Berati feston 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës me një kuvend të mrekullueshëm, të organizuar nga fondazioni “G. Toska” dhe muzeu “Solomon”.
Qytetarë të shumtë, ardhur dhe nga qytete te tjera, edhe të huaj, të ardhur dhe nga SHBA, religjiozë të të gjithë besimeve, murgesha, të rinj, shkrimtarë, deputetë, funksionare, ambasadorë, të ardhur posaçërisht nga Tirana, etj, u mblodhën në taracën e Hotel “Portik” duke patur në sfond jo vetëm portretin e Shenjtes Nënë Tereza por dhe lagjet muzeale të Beratit mijëvjeçar, me atë dritë qiellore si dhuratë per këtë ditë.
Takimin e hapi sipërmarrësi Ing. Gazmen Toska, organizatori i veprimtarisë. Shkrimtari dhe poeti Ndue Ukaj, i ardhur me familjen e tij nga Kosova, foli per jetën e Shenjtes Nënë Tereza si frymëzim dashurie dhe më pas Eda Zhiti tregoi per diten e shenjterimit te Nënë Terezes, ku ishte e pranishme në Vatikan në meshën e shenjte dhe per librin e saj, te botuar në Itali, ku permbledh emocionet dhe mbresat e grave diplomate në atë ditë.
Visar Zhiti, nisur nga pervoja vetjake, tregoi si erdhi Nënë Tereza në Shqipëri, njohjet me të, si shqiptarët shkojne drejt Saj, etj
Një intermexo: aktori i njohur Mirush Kabashi reciton nje kolazh malkengjyes me lutje te Nënë Terezes.
Dhe pastaj thirret në foltore Imzot Dom Lush Gjergji, vikar i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, vëlla shpirteror i Nënë Terezes, Mik i saj, deshmitar i bemave te saj, biografi shqiptar me i mire i Nënë Terezes. Ai foli për universalitetin e Shenjtes tonë.
EKSPOZITA E MAKS VELOS DHE MUZEU SOLOMON
Te pranishmit aty vizituan ekspoziten me vizatime dhe skica te artistit te njohur Maks Velo, te gjitha te dhuruara Eda Zhitit, e cila i solli enkas per këtë rast te veçantë.
Me pas te ftuarit shkuan në muzeun “Solomon”, ideuar nga poeti beratas, mik yni, i ndjeri Simon Vrusho. Mbrojtja e hevrenjve gjate luftes nga shqiptarët është tregues i shpirtit shqiptar, që kulmoi me shenjteri me Nënë Terezën, gruan me të njohur te planetit…
Po botojmë fjalën e Eda Zhitit dhe të Visar Zhiti
LIBRI IM PËR DITËN KUR U SHENJTËRUA NËNË TEREZA
DHE EKSPOZITA NË BERAT…
Nga Eda Zhiti
Në 4 Shtatorin e para 5 vjetëve, kur shenjtërohej Nënë në Tereza, unë isha në Vatikan, atje ku po ndodhte ceremonia e shenjtërimit të saj, në meshën e Shenjtë, që celebronte Papa Fançesku. Ati i Shenjtë e kishte shpallur atë vit si “Jubileun e Meshires”, që kulmoi me shenjterimin e Nënë Terezës, me lumturimin e 38 martireve të kishës sonë katolike, ndërkohe iu drejtua botës mbarë me kërkesën se secili prej nesh është i thirrur për të kryer vepra te mëshirshme.
Unë bëja pjesë në Trupin Diplomatik. Përveç pranisë në ceremoninë e shenjtërimit, që ishte një privilegj i lartë, ndjeja se kisha dhe një detyrë tjetër, ia ngarkoja unë vetes, të dëshmoja, thjesht si një grua, me mesazhet e grave, përfaqësuese nga bota… për gruan më të shquar në botë, të paktën atë ditë, Shenjten Nënë Tereza jonë. Ajo e kishte quajtur veten “laps në duart e Zotit”. Lapsi ishte si një joshje për të shkruar. Dhe ia fillova.
