Frederik Shiroka, mjek kiru rg i shquar, themelues… i Kirurgjisë moderne shqiptare, lindi më 27 shtator 1907 në Shkodër, qytet me tradita të lashta atdhedashurie dhe bujarie, në një familje atdhetare shkodrane me tradita e kulturë.
1. HAPAT E PARA
Shkollën fillore e kreu në Kolegjin Severian, që konsiderohej si një shkollë elitare në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë. Frederiku qysh në fëmini dallohej për zgjuarsi dhe talent të veçantë në disa drejtime. Ai luajti suksesshëm në teatrin e shkollës, zotëronte disa vegla muzikore dhe njihte disa gjuhë të huaja. Ai ishte i talentuar edhe në sport dhe ka qenë një notar mjaft i mirë. Gjatë pushimeve të verës, Frederiku adoleshent u aktivizua me ekipin e futbollit të Shkollës së Jezuitëve e më vonë me skuadrën e futbollit Juventus, që përbëhej vetëm nga të rinj të fesë katolike. Veçse, një pjesë e lojtarëve të Shoqërisë Juventus, pa marrë parasysh pasojat që do të kishin nga ana fetare, u bashkuan me shoqërinë laike Studenti – Shkodra. Këta sportistë ishin: Luigj Shala, Frederik Shiroka, Anton Mazreku etj.
2. “KIRURGJIA NUK KA ATDHE, KIRURGU KA”
Mbasi mbaroi shkollën fillore në vitin 1923, Frederiku u dërgua prej familjes së tij që të vazhdonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës), ku shkolloheshin edhe shumë të rinj të tjerë nga Shkodra. Frederikut iu deshën vetëm 2-3 muaj që të mësonte gjuhën gjermane, të folur dhe të shkruar. Ai përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme (1928) dhe fitoi bursën për të vazhduar Fakultetin e Mjekësisë në Grac të Austrisë. Pasi u diplomua, vendosi të bëhej kirurg dhe u specializua për Kirurgji dhe Gjinekologji, meqenëse Shqipëria në atë kohë kishte shumë nevojë për kirurgë dhe gjinekologë. Në shkollat austriake u formua një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë. Por, ajo që mësohej në Austri përveç profesionit, ishte edhe sjellja e hijshme, fjala e mençur dhe edukata qytetare, pa të cilat çdo njeri, sado i zoti që të jetë, nuk është asnjëherë i plotësuar në formimin e tij. Frederik Shiroka gjatë gjithë jetës së tij dhe në të gjitha situatat që do t’i krijoheshin tregoi se ishte shembull gjallë i një intelektuali shqiptar, që kishte kryer me sukses gjimnazin, universitetin dhe specializimin në shkollat austriake.
Edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Grac, ai vendosi të kthehej në atdhe. Kur e pyetën pse do të kthehej në Shqipëri, ai u përgjigj i vendosur: “Kirurgjia nuk ka atdhe, kurse kirurgu ka”. Si edhe disa intelektualë të tjerë shqiptarë, sidomos mjekë, që nuk pranuan kërkesat për të punuar në katedrat e universiteteve të Europës, madje dhe të SHBA-së, dr. Frederik Shiroka erdhi për të punuar në Shqipëri. Shqipëria në ato vite kishte nevojë të madhe për intelektualë të zotë, bij e bija të saj. Këta mjekë që erdhën për të punuar në atdheun e tyre mbeten edhe sot si shembuj të gjallë të atdhedashurisë dhe humanizmit. Të tillë ishin edhe mjekët e mirënjohur J. Basho, O. Jonuzi, S. Tefiku, I. Tartari, K. Kërçiku, J. Jorgoni, Sh. Ndroqi, Dhimitër Lito e shumë të tjerë. Kësaj plejade i takon edhe dr. Frederik Shiroka, që ndihej krenar se ishte shqiptar. Mbahet mend të ketë thënë se “…unë nuk kam dojç kulturë, por kam kulturën dhe edukatën shqiptare që më dhanë nëna dhe baba im”.
