– Por kur erdhi Fuadi në Amerikë? – e pyes bashkëbiseduesin.
– Kjo është një tjetër aventurë me telashe, – thotë Fuadi, që vazhdon të tregojë me detaje historinë e jetës së tij: – Në Amerikë erdha në 1958-n, sepse në Greqi u mbyll zyra amerikane. Babai vazhdonte të ishte në Aleksandri. Unë isha martuar dhe doja të sillja edhe babanë të qëndronte pak kohë me ne. Ia dhanë vizën për 24 orë dhe qëndroi dy javë me ne në Greqi. Më pas ai iku përsëri në Egjipt. Kishte ardhur koha që bashkë me gruan të udhëtonim drejt Amerikës. Kisha dy mundësi: ose të shkoja me aeroplan, ose me vaporin “Constituation” që ishte komod për atë kohë. Mirëpo donim të shkonim në Itali tek njerëzit e gruas, se më kishte lindur vajza. S’kishim pasaporta e asnjë lloj dokumenti. Unë udhëtoja me një letër që ma kishte dhënë zyra amerikane. Për vajzën, kur lindi, na dhanë vizën në një copë letër. Shkuam në konsullatën italiane për vizë, se ishte një vapor që nisej ne fundjave për në Gjenova e mbas dy javësh, po ky vapor, do të udhëtonte për në Amerikë. Përsëri telashe; kur shkoj atje, më thonë se tani për tani nuk ka mundësi, por do të kërkojmë autorizimin nga Roma, kjo zgjat nja 5-6 javë. Unë s’kisha kohë; për 5-6 ditë nisej vapori. Nga kjo situatë e vështirë më nxori Ernest Koliqi, të cilit i bëra një telefon. Ndërhyrja iku lart deri tek Andreoti. Ernesti kishte miq të fortë në qeverinë italiane. Të nesërmen shkova në konsullatë për vizë. Konsulli, që nuk i erdhi mirë, që unë kisha trokitur larg dhe lart, më pyeti; ç’miq paske në Romë se na ka ardhur një telegram emergjence andej?
– Mora vizat dhe shkuam në Itali. Pas 15 ditësh u nisëm po me atë vapor prej Gjeneve në Barcelona, pastaj në Lisbonë e prej Lisbone në Kanë. Takuam Mbretin Zog me Mbretëreshën. Princin e kishin në Zvicër. Vapori qëndroi tri ditë në Kanë. Mbas tri ditësh u nis direkt për në Nju Jork. Udhëtimi ishte tepër i gjatë dhe ne ishim me fëmijë të vogël dhe vështirësitë shtoheshin. Kemi bërë rrugë 15 ditë gjithsej.Si depërtoi Sigurimi i Shtetit në radhët e legalistëve?
Sigurimi i Shtetit gjithnjë ka luftuar që organizatat nacionaliste t’i përçajë dhe në radhët e tyre të fusë agjentët e vet. Fuadi mendon se një pjesë prej tyre kanë kaluar nga Beogradi dhe e kanë treguar veten me veprimtari përçarëse, madje ndonjëri vazhdon edhe sot të veprojë kundër interesave të mbretëroreve. Disa kanë qenë “dhuratë” nga Sigurimi i Shtetit dhe kanë depërtuar nga Athina. Një pjesë janë zbuluar rastësisht, ndërsa disa të tjerë janë zbuluar dhe janë përjashtuar nga partia, ndonjë dhe ka mbetur pa u zbuluar, por jo pa rënë në sy.
E pyes për historinë më të bujshme, atë të agjentit Cufe Mullaji, i cili arriti qe të zinte poste deri në Komitetin Qendror të legalsistëve, pasi pat zënë edhe pozicionin e numrit një të legalistëve të Belgjikës, degës më të madhe të mbretërorëve në Evropë. Cufja, kujton Fuadi, hyri nga Greqia dhe qëndroi ca kohë në kampin e Lavrios, ku ishte dhe vetë Fuadi.
-Kur e zbuluat Cufen si agjent të sigurimit të shtetit? – e pyes Fuadin.
