Po ju sjellim Dossierin e Javës – që ka të bëjë me kërkimin nga Interpol të Francesco Becchetti pronarit italian të Agon Channel një TV që i paguan me miliona gazetarët shqiptarë. Shumë emra të njohur kanë braktisur TV e Tiranës prej ofertave marramendëse të Becchettit që sot rezulton në kërkim për pastrim parash. Dossieri përbët nga shkrime të botuara në shtypin e Tiranës.
Becchetti në kërkim për pastrim të 40 milionë euro, arrestohet drejtoresha e “Veneto Banka” në Tiranë
Në fokus 8 Qershor, 2015
Pronari i televizionit “Agon Channel”, biznesmeni italian Francesco Becchetti, shpallet në kërkim ndërkombëtar me akuzën e pastrimit të parave.
Francesco Becchetti
Pas një hetimi 2-vjeçar të Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni bashkë me dy persona të afërt të tij janë shpallur në kërkim. Urdhrat e arrestit, pesë në total, janë firmosur nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të Prokurorisë, përfaqësuar nga prokurorja Antoneta Sevdari.
Pas vendimit të dhënë nga gjykata, në Tiranë ditën e djeshme është arrestuar drejtoresha e “Veneto Banka” në Tiranë ku janë bërë lëvizjet financiare, shtetasja Pranvera Gjika dhe financierja e bizneseve të Becchetti- t, shtetasja Erjona Troplini. Krahas shpalljes në kërkim të biznesmenit italian, Prokuroria ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare dhe pronat e Francesco Becchetti-t, i cili mësohet se nuk ka qëndruar në Shqipëri së paku prej pesë muajsh.
SEKUESTROT
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë dje, Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se sekuestroi, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si dhe bllokoi llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini.
Këta persona, sipas Prokurorisë, janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në rreth 40 milionë euro në total. Burimet zyrtare sqaruan dje se Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, e ka nisur hetimin për këtë çështje në vitin 2014.
Hetimi i nisur në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementet e veprave penale të “falsifikimit të dokumenteve të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”, tha Prokuroria.
ABUZIMET
Referuar deklaratës së shpërndarë dje nga ana e Prokurorisë, thuhet se në bazë të hetimeve të deritanishme nga organi i akuzës në Tiranë është arritur të krijohet një situatë e qartë mbi mënyrën se si ka funksionuar kjo skemë.
Sipas deklaratës, Prokuroria e Tiranës konsideron si organizator të skemës shtetasin italian Francesco Becchetti, i cili, në bashkëpunim me nënën e tij, shtetasen Liliana Condomitti, kanë qenë të përfshirë në një marrëdhënie financiare koncesionar-kontraktor për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Shqipëri.
Organi i akuzës bën me dije se hetimi ka sqaruar faktin se koncesionari “KEG”, i kontrolluar në shumicë aksionesh nga një kompani e Francesco Becchettit, ka kontraktuar për punime kompaninë “Energji”, e kontrolluar në mënyrë absolute nga nëna e tij, Liliana Condomitti.
Në këto kushte, sipas Prokurorisë, nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi, këta dy shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro.
Këto shuma të mëdha parash, sipas Prokurorisë, më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me shtetasit M.R dhe E. T. “Një pjesë tjetër të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka”, bëri me dije Prokuroria.
“The Guardian”: Becchetti rrezikon 15 vjet burg. Shefi i Leyton: Biznesmeni s’do ta shesë skuadrën
10 Qershor, 2015
Lëshimi i urdhër arrestit për biznesmenin italian Francesco Becchetti vijon të bëjë jehohë në mediat ndërkombëtare. Pasi lajmi mori dhenë në mediat italiane, një ditë më parë, vetëm pak minuta pasi njoftoi Prokuroria akuzat për pastrim parash në miliona Euro dhe falsifikim të dokumenteve, është britanikja “The Guardian” e cila shkruan se “Becchetti mund të përballen me 15 vjet burg nëse dënohet” për akuzat e ngritura ndaj tij.
Lajmi i publikuar nga “The Guardian”
Media prestigjioze në Britaninë e Madhe, vend ku Beccetti ka në pronësi klubin e futbollit Leyton Orient, citon shefin Ekzekutim të klubit, Alessandro Angelieri, i cili insiston se Becchetti nuk është i intersuar për të shitur klubin Leyton Orient.
