Klement Balili i shpëtoi hetimit pas kapjes së tij në 2006- n me disa persona të tjerë, duke transportuar kanabis nga Lazarati drejt Sarandës.
Pas kapjes së ngarkesës prej rreth 650 kilogramësh drogë në zonën e ishullit Zakintos në Greqi, më 9 maj, 44-vjeçari ka qenë i pakapshëm për organet e hetimit.
Ndërkohë që puna vazhdon ende për kapjen e tij, Prokuroria ka hapur dosjet e vjetra të Balilit.
Dosjet flasin për një operacion në vitin 2006, ku Balili dyshohej si një nga kapot e drogës së Lazaratit.
DOSJA
Sipas dosjes së kohës, e cila u mbyll për Balilin nga Krimet e Rënda, shtetasit P.M., Y.K. e G. B. janë takuar më datë 14.07.2006 në fshatin Borsh, qyteti Sarandë, ku P.M. u ka kërkuar të transportonin një sasi lënde narkotike nga fshati Derviçan i Gjirokastrës (e marrë në Lazarat) deri në fshatin Piqeras të rrethit Sarandë.
Në datën 16.07.2006, ata janë takuar edhe me të gjykuarin E. N. dhe janë nisur me automjete të ndryshme nga qyteti i Sarandës drejt Gjirokastrës, ku do të takonin edhe fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike.
Në fshatin Derviçan, fugonin e ngarkuar me lëndë narkotike e ka marrë në drejtim i gjykuari E. N. Autokolonën e mjeteve e udhëhiqte Y. K., i cili udhëtonte me mjetin “Fiat Cupe”, me targa TR 2890H. Ka qenë Y. që ka vënë re një makinë civile “të dyshimtë” dhe ka lajmëruar shoferin e furgonit që të ndryshonte drejtimin e lëvizjes dhe të braktiste mjetin.
Komentet