Emrat e tregtarëve dhe pasanikëve të Shqipërisë që u grabitën nga regjimi komunist dhe ku shkoi sasia prej 43.816.682 e monedhave prej ari, të grumbulluara nga Sigurimi i Shtetit?!
Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit, një artikull i botuar vite më pare, në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti, me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim, është botuar në faqet 14 – 15, të numrit të gushtit 1984, në revistën në fjalë, me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”! Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit, ishte një shifër zyrtare. Ndër të tjera, autori Nuri Mehmeti në shkrimin e tij thotë:
“….Pushteti i ri i vendosur menjëherë pas çlirimit të atdheut, që nisi të kryente funksionet e tij si diktaturë e proletariatit, kërkonte patjetër edhe bazën ekonomike…! Në janar të vitit 1945, doli ligji i mbi konfiskimin e pasurisë së shtetasve italianë e gjermanë. Gjithashtu, në janar doli ligji i tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Ky ligj, godiste veçanërisht atë pjesë të borgjezisë, që kishte grumbulluar pasuri të mëdha…! Në shumë raste, elementët e tatuar, nuk pranonin të paguanin shumën e caktuar, me pretekstin se, nuk e kishin atë….disa u përpoqën të nxirrnin ar e sende të tjera jashtë shtetit.
Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të Punëve të Brendshme, veçanërisht atyre të policisë, për të zbuluar arin që kishin fshehur kapitalistët e tregtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e madhe. Ndihmuan punëtorët e specialistët, që kishin marrë pjesë në ndërtimin e depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura, ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë, pranë kapitalistëve të kaluar etj. Kështu, u arrit të zbulohen depo të nëndheshme, në parcelat e oborret e kapitalistëve, bejlerëve e tregtarëve. U gjetën qypa me flori, jo vetëm në betonime të thella, të nëndheshme, e në muret e shtëpive, por, edhe nën rrënjët e pemëve e, nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm ,si në Durrës, Tiranë, etj.
Në Elbasan, u zbulua një sasi e madhe mallrash të tregtarit H.B. në një depo të nëndheshme, përsipër së cilës ishin mbjellë presh e perime të ndryshme. Zbulime të tilla, u bënë edhe në Shkodër, Durrës, Korçë. Deri në fund të vitit 1948, u zbuluan 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta. Organet e Punëve të Brendshme, ndoqën gjithë zhvillimet e ngjarjeve, duke bërë një luftë këmbëngulëse kundër elementëve spekulativë e matrapazë…….”!
Por ndërsa nga komunistët pranohet një shifër e tillë sekuestrimesh, të dhënat e tjera zyrtare, janë krejt kontradiktore. Kështu, sipas një shkrese sekret të nënshkruar nga drejtori i Thesarit, Fahri Hoxha, më 16 janar 1992, merret vesh se; sasia e arit të hyrë në Thesar nga sekuestrimet, në periudhën 1 dhjetor 1944 – 31 dhjetor 1990, është vetëm 3.029 kg.
Ndërsa, në periudhën 1 dhjetor 1944, deri në 31 dhjetor 1990, në Thesarin e Shtetit, kanë hyrë gjithsej 8.749 kg. ar dhe kanë dalë 7.600 kg. ar. Mirëpo, shifra e 43.816.682 copë monedhave, nuk është baras me 3.029 kg ar, por, me minimumi 320 ton ar. Atëherë, vetiu lind një pyetje që do përgjigje: ku shkoi gjithë kjo sasi ari?! Kush e mori?! Pse ka diferenca të mëdha midis shumave?!
-TREGTARET E GRABITUR TE KORÇËS
Një ndër autorët e pare, që u mor në fillesat e pluralizmit politik në Shqipëri, (me çështjen e thesarit të grabitur) në shtypin shqiptar, me disa shkrime në gazetën “Rilindja Demokratike”, ishte i ndjeri Teodor Keko.
Në shkrimin “Arkivat rreth enigmës së floririt”, datë 15 qershor 1991, Keko është bazuar në të dhënat e arkivit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Sipas dosjes nr. 34, të seksionit të Financës, në bazë të relacionit të datës 15 maj 1945, mësohet se; tregtarëve korçarë, iu ishte caktuar një “tatim” (lexo grabitje) prej 86.685.968 frangash ari, nga cila, deri në këtë periudhë, ishte vjelë rreth gjysma e saj.
Sipas historikut lokal të Policisë së Korçës, mësohet se vetëm në këtë qytet, ishin grabitur 400 kg. ar dhe 48 mijë napolona flori, pa përmendur stolitë e tjera, të vjedhura nga banditët. Për të ilustruar “masakrën e verdhë”, Teodor Keko, paraqet edhe një listë të 32 familjeve korçare, të cilave ju grabitën përveç dyqaneve dhe shtëpive, edhe një sasi e konsiderueshme florinjsh. Ndër emrat më kryesorë, këtu mund të përmendim familjet: Qirjako, Abeshi, Cingu, Plasati, Katro, Gjezi, Samara, Qirinxhi, Çekani, Pepo, Lako, Turtulli, Jani, Stase, Mborja, Bino, Terova, Mulla, Nora, Pilika, Ballauri, Peço, Serani, Katundi, Zahara, Pllaha, Bicolli, Thomo, Barçe, etj. Ndër të grabiturit kryesorë, është Kristaq Cingo, me 9.002.500 franga ari.
Po në numrin e sipërpërmendur të gazetës, dëshmitari Paskal Andoni, ish-punonjës në degën e tretë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dëshmon se, kur ishte dashur të hapej, kasaforta e Hysni Kapos, kishte qenë e mbushur plot me flori.
Lista e familjeve më të grabitura në Korçë, është kjo:
1-Vëllazëria Qirjako
2-Vëllazëria Abeshi
3-Vëllazëria Stase
4-Kristaq Cingo
5-Thoma Plasati
6-Vëllazëria Katro
7-Hari Kristo Samara
8-Vëllazëria Gjezi
9-Vëllezërit Qirinxhi
10-Ligor Jani
11-Vëllazëria Plasa
12-Vëllazëria Lako
13-Vangjel e Gaqo Turtulli
14-Vëllazëria Balli
15-Vasil Pepo
16-Jankulla Çekani
17-Sotir Mborja
18-Dhimitër Bino
19-Refail Terova
20-Pandi Mulla
21-Pandeli Nora
22-Anastas Pilika & Angjeli Stavraq Ballauri
23-Dhimitër Peço
24-Vangjo Serani
25-Vëllezërit Katundi
26-Llambi Kiço Zahara
27-Vëllezërit Pllaha
28-Sotir Bicolli
29-Vëllezërit Terova
30-Thoma Thomo
31-Vëllazëria Barçe
Këtu, mund të shtojmë se vetëm Rexhep Merdanit, i janë marrë 450 kg ar, nga të cilat, arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka të shënuar vetëm 29 kg. Të tjera familje të grabitura nga Korça, janë familjet: Ypi, Ziko, Bopi, Fundo, Kondi, Opari, etj.
-TE GRABITURIT NE ELBASAN
Edhe Elbasani, mbahet si një ndër qytetet më të grabitura nga banda kriminale që erdhi në pushtet në vitin 1944. Përveç sekuestrimeve të shumta, komunistët, ashtu si në mbarë Shqipërinë, nuk harruan të përdorin format e tjera, që kishin të bënin me dhunën dhe torturën.
Një praktikë e njohur për njerëzit e Sigurimit të Shtetit, për të nxjerrë sasinë e duhur të floririt, ishte arrestimi dhe tortura. Kështu, shumë tregtarë iu nënshtruan burgosjeve dhe torturave, nga më ç’njerëzore. Në Elbasan, të vdekur në burg për shkak të floririt janë disa. Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj., vdiqën në burgjet e komunizmit, për shkak të mosdorëzimit të floririt të kërkuar prej banditëve komunistë.