Unë e dua Beratin, dua të them së pari. Nëna ime është nga Berati, me emrin e bukur Shpresa. Është e bija e Dane Zdravës, tashmë “Qytetar Nderi” i Beratit dhe i dekoruar me me medaljen “Nënë Tereza”. Gjyshi im tani më duket si një vëlla i Nënë Terezës. Ai kishte kryer akademinë navale në Itali, në Napoli, ishte ndër biznesmenët e parë në Shqipëri, donte artin, solli kinemanë e parë në Berat, hapi dhe dyqanin e parë të modes në Tiranë, prenontonte sallat e takimeve në Romë të shkrimtares së parë grua shqiptare, zonjës Musine Kokalari, gjyshi im solli çentrale elektrike këtu, pra donte dritën, kombajnat e para në Myzeqe, donte grurin, bukën, bënte pajën e vajzave të miqve, që do të martoheshin apo dhe të ndokujt që s’e njihte, mjaftonte t’ia thoshin, pra ishte bamires, që ende e mbajne mend….
Kur e arrestuan gjyshin tim për së dyti në Berat, gjatë diktaturës komuniste, unë isha nxënëse, 10 vjeçe, po dilja nga shkolla dhe ai më përqafoi me pranga në duar dhe s’u pamë më.
S’mund të rrija pa i treguar këto në Beratin tim, por dhe për të thënë se dashuria prej Nënë Tereze, mëshira e saj e shenjtë, janë traditë, virtyte të shqiptarëve, i gjemë në familjet tona, në qytet e kudo. Ndoshta nuk janë aq të shpeshta tani, por janë. Po rindizen…
Shenjtorja Nënë Tereza është frymëzim dhe mësim i madh, i shenjtë.
Unë kisha shkuar familjarisht si pelegrinët në lumturimin e saj, në Vatikan dhe do të isha si diplomate, si bashkëshortja e kreut të Ambasadës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. Duhej ta tregoja. Dhe mora stilolapsin. Po shkruaja:
Mbi 120 mijë veta ishin mbledhur nga e gjithë bota në atë shesh qiellor, njerëzia vazhdonte deri tej te urat në brigjet e lumit Tevere në Romë e nuk u dukej fundi.
E ç’mendojnë gjithë këta njerëz në këtë meshë të shenjtë? – i mërmërita tim shoqi. – Aty ka dhe shumë gra, ç’ndjejnë ato tani që po shenjtërohet një grua? Do të doja ta dija, por është e pamundur. E di ç’do të bëj, do t’u marr nga një përshtypje gjithë grave të ambasadorëve apo grave ambasadore dhe do të bëj një libër. Sa bukur, më tha im shoq…
Po më vinin letrat. Nëse vononte nga ndokush, i rishkruaja. Këmbëngulja…
Dhe libri u bë. E botoi shtëpia botuese e Vatikanit, LEV, ndër më të njohurat gjithandej. Kush e shfleton, do të gjejë shkrime-ese, përshtypje e dëshmi për Nënë Terezën nga gratë diplomate në atë ditë, po përmend disa: gruaja e ambasadorit të Italisë pranë Selisë së Shenjtë, e Japonisë, Austrisë, Polonisë, Rusisë, Francës, Sllovenisë, etj ambasadorja e Britanisë së Madhe, e Bosnjës, Bashkimit Europian, nga vendet Afrikane, etj, pati dhe nga ato që nuk sollën, ndoshta nuk besonin se do të mund të bëhej ai libër e jo më të botohej.
E parapriva me një shkrim timin dhe në fund e mbylla me shkrimet e dy murgeshave shqiptare, Majlindës, që shërbente në Itali atëhere dhe Elenës, superiore, që drejtonte kuvende në Itali, Kosovë e deri në Indi ashtu si Nënë Tereza. Dy motrat-murgesha ishin si ambasadore shpirtërore të misionit të dashurisë.
