Kërkoj vetëm frymëmarrjen e lirë çame në trojet e tyre
Më në fund, mbas shumë përpjekjesh, u hodh hapi i parë dhe, ndërkohë, më i rëndësishmi: Çështja çame dhe kërkesa për njohjen e gjenocidit grek mbërrin në Gjykatën e Hagës. Të enjten e datës 11 Shkurt 2016, delegacioni i Shoqatës Demokratike “Çamëria”, Holandë, i përbërë nga Festim Lato dhe Koço Danaj, pasi realizoi me sukses një konferencë paqësore me delegatë nga Presheva, Bujanoci e Metvegja, nga Gjakova, Prishtina e Dibra, nga Prizreni, Tuzi e Lushnja, nga Vlora, Labëria e Himara, nga Tirana, Shkodra e Çamëria, nga tërë viset ku flitet shqip e jetojnë shqiptarë, edhe me emigrantë shqiptarë nga SHBA, Belgjika, Holanda, Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Austria e Anglia, për sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të Çamërisë, dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Den Haag DOSJEN E ÇAMËRISË. Shoqata Demokratike “Çamëria” dorëzoi një dosje të plotë me argumente ligjorë dhe shkencorë, ku u kërkohet prokurorëve të trajtojnë problemin çam duke këmbëngulur për të drejtat e mohuara.“Ne presim që popullit çam t’i jepet e drejta dhe t’i njihet gjenocidi që i është ushtruar mbi këtë popullsi”- kërkuam njëzëri të gjithë sa qemë mbledhur atje. Shoqata Çamëria organizoi dhe një protestë, e cila u shoqërua me këngë popullore shqiptare, çame, kosovare dhe labe. Në këtë udhëtim të madh të këtij misioni historik për Shqiptarinë, pata fatin të isha edhe unë, Albert Habazaj, ku, si përfaqësues i grupit të Vlorës, mbajta kumtesën e mëposhtme në Konferencën e datës 10 shkurt 2016 në Den Haag, Holland (Hagë, Holandë), e cila, edhe mua sinqerisht më emocionoi, sepse u mirëprit me mallëngjim e zjarr Atdheu nga pjesëmarrësit:
Përse vij unë këtu? Nga Vlora. 2650 km larg. Dhe përse vij familjarisht? Vij si shqiptar. Unë nuk jam çam, por jam çam, se jam shqiptar dhe çami shqiptar është e Çamëria është shqiptare. Më dhemb trupi, më dhemb gjaku, më dhemb shpirti, më dhemb Çamëria. Se Atdheun e kam në shpirt, se shqiptarinë e kam në gjak- ky është zëri i arsyes që më thirri këtu. As më të voglën gjë materiale nuk kërkoj, se kam plot; as dy gjethe ulliri s’dua për vete, veç të ndjej frymëmarrjen e lirë çame në trojet e saj. Më 17 shkurt 2008, në sheshin historik të Flamurit në Vlorë u zhvillua një tubim paqësor për pavarësinë e Kosovës. Ndër organizatorët, aty isha dhe unