Dëbimi i Hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, si dhe eksodi i hebrenjve të Portugalisë në vitin 1497, do t’i shtynte dhe ata drejt Vlorës
VLORA DIKUR, QENDËR E HEBRAIZMIT NË MESDHE
Prezenca e parë e hebrenjve në qytetin e Vlorës, sipas gojëdhënave, është 2000 -vite më parë dhe ka lidhje me një anije që shkonte në Romë, me skllevër hebrenj në bord, që ishin kapur rob, pas pushtimit gjakatar romak të Palestinës. Anija, rastësisht do të përfshihej nga stuhia dhe detyrohet e zbarkon në brigjet e Ilirisë, pranë Vlorës. Ilirët vendas, që ishin në luftë me romakët, i patën ndihmuar skllevërit e arratisur nga anija dhe i kishin strehuar në qytetin e tyre mikpritës. Pas kësaj ngjarjeje, vërehet në vazhdimësi, prania, mandej dhe dyndja e hebrenjve në brigjet shqiptare. Përmenden në histori hebrenjtë, që shisnin kripën arbërore nga Vlora në Dubrovnik (Republikën e Raguzës) gjatë shekullit XIV. Po kështu mësojmë dhe nga dokumente venedikase të të njëjtës periudhë, për tregtinë me hebrenjtë nga Aulona e Arbërisë, deri në kohët e vona. Kujtohet, murgu benediktin italian, Bartolomeo di Capua, që kishte rol të rëndësishëm në rajonin e Pulias në Itali, kur do të denonconte publikisht hebrenjtë si fajtorë për disa krime. Ai pati vendosur t’i konvertonte hebrenjtë në të krishterë me dhunë, e si pasojë shumë hebrenj do të arratiseshin, duke gjetur strehë në Vlorën mikpritëse, që gjendej përballë, në anën tjetër të ngushticës së Otrantos. Dëbimi i Hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, si dhe eksodi i hebrenjve të Portugalisë që do të fillonte në vitin 1497, do t’i shtynte dhe ata, nga Kastilja e Katalonja, ndërsa ca më vonë, edhe nga Portugalia, drejt Vlorës. Të tjera rrethana anësore, do të shkaktonin shtimin e numrit të hebrenjve që arratiseshin drejt Vlorës. Në Ankona të Italisë ndodhi një ngjarje tragjike, me djegien e 24 hebrenjve të konvertuar në të krishterë (converso), ardhur nga Portugalia, të cilët i qenë kthyer judaizmit. Ky akt u bë shkak i ndërhyrjes së flotës osmane në vitin 1555, për të parandaluar ekzekutimin e të tjerëve “converso” të dënuar me vdekje, e derisa Duka Guido i Urbinos, do të urdhëronte dëbimin e të gjithë “converso-ve” nga Ankona drejt Vlorës, ku mirëpriteshin nga bashkatdhetarët e tyre, nga vendasit tolerantë e paqësorë, po dhe nga përkrahja e qeveritarëve turq. Një anije me 70 “converso” të tillë do të largohej nga Pezaro për në Vlorë dhe në prill të vitit 1557, një tjetër anije do të arrinte në Vlorë dhe shumica e hebrenjve do të zbarkonin e do qëndronin aty. Nga dokumentet turke të gjetura nga Nikolai Todorov në Sofie, por që hasen edhe në librat shqiptarë të historisë, në vitin 1520, Vlora kishte 945 familje, nga të cilat 528 syresh qenë hebrenj, domethënë, rreth 3600 hebrenj në një popullsi totale prej afërsisht 5000 banorësh, që do të thotë se 72% e popullatës ishin hebrenj. Duke pasur Vlora një port të mrekullueshëm natyror, hebrenjtë Romaniotë, me lidhjet e tyre në Greqi, veçanërisht në Korfuz; Sefarditët spanjollë, me të afërmit e tyre në zonën e Maqedonisë e Bullgarisë; hebrenjtë Puljezë, me lidhjet e tyre në Itali, si dhe hebrenjtë nga Portugalia me dhuntitë e tyre të shquara në tregtinë ndërkombëtare, me depozitat dhe veprimtarinë bankare, si dhe dërgesat e mallrave me anije, do ta shndërronin Vlorën në një qendër të madhe të tregtisë në Mesdhe. Tregtarët hebrenj importonin mallra nga Ballkani, si lëkurë, tapete e mëndafsh, dhe i rieksportonin ato. Nga Italia ata importonin stoli argjendi dhe ari, qelqurina, si dhe të tjera