E ç’nuk kujtonin grate në librin tim modest, takimet e tyre me vetë Shenjten Nënë Tereza, lutjet me të, ndonjëra tregonte dhe se si e kishin arrestuar, natyrisht që i përkiste ndonjë vendi ish socialist, ndonjë tjetër nëpërmendëte atë që i kishte thënë kardinali i vendit të saj, që kishte ardhur me Nënë Terezën në Shqipëri, madje rrëfente se si kishin takuar vejushën e diktatorit Hoxha dhe Nënë Tereza i kishte kërkuar një shtëpi për motrat e saj të dashurisë.
Do ia japim kujt paguan më shtrenjtë, – i kishte thënë vejusha e diktatorit, – se jemi në kapitalizëm, – duke lenë të nënkuptohej se i tillë ishte rendi tani, kështu deshën.
Dhe Nënë Tereza ia kishte kthyer përgjigjen me seriozitet: a nuk e kuptoni se unë po dua t’ju jap rastin që të tregoheni e mirë?
Më shtrenjtë nga të gjithë e kishte paguar Shqipëria. Me vuajtje pa fund e dënime. Por bekuar që mbi këte tokë ka dhe Nënë Terezë, që jo vetëm të jep rastin për t’u treguar të mirë, të frymëzon, por e sjell të mirën, e përhap atë si dritën.
Librin e titullova “Il giorno di Santa Madre Teresa” (Dita e Shenjtes Nënë Tereza”) dhe në qendër ka 5 shtatorin të saj, tashmë festë për ne dhe për të gjithë botën katolike deri në Indinë e madhe dhe desha të theksosj se të gjitha ditët tona duhet te kenë nga fryma dhe shpirti i shenjtes Nënë Tereza, atë buzëqeshje.
Për të nderuar veprën e Nënë Terezes, Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 Shtatorin 2013 “Diten Botërore të Bamiresisë”.
Libri vërtet vazhdon të ketë jehonë. Shkruajtën mediat. Dhashë dhe një intervistë në Zërin e Amerikës dhe e përurova librin dhe në njërën nga kishat shqiptare në Miçigan në SHBA.
Si epilog do të desha të them diçka, që edhe pse është jashtë librit tim, është si një libër më vete, e kam fjalën për qilimin shqiptar të Nënë Terezës.
Ka qenë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. I vogël, me motive popullore. Ia dhuruan Nënë Terezës në një nga vizitat e saj gratë bashkatdhetare, katolike, ortodokse, myslimane. E mori me vete në Indi. Dhe lutjet po i bënte mbi atë qilim. Donte të prekte Shqipëri, që diç do t’i përcillte patjetër te gjunjët e dobët e do t’i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt, do të shkruante im shoq, Visari në librin “Mërmërimë shenjtoreje”. Ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes.
Motrat e Nënë Terezës në Indi ia dhuruan këtë qilim arkipeshkvit shqiptar, imzot Rrok Mirditës, i cili e ktheu në atdhe,.
Dhe po vazhdoj ç’shkruante Visari më tej:
Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e Martirit, plagët, ndryshkun e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e saj, këmbët e zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Fërgëllimi dhe ngrohtësia, të mbetura përgjithmonë aty, mërmërimat e shenjta, i kalojnë dyshemesë së Katedrales, themeleve pastaj, që e shpërndajnë nëpër tokë. Dhe nga të çarat e tokës, mes gurëve apo mes pllakave në bulevard, ashtu siç dalin fijet e barit, do të rindjehen mërmërimat e saj: Ti, kushdo qofsh, duaj më shumë.
Libër janë dhe fytyrat e nënave tona, me rreshtat e rrudhave, që i ngjajnë aq shumë fytyrës së shenjtes tonë Nënë Tereza.
I ka paraqitur dhëmbshëm dhe bukur artisti Maks Velo në albumin e tij, kushtuar shenjtores Nënë Tereza.
Me Maks Velon kishim miqësi familjare. Kishte qenë në burg bashkë me Visarin. Dua te kujtoj një pasdite, kur na kishte ftuar në shtëpinë e tij për të na treguar punët më të fundit. Kur na përcolli, më dhuroi një dosje me vizatime e skica nga origjinalet e albumit të tij për Nënë Terezën. U përlota, pasi m’u duk se na i la amanet dhe vërtet ai ishte takimi i fundit me të.
I thashë Visarit se do të doja të bënim një ekspozite. Ndërkaq një portret të madh në vaj të Nenë Terezes e çuam në SHBA, e kemi vendosur në murin e shtepise tonë në rrethinë të Çikagos dhe një tjetër, me pëlqimin e Maksit më parë, ia dhuruam Kishës shqiptare të Zojës së Këshillit të Mirë në Detroit. Pjesën tjetër e solla që të ekspozohen në Berat për herë të parë. Skica të thjeshta, si parake dhe të frymëzuara, me shumë dramacitet.
Sa mirë që ndjesira të tilla që na japin librat dhe artet, kumte të shenjta, po shpalosen sot këtu, në qytetin e nënes time.
NËNË TEREZA
NGA PLAGËT TEK YJET…
Nga fjala e shkrimtarit Visar ZHIT
Të mbledhurit sërish së bashku për Shenjten Nënë Tereza më ngjan me një misionin. Eshtë fuqia përbashkuese e Saj. Jemi në Beratin e lashtë, biblik, me ordodoksë e myslimanë, mbi të githa me qytetarë të denjë, me ikonat e famshme të Onufrit dhe Kodikët e vyer, që, atë të Purpurtin, kur e kanë çuar të ekspozohet në Vatikan, e kanë venë në shtrat topi…
Nuk jemi larg bibliotekës së qytetit që mban emrin “Vexhi Buharaja”, poet e përkthyes nga bota e orientit, plot shpirt dhe ajo.
Për më tepër, ky takim bëhet afër Muzeut “Solomon”, që dëshmon përndjekjen dhe dashurinë njerëzore, thelbin e shenjtë të Nënës tonë Tereza. Por unë dua të kujtoj ideatorin e këtij muzeu, të urtin, me të gjitha kuptimet, Simon Vrusho, poet, humanist juaji, një nga miqtë e mi më të mirë e besnik, që kur u njohëm student e deri tani vonë, kur ai çeli këtë muze dhe bisedonim për vështirësitë që do të kishte për ta mbajtur, që aq denjësisht po e vazhdon këtë detyre humane bashkëshortja e tij, zonja Angjelina Vrusho.
Unë besoj te fuqia e Shenjtes Nënë Tereza që na mblodhi sot këtu, edhe me ata që janë në Qiell, që i duam dhe na duan…
Erdha në 5 shtator në aeroportin që mban emrin e Shenjtes tonë Nënë Tereza në Tiranë, pra, në ditën e shenjtërimit të saj, që është dhe festë zyrtare, por nuk pashë ndonjë shenjë që të na e përkujtonte, një pllakat a drita, as lule të freskëta në shtatoren e saj, aq të trishtë.
Mësomë të dua! – lutej Nënë Tereza. Të mësojmë të duam. Dhe më ngazëllen së brendshmi Berati me këtë takim dashurie.
U bënë 5 vjet nga dita kur u shenjtërua Nënë Tereza. E kujtoj atë ditë të madhe, meshën e shenjtë të kanonizimit, isha atje, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Po si arritëm deri atje? Rrugëtimi drejt Nënë Terezës, i gjeneratës time, ndoshta është i njëjtë a i ngjashëm për ne, shqiptarët këtej…
* * *
Po, po, në burg dëgjova për herë të parë emrin Nënë Tereza, kur isha në Spaç, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia. Kujtoj me nderim bashkëvuajtasit e mi beratas, Prof. Luan Myftiu, Shkëlqim Kurti, Dane Zdrava, Adriatik Mustafaraj, Ushtar Çobo, Protoduarin, Rajmond Sejkon… Një pasdite, ishim një grup të burgosurish te shkallët, po shplodheshim nga puna prej skllavi në minierë, kur na afrohet një i burgosur i porsaardhur, që s’ishte i ri në burg, e kishin dënuar prapë, Gjonzeneli e kishte mbiemrin, nga Vlora.
Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? – e pyeti njëri që e njihnin që më parë.
Para se të më riarrestonin, dëgjova fshehurazi në televizorin Italian se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.
Vërtet?
Po, e dëgjova vetë. Madre Tereza. – dhe na i thoshte dhe italisht lajmin. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim. Mos duan të sfidojnë regjimin kështu, duke krijuar lajme të bukura? Se ndodhte dhe kështu.
Jashtë telave me gjëmba ishte viti 1979, brenda televe me gjëmba nuk hynte koha, por antikoha. Kështu erdhi Nënë Tereza së pari tek unë burg.
Por ajo ishte e ndaluar në atdhe. Edhe si emër.
Ndërkaq, më vonë, edhe pse shumë vonë, kur do të binte perandoria komuniste e do të ndryshonte bota, edhe ne njohëm Nënë Terezë, nga shenjtëria e Saj. Donin të dinim sa më shumë për të dhe si vazhdim i asaj që dëgjova në Spaç, në leximet e mia gjeta diçka nga ceremonia e Çmimit Nobel, ç’kishte ndodhur në Oslo, në kryeqytetin e Norvegjisë në ato ditë.
Rrugëve endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin. Në pallati mbretëror, Mbreti i Norvegjisë, Ollavi V, do t’i thoshte Nënë Terezës:
– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?
– E pse? – ia kthen Nënë Tereza shkujdesshëm.
– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.
– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…
Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit.
Si përherë në raste të tilla siperane, ishin gazetarët që do e rrethonin Nënë Terezën, që do ta pyesnin dhe fjala e Saj do të përhapej në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg.
Dhe aty, si i dërguar nga Zoti, do të ishte dhe një meshtar shqiptar, i ri dhe i përunjur, vëlla shpirtër i Nënë Terezës, që e kemi midis nesh sot në Berat, Dom Lush Gjergji, që do të bëhej dhe biografi më i mirë shqiptar i Nënë Terezës. Ai e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, që siç duket iu përshkëndijua që në atë çast se ç’do të bëhej me Nënë Terezën, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe aty bëri pyetjen më të thjeshtë që mund të bëhet, po aq dhe të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlefshme për më pas:
Kush jeni Ju? – Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.
ARDHJA NË ATDHE
…mundi të vijë në atdheun e saj 10 vjet pas marrjes së çmimit Nobel, në 1989, pra 32 vjet më parë, në gusht, kur në tetor do të shëmbej Muri i Berlinit, që kishte ndarë vëndet dhe njerëzit, pak më parë se të binte perandoria komuniste. Sundimtarët e Tiranës, ata që nuk e kishin lejuar të shkelte tokën e saj, të takonte nënën dhe motrën, që ia vdiqën me pengun më të madh, tani i dhanë leje të shkonte dhe të vinte lule në varret e tyre.
Por dhe te varri i diktatorit. E kishin ftuar vejusha e diktatori dhe pasuesi i tij. Ç’ishte kjo, frika e Tiranës politike nga mëkatet dhe krimet e veta, që ndërkaq po përgatitej e detyruar të ndërronte sistem?
Nënë Tereza me sundimtarët e Tiranës, dëshmohet që nuk ka folur shqip.
Mendoj, jo nga që nuk po e përdorte më shqipen e saj të familjes nëpër punërat në botë, por duhet të ketë qenë dhe si një lloj qortimi i heshtur për ata që vranë shqipen e hershme liturgjike, ndërkaq Nënë Tereza mund të fliste me ta dhe me ndonjë nga gjuhët sllave, që dinte dhe që mund t’u shkonte më për shtat sundimtarëve në Tiranë, por përdori gjuhën e saj të misionit, anglishten, të kultures Perëndimore.
Kam lexuar në gazetën e madhe katolike italiane “Avvenire” një dëshmi të një shkodrani, autor librash, Marçel Hila, mik dhe imi, që thotë atë që pak veta e dinë, se varri i Enver Hoxhës dridhej në atë kohë sikur të kishte djallin brenda dhe ushtarët e shërbimit tmerroheshin e i ndërronin menjëherë.
