kosovën. Në vitin 1998 vizituem së bashku luftarët e plagosun të UÇK-së në spital të Bajram Currit dhe me atë rast takuem ministrin e Financave (Isa Mustafa) të qeverisë Bukoshi në Tiranë, të cilit i dorëzuem nji çek për 40,000 dollarë.
Pyetje: Tregojnë se Ing.Karagjozi ishte shumë konseguent si antikomunist ?
Dr.Gjon Buçaj: Ashtu asht, nuk ka pasë kurrë luhatje në qëndrimin e tij në këtë pike. Përsa u përket partive, ai së bashku me babën e vet kanë pasë kalue prej Ballit Kombëtar në Lëvizjen e Lagalitetit, prej së cilës asht largue ma vonë për t’ju kushtue krejtësisht Vatrës. Tragjedija e vitit 1997 na shqetsoi thellësisht dhe Vatra mori qëndrim të ashpër kundër forcavet politike që ndoqën rrugën e rrenimit të vendit për të ardhë në pushtet. Në nji vizitë në Shqipni, për të përkrahë koalicionin demokratik kundër qeverisë së ardhun në pushtet me dhunë, kryetari Karagjozi deklaroi se ajo qeveri nuk e kishte “të drejtën ligjore dhe as morale të ketë në duar frenat e shtetit shqiptar dhe qeverisjen. Ajo e mori pushtetin me dhunë e dame të mëdha materiale, kulturore dhe në njerëz të pafajshëm.” “Qëndrimi i vëndosur i Vatrës kundër diktaturës dhe ideologjisë komuniste nuk është qëndrim politik, por thjeshtë kombëtar.”
I nderuar Dr.Buçaj këto ditë është kujtuar se ndërtesa që ka Vatra sot është blerë në kohën kur ishte kryetar i Vatrës Ing. Agim Karagjozi:
Dr.Gjon Buçaj: E kam cekur këtë temë edhe në përcjelljen, eulogjinë katër vjet më parë, se Agim Karagjozi kurrë nuk e kërkoi postin e kryetarit, por e pranoi me vetëdije si përgjegjësi të madhe, kur anëtarësimi e zgjodhi. Ai iu përkushtua Vatrës duke respektuar Kushtetutën e saj – Kanunoren dhe parimet demokratike të vendosura nga Themeluesit e saj dhe të mbajtura nga anëtarët e përkushtuar që atëherë. Ai e dinte se forca e Vatrës qëndron në bashkëpunimin harmonik midis anëtarëve dhe mbështetësve të saj dhe në përkushtimin për kauzat e përbashkëta që lidhen me interesat kombëtare.
Për ndërtesën ku e ka Vatra selinë sot, duhet falënderue bujaria e Vatranëvet dhe kujdesi i Agim Karagjozit. Vatranët e vjetër kanë pasë krijue nji fond për të ble nji ndërtesë dhe e kanë quejtë Fondi i binasë. Ma vonë, Agimi ka fillue nji fond tjetër për nevojat e Vatrës, Fondi permanent, të cilin e ka ruejtë në bankë. Ma vonë janë bashkue të dy fondet dhe shuma ka qenë ma pak se njiqind mijë dollar. Ky asht quejtë Fondi i përbashkët. Disa here kemi pasë nevojë për të shpenzue nga ky fond, por e kemi ruejtë të paprekun, tue i përballue nevojat me fushata përsonale, me qellimin për të ble nji ndërtesë ku Vatra të kete nji qendër me nji adresë. Besoj se ishte viti dikund 1996, kur i biri i Agimit, Zudiu që merrej me tregtinë e pronave të paluejtshme (Real Estate Brocker), ka gjetë nji grup 3-4 pronash, ndër të cilat ndërtesa që ka Vatra sot, dhe ai e ka mundësue blemjen e saj pa shtue të holla tjera dhe pa marrë pagesën që i takonte si komision. Edhe Zudiut vatranët me të drejtë i janë mirënjohës.
Pyetje: Ju keni drejtuar Vatrën pas largimit të Ing.Karagjozit, a ka patur ndikim Ing.Karagjozi në zgjedhjen tuaj?
