Zbardhet dosja e SPAK, e cila ditën e djeshme urdhëroi Policinë e Shtetit që të ushtronte kontrolle të befasishme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.
Kontrollet në fjalë sollën reagimin e ashpër të banorëve të këtij kampi, ku mbetën të plagosur dhjetëra muxhahedinë dhe një tjetër gjeti vdekjen.
Mediat kanë publikuar dosjen mbi të cilën argumentohet dhe ndërhyrja e policisë në kampin e MEK, për të ushtruar kontrolle dhe për të bllokuar disa pajisje elektronike, mes tyre laptopë.
Në dosjen në fjalë thuhet se ka dyshime që nga organizata MEK, të kryheshin sulme kibernetike në drejtim të Republikës Islamike të Iranit.
“Është referuar fakti se dyshohet se nga organizata “MEK” (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Kujtojmë se ky fakt vkonfirmon reagimin e sotëm të kryetarit të PD-së Sali Berisha, i cili deklaroi se bastisja e dhunshme e muxhahedinëve ndodhi pas akuzave që erdhën nga regjimi i Teheranit.
‘Në gjykatë ka motive me të cilat vërtetohet se është shkelur marrëveshja. Regjimi i ajatollahëve ka dërguar të dhëna se këta kanë nisur komando apo këta kanë hakeruar sisteme në republikën e ajatollahëve. Sa i përket të parës, është e papranueshme nëse është ne vërtetë. Por të marrësh të mirëfilltë një akuzë të një regjimi që dhunon dhe shtyp gjithë ditën njerëzit e vet, nuk është e lehtë. Është përgjegjësi e madhe t’i besosh ajatollahëve për të ndërmarrë atë lloj dhune që u ndërmor ndaj tyre’, u shpreh Berisha. syri.net