– Ne s’kemi qenë të zotët për t’i zbuluar, se nuk na shkonte mendja kurrë se ai ishte agjent. E kanë zbuluar të tjerët. Mandej unë e kam përkrahur, e kam vënë në kontakt me shokët tanë që ishin në Bruksel.
– Si u paraqit agjenti i Sigurimit tek ju? Si e takuat Cufen, ju kujtohet fillimi i prezantimit me të?
– Kur erdhi Cufia, unë isha në Greqi atëherë. Ka qenë viti 1956. Grekët u bënin intervistën dhe pastaj i binin në kampin e Lavrios. Mandej vinin për të na parë atje e për të na dhënë ndonjë lajm për Shqipërinë. Siç vinin të gjithë erdhi edhe Cufja. Prezantohet. Në të vërtetë ustallarët e kishin llogaritur mirë punën, ai ishte i besueshëm se i ati kishte pas qenë toger i mbretit Zog. Më thotë se jam filani, kam simpati për Legalitetin, por jam me Hasan Dostin. Që sot e mbrapa unë do të jem pa parti e do të mundohem të kontribuoj në mërgatën shqiptare. Unë jam gati të bashkëpunoj me ju. Këto ishin fjalët e para të tij. Fillimisht ka qëndruar si qengj. E kemi ndihmuar edhe financiarisht e i gjetëm dhe një punë. Punoi si ndërlidhës me Athinën, ku shkonte e vinte, bënte telefona. Siç duke tani mezi e ka pritur atë pozicion se ishte i lirë me i raportu Sigurimit. Jo rrallë vinte edhe në shtëpi. Të them të drejtën, e para që ka dyshuar tek ai si njeri i dyshimtë, ka qenë gruaja ime. Ajo më thoshte shpesh; se çfarë ka ky njeri; gjithmonë është i shqetësuar. Duket si i dyzuar. Ke parë se si i lëviz këmbët, si i dridhen duart kur merr filxhanin e kafesë?
– E po i vjen zor, i thosha unë. Ajo këmbëngulte në të sajën: ai është shumë nervoz. Duhet të ketë probleme.
– Kjo ndodhte ngaqë ai ishte përherë i dytë në veten e tij; ishte legalist, nacionalist, roli që luante dhe ai i vërteti, agjenti i Sigurimit. Herën e parë që emigroi në Belgjikë, desh të regjistrohej në Legalitet. Tashti, na tha, po e kuptoj se duhet të regjistrohem në Lëvizjen e Legalitetit mbasi po shkoj në Belgjikë. Sikur të isha regjistruar më përpara, do të thoshit se po e bëja për oportunitet, domethënë, që kisha nevojën tuaj. Tashti s’kam më nevojë, jam duke u nisur për në Belgjikë, besoj se s’mundeni të thoni se po e bëj për oportunitet. Unë i thashë se këtu nuk është nevoja. Ne kemi degën atje. Të regjistrohesh në Belgjikë. Nuk e dija dhe atëherë, por ishte si princip që të pranonte dega atje. Sidoqoftë Cufja arriti ta realizojë qëllimin e vet. Ai u bë kryetar i degës më të madhe, asaj të Belgjikës. Më vonë, arriti të zgjidhet edhe në Komitetin Qendror të Organizatës.
– Mendoni se Cufja kontrollonte gjithçka në radhët tuaja?
– Nuk mendoj se tek ne kishte sekrete të mëdha, por është fakt se ai ushqehej me të gjithë informacionin që ushqeheshin anëtarët e Komitetit Qendror, pra parësia jonë. Në atë kohë unë isha Sekretar i Komitetit dhe korrespondoja me të gjitha degët në botën e jashtme. Ishin 19 degë e ndër më aktivet ishte dega e Waterbyr- it, e Detroitit, e Kanadasë dhe e Belgjikës.
Kur u bë Kongresi i parë i Legalitetit ai u zgjodh anëtar i Komiteti Qendror nën kryesinë e Nuçi Kotës, si Sekretar i Përgjithshëm. Kështu që ai merrte informacion mujor për gjithçka dhe besoj se i ka kënaqur ustallarët e vet të Tiranës.
