Prokuroria e Kolumbias në SHBA kërkon nga gjykata nxjerrjen e një urdhri mbrojtjeje edhe për çështjen shqiptare, për të cilën akuzohet zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal. Ky urdhër i dakordësuar me avokatët e McGonigal përkthehet në një “diskrecion” total në lidhje çështjen, ku informacionet, dëshmitë dhe seancat e gjyqit do të mbahen sekret për mediat dhe publikun
SYRI TV
Prokuroria e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka kërkuar gjykatës nxjerrjen e një urdhri mbrojtjeje edhe për çështjen shqiptare, për të cilën akuzohet zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal.
Ky i fundit ka marrë 225 mijë dollarë nga ish-agjenti i SHIK, Agron Neza dhe ka lobuar për kryeministrin shqiptar Edi Rama në këmbim të favoreve financiare.
Ky urdhër mbrojtje përkthehet në një “diskrecion” total në lidhje me ndjekjen e çështjes në SHBA.
Në bazë të kësaj kërkese, të cilën e disponon Syri Televizion, informacionet, dëshmitë dhe seancat e gjyqit do të mbahen sekret për mediat dhe publikun.
Prokurorja e çështjes thotë se urdhri i mbrojtjes është dakordësuar edhe me palën mbrojtëse, pra avokatet e Charles McGonigal.
Kjo kërkesë e Prokurorisë së Kolumbias vjen në një kohë kur afera McGonigal është kryefjalë e zhvillimeve në mediat prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në dosje janë faktuar udhëtimet në Shqipëri të zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal dhe takimet me kryeministrin Edi Rama dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të lartë të mazhorancës.
Aktualisht, McGonigal ka nisur përballjen në gjykatën amerikane për dy çështje, atë të lidhjes me një oligark rus, Oleg Deripaska dhe marrjen e 225 mijë dollarëve nga Agron Neza.
Charles McGonigal nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe do të bëhet proces i gjatë ku do të ballafaqohet me prova, teksa në kuadër të këtij gjykimi do të pyetën disa dëshmitarë.
Në Shqipëri, McGonigal ka shkaktuar një “tërmet” politik për shkak të takimeve dhe lidhjeve me kryeministrin Edi Rama.
McGonigal, sipas aktakuzës, ka marrë informacione nga Agron Neza dhe këshilltari i jashtëm i kryeministrit Edi Rama, Dorian Duçka për të nisur një hetim për PD në SHBA në lidhje me lobimin e Bashës.
Por deri ku janë lidhjet? Gjyqi në SHBA po pritet me kërshëri në Shqipëri për të dëgjuar edhe versionin e ish-agjentit të SHBA dhe të lidhjeve të tij me Ramën.