prodhime nga Evropa Perëndimore, që gjithashtu i rieksportonin. Hebrenjtë e Ballkanit prodhonin vaj ulliri, verë, mjaltë, si dhe produkte të tjera agro-industriale dhe i eksportonin në sasi të konsiderueshme. Tregtia e kripës, element tejet i rëndësishëm për ushqim në njerëz e kafshë, bëhej përmes vijës tregtare Korfuz – Vlorë – Dubrovnik. Hebrenjtë portugezë do të themelonin një vijë tregtare të specializuar për erëzat, në drejtimin Stamboll – Selanik – Vlorë – Dubrovnik – Venedik, ndërsa në rrugë tokësore përgjithësisht tregtonin nga Sofja për në Austri, Poloni, gjer në Rusi. Në studimet e tij, Bernard Blumenkranz (nga Sorbona), do të arrinte në përfundimin se kish pasur thuajse një ekskluzivitet të hebrenjve në vijën ndërmjet Vlorës e Korfuzit, si dhe në vijën ndërmjet Vlorës e Raguzës. Me rëndësi të veçantë, gjithashtu, ishte edhe fakti se hebrenjtë e Vlorës, gëzonin monopolin e plotë të tregtisë së lëkurëve të përpunuara dhe të katranit që nxirrej nga pisha. Ai vë në dukje, gjithashtu, se e gjithë tregtia për import-eksport në portin e Vlorës kontrollohej nga hebrenjtë. Është koha kur tregtia me jashtë do të dëmtohej shumë nga piratët e banditët e ndryshëm.
Nga Vlora në Stamboll
Të dhënat tregojnë se thuajse gjysma e dërgesave me anije nga Vlora në Stamboll, në përmasa të mëdha, dërgesat nga Vlora në Dubrovnik, do të humbeshin si pasojë e piratëve, mbytjes së anijeve, si dhe të zjarrit. Ishin këtë arsyet që i shtynë hebrenjtë vlonjatë të themelonin disa kompani sigurimesh, (kompanitë e para të sigurimeve në historinë e Shqipërisë), për ta lehtësuar e konsoliduar import-eksportin vlonjat. Vlora ishte shndërruar kështu në magnet të mirëfilltë tregtar primare, ku hebrenjtë zotëronin dyqane dhe importonin mallra fort luksoze e të preferuara, nëse kemi parasysh nivelin ekonomik të krejt Ballkanit në periudhën midis shekujve XVI e XVIII. Sekreti në këtë pikë është se pronarët hebrenj të dyqaneve në Vlorë, u bënë partnerë me pronarë të tjerë hebrenj dyqanesh, anembanë Ballkanit, duke shkëmbyer mallrat e ndarë bashkë fitimet. Nëse qëmtojmë emrat e familjeve kryesore tregtare hebreje, do të hasim në Vlorën mesjetare, përfaqësues nga të gjithë fiset e hebrenjve: Catinella, Graziano, nga Italia; Benvenisti, Cabillo, nga Spanja apo Portugali; Mazza, nga Korfuzi; Arah, hebrenj Romaniotë; Trink, hebrenj me origjinë gjermane, etj. Tregtia përmes konsujve ishte një tjetër sistem i përdorur nga tregtarët në mesjetë, që i ndihmonte ata në tregtinë e tyre nga një qytet në tjetrin. Konsujt rrinin nëpër porte që gjendeshin në shtigjet tregtare mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve të saj. Tregtarët i dërgonin mallrat te këta konsuj me udhëzime të hollësishme, lidhur me destinacionin e tyre. Jo rastësisht, studiuesit kanë zbuluar se autoritetet e Raguzës, përgjithësisht caktonin hebrenj si konsuj të tyre në Vlorë. Isak Trink, ishte Konsulli i parë i Raguzës në Vlorë, në vitin 1541, i pasuar nga nipi i tij Angelo Samuel. Ai do të pasohej nga Yaako Kodutto, pjesëtar i një familje hebreje nga Ankona, që do ta mbante këtë post për njëzet vite. Pas tij do të vinin Daniel Kodutto, Zakaria Graciano, Josip Maestro, e sërish nga familja Kodutto (në vitin 1637, Angelo Kodutto). Konsujt hebrenj të Dubrovnikut në Vlorë, ishin fort të dobishëm për furnizimin me grurë të Raguzës, kur Venedikasit, në orvatjen e tyre për të pushtuar Dubrovnikun, e patën rrethuar atë dhe do të pengonin furnizimin me grurë. Dona Garcia Nasi, udhëheqësja e hebrenjve të Stambollit, do të shquhej për ndihmesën e saj në furnizimin