– Por kur e mësuat të vërtetën?
– Dyshimet kishin kohë që po dukeshin. Çuam në Belgjikë dy shokë gjoja se po studionin historinë e mërgatës, të cilëve u dhashë me vete edhe një rekomandim, që të ndihmoheshin. Duke qenë se ata qëndruan gjatë dhe nuk e linin t’u dilte nga kontrolli, atij i duhej të shkëputej për t’u lidhur me qendrën e vet, por nuk e dinte se survejohej nga ne. Kështu që dyshimet u vërtetuan. Pas kësaj nuk bëmë ndonjë veprim të hapur, veçse ia shkurtuam postën. I çonim fillimisht pak informacion të përgjithshëm, derisa ia shkëputëm fare. Ai merrte në telefon dhe ankohej, unë i thosha se ta kam nisur por shih se mos ka ngecë gjëkundi…
-Dhe kur u largua Cufja?
– Ka ikur tamam në ditën e festës së Flamurit, më 28 nëntor 1967…
– Ka pasur të tjerë të dërguar nga Sigurimi që janë zbuluar?Në kujtimet e veta Cufja thotë se edhe ai që e zëvendësoi ishte bashkëpunëtor i Sigurimit. Ju si mendoni?
– Po, unë thashë se Sigurimi ka bërë shumë përpjekje me e pasë në dorë mërgatën dhe nuk i ka rresht përpjekjet për të futë bashkëpunëtorë të tij në radhët tona. Në kampin e Lavrios kemi pasur një çam. Ai jo vetëm që vepronte vet, por filloi t’i bënte presion dhe një elbasanlliu, të cilin e kërcënoi se djali që kishte në burg në Shqipëri do ta pësonte nëse ky nuk bashkëpunonte. Ka dhe raste të tjera, për të cilët është marrë masa e përjashtimit nga Partia…
11 kongreset e legalistëve në emigrim.
Refuzimi i ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë për ta regjistruar PLL-në në zgjedhjet e para pluraliste, prapaskenat e kongresit të 13-të që u mbajt në Tiranë më 1996
-Dr. Fuad Myftia është një ndër drejtuesit që ka qenë në krye në legalistëve për më shumë se tri dekada, ndërkohë që jetë aktive në strukturat e mbretërorëve ai ka rreth gjysmë shekulli. E filloi aktivitetin që në demonstrimet antifashiste në vitet ‘40 të shekullit të kaluar e vazhdoi në kampet e pasluftës, në Itali dhe Greqi. Kur legalistët filluan të organizojnë strukturat e tyre, edhe Fuad Myftia ka pjesën e vet të kontributit. Pas kongresit I, atij të Zall-herrit të nëntorit 1943, kongresi tjetër do të mblidhej pas 19 vjetësh jashtë atdheut. Shkak u bë vdekja e Mbretit Zog. Një grup eksponentësh, dr. Nuçi Kota, avokat Selim Damani dhe dr. Fuad Myftia, u bënë nismëtarët e një përkujtimi madhështor. Përkujtimi u bë në Manhattan në qershor 1961, ku morën pjesë personalitete të botës shqiptare në mërgim dhe personalitete ndërkombëtare. Ky rast shërbeu për riorganizimin e Lëvizjes Legaliste. Një Këshill Provizor mori përsipër parapërgatitjen e kongresit, i cili u mblodh në nëntor 1962. Fuadi kujton se ai qe një manifestim shumë i organizuar i legalistëve. Në përfundim të punimeve u zgjodhën drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Lëvizjes së Legalitetit. Dr. Nuçi Kota u zgjodh sekretar i përgjithshëm, ndërsa avokat Selim Damani nënsekretar. Fuadi u zgjodh në Komitetin Qendror. U vendos që të krijoheshin degë të Lëvizjes në çdo kontinent ku kishte shqiptar të mërguar. Numëroheshin atëherë 19 degë në Evropë, Amerikë, Kanada, Zelandën e Re, Australi etj. Lëvizja e Legalistëve e përjetoi me dhimbje humbjen e sekretarit të përgjithshëm, dr. Nuçi Kota, i cili vdiq në mënyrë të papritur në