3. NGA GRACI NË TIRANË
Në vitin 1935, dr. Shiroka filloi punën në Spitalin e Tiranës si mjek kirurg dhe do të punonte si asistent i mjekut hebre, prof. Lehmann, i cili vuri re talentin e kirurgut të ri qysh në operacionet e para të kryera prej tij. Dr. Shiroka i përkiste atij brezi intelektualësh, të cilët njohën Shqipërinë pas Kongresit të Lushnjës dhe me Tiranën kryeqytet, që dukej se po merrte njëfarë fizionomie si shtet. Ardhja e dr. Shirokës në Spitalin e Tiranës u mirëprit nga kolegët e tij, si dr. Sabri Tefiku, dr. Besim Zyma etj., të cilët e ndihmuan dhe e orientuan dr. Shirokën për të njohur Tiranën, spitalin dhe kolegët e tjerë. Sjellja e tij natyrale dhe elegante e dallonin nga gjithë të tjerët. Të sëmurët dhe familjarët e tyre u dashuruan me këtë mjek që u buzëqeshte atyre, i shikonte në sy dhe ua vinte dorën në sup për t’u dhënë kurajë. Në regjistrat e operacioneve që u kryen gjatë viteve ‘35-‘40 në Spitalin e Tiranës janë pasqyruar ndërhyrjet kirurgjikale me shkallë të lartë vështirësie të kryera nga dr. F. Shiroka, si p. sh., operacionet në të sëmurët që vuanin nga tuberkulozi i kockave, në të sëmurët me plagë të shumta nga dëmtime të mëdha të organeve kryesore, në trajtimin e sëmundjeve obstetrike kirurgjikale, në sëmundjet urologjike, në sëmundjen e ekinokokut të gjeneralizuar e shumë e shumë të tjera. Duke u nisur nga talenti i kirurgut të ri dhe me të ardhme të sigurt, dr. Lehmann, ish-shefi i tij në Spitalin e Tiranës, që tashmë ndodhej në Amerikë, në vitin 1940 e ftoi zyrtarisht në Institutin e Kërkimeve Shkencore të Filadelfias për të punuar së bashku, por përgjigjja e Shirokës ishte e prerë: “Unë jam më i dobishëm në Shqipëri se në Amerikë. Unë do të veproj njësoj si mjekët e tjerë shqiptarë, ashtu si Ashta, Benusi, Kërçiku, Zyma, Basha etj., që qëndruan në Shqipëri ku populli i do dhe i nderon”.
4. PUSHTIMI FASHIST DHE
TRANSFERIMI NË SHKODËR
Pushtimi fashist e gjeti dr. Frederik Shirokën në krye të punëve në Spitalin e Tiranës. Ai tashmë kishte kryer shumë operacione të suksesshme brenda një kohe fare të shkurtër (1935-1939). Në vitin 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur prof. Lehmann si hebre që ishte u largua nga vendi ynë, shef i Kirurgjisë mbeti ish-asistenti i tij, dr. Frederik Shiroka. Pas pushtimit të Shqipërisë, pa u vonuar, kirurgët italianë zunë vendet kryesore në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Tiranës. Koleg i dr. Shirokës tashmë do të ishte dr. Loci, një mjek i paaftë dhe aventurier, të cilit dr. Shiroka, pas gafës së radhës që bëri, i tha prerazi: “Unë nuk të lejoj të operosh në këtë mënyrë e të bësh eksperimente në trupat e shqiptarëve, siç keni bërë në Abisini. Teknikat operatore që përdorni ju tashmë janë të vjetruara, kurse shqiptarët, që janë ndër kombet më të lashta të Europës, meritojnë të trajtohen ndryshe, prandaj jua theksoj edhe një herë se nuk ju lejoj të operoni me mua”.
Fjalët e dr. Shirokës u përhapën vetëtimthi te personeli mjekësor i spitalit, te të sëmurët dhe familjarët, të cilët u ndjenë krenarë për qëndrimin e vendosur të idhullit të tyre. Për të plotësuar figurën e shëmtuar të këtij mjeku do të përmend edhe një ngjarje të shëmtuar që lidhet me të. Pas çlirimit të vendit, ai u kap në Portin e Durrësit si shoqërues i kufomës së një oficeri të lartë italian, barkun e të cilit e kishte mbushur me monedha të shumta floriri. Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar, ai qëndroi edhe disa vjet në Shqipëri, por këtë radhë në burg. Duke qenë se dr. Shiroka nuk pranoi të hynte në Partinë Fashiste, e larguan nga Tirana dhe e transferuan në Shkodër, në qytetin e lindjes, si shef i repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës. Ai qëndroi në vendlindje nga 1 dhjetori 1940, deri në 7 prill 1946. Në Shkodër ai dha një ndihmesë të madhe në mjekimin e popullit në spital e në çdo shtëpi ku e thërrisnin.