me grurë nga Vlora për Raguzën. Ajo do të merrte nga Sulltani një porosi për furnizim me një sasi të konsiderueshme gruri. Gjithashtu roli i tregtarëve hebrenj do të kish rëndësi kyçe në parandalimin kësaj radhe të dërgesave me grurë për në Dubrovnik, si pasojë e urdhëresës në këtë qytet për dëbimin e hebrenjve në vitin 1515. Gjë kjo që do t’i detyronte Raguzanët ta anulonin vendimin një vit më pas. Komuniteti hebre i Vlorës ndahej në dy palë, të vjetrit, pra Romaniotët e Puljezët, që ishin shumica, si dhe të porsaardhurit nga Gadishulli Iberik, nga Katalonja, Kastilja dhe Portugezët. Gjykata e Rabinëve varej nga Hahamët e Selanikut. Mosmarrëveshjet përgjithësisht kishin të bënin me çështje fetare, teksa të vjetrit ishin fort të rreptë e fetarë, ndërsa Iberikët fort dorëlëshuar në punët e fesë, sidomos ata që vinin nga Portugalia, që kishin jetuar si Converso, pra të konvertuar në të krishterë, para se t’i ktheheshin sërish Judaizmit. Në fillim të shekullit XVI, komuniteti udhëhiqej nga rabini David Messer Leon, biri i filozofit e rabinit Yehuda ben Yehiel Meser , themelues i Akademisë Hebreje të Mantovas, ku ofroheshin studime rabinike e sekulare. Davidi do të lindte në Venecia në vitin 1470, do të bëhej rabin në moshën 18 -vjeçare, shpërngulet në Stamboll, pastaj në Selanik, e pas disa përplasjeve me rabinët vendorë, ftohet në Vlorë në vitin 1512, ku rreket t’i bashkojë të gjitha palët. Qëndrimet e rrepta e armiqësojnë me hebrenjtë portugezë e ata spanjollë, e pas përplasjeve me udhëheqësin e portugezëve, Dr. Solomon Krisanty dhe udhëheqësin e kastiljanëve Meir Ibn Verga, pra rivaliteti mes palëve i detyron shpesh një pjesë të tyre, të largohen nga Vlora.
Sipas një njoftimi kishte disa lagje vlonjate me hebrenj, nga mund të përmendim:
Mëhalla Danial Dhaskal, me 54 vetë; Mëhalla Shelemo Ahron, me 41 vetë; Mëhalla Hatrosh me 37 vetë; Mëhalla Museliç, me 30 vetë; Mëhalla Mojsi Portugal, me 25 vetë dhe Mëhalla Mojsi Heqim-i, me 20 vetë. Marrëdhëniet me popullsinë vendase arbërore ndërkaq qenë përgjithësisht të mira, ndonëse veçanërisht hebrenjtë nga Spanja e Portugalia shikoheshin vëngër, ngaqë tregoheshin tepër miqësorë e mirënjohës ndaj osmanëve që i kishin pritur pas dëbimit nga Gadishulli Iberik. Marrëdhëniet e hebrenjve vlonjatë me turqit ishin fort të mira, por sidoqoftë, duke mos qenë myslimanë, si edhe të krishterët vendas, hebrenjtë ishin nënshtetas të dorës së dytë. Gjatë luftës Turko-Venedikase të vitit 1688, hebrenjtë e Vlorës do të largoheshin nga qyteti i rrethuar nga venedikasit, nga droja e qëndrimit mizor të venedikasve ndaj hebrenjve, (edhe ngaqë venedikasit i quanin hebrenjtë aleatë të turqve). Sipas dokumenteve të kohës, hebrenjtë e Vlorës, do të transferoheshin masivisht në Arnavut Belgrad (Berat). Droja nga venedikasit rezultoi e përligjur, sepse hebrenjtë vlonjatë që nuk u larguan, do të kapeshin rob e do të shiteshin si skllevër, në Itali. Për fatin e tyre flet historia e hebreut Nehemia Hia Hayon nga Vlora, që pas shumë përpjekjesh, do të shpëtonte, më në fund, nga skllavëria. Pas disa epidemive të rënda në Berat, hebrenjtë nga Vlora, nisin të shpërndahen pas vitit 1740, kryesisht në Janinë (Romaniotët), Manastir (Portugezët), dhe Kostur (Spanjollët, Italianët). Ata u larguan nga Vlora dhe megjithëse tutorët e tyre osmanët e ripushtojnë Vlorën, pak hebrenj rikthehen në qytet. Thuhet se në Janinë ka pasur një Torah (libër) hebre të lashtë 1500 vjeçar nga Vlora, të quajtur “Sefer Avilona” (Libri i Vlorës), që për fat të keq, është zbuluar dhe djegur nga nazistët.
