Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, i cili u bë një emër i njohur dhe subjekt i sulmeve politike gjatë pandemisë së COVID-19, njoftoi të hënën se do të largohet nga qeveria federale në muajin dhjetor, pas më shumë se pesë dekadash shërbimi.
Zoti Fauci, në detyrën e këshilltarit kryesor të Presidentit Joe Biden për çështje të shëndetit, është drejtor i Institutit Kombëtar mbi Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive dhe shef i Laboratorit të Imunologjisë. Ai ishte një nga ekspertët që udhëhoqi përgjigjen federale ndaj sëmundjes së SIDË-s si dhe sëmundjeve të tjera infektive para se të godiste koronavirusi.
“Largohem nga këto pozicione në dhjetor të këtij viti për të vazhduar me një tjetër kapitull në karrierën time“, tha zoti Fauci në një deklaratë, duke i quajtur pozicionet që ka mbajtur “si nder të jetës së tij”.
Zoti Fauci u shndërruan në fytyrën e përgjigjes së qeverisë ndaj COVID-19 ndërsa vendi u godit prej vitursit në fillim të vitit 2020, me paraqitje të shpeshta në lajme e në konferenca të përditshme për shtyp krah zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Presidentin e atëhershëm Donald Trump. Por me thellimin e pasojave të pandemisë, zoti Fauci u zhvendos në periferi nga administrata Trump, për shkak të nxitjes që ai i bënte nevojës për kujdes të vazhdueshëm nga ana e publikut, qasje që binte në kushndërshtim me dëshirën e ish-presidentit për t’iu kthyer normalitetit dhe për të promovuar terapi të paprovuara, për të luftuar virusin.
Administrata e ish-presidentit Trump e mbajti zotin Fauci gjithnjë e më shumë jashtë vendimeve të rëndësishme në lidhje me përgjigjen federale, por ai vazhdoi të fliste publikisht, duke mbrojtur nevojën për distancim shoqëror dhe vendosjen e maskave në mjedise publike, përpara se vaksinat kundër COVID-19 të vendoseshin në dispozicion të publikut.
Zoti Fauci u bë gjithashtu subjekt i sulmeve politike dhe kërcënimeve me vdekje dhe për mbrotjen e tij u ngarkua një ekip sigurie.
Pasi zoti Biden mori detyrën e presidentit, ai i kërkoi zotit Fauci të qëndronte në administratën e tij duke i dhënë një rol më të madh. Presidenti vlerësoi zotin Faucin në një deklaratë, duke thënë se me punën e tij ai ka prekur jetën e të gjithë amerikanëve dhe se falë tij ata janë më të shëndetshëm.
Zoti Fauci bëri të ditur se pavarësisht daljes në pension nga shërbimi federal, ai planifikon të vazhdojë të punojë. “Do ta përdor atë që kam mësuar në funksion të shkencës dhe shëndetin publik si dhe për të frymëzuar e këshilluar gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve shkencorë, ndërsa ata ndihmojnë në përgatitjen e botës për t’u përballur me kërcënimet e ardhshme që vijnë nga sëmundjet infektive”, shkruante ai.
Komentet