vitin 1965. Vendin e tij e zuri avokat Selim Damani, i cili drejtoi deri në vitin 1968. Në nëntor të atij viti u bë kongresi dhe avokati Damani dha dorëheqje për mospajtim idesh; Fuadi u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Ai arriti ta udhëheqë me metoda demokratike Lëvizjen e Legalitetit dhe forcoi demokracinë e brendshme. Ishte kjo arsyeja që ai do të triumfonte edhe në kongresin e pestë edhe në atë të gjashtin. Për të kuptuar demokracinë e brendshme që kishte kjo organizatë politike, që natyrisht ishte më e madhja në mërgim, po sjellim si pikë reference kongresin e gashtë të legalistëve, i cili i zhvilloi punimet nga 26 deri në 27 nëntor 1977 në New York. Pas procedurave të rregullta, që nga seanca e parë që filloi në orën 10 të mëngjesit, deri në seancën e fundit, pas zgjedhjes së kryesisë së përkohshme për drejtimin e kongresit, e përbërë nga Shehat Osmani, kryetar; Mustafa Kulla, nënkryetar dhe Rasim Sina, sekretar deri tek kontrolli i mandateve; pas fjalimeve të të ftuarve dhe fjalimit të sekretarit të përgjithshëm, dr. Fuad Myftia, u erdhi radha zgjedhjeve. Është një model që mund t’u shërbejë dhe partive të tjera politike sot në Shqipëri. Dolën dy kandidatë për postin e sekretarit të përgjithshëm: Fuad Myftia dhe Idriz Basha. Secili nga ata paraqiti platformën para delegatëve. Dr. Fuadi gërshetoi përvojën që kishte fituar me objektivat që e prisnin Lëvizjen Legaliste në të ardhmen; ndërsa Idriz Basha tregoi aktivitetin e tij individual politik në shërbim të çështjes monarkiste, demaskimin e politikës së Tiranës përmes shkrimeve që ai vetë kishte botuar në “Lë Mond” dhe gazeta të tjera; secili nga kandidatët paraqitën listën e bashkëpunëtorëve të tyre me të cilët do të realizonin objektivat e paraqitura. Dr. Idriz Basha,në rast se fitonte kishte zgjedhë si nënsekretar të përgjithshëm zotërinjtë Ragip Lohja e Ibrahim Kulla dhe kishte hartuar një listë me 26 anëtarë të KQ-së; ndërkohë që dr. Fuad Myftia kishte përzgjedhë si zëvendës të tij, bashkëpunëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanaj dhe Arif Fazo si dhe 36 anëtarë në KQ të OKLL-së. Të 154 delegatët i duartrokitën të dyja platformat dhe më pas kaluan në votim të fshehtë. Platforma e dr. Fuadit kishte bërë për vete 99 delegatë, ndërsa dr. Idriz Basha mori 55 vota. Në mes të duartrokitjeve, dy kundërshtarët i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuan nën duartrokitjet e sallës. Kjo përvojë është e vlefshme sot si për vetë legalistët e Shqipërisë, të cilët e kthyen në rrëmujë kongresin e tyre në vitin 1996 në Tiranë, ashtu edhe për partitë e tjera, të cilat e kanë kthyer në skematizëm formal konkurrimin e alternativave brenda partive.
Duke ndjekur kronologjinë e zhvillimeve në kampin e legalistëve mësojmë se dr. Myftia u tërhoq në kongresin VII, që u mblodh në nëntor 1980. Arsyeja ishte shëndetësore. Menjëherë u paraqitën katër kandidatura: Shehat Osmani, Nderim Kupi, Fahri Barolli dhe Idriz Basha. “Pati ca tensione ai kongres, – thotë Fuadi, – pasi për herë të parë konkurruan katër kandidatë”. “Pas shumë debatesh fitoi kandidatura e Nderim Kupit, i cili nuk qe se arriti një periudhë të artë drejtimi, përkundrazi, organizata pati shumë probleme”, – shton ai.