Që Shqipëria e tërë dridhej nga djalli Enver Hoxha e dinë të gjithë. Nënë Tereza u thirr kështu dhe si ekzorciste. Dora e Saj mbi mermerin mortor është e sigurtë që i qetësoi drithmat e Shqipërisë që po i kthente fytyrën e vet të rreshkur Zotit.
Një mrekulli kjo, dhuratë qiellore dhe prej lutjeve të Nënë Terezës dhe kthimit të saj.
* * *
Kur Shqipëria jonë po hapej, drejt perëndimit, lirisë dhe demokracisë, unë shkoj në Itali, në Milano si gazetar i opozitës për një specializim.
RAI jepte çdo mbrëmje para lajmeve një lutje, video, të Nënë Terezës nga libri i porsabotuar i saj në italisht. Kërkova librin dhe e nisa ta lexoja netëve në dhomën time, një herë, dy, tre… më mahnitën lutjet e saj, të thjeshta dhe të thella, gjeta lutje për të burgosurit, e si të mos më intrigonte, për gjykatësit, lutje për të mbjellat, për ata që do të martohen, për fëmijën që do të lindë, për të dehurit, për shoferat, për kafshët, për atë që do të vdesë, për të poshtëruarit, për kohën, për emigrantët, muzikantët, për mikpritjen, për buzëqeshjen, unë jam nusja e Krishtit, thoshte ajo, lutje për ata që s’dinë të luten… ishin si poezi dhe më lindi dëshira t’i them në shqip dhe nisi kështu përkthimi i tyre. S’ishte thjesht akt letrar, ishte zbulim i lutjes, i fuqisë së saj, teksa shpesh libri më mjegullohej prej lotëve.
* * *
Ëndrra e takimit tim me Nënë Terezën u realizua me ardhjen e Saj të dytë në Tiranë, kur diktatura qe zhbërë e në pushtet ishin ngjitur liderat e lëvizjes së demokratizimit të vendit. Ndërkaq Nënë Tereza kishte pasaportë shqiptare, diplomatike.
Ajo kishte ardhur më përpara në Pallatin e Kongreseve se të vinin kreu i shtetit dhe personalitete të tjera. Iu afrova dhe unë duke fërgëlluar para asaj bardhësie të qirinjtë qiellore. Më bënë përshtypje këmbët e zbathura në sandalet e saj pelegrine. Dhe më vjen keq që në foton që bëmë vura çantën time para tyre, si për t’i mbrojtur nga një varfëri që unë s’e kuptoja atëhere, ajo ishte pasuria më e çmuar. S’po dija ç’t’i thosha:
– Kam përkthyer nga lutjet e Tua… – mërmërita.
– Mir’ ke ba! – m’u bë se m’u përgjigj. Kaq. Edhe rreptë. Pse, pyesja veten.
Më pas zbulova se Nënë Tereza, grua e ditur dhe e lauruar, me master, etj, që mbante ditar, etj, lexuese e shquar, etj, nuk kishte lexuar asnjë libër nga ato që botoheshin për të, aq të shumtë e në shumë gjuhe e kudo në botë.
Kur ndonjë shkrimtar a gazetar, biograf i Saj, i jepte librin e vet a guxonte t’i thoshte se shih, ç’kam shkruar apo po shkruaj për ju, ajo e ndërpriste dhe i thoshte: mirë po bën, duhen për t’i sensibilizuar njerëzit që bëjnë mirë. Dhe s’pranonte të dëgjonte më tej për vete.
Kur Shqipërinë për herë të parë në historinë e saj do ta vizitonte një papë, Gjon Pali II, në 25 prill 1993, Nënë Tereza erdhi që ta priste këtu, si bija “në derë të t’et”, doli në aeroportin që do të merrte emrin e saj në Tiranë dhe që të dy, ecën dorë për dore, shenjtër që do të shpalleshin më vonë.
* * *
…duhet të them diçka për luftën në gjysmën tonë, në Kosovë. Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe është kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë e te pandemitë, që I perhaps djalli.
Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbëria.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim!
SHENJTËRIMI DHE LIDERSHIPI SHQIPTAR
(Pjesa që s’u lexua dot në kuvend)
…Sa dritë kishte ajo ditë! Në një nga dritaret e pëfaqësisë, në katin e dytë të një pallati të vjetër në Rrugën “Ottaviano” 43, kishim vënë një portret të madh të Nënë Terezës, që dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe pelegrinët apo turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”.
Isha vetëm në ambasadë, bashkëpunoja me time shoqe, punonim deri pas mesante, dërgonim relacione të shpeshta në Ministrinë tonë të Jashtme, në Tiranë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikan.
Do të mblidhej e gjithë bota atë ditë të shenjtë. Vendet që lidheshin më shumë dhe drejtpërsëdrejti me Nënë Terezën, Shqipëria e para me Kosovën, Maqedonia e Veriut, për ne, Maqedonia e Jugut dhe India do të kishin delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Vendet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh, president, mbretër, nobelistë…
Ambasadori i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë në ceremoni, po me të tutë si i keni punët ju, – më pyeti.
Edhe unë s’di nga t’ja mbaj, – i thashë, – s’do të vijë asnjëri…
Lejomëni të rrëfehem, ndjehem si midis miqsh në Beratin dhe të prindërve të mi.
Nga Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti. Kryeministri do të vinte, por jo delegacion shtetëror, ja ashtu vetëm, me grupin e tij. Me Ministrin e Jashtëm, mbase. Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror? Nëse nuk vinte presidenti? Kabineti i tij absurdshëm po bashkëpunonte me nunciaturën, jo me ambasadën e vet. Erdhi në kohë një listë nga Kryeministria, do të vinte Kryeministri, bashkëshortja, Ministri i Jashtëm dhe nja dy drejtorë të asj ministrie. Pastaj më vjen një listë e gjatë, ku presidenti i Republikës, si kryetar delegacioni do të ishte në krye të nja 25-30 vetave, bashkëshortja, stafi i tij, këshilltarë, roje, vetura. etj. Pra s’kishte vend më për të tjerë, sipas tyre. Një ditë a dy para ceremonisë dëgoi listen e vet parlamenti, do të vinte Kryetari pa bashkëshorten, me një këshilltar e nja dy deputetë. Nga opozita asnjë lajm për pjesëmarrje.
Sekretaria e Shtetit të Vatikanit më mirëkuptonte dhe priste e qetë çdo sugjerim timin, kërkesë apo shkresa që anullonin njëra-tjetrën, siç më vinin nga atdheu.
Dhe mbërriti delegacioni shqiptar, tre krerësh, presidenti me të vetët, sa shumë, që s’donin të kishin punë me askënd, veç me piceritë e Romës, kryeparlamentari, jo dhe aq shumë në grup, kryeministri – korrekt me pjesëtarët e dërgatës së tij. Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.
Ndërkaq Dioqeza e Prizren-Prishtinës kishte organizuar një koncert të madh në Romë, i ndihmova dhe unë, në një kishë të famshme me artistë shqiptarë nga e gjithë bota, që vërtet ishin të shkëlqyer. Na mblodhi dhe na frymëzoi Nënë Tereza, thoshim. Mes spektatorëve pafund ishin të gjitha copërat e delegacionit tonë, edhe nga opozita, por kurrsesi bashkë.
Dhe ja, mëngjezi i 5 shtatorit, me emocione të mëdha e me shqetësime ende më të mëdha. U kërkua nga policia italiane dhe protokolli që makinat e delegacionit shqiptar si për çdo delegacion shtetëror, të ishin në rresht bashkë. Ata të presidencës, vetë presidenti u alarmuan se makina e tyre nuk ishte e para, i sqaruan se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të Kryetarit të parlamentit, por ato të policisë dhe ajo e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, sipas protokollit. Mezi u qetësuan.
Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip.