“Absolutisht që presidenti nuk kërkon të shesë klubin. Ai do të vazhdojë të fitojë sepse ai nuk preferon të humbasë si gjithë biznesmenët e tjerë. Pritshmëritë tona janë që brenda dy ose tre viteve të ngjitemi me një ose dy liga më sipër”- ka thënë Alessandro Angelieri.
“Autoritetet shqiptare kanë lëshuar urdhër-arreste për pronarin e Leyton Orient, Francesco Becchetti dhe nënën e tij…akuzuar për veprat penale të lidhura me mashtrimin dhe të pastrimit të parave mbi një skemë të dështuar hidroenergjetike që dyshohet t’i kushtojë qeverisë dhjetëra miliona euro në grante dhe taksat e papaguara. Becchetti, i cili bleu klubin korrikun e kaluar, i cili e bëri pasurinë e tij me riciklimin e mbetjeve, tani përballet me konfiskimin e aseteve të tij në Shqipëri. Becchetti i ika filluar investimet në Shqipëri në vitet 1990 pas rënies së komunizmit, por një zëdhënës për zyrën e prokurorit tha se ai nuk jeton në Shqipëri tani.
Hetimi në aktivitetet e tij ishte nisur mbi një fabrikë të madhe hidroenergjetike që kurrë nuk është ndërtuar. Akuzat kundër tij mund të çojnë në një dënim maksimal me burg prej 15 vjetësh. Ka pasur raporte muajin e kaluar se Becchetti është duke konsideruar shitjen e klubit . Ai bleu 90% të klubit nga Barry Hearn për 4 milion Paund”,- shkruan “The Guardian”.
Becchetti, si arriti të paguajë miliona lekë në muaj për emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare
Agon Channel u themelua më në 5 Prill 2013 nga biznesmeni Francesco Becchetti. Studio dhe regjia ishin në Shqipëri por sinjali i Agon Channel synonte të shtrihej në Europë. Me një staf italo-shqiptar më datë 5 prill të vitit 2013 Agon Channel nisi transmetimin me një programacion të larmishëm.
Emra të njohur të gazetarisë pozicionuar prej vitesh në disa nga televizionet më të rëndësishme në vend, braktisën ekranet ku punonin për t’ju bashkuar televizionit të ri të Becchetit.
Kështu Adi Krasta, u largua nga Top Channel, një ikje që bëri shumë bujë dhe u përfol jo pak edhe nga vetë kolegët e tij. Sonila Meço la televizionin Klan ku gjendej në krah të Ardit Gjebreas për t’u bërë kështu një figurë qëndrore e kanalit të ri. Saimir Kodra ishte një tjetër lëvizje shumë e përfolur që iu largua Fiks Fre për të bërë diçka afërsisht të ngjashme me Gent Zenelaj nëpërmjet “Ca thu”? Mustafa Nano braktisi gjithashtu Top Channel për t’ju bashkuar stafit të Agonit. Papritur Agoni u kthye edhe në televizionin më të kërkuar nga gazetarët të cilët nuk mund të mos josheshin nga rrogat e larta që ky televizion ofronte.
Zërat dolën dhe flitej për rroga që arrinin deri në 250 mijë euro për sezon, siç ishte rasti i gazetarit Adi Krasta apo gazetarit Lubonja që gjithashtu ishte mjaft i paguar.
Rrogat më minimaliste kapnin shifrat e 600 eurove, e dalë-ngadalë më datë 02.12. 2014 Agon Channel Italia nisi transmetimin e tij por vetëm 15 ditë më pas drejtori i lajmeve në Agon Channel Italia u dorëhoq nga ky post.
Italiani Antonio Caprarica deklaroi asokohe se ky televizion nuk garantonte as instrumentat bazë për prodhimin e lajmeve por nga ana e televizionit një gjë e tillë u cilësua si “groteske”.
“Nga një aparat telefonik për të gjithë por vetëm një printer” thoshte në intervistën e tij drejtori i dorëqequr i Agon channel Italia duke nënkuptuar se aty askujt nuk i interesonte lajmi.