Pas presionit të miqve legalistë, Fuadi e rivë kandidaturën në kongresin e tetë. Ky kongres i ka zhvilluar punimet me 1983. Kandidatura e Fuad Myftisë fitoi lehtësisht. Përballë, sërish kishte kandidaturën e Idriz Bashës, i cili këtë herë nuk mundi të fitonte më shume se 30 vota.
“Kam pasur fatin, – thotë Fuadi, – që të punoj me Hysen bej Prishtinën si kryetar të Këshillit Kombëtar, ndërkohë që Hysen Mulosmanaj ka qenë një ndër ndihmësit e tij shumë të kualifikuar”. Në aktivitetin e tij ai thotë se ka pasur në mbështetje dhe këshillat e vazhdueshme të heroit të 7 prillit, Abas kupit.
Kongresi IX i legalistëve sërish u mblodh në mërgim, në Nee York. Punimet e këtij kongresi, si dhe të kongresit të Bllokut Kombëtar dhe të Kongresit IX të Partisë së Punës së Shqipërisë, gazeta e Vatrës, “Dielli” i ka paraqitur në faqen e parë të numrit të 31 janarit 1987, ku janë ballë përballë portretet e mëdha të Ramiz Alisë dhe Fuad Myftisë, në mes qëndron vendi bosh i kryetarit të Bllokut, Ndue Gjomarkaj. Le ta citojmë “Diellin” për legalistët: “Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit mbajti kongresin IX të saj më 29-30 nëntor. Punimet e këtij kongresi u zhvilluan në “Sheraton Hotel”, në New York… Punimet e kongresit u zhvilluan në katër seanca. Kongresin e hapi z. Ibrahim Kulla, i cili zëvendësonte sekretarin e përgjithshëm, z. Fuad Myftia, që ishte i pamundur atë ditë. Kryetar i kongresit u zgjodh z. Xhemal Laçi, i mirënjohuri ushtar i kombit dhe i legalitetit, i cili e drejtoi kongresin në mënyrë të pëlqyeshme”.
Fuadi kujton si tregues të madhështisë së kongresit pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të partive politike shqiptare në mërgim, përfaqësues të fesë, si dhe përfaqësues nga vendet e robëruara nga komunizmi. Nga këta të fundit përshëndetën kongresin dërgata e Mbretërisë së Bullgarisë, ajo e shtetit të Kroacisë, dërgata e Republikës Çekosllovake në mërgim, e kryesuar nga z. Jan Kuncir, i cili shërbente si ministër i Jashtëm i Çekosllovakisë në mërgim, dërgata e Polonisë, e kryesuar nga z. W. Veleman në detyrën e ministrit të Jashtëm të Polonisë në mërgim, dërgata e Mbretërisë Rumune, dhe dërgata e Këshillit të Evropës Qendrore.
Z. Myftia ka paraqitur raportin, ndërsa për veprimtarinë 3-vjeçare të Këshillit Kombëtar foli kryetari Hysen Prishtina. Sekretar i përgjithshëm u rizgjodh Fuad Myftia, zëvendës të tij Ibrahim Kulla dhe Fari Barolli. Kryetar i këshillit u rizgjodh Hysen Prishtina, zëvendës të tij Ramiz Dani dhe Safet Malushi.
Dr. Myftia në arkivin e tij ruan dokumentacion të shumtë të Organizatës që ka drejtuar për dhjetëra vjetësh dhe letërkëmbimin privat. Në arkivin e tij gjenden edhe letërkëmbimet me familjen mbretërore dhe personalitete politike e shtetërorë në Evropë dhe në Amerikë. Në 15 nëntor 1986 ka korrespondencë me zv.presidentin amerikan, George Bush, ku përgëzohet për problemet që Fuadi ka ngritur në emër të “Albanian-American Community”. I shkruajnë nga zyra e Presidentit të Austrisë, dr. Franz Parak, ku e falënderojnë për informacionet dhe shqetësimet e ngritura për shqiptarët në Jugosllavi. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Geraldina, që e niste prej Spanje, flitet për hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Në një faqe e gjysmë format të shkruar shqip, me shkrim dore, përcillen shqetësimet e çështjes shqiptare dhe problemet shëndetësore. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Suzana, përcillen falënderimet ndaj Fuadit, në një tjetër letër, të dërguar nga ambasadori anglez në Washington, i cili e falënderon për informacionin që ai i ka përcjellë Kryeministres së atëhershme britanike, Margaret Thatcher, janë me qindra letra; i shkruan nga Londra, Nicholas Bethell, e falënderon Alfons d’Amato, për problemet që ka ngritur për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, i shkruajnë nga kongresi, nga Shtëpia e Bardhë.
