Vendimet mafioze të gjykatave shqiptare për çështjet e pronave dhe aferat e pushtetarëve shqiptarë me pronat, po rëndojnë çdo vit buxhetin e shtetit. Pavarësisht lojës së qeverisë shqiptare me afatet dhe përpjekjet e saj për të bllokuar vendimet kundër shtetit shqiptar, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg po merr vendime të tjera në favor të ish-pronarëve, duke i kushtuar qindra milionë euro buxhetit të shtetit.
Vetëm për 32 vendime, që mësohet se duhet të zbatojë shteti shqiptar, duhet t’u paguajë ish-pronarëve mbi 160 milionë euro. Ndërkohë, shoqatat për mbrojtjen e pronave, kanë bërë të ditur se mbi 100 pronarë i janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sipas tyre, pritet që Gjykata e Strasburgut të marrë vendim në favor të ish-pronarëve. Ata thonë se në raste të tilla, Gjykata e Strasburgut ka vendosur gjithmonë në favor të ish-pronarëve dhe kundër shtetit shqiptar.
Vendimet
Shoqatat e pronarëve shprehen të bindur se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg do të vendosë në favor të tyre. Kjo bindje, sipas tyre, vjen për shkak të problemeve të ngjashme që ankimojnë ish-pronarët shqiptarë që nuk gjejnë drejtësi në gjykatat shqiptare. Myrshit Vorpsi, sekretar i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, deklaroi për gazetën se janë 101 ish-pronarë që i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për ankimimin e vendimeve të gjykatave shqiptare. “Janë 101 subjekte të ndryshme, pronarë që i janë drejtuar Strasburgut dhe janë ndarë në dy çështje. Pra, janë disa pronarë që kanë çështje të ngjashme. Problematika është pothuajse njësoj dhe normalisht nëse fiton një subjekt fiton edhe tjetri”, tha Vorpsi. Po ashtu edhe kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Gëzim Boçari, deklaroi se është e pritshme që të rritet numri i ish-pronarëve që kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Strasburgut. “Nuk mund të them saktësisht sa mund të jetë shuma që do i shkaktohet buxhetit të shtetit, por gjithsesi është logjike që shifra do të jetë në rritje të theksuar nëse pronarët do ankohen për shkelje të Kushtetutës për shkak të legalizimeve masive me ligje dhe vendime që nuk kanë asnjë të përbashkët me nenin 181 të Kushtetutës”, tha Gëzim Boçari, kryetar i Shoqatës për “Pronësi me Drejtësi”.
Kërkesa e qeverisë
Në fillim të muajit maj, qeveria “Rama” i kërkoi Gjykatës së Strasburgut bllokimin dhe shtyrjen e zbatimit të vendimeve për çështjen e pronave edhe për një vit. Kjo shtyrje afati u mor pasi qeveria nuk arriti të përmbushte angazhimet dhe detyrimet që premtoi një vit më parë ndaj ish-pronarëve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Në këto kushte, qeveria mori vendimin për t’i kërkuar Gjykatës së Strasburgut shtyrjen edhe me një vit të ekzekutimit të vendimeve për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist dhe të tjetërsuara gjatë 25 viteve të tranzicionit. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata e Strasburgut që vijon të japë vendime në favor të ish-pronarëve. Erneta Shevroja
Komentet