Për t’u kujtuar është se floriri i Refik Myftiut, u zbulua krejt rastësisht, kur në Ebasan u ndërtua Shkolla e Muzikës. Sasia jo e vogël e floririt, ishte e groposur në rrënjët e një shege. Natyrisht, shembulli më tipik i dhunës së ushtruar ndaj tregtarëve, ishte vdekja nga torturat e rënda të njërit prej tregtarëve më të njohur të Elbasanit, si Sulejman Domi, i cili vdiq në qelinë e improvizuar të “Grand Hotel”-it” në Elbasan, më 11 prill 1948, pas 11 ditësh tortura.
Ndonëse kishte dorëzuar dy herë “tatimin”, që i kishin caktuar, grabitqarët, nuk u mjaftuan me kaq, por i rrëmbyen dhe atë sasi ari, që ai kishte në shtëpi. Është për t’u theksuar se, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk gjendet asnjë lloj dokumenti, në lidhje me marrjen e arit të të ndjerit Sulejman Domi, ndaj të cilit, janë ushtruar torturat më ç`njerëzore, si ato të futjes në dimër deri në fyt në ujë të ftohtë, ato të hedhjes nga një lartësi e madhe në tokë, të shkuljes së thonjve, të duarve apo të këmbëve, etj., etj.
Për shkak të këtyre torturave, trupi i tregtarit të ndershëm, Sulejman Domi, nuk duroi dot. Ai vdiq në moshën 58 vjeçare. Edhe sot e kësaj dite, atij nuk i dihet varri. Persekutorët, kurrë nuk e treguan atë. Fotoja e Sulejman Domit, që po botojmë është marrë nga dosjet e Sigurimit, dhe e tregon atë një ditë para vdekjes. Sa të tillë në mbarë Shqipërinë, kanë pësuar fatin e tij?!
Të treguar me gisht si persekutorë në Elbasan, janë emrat e Petrit Hakanit, Haki Mahmutajt (që njihet edhe me mbiemrin Tepelena dhe ishte përgjegjës i Seksionit të Financës në Elbasan), Mehmet Tepelenës, Riza Tiranës, Adem Demirit, Thanas Cakut, e shumë e shumë të tjerë. Natyrisht këtu, shquhej edhe prokurori Josif Taja.
Për të mësuar më tepër për floririn e Sulë Domit, Sigurimi i Shtetit, hartoi edhe një plan, sipas të cilit, një person u maskua si djali i Sulë Domit, Mahiri. Ky person qëndroi tek shkallët e qelisë, në distancë nga Sulë Domi, duke u lutur nga larg, që ky i fundit të dorëzonte floririn. Sipas dosjeve të Sigurimit, personi që “imitoi” të ndjerin profesor, Mahir Domi, ishte i urryeri Thanas Caku.
Në procesin e vjedhjes së floririt, në Elbasan, vend të rëndësishëm zinin vëllezërit Mahmutaj, të cilët për shkak të ngatërrimit të mbiemrit të tyre, e ndryshuan atë (mbiemrin) nga M… në “Tepelena”. Të dy vëllezërit, ishin nga Rabija e Tepelenës. (Ndërsa sot, në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja socialiste, me mbiemrin Tepelena, është nuse në shtëpinë e të lartpërmendurve. Me sa duket: “tradita” vazhdon).
FAMILJET E TJERA TE GRABITURA NE MBARE SHQIPËRINË
Procesi sekuestrivo-grabitqar, natyrisht që ishte masiv në të gjithë Shqipërinë. Barra më e rëndë në këtë proces, rëndoi mbi familjet tregtare, të qyteteve kryesore të vendit. Nëse do të bënim një renditje të përgjithshme të familjeve më të sekuestruara, ato do të ishin:
Në Berat: Hoxha, Hushi, Çullaku, Dardha, Konicoti, Kuçi, Vrioni etj.