Fuadi tregon se si e zhvendosën organizatën e tyre legaliste në Shqipëri dhe pengesat e mëdha që nxorën komunistët për t’i penguar. Në fakt alarmi ishte dhënë me kohë nga Ramiz Alia, i cili tek kërkonte pluralizëm mendimi, nuk mund të pranonte pluralizëm politik, pse kjo nënkuptonte pikërisht rikthimin e partive kundërshtare të komunistëve, partive tradicionale, Balli dhe Legaliteti. Kërkesës së legalistëve për të regjistruar Partinë Lëvizja e Legalitetit në zgjedhjet e para pluraliste, u refuzua nga ministri i Drejtësisë. Fuadi ende e kujton replikën me ish-ministrin atëhershëm të Drejtësisë, Muçi: “Nuk mund të pranojmë parti që janë themeluar jashtë territorit të Shqipërisë…!” Jo, mor zotëri ministër, legaliteti është themeluar brenda në Shqipëri, madje jo shumë kilometra larg kryeqytetit, në Zall-herr, ne e mbajtëm gjallë në mërgim”, – i pat kthyer përgjigje Fuadi. Mirëpo koha iku, dhe legalsitët nuk morën pjesë në ato zgjedhje.
“Kthimi i organizatës në Shqipëri i kaloi nëpër shumë vështirësi, – thotë dr. Myftia dhe flet pa konsideratë për Guri Durollarin, i cili me metodat e tij gati e falimentoi partinë. Ai futi metoda jodemokratike në jetën e legalistëve, përçau radhët e organizatës dhe krijoi grupime interesash në parti. Një pjesë e ndërzeve që i kanë sjellë kokëçarje legalistëve, kryesisht kanë kaluar nëpër shkollat e Beogradit, mendon Fuad Myftia. Sipas tij, pak nacionalistëve u janë dhënë të drejtat për të studiuar në universitetet e ish-Jugosllavisë, ndërsa u është mohuar atyre që kanë qenë të betuar për Shqipërinë etnike.
Dr. Fuadi mendon se me kthimin në Shqipëri, Lëvizja e Legalitetit ka pasur një dëm të brendshëm. Në kongresin e 12-të pati krizë figurash. Na duhej një figurë simbol, por nuk mundëm ta gjenim. Bardh Kupi ishte një figurë e kompletuar, por ai u tërhoq. Më pas mbetën Rasim Sina dhe Guri Durollari. Tërheqja e Rasimit, fatkeqësisht e la partinë në duart e Gurit, i cili e tregoi veten plotësisht në kongresin e 13-të, që i zhvilloi punimet në vitin 1996. Nga ana tjetër, edhe Nderim Kupi me kongresin e vet paralel me tonin, nuk bëri gjë tjetër veçse uli vlerat që patëm sjellë nga mërgata.
Dr. Fuad Myftia ndërroi jetë në shkurt të vitit 2007, në moshën 83-vjeçare, në New York dhe u varros me nderime ne varrezën e Queens-it, ku janë varrosur edhe Abaz Kupi, Abedin Mulosmani, Hysen Mulosmani dhe legalistë të tjerë.
*Kjo eshte vetem nje Pjese nga Intervista me te ndjerin Dr. Fuad Myftia, Botuar fillimisht ne Gazeten ILLYRIA NE NEW YORK dhe me pas ne gazeten “Standard” ne numrat e 21, 22, 23, 24 shtator 2008) KUJTESE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NE SHBA- Ne kujtim te Dr. Fuad Myftia, 9 vjet pas vdekjes
Komentet