40 milion euro investimi fillestar (nga të cilat 25 në Itali dhe 15 në Shqipëri), me qëllim arritjen e paktën 20 milionë të ardhurave nga reklamat, në vetëm vitin e parë. Këto janë shifrat e para të Agon Channel që nxitën edhe mediat italiane të hetojnë për pasurinë e mistershme të biznesmenit.
Rai 3 disa javë më parë do të dilte me një artikull investigues ku pyeste se ku e kishin burimin paratë e Becchetit dhe përse ishte hapur ky televizion.
Disa javë më vonë, pra sot më 8 qershor prokuroria zbardhi skemën gjigande të pastrimit të parave duke sekuestruar 60 % të aksioneve të pronarit të Agon Channel i cili tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar e ndërsa Gjykata lëshoi urdher arresti për bashkëpunëtorët e tij, Liliana Condomitti,(nëna e Becchetit) e përfshirë në ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit si dhe arrestoi Erjona Tropolini dhe Pranvera Gjikën, kjo e fundit një drejtuese banke e nivelit të dytë që fshihte transaksionet e miliona eurove.
Agon Channel i ofroi 500 mijë euro në vit Ardit Gjebreas – Portali Telegrafi
Ardit Gjebrea mësohet se ka refuzuar një ofertë marramendëse për t’iu bashkuar kanalit Agon Channel.
Shifra zbulohet nga Aleksandër Frangaj, drejtori i përgjithshëm i TV Klan, televizion me të cilin Gjebrea ka kontratë për tashmë disa vite.
Ai i ka zbuluar shifrat në emisionin “Opinion”, ku mbrëmë është zhvilluar debat në lidhje me çështjen Francesco Beccheti dhe burimin e financimit të 40 milionë eurove për ngritjen e televizionit “Agon Channel”.
Pavarësisht ofertës marramendëse, ka qenë Gjebrea ai që ka refuzuar ofertën e biznesmenit italian, i cili tash akuzohet për shpëlarje parash.
Frangaj ka thënë se italiani i kishte bërë ofertë e ngjashme edhe Fatos Lubonjës, i cili në Tv Klan paguhej me 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj.
TV KLAN – Becchetti në kërkim nga Interpol, dyshohet se ndodhet në Londër
Policia e Shtetit konfirmon se pronari i “Agon Channel”, Francesco Becchetti dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt Mauro De Renzis, të vënë nën akuzë për pastrim parash e mashtrime financiare, janë shpallur në kërkin ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Burime të policisë konfirmojnë se urdhër-arresti i lëshuar disa ditë më parë, i është dërguar të gjitha zyrave homologe të Interpolit.
Të njëtat burime saktësojnë se për shkak të azhornimit të faqes së Interpol fotografia e Becchetti -t dhe De Rezis nuk ka dalë në seksionin e personave të kërkuar.
Pritet që policitë europiane të vlerësojnë kërkesën e Prokurorisë Shqiptare dhe të arrestojnë biznesmeni e akuzuar në Shqipëri për pastrim parash, falsifikim dokumetash dhe evazion fiskal.
Vendndodhja e Becchetti -t nuk dihet. Në një intervistë për Agjencinë Italiane të Lajmeve, Adkronos, ai tha se ndodhej në Londër. Por pas lëshimit të udhër – arrestit, ai nuk është shfaqur më asnjëherë në publik.
Avokatët e tij mbrojtës në Shqipëri mësohet se kanë apeluar masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë, në mungesë.
Pas lëshimit të urdhër – arrestit, Prokuroia e Tiranës vazhdon hetimin intensivisht për një prej skemave më të mëdha të pastrimit të parave në vendin tonë.
Rreth 100 milionë euro dyshohet se Becchetti dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pastruar në Shqipëri. Sipas Prokurorisë, Becchetti ka mashturuar edhe me rimbursimin e TVSH -së me punimet që nuk u realizuan asnjëherë në hidrocentralin e Kalivaçit.
Grupi hetimor ka sekuestruar të gjitha faturat fiktive të punimeve atje, me anë të së cilave dyshohet se ka marrë nga buxheti i shtetit shqiptar shuma të konsiderueshme parashë.