Në Durrës: Dovana, Shijaku, Dibra, Dushi, Hamdija, Zagoridha, Mushketa, Leka, Dakoli, Manushi, Nushi, Vangjeli, Beshiri, etj.
Në Elbasan: Domi, Kazazi, Bakalli, Mehja, Velencja, Miraku, Hastopalli, Kopili, Bebi, Kulla, Dodbiba, Shkodra, Shiku, etj,
Në Gjirokastër: Liti, Mezini, Omari, Toila, Tushe, Selfo, Çoçoli, Xhiko, Totozani, etj.
Në Vlorë: Bisholli, Bezani, Bitri, Busheka, Çili, Hoxha, Shuka, Sorra, Levi, Jakseli, Strati, Jonuzi, Gurabardhi, Qazimi, etj.
Në Shkodër: Pistuli, Topalli, Muka, Kaçulini, Vjerdha, Rroji, Anamali, Bakalli, Bushati, Kraja, Dabërdaku, Koka, Hoti, Gjoka, Luka, Mati, Sokoli, Karehamni, Pogu, Tahiri, Tepelia, Serreqi, Luka, Mati, Pogu etj, etj.
Në Sarandë: Çelo, Harito, Llambro, Rushiti, Muzina, etj.
Në Ministrinë Punëve të Brendshme, ishte ngritur një degë e posaçme, që merrej me arin e që drejtohej në atë kohë nga Maqo Çomo (që u bë pak më vonë edhe zv/ministër i Punëve të Brendshme). Mbas grabitjes së arit, në një rreth të caktuar pranë kësaj dege, sillej një proces – verbal i posaçëm, përveç dy të tjerëve, që shkonin në bankë dhe degën lokale, të Punëve të Brendshme.
Ndër grabitjet më të mëdha, mund të veçojmë vëllezërit Jonuz dhe Nexh Shijaku nga Durrësi, të cilëve ju janë grabitur 45 mijë napolona flori, një kamion i ngarkuar me flori dhe disa diamant të çmuar. Aristidh Lekës, nga Durrësi, i janë grabitur 45 mijë napolona flori dhe disa kv. të tjerë ar dhe stoli. E thënë ndryshe, Aristidh Leka, dorëzoi 432 kg flori, ndërsa në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, atë të Shtetit, dhe atë të Thesarit, shënohet përafërsisht, shifra e 17 kg. Nuk mjaftoi vetëm kjo, por Aristidh Leka, përballoi edhe vuajtjet e qelisë deri në vdekje.
Pepe Levit dhe Refael Jakselli, nga Vlora, i janë grabitur 42 milionë franga ari, duke paguar rreth 100 mijë napolona. Madje Levit, pas daljes nga burgu, ju mor edhe 38 kg flori. Për të gjitha këto raste, dokumentacioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është mjaft i copëzuar dhe jo i plotë. Kështu për shembull, Alfons Dovanës nga Durrësi, i janë marrë 516 kg. ar, ndërsa në arkiva, është regjistruar 58 kg. Abdulla Kazazit nga Elbasani, i janë marrë 42 kg. ar, ndërsa në arkiva, është regjistruar shifra, 12 – 14 kg.
Ibrahim Velences nga Elbasani, i janë marrë 39 kg. ar, ndërsa në arkiva, janë regjistruar vetëm 0.3 kg. Për më tepër, sipas dokumentit të Bankës së Shtetit të Elbasanit, datë 2 maj 1949, Ibrahim Velences, gjoja i janë kthyer 6 monedha të dëmtuara, a thua se organet e sekuestrimit, kishin ndonjë ndjenjë mirësjelljeje, ndaj personave që grabisnin!