Në Stamboll gjithashtu kish një komunitet hebrenjsh vlonjate të përbërë nga 11 familje.
Duke nisur nga viti 1850, hebrenjtë Romaniotë nga Janina e Preveza, vendosen sërish në Vlorë, duke formuar një komunitet tashmë më të vogël. Ata gjejnë sinagogën dhe varrezën e vjetër hebreje, që u kthehen atyre prej autoriteteve. Në vitin 1915, me pushtimin italian të Vlorës, sinagoga e vjetër shndërrohet në magazinë ushtarake e paskëtaj digjet nga një zjarr i madh në qendër të Vlorës. Hebrenjtë e Vlorës, ardhur së fundi nga Janina e Preveza, gjithashtu kombinuan bukur me vlonjatët vendas dhe nuk u ndanë prej tyre dhe në qëndrimin social e atdhetar, derisa u aktivizuan gjallërisht dhe me armë në dorë, kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës të Vitit 1920, ku u shquan: Nesim Levi, Jozef Kantozi e veças Mateo Matathia, që u bë më vonë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak dhe një nga themeluesit e Odës së tregtisë në Vlorë, si dhe për një kohë, sekretari i saj. Hebrenj, vazhdon të kishte disa, në qytetin e Vlorës, deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, me një pjesë prej të cilëve edhe unë kisha mardhënie, respekt e njohje të afërt. Ata ishin marrë prej vitesh me tregti dhe artizanat. Midis tyre kishte dhe shumë të pasur, siç ishte familja Levi, tregtar grosist, me magazina të pafundme dhe shtëpi komode. Po kështu hebrenjë, kishte dhe shumë të varfër. Ata jepnin e merrnin, pa kufizime, brenda njëri-tjetrit dhe, në të mirë e në të keq, ndihmonin shoqi-shoqin, duke dhënë borxhe të përkohshme, por gjithnjë të mbështetur te puna e vlera e secilit. Gjatë kohës së Luftës, me ardhjen e ushtrisë naziste, hebrenjtë e Vlorës u kërkuan për t’u identifikuar dhe internuar, siç bëhej nga nazistët me të gjithë çifutët nëpër botë, por populli shqiptar si rrallë kush tjetër në Botë, i fshehu në gjirin e vet dhe atyre, si të thuash, nuk u hyri gjemb në këmbë. Ishin që të gjithë, njerëz të urtë, të lidhur pas punës së tyre, indiferentë ndaj mjedisit përreth, por dashamirës që nuk i bënin keq kujt. Pjesa më e madhe e tyre banonin në një rrugicë të përbashkët, pranë njeri tjetrit, diku aty afër sahatit të madh të qytetit, që kishte marrë emrin e tyre: “Rrugica e Çifutëve” dhe që tani është rehabilituar e zbukuruar dhe është shpallur “rrugë muze”.