Dr.Gjon Buçaj: Në të vërtetë ai më ka propozue. Ishim në fillimin e vitit 2010 dhe bisedojshim për rihapjen e degëve të Vatrës dhe krijimin e degëve të reja. Ai ishte lodhë fizikisht, sa që ndonji here mbasi na thërriste në mbledhje, vetë nuk mund të vinte. Në nji mbledhje të Këshillit Drejtues na tha se ishte i lodhun dhe, edhe për arsye shëndetsore, nuk e ndiente vehten në gjendje me përballue fizikisht detyrat që kishim përpara, “prandej kam vëndosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe propozoj Gjonin ta dejtojë Vatrën deri në kuvendin e ardhshëm”.
Pyetje: Nga disa foto qe kam parë, shoh se jeni gjithmonë afër Ing.Karagjozit dhe dikun ai iu ka futur krahun, nga ku kuptohet miqësia e ngushtë që ka patur me ju, apo jo?
Dr.Gjon Buçaj: Miqësia e jonë ka lindë në Varës, si aktivista të saj, por asht thellue edhe në rrafshin personal, për afinitetin e ndërsjelltë të karakterit, përveç pajtueshmënisë në mendime. Më donte afër në çdo rrethanë, sepse “më jep një ndiesi sigurie”, më thoshte. Në se keni qenë prezent në mitingun “Nano ik!”, mund të keni vu re se te mikrofoni e kam percjellë edhe unë, përveç Berishës. Në të vërtetë nuk ishte vend për mue sepse nuk kishem për të folë, por kur u ngrit, m’u drejtue Agimi e më tha: “Gjon, eja!”.
Pyetje: Pas Ing.Karagjozit, në drejtimin e Vatrës u zgjodhët ju, e kujtoni atë moment?
Dr.Gjon Buçaj: E kujtoj shumë mirë. Ka qenë i pranishëm edhe i ndjemi Uran Kostreci, i cili në atë kohë flente në ndërtesën modeste të Vatrës. E thirrshim “i zoti i shpisë”, sepse ai ishte gjithmonë aty. Kur e hapi mbledhjen dhe biseduem për rendin e ditës, Agim na befasoi me dorëheqjen për shkak të moshës dhe të shndetit. Tha se për shkak të gjendjes shëndetësore dhe të moshës e ndien vehten të lodhun dhe shtoi se “në të ardhme mbase bëhem më mirë”, unë ndërhyna: “Por jo aq sa të më marrësh vendin përsëri” dhe plasën të qeshunat. Urani e tregonte shpesh këtë rast humori si shembull që tregon se sa vëllaznore ishte atmosfera mes nesh. Ma vonë Agimi më tha se ishte konsultue edhe me Uranin dhe kur e kishte pyetë se cilin person sygjeronte ai për kryetar, ai ishte përgjegjë: “Gjonin, natyrisht”.
Pyetje: A ka vazhduar miqesia juaj me Ing.Karagjozin edhe kur ai për shkak të moshës nuk mund të ishte aktiv si më parë në Vatër?
Dr.Gjon Buçaj: Miqësia e jonë ka qenë e hershme. Na ka pasë njoftue nji shok i përbashkët, që unë e njihja prej vitit 1954 në Kosovë, por ai kishte emigrue në Amerikë para meje dhe ishin njoftue e ba shokë në ngushtë në Vatër. Miqësia e jonë ka vazhdue edhe mbas dorëheqjes së tij dhe takimet nuk i kishim të rralla, sepse na i shkonim shokut të dashtun në shtëpi. Vinte rrallë te Vatra, por kur vinte, gëzoheshim të gjithë. Kam gjetë shenimet për nji mbledhje të Këshillit Drejtues ka ai kishte ardhë me marrë pjesë. “Mbledhjen e hapi z. Agim Karagjozi”. Shpesh herë na e ka thane, mue e të tjerëvet, se ishte shumë i kënqaun si po shkojnë punët në Vatër dhe “Gjoni po ban nji punë shumë të mirë”.
Intervistoi: Elida Buçpapaj
Komentet