Mihal Dilos nga Gjirokastra, i janë rrëmbyer 100 kg. ar, ndërsa në arkiva, është regjistruar vetëm 0.013 kg. Ndër tregtarët e tjerë, që ju është marrë një sasi e madhe floriri dhe që nuk iu është regjistruar asgjë, është edhe Harallamb Papa, me 258 kg. ar. Vala e sekuestrimeve dhe grabitjeve skandaloze, nuk kurseu as atë pjesë të popullsisë, që nuk prekej nga i ashtuquajturi “tatim i jashtëzakonshëm”.
Ka mjaft raste që vërtetojnë se, vala e grabitjes është përhapur edhe mbi qytetarë që kishin një sasi simbolike floriri. Edhe në këto raste, dokumentacioni është i mangët, apo me ndryshime të mëdha.
JA CILAT FAMILJE U GRABITEN TE PARAT NE TIRANE
Ndër qytetet që pati numrin më madh të familjeve të grabitura, ishte edhe Tirana. Brenda pak ditësh, nga dalja e “ligjit të tatimit të jashtëzakonshëm”, Komisioni Tatimor i Tiranës, hartoi listat me viktimat e tij. Në gazetën “Bashkimi” të datës 22 mars 1945, botohet lista e familjeve që ishin caktuar për t`u grabitur, nga regjimi komunist. Kjo listë, shoqërohej me disa të dhëna në lidhje me “fitimin gjatë luftës”, shumën për t`u tatuar, si dhe me tatimin e vërtetuar. Më poshtë, po botojmë listën e familjeve, si dhe “tatimin e vërtetuar”.
1-Vllazën Kazazi – 16.430.000
2-Vllazën Çoka – 4.990.000
3-Murat Begeja & vëllezërit – 5.774.000
4-Hysen Ali Mehmeti – 3.902.000
5-Osman Vaqarri – 1.440.000
6-Besnik Tugu – 614.000
7-Ramazan Konçi – 1.946.268
8-Ymer & Sali Beqiri – 614.000
9-Sadik Kazazi – 398.000
10-Abdulla Turkeshi – 2.433.200
11-Ismail Fortuzi – 224.000
12-Qamil Dibra – 1.870.290
13-Bijtë e Gaqi Oparit – 371.000
14-Manol Kume – 6.832.400
15-Vllazën Tase – 3.974.000
16-Jusuf Kruja – 3.830.000
17-Vllaznia Mehmeti – 126.000
18-Ramazan Zdrava – 130.850
19-Halit Mani – 143.000
20-Vath Baroni – 130.850
21-Abdulla Alliu & nipat – 163.250
22-Mehmet Tugu – 2.750.000
23-Mezini & Kasmi – 126.800
24-Qamil Hoti – 264.500
25-Hysen Drishti – 143.000
26-Filip Korra – 2.259.000
27-Fetah Kasmi – 126.800
28-Mustafa Kasmi – 224.250
29-Vllazën Loxha – 749.000
30-Ramazan Berberolli – 622.100
31-Mersin Konçi – 668.000
32-Sefedin Zhubi – 159.200
33-Qamil Zhubi – 203.750
34-A.Qoshja & I.Deliu – 1.566.000
35-Mehmet Kasmi & vëllezërit – 830.000
36-Vëllezërit Dushi – 1.606.320
37-Gjon Laca – 884.0 00
38-Vllazën Spahija – 325.250
39-Kasmi & Ferra – 252.250
40-Iliaz Dajçi – 126. 800
41-Xhevat Gabeci – 830.000
42-Xhundi Sheko & bijtë – 27.950.000
43-Pashuk Bib Mirakaj – 1.755.000
44-Xhemal Begeja – 143.000
45-Ibrahim Begeja – 1.440.000
46-Qamil Shtiza – 126.000
Shuma gjithsej e “tatimit të vërtetuar” 112.469.828 franga ari. Memorie.al
Vijon