Tv Klan
Becchetti e ndërtoi Agon Channel me paratë që i mori Deutche Bank
Postuar në 11 Qershor, 2015
Francesco Becchetti ka rrëfyer më në fund se nga vijnë 40 milionë eurot që ai thotë se investoi në Agon Channel. Në hapjen e televizionit ai pati deklaruar se asnjë cent nga 40 milionë eurot nuk kishte marrë borxh në banka. Shumëkush pyeti se nga vinte kjo shumë e madhe parash. U desh hetimi i prokurorisë së Tiranës për të kuptuar burimin e tyre. Vetë Becchetti në një intervistë për La Repubblica tregon më në fund se ku e gjeti shumën për të ndërtuar Agon Channel dhe për të sjellë në Shqipëri disa prej figurave më të njohura të televizionit italian, me kosto tepër të lartë për standardet shqiptare.
“40 milionët që u përdorën për të financuar Agon Channel vijnë nga një prej bankave më të mëdha në Europë. Nuk është financim, por rezultat i zgjidhjes së një marrëveshje mes njërës prej kompanive të grupit tim dhe bankës. Nuk mund ta them emrin e saj, por në total nuk janë më shumë se 16 transferta”, është shprehur italiani që është shpallur në kërkim për pastrim parash.
Historia e zgjidhjes së marëveshjes me bankën ka të bëjë me Deutche Bank. Hetimet e prokurorisë shqiptare zbuluan se për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit ai kishte krijuar një kompani me Deutche Bank, të quajtur Hydro srl. Në Shqipëri ata krijuan shoqërinë KGE (Kalivaci Green Energy) me capital të përbashkët 150 milionë euro. 55 përqind i kishte kompania BEG e Becchettit dhe 45 % Deutche Bank.
KGE lidhi një kontratë për mbikqyrjen e punimeve me shoqërinë “Energji” që ishte në pronësi të mamasë së Becchettit, Liliana Condomiti. Prokuroria ka sqarur zyrtarisht se këtu ka nisur zbatimi i skemës së pastrimit të parave. Kompania e nënës së Becchettit, punimet që blinte nga nënkontraktorët, ia shiste kompanisë së të birit dhe Deutche Bank me cmime deri në 23 herë më të lartë dhe arriti një fitim prej 16 milionë eurosh, me para që i merreshin me anë të mashtrimit Deutche Bank.
Veç kësaj, në 2013 KGE dhe Energji krijojnë një mosmarrëveshje fiktive dhe shkojnë në arbitrazh. Prokuroria thotë se me anë të dokumentave të falsifikuara, Energji e fiton arbitrazhin dhe KGE duhet t’i paguante 50 milionë euro.
A janë këto paratë për të cilat flet Becchetti? Në të vërtetë ai arrin t’i marrë Deutche Bank edhe 150 milionë euro të tjera nga zgjidhja e kontratës mes tyre. Ky duket se është edhe burimi i parave që italiani investoi në Agon Channel. E gjithë skema e përfitimit të tyre, sipas prokurorisë shqiptare, është një skemë mashtrimi për pastrim parash. Për këtë arsye 60 % të aksioneve të Becchettit në Agon Channel janë sekuestuar dhe televizioni rrezikon të mbyllet. Lapsi.al
Çfarë do ndodhë me Agon Channel tani dhe gazetarët e saj super të paguar?
Pas urdhërit të prokurorisë për arrestimin e Francesco Becchetit dhe sekuestrimit të pjesës më të madhe të aksioneve të tij, tashmë pyetja që ngrihet është se çfarë do të ndodhë me Agon Channel?
Televizioni i ngritur dy vite më parë, thotë se do të vazhdojë transmetimet normalisht.
Por, me pronarin në kërkim dhe llogaritë e bllokuara, vështirë se kjo gjë mund të ndodhë.
Për më tepër që një pjesë e gazetarëve të këtij televizioni, marrin paga stratosferike, të cilat tani vështirë se do të paguhen.
Kujtojmë se te Agon bëjnë pjesë emra të tillë si Adi Krasta, Fatos Lubonja, Sonila Meço, Andi Bejtja, Saimir Kodra etj, pagat e të cilëve përflitet se shkojnë deri në dhjetëra mijëra euro në muaj.
Para, origjina e të cilave, sipas prokurorisë, vjen nga pastrimi i milionave eurove.
Komentet