Komuniteti hebre në qytetin e Vlorës bashkëjetoi dhe ndërtoi raporte të shkëlqyera me banorët vendas. Hebrenjtë nuk u trajtuan kurrë si emigrantë, por si vlonjatë të vërtetë. Ata kanë bashkëjetuar në mënyrë shembullore në komunitet dhe, madje kanë bërë edhe martesa jashtë radhëve të tyre.
Hebrejtë kanë ushtruar profesione të ndryshme si tregtarë, artizanë, mësues, mjekë, ekonomistë, financierë, agronomë, inxhinierë, etj. Në memorien e vlonjatëve, ka mbetur e gjallë figura e Dola Saretas, fizarmonicistit të njohur të trupës së Estradës, i cili i bënte për vete artdashësit me talentin e tij të spikatur. “Nuk mund të konceptohej e të funksiononte orkestrina e trupës së estradës pa Dolën, që ishte shpirti i saj“, thonë vlonjatët e në veçanti, ish- aktorë të trupës së Varietesë.
Po kështu të njohur e të dashur kanë qenë dhe të tjerë izraelitë, si:
Rafo Jakoeli zooveteriner i talentuar dhe vëllezërit e tij të shkathët; Ilia e Zino Matathia, mjek ( Dua të shtoj, me këtë rast se: Për meritat e tij të shquara në dobi të Shqipërisë dhe të Kosovës, dr. Zino Matathia, është shpallur “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Beratit dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin e lartë – “Për merita të veçanta civile”); Mojze Negrini, ekonomist; David Xhon Koheni, normist dhe miku im, me familjen e tij, qendër faltoreje rabine dhe fëmijët e tij të shkathët, (ku spikaste Ana Kohen, më vonë dentiste në Amerikë dhe veprimtare e shquar shoqërore, me kontribut për konsolidim e shoqatës së miqësisë Izrael – Shqipëri), pa u larguar nga Shemo Kohen, nipi i tyre, agronom i talentuar; Pepe Levi e Mateo Matathia tregtarë të pasur; Kantozët, Sollomonët, Ganinjtë, Batinot, etj. Po edhe pse në fund nga radha, unë nuk mund të harroj studentet e mia në Fakultetin Ekonomik, të dalluara në mësime dhe tepër korrekte, (Zhanetën e Jakoelëve dhe Rashelën e Sollomonëve), që më kujtonin bukurinë dhe pafajshmërinë e ”Çifutes së Toledos”. Do përmendja një minimale të këndshme: Aktualisht në qytetin e Vlorës, që prej 10 -vitesh, jeton një çift i ardhur nga Izraeli, të cilët e flasin shumë mirë gjuhën shqipe. Asafi dhe Shira janë integruar aq mirë në jetën e qytetin bregdetar, sa në pamje të parë, nuk të japin aspak përshtypjen e dy të huajve që vijnë nga larg. Çifti, që ka ardhur, nga një qytet i vogël afër Tel-Avivit, u vendos në Vlorë në vitin 2007, pasi Assaf, biolog dhe ekspert në iktiologji, erdhi si fillim me një projekt të përbashkët Izrael-Shqipëri në kultivimin e peshqve. Assaf na tregon se e mësoi gjuhën shqipe brenda 4 -muajve dhe nisi të ndërtonte muaj pas muaji e vit pas viti, jetën e tij së bashku me Shirën e tij të dashur në qytetin e bukur të Vlorës, që ata se ndërrojnë me asnjë qytet tjetër. Ata pranë detit, kanë ngritur dhe punojnë në një dyqan të këndshëm ëmbëlsirash, me emrin “Pastiçeri Izraeli”.
Vitet 1990-1991
Vitet 1990-1991 shënuan edhe momentin kur hebrenjtë e fundit u larguan nga qyteti i Vlorës, për në Izrael e gjetiu. Por, në mbyllje, mund të them një të vërtetë absolute të këndshme, se ata në Vlorë, gjatë shekujve, kanë lënë pas shumë mbresa e kujtime pozitive, që nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa e vlonjatëve të mirë! Për këtë tregim të përmallshëm për “Hebrenjtë e Vlorës”, kam shfrytëzuar internetin dhe shkrime të Ëikipiedias, Elvis Sidherit, GXH, Ferid Duka, Vladimir Karaj, etj.
Tiranë, më 25 Qershor 2020