Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, teksa ka thënë se ky rast kërkon një hetim dhe jo debatet mes palëve politike në vend të cilat hedhin teza kundër njëra-tjetrës.
Sa i përket hetimeve mbi McGonigal, Lubonja u shpreh se ai po hetohet në dy raste, lidhjen e tij me një oligark rus dhe atë me kryeministrin Rama, ku rasti i dytë është shumë më serioz se i pari sepse aty ish-agjenti ka qenë ende në detyrë në FBI.
Ai shtoi më tej në lidhje me mocionin me debat të planifikuar për këtë çështje se Rama i ka bërë tani sqarimet e tij dhe se para opozitës do paraqesë të njëjtat justifikime për marrëdhënien e tij me McGonigal.
“Për mendimin tim kjo nuk është çështje debati mes palëve që kanë fjalë kundër njëra-tjetrës. Kjo është çështje hetuesie. Publiku ka nevojë për një gjyqtar të paanshëm ku në këtë debat kërkon drejtësinë.
Unë mendoj se ka të dhëna të mjaftueshme për të hapur hetim, fakti që nuk hapet hetim është të bësh fjalë kot. Të dyja palët hedhin teza të kundërta dhe nuk po funksionojnë institucionet që kanë detyrë të merren me të. A jemi në rrezikun e demokracisë këtu, ku një mazhorancë ka kapur jo vetëm institucionet në vend, por edhe ndërkombëtarët, kjo kërkon drejtësi.
Kur bëhet fjalë për oligarkun rus si njeri i Putinit dhe bëhet fjalë për hipotezën që ky ka rrezikuar sigurinë e SHBA-së, çështja është shumë e rëndë, por New York Times përjashton tezën e vënies në shërbim të rusëve nga McGonigal, por mendojnë se kanë të bëjnë me një njeri të korruptuar. Është më e rëndë kur ky njeri e bën kur është ende në detyrë, ndërsa me Deripaskën ka punuar pas daljes nga FBI, ndryshe nga rasti shqiptar. Në këtë aspekt gjykoj se kjo është më e rëndë sepse komprometon figurën e FBI-së.
Besoj se kryeministri i ka bërë sqarimet e tij dhe do përsërisë të njëjtat në mocionin me debat në parlament me opozitën. Përdorimi i zyrës së kryeministrit për të blerë njerëz përmes dhënies së aseteve për të goditur opozitën është krim i rëndë dhe duhet hetuar.
Për mua ky skandal është thjesht një vërtetim i gjërave që kam thënë shumë më herët që kanë të bëjnë me instrumentet që ka ngritur Rama për të mbajtur pushtetin. Një nga këto instrumente është si filozofia një pallat një votë, unë të bëj favore ti më bën mua, edhe ky është korrupsion. Është korrupsion kur merr oligarkët, politikanët, kjo gjë te Rama është zgjeruar në mënyrë cilësore, në një hap më larg kur ky ka vënë në funksion mundësitë e pushtetit për të korruptuar të huajt. Ky është korruptimi që ka bërë Rama. Rama manipulon ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët. Përdor Amerikën për të goditur kundërshtarët e për t’i shpallur non-grata. Kaq e thjeshtë është.
Amerika nuk e dimë se sa bën presion ndaj SPAK-ut. Drejtësia amerikane bën punën e vet, nuk ndërhyn aty. Nuk ka ndonjë qëndrim politik nga SHBA-ja që t’i bëjë presion SPAK-ut. Nuk kemi një qëndrim politik që ndikon te SPAK-u, kjo mungon. Kryesorja është se SPAK nuk është organizëm që kur është ndërtuar nga njerëzit, është një organizëm që ka dyshime se ka njerëz të kapur nga partia në pushtet. Do ishte jashtë logjike që ti të mendosh se në një vend ku partia në pushtet ka kapur çdo pushtet dhe ti me një drejtësi arrin ta ekuilibrosh gjënë”, tha ai.