U futëm në Vatikan, vargan vaturash të zeza, nga portat pas dhe do të dilnin në shesh duke kaluar mespërmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Sheshi ishte plot, një det me njerëz dhe me flamuj nga e gjithë bota. Skuqnin flamujt u bukur të Shqipërisë. Ja, dhe ata të Kosovës. Rojet e palëvizura zviceriane me shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara nga Mikelanxhelo.
Delegacionet shtetërore po zinin vendet e caktuara për to afër altarit të madh, përballë kardinalëve.
Pa i folur njëri-tjetrit u ulën në rreshtin e parë presidenti shqiptar me bashkëshorten dhe pranë saj bashkëshortja e Kryeministrit me Kryeministrin, Në rreshtin e dytë – Kryetari i Parlamentit, ndërsa në vendin e Ministrit të jashtëm ishte ambasadorja në Romë. E zura e para, tha. Vendet tona si diplomat i kishin zënë ata të shpurës së klanit të presidentit dhe bisedonin me zë të lartë, aq sa delegacionet e tjera kujtuan se po grindeshin.
Nejse. Rëndësi ka dielli. Shkëlqente mahnitshëm. Në taracat sipër, mes statujave të shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova. Kori i madh kishtar, muzika gregoriane, po ngriheshin nëpër ajrin biblik. Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëgjim hyjnor na mbushte shpirtrat.
Filloi mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezes tonë. U tha që është shqiptare. Kur erdhi koha që, sipas ritualit në meshë, i duhej dhënë dora njëri-tjetrit në shenjë paqeje, në gjithe atë shesh me mbi 100 mijë veta, vetëm presidenti shqiptar nuk i dha dorën kryeministrit të tij dhe e anasjellta.
Ndërkaq do të ndodhte dhe një si incident, le ta themi, por me Maqedoninë. Në broshurën e meshes së shenjtë, të shpërndarë ndër të pranishëm, në biografinë e Nënë Terezës, në anglisht ishte shkruar që ka lindur në Shkup dhe bnë kllapa ishte shtuar Shqipëri. Ambasada e Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, protestoi, Shkupi s’është në Shqipëri, por kur lindi Nënë Tereza, në 1910, Shkupi ishte Sanxhak shqiptar dhe ende s’ishte shpikur Republika e Maqedonisë. Zyrtarët e Vatikanit kërkuan ndjesë, broshura s’kishte kohë të rishtypej, pas fjalës Shkup, emri Shqipëri në kllapa, u nxi, por ashtu tërhiqte më shum;e vëmendjen. Nuk di si ndodhi ky gabim, që s’ishte aq gabim, nuk besoj se u bë qëllimisht, por e ndolli një e vërtetë historike.
Nuk po zgjatem. Rëndësi ka që shqiptarët i dhanë botës sërish një shenjtore, tani moderne, të shekullit XX, që u kanonizua 5 vjet më pare në shekullin që jemi.
Shenjta Nënë Tereza është shqiptare,
por sa janë shqiptarët të Shenjtes Nënë Tereza?
Kjo është çështje. Është pyetja që kam bërë më herët. Duhet të jemi optimist megjithë vështirësitë dhe zhgënjimet. Të shkojmë drejt saj. Është ikonë përbashkuese, mbarëkombëtare. Rruga e saj është nga plagët tek yjet. Se dhe yjet janë plagë dhe plagët janë yje në universin tonë.
* * *
Ende ëndërroj që shesheve të qyteteve tona si vepra skulpturore të ketë dhe libra të hapur, të mëdhenj prej guri a bronzi a mermeri, me porosira dhe vargje të gdhëndura, nga eposi, por dhe nene të Kanunit tonë madhështor, nga Naimi e De Radës e Samiu, Ismail Qemali, Fishta, etj, e Vexhi Buharaja në qytetin e tij, etj, por kudo mund të vihen lutje dhe nga Shenjtja jonë Nënë Tereza, patjetër, ashtu siç i ka shkruar me dorë, me ato shkronjat e bukura rilindase.
Sot, në ajrin e Beratit diçka gdhëndëm dhe ne!
Komentet