Ai ndihmoi pa u kursyer luftëtarët e lirisë të plagosur në luftën kundër fashizmit. Në ditët e para të çlirimit mjekoi pa u lodhur të gjithë partizanët që çliruan Shkodrën, të plagosur ose të sëmurë. Në periudhën e tifos së morrit, që u shfaq në vitin 1945 në gjithë vendin, dolën në pah edhe një herë zotësia dhe aftësitë e tij organizative. Dr. Shiroka iu drejtua me një thirrje popullit të Shkodrës për t’i dhuruar spitalit 400 shtretër, si edhe batanije e dyshekë. Brenda ditës Spitali i Shkodrës u pajis plotësisht, për të pritur të sëmurët e shumtë të infektuar nga tifoja.
5. PËRSËRI NË TIRANË
Në vitin 1946 u kthye në Tiranë si kirurg i parë në Spitalin Civil dhe kryekirurg i gjithë Shqipërisë. Ai ishte shumë entuziast që do t’u shërbente të sëmurëve dhe do të përgatiste mjekët e rinj, të cilët po ktheheshin në atdhe, pas plotësimit të viteve mësimore që u mungonin për shkak të luftës. Por ai fillimisht u ndesh me shumë vështirësi e pengesa, si edhe me xhelozinë e disa kolegëve. Shpesh e quanin mikroborgjez, madje në një gazetë të Tiranës (Bashkimi) ishte shkruar se “Dr. Jani Basho dhe dr. Frederik Shiroka nuk përfillin eksperiencën sovjetike”. Vetëm pak vite më vonë, do të ishin mjekët sovjetikë që do ta ftonin në Moskë dr. Shirokën.
Pas disa operacioneve demonstrative që kreu në sallat e operacioneve të spitaleve universitare moskovite, ata pohuan njëzëri se kishin përfituar mjaft nga mjeku shqiptar me duar të arta, sikurse e quajtën vetë ata. Ata ngelën të mahnitur veçanërisht nga njohuritë e thella, talentin dhe zhdërvjelltësinë e kirurgut shqiptar. Në të vërtetë, populli shqiptar kishte vite që ia kishte vënë këtë emër të merituar dr. Frederik Shirokës. Gjatë viteve 1946-1955, për herë të parë në vendin tonë ai operoi me sukses në të gjitha organet e trupit të njeriut. Dr. F. Shiroka edhe një herë tregoi formimin e tij akademik të shkëlqyer, talentin natyral dhe karizmën personale, duke dominuar për shumë vjet si figura qendrore e Kirurgjisë shqiptare.
Ai preku çdo fushë të Kirurgjisë nga pulmonet, kockat, në mëlçi, stomak, zorrë, tru, aparatin urogjenital, deri në traumatologji. Ai kreu perikardiolizën e parë në Shqipëri, operacionin në zemër që konsiston në heqjen e cipës së perikardit tashmë të trashur dhe të aderuar me zemrën, pas perikarditeve me origjinë tuberkulare, që ishin shumë të shpeshta në ato kohë. Dr. Shiroka dha një ndihmesë të shquar për trajnimin e kirurgëve të rinj, por edhe në drejtim të organizimit të sallave të operacioneve që ndodheshin në qytetet periferike të vendit dhe përparimin e kirurgjisë në gjithë Shqipërinë. Ai ishte pedagog i Institutit të Lartë të Mjekësisë, që u inaugurua në vitin 1952, por mundi të japë vetëm dy leksione për studentët e mjekësisë së vitit të tretë.
6. NJERIU DHE KIRURGU
Dr. F. Shiroka në radhë të parë ishte njeri i drejtë, gojëmbël, por edhe i papërtueshëm. Ai shëroi me fjalët e tij të ngrohta dhe me duart e tij të arta qindra e mijëra shqiptarë. Ishin të shumtë tiranasit që e shikonin birin e tyre në çdo kohë, në të ftohtë e në vapë, me biçikletën e tij të vjetër Bianki kur kalonte në kalldrëmet e Rrugës së Dibrës për të shkuar në spital. Kirurgu me duar të arta, megjithëse jetoi në tri regjime të ndryshme, mbeti shqiptar me karakter dhe dinjitet. Ambicieve të disa kolegëve partiakë në ato vite, ai iu përgjigj me punë cilësore, me kujdesin e tij të sinqertë për të sëmurët dhe me modesti. Frederik Shiroka mbeti për kolegët kirurgë dhe për të gjithë bashkatdhetarët e tij një idhull, që rrallë i vjen një kombi.
Në Spitalin e Tiranës përmendej deri vonë gjesti i dr. Shirokës, që bashkë me infermieren e tij M. Caci i dhanë gjak nga gjaku i tyre një fëmije në gjendje të rëndë dhe me anemi, para operacionit që duhej të kryej sa më parë. Çdo pjesë e trupit të njeriut e çdo organ i tij i dëmtuar u prek nga bisturia e artë e Shirokës dhe në shumicën e rasteve, ajo ishte jetëdhënëse për qindra e mijëra pacientë që operoi. Shumë ndërhyrje kirurgjikale të vështira të bëra për herë të parë në Shqipëri mbajnë vulën e dr. Shirokës. Në vitet 52-53 të shek XX në Angli, prof. Terenc Milli paraqiti një teknikë të re operatore për kurimin e adenomës së prostatës, sëmundje e shpeshtë te meshkujt mbi 60 vjeç.
Dr. Shiroka, së bashku me kolegët e tij të rinj, e zbatoi për herë të parë në vendin tonë këtë teknikë kirurgjikale, ndërkohë që në klinikat e vendeve të tjera të Ballkanit nuk njihej. Ai kryente me sukses operacionet në kokë, duke u bazuar vetëm te shenjat klinike që paraqiste i sëmuri, pa pasur arteriografi, skaner apo rezonancën manjetike që përdoren sot. Kuraja e tij u shtua edhe më tepër kur erdhën dhe filluan të specializohen për Kirurgji nga vetë ai mjekët e rinj, të cilët ai i shikonte si e ardhmja e Kirurgjisë shqiptare. Këta do të ishin plejada e madhe e kirurgëve të shkollës së Shirokës. Në vitin 1985, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së dr. Frederik Shirokës, dr. Dhimitër Lito, drejtori i Sanatoriumit të Shkodrës, i mbështetur nga të gjithë intelektualët shkodranë, organizoi një sesion shkencor, që u përsërit më pas edhe në Tiranë me iniciativën e profesor Petrit Gaçe, i cili në fjalën e tij e quajti dr. Frederik Shirokën “Themelues i Kirurgjisë Shkencore Shqiptare”. Tashmë figura e doktor Shirokës është vendosur krahas korifenjve të tjerë shqiptarë të shkencës. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht shkodranët kanë të drejtë të krenohen, që bashkë me Fishtën dhe Migjenin lindën edhe Poetin e kirurgjisë shqiptare, Frederik Shirokën, kirurgun e talentuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Ai ishte një mjek që i përmbushte me korrektësi e pikë për pikë detyrat e famshme të betimit të Hipokratit, duke qenë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, pa dallim se cili ishte dhe se cilës klasë i përkiste. Nga viti 1947, ai ishte anëtar i Institutit të Shkencave të Shqipërisë (sot Akademia e Shkencave), kurse në vitin 1948 u dekorua me Urdhrin e Punës të Klasit I, me motivacionin: “I dalluar në mënyrë të veçantë për punë të palodhur e frytdhënëse, për merita të shquara në aplikimin e shkencave të mjekësisë, për cilësi të rralla teknike dhe me rezultate të mira të operacioneve, ka kontribuar në shkallë të gjerë për përforcimin e shëndetit të popullit”. Dr. Frederik Shiroka vdes papritur nga Infarkti i Miokardit në orën tre të natës, më 15 dhjetor të vitit 1955. Duke iu referuar revistave dhe gazetave të datave 16-17 dhjetor të vitit 1955 që dilnin në Tiranë, “Populli i Shkodrës dhe të tjerë të ardhur nga i gjithë vendi, me dhimbje, nderim dhe respekt të thellë e përcollën dr. Shirokën në varrezat e Rrmajit”. U shkrua shumë për dr. Shirokën, u mbajtën konferenca e simpoziume për veprën e tij dhe për gjurmët shkencore dhe humane që la pas.
7. OLIMPIA, GRUAJA AUSTRIAKE DHE LETRAT E SAJ
Olimpian nga Tiroli e kishte njohur e dashuruar gjatë kohës së studimeve në Austri. Me mbarimin e studimeve, Olimpia u bë bashkëshortja e Frederikut dhe e ndoqi atë në Shqipëri. Pas ndarjes nga jeta të doktorit, Olimpias për të siguruar mbijetesën iu desh të kërkonte që të punësohej diku. Ajo nuk kishte asnjë profesion, përveç gjuhës amtare që ishte gjuha gjermane. Pasi shërbeu në disa ambasada, më në fund kaloi në ambasadën e Gjermanisë së Lindjes, ku punoi për disa vjet. Në ato kohë ishin gjallë vëllezërit dhe e ëma e saj që jetonin në Itali, por ajo preferoi që të banonte në Tiranë, edhe pse doktori nuk i la asnjë pasuri dhe iu desh që bukën e gojës ta fitonte duke punuar vetë. Kjo vërteton plotësisht faktin se dr. Shiroka, edhe pse gjatë 20 viteve kishte operuar dhe vizituar disa mijëra të sëmurë, nuk kishte lënë asnjë pasuri.
Veçse kërkon përgjigje pyetja se pse Olimpia nuk u kthye në vendin e saj të lindjes. Ajo qëndroi në Tiranë si e shoqja e dr. F. Shirokës dhe si e tillë ajo ndihej e sigurt, e mbrojtur dhe e përkrahur nga të gjithë banorët e Tiranës. Më në fund, në mesin e viteve ’60 ajo shkoi në Itali, ku e priste kushërira e saj, e vetmja nga të afërmit që ishte gjallë. Letrat e shumta që u dërgonte Olimpia nga Tiroli i Italisë miqve të familjes së tyre në Tiranë pas ndarjes nga jeta e doktorit, plotësojnë ato që tashmë njihen për dr. Frederik Shirokën dhe familjen e tij. Në letrat e saj, gruaja e “doktorit”, siç e quante ajo të shoqin, i përmend me mburrje dhe kënaqësi të ligjshme të gjitha nderimet që iu bënë të shoqit pas vdekjes. Ajo përmend që një rrugë në Tiranë tashmë mban emrin e tij. Ajo përmend gjithashtu se për të përjetësuar kujtimin e kryekirurgut të vendit, mori emrin dhe u vendos busti i tij në hyrje të pavijonit 14 që ishte drejtuar prej dr. Shirokës.
Gjithashtu u vendosën buste të punuara nga skulptorja e njohur Kristina Hoshi, si në Sallën e Operacioneve të Spitalit Civil të Tiranës, ashtu edhe në auditorin kryesor të Institutit të Lartë të Mjekësisë. Në letrat e saj ndihej dhimbja nga humbja e Frederikut, njeriut më të shtrenjtë të saj, që ishte e pashlyeshme. Veçse respekti e dashuria që tregonin njerëzit e thjeshtë për “doktorin” dhe të shoqen e tij, qe shërimi i shpirtit të saj. Ajo shkruante: “Njerëzit qanin me dënesë gjatë funeralit të tij, që ishte shprehje spontane e popullit dhe jo një miting i organizuar. Kur po shkonim për në Shkodër për ta varrosur, rrugës na është dashur shumë herë që të ndalonim makinën dhe të hapnim arkivolin e të vdekurit, mbasi njerëzit donin të shihnin për herë të fundit Doktorin e tyre”. Në një letër tjetër që mban datën 17.2.1964, e veja e dr. Shirokës shkruan: “Pak ditë para se të vdiste, Frederikut tim të shkretë, që për popullin ishte shenjtori i të varfërve, i thashë se asnjëri nuk do ta besonte që ne ishim gjithmonë pa lekë në shtëpi. Një herë tjetër e pyeta çka do të kisha bërë në rastin e ndonjë fatkeqësie.
Atëherë ai më vështroi gjatë e më tha: ‘Në një rast të tillë, vendos vetë a do të vazhdosh të rrish këtu, apo do të ikësh në Itali te njerëzit e tu’”. Shkodra, qyteti i kulturës dhe i atdhetarizmit, ka nxjerrë njerëz të shquar të kombit shqiptar. Në mes tyre shkëlqen dr. Frederik Shiroka, themeluesi i Kirurgjisë moderne shqiptare, i cili përkujtohet me krenari nga i gjithë populli, pacientët, familjarët e tyre dhe nxënësit e tij. Në 25 dhjetor të vitit 2020 mbushen 65 vjet nga vdekja e dr. Shirokës. Me këtë rast mund të organizohet një konferencë përkujtimore në kujtim të veprës së tij.
Në këtë konferencë mund të paraqiten me referate shkencore pedagogët e Shërbimit Universitar të Kirurgjisë së Përgjithshme, që japin sot leksionet për studentët, të cilat i filloi, por pa mundur t’i vazhdonte prof. F. Shiroka, kirurgu i madh shqiptar. Gjatë aktivitetit të dendur dhe të shkëlqyer të dr. Shirokës mungojnë vetëm punimet shkencore. Por, në “kohën e Shirokës” ishte e pamundur që të gjendej koha e duhur për veprimtari shkencore, aq më tepër kur ai ishte i vetëm dhe duhet të zgjidhte problemet kirurgjikale të të sëmurëve që vinin nga gjithë Shqipëria. Dr. Shiroka, i ndërgjegjshëm për këtë mangësi, ka lënë një amanet për kolegët e tij: “Në pamundësi kohe dhe shëndeti, historinë e mjekësisë shqiptare po e shkruaj me majën e bisturisë. Të tjerët le ta shkruajnë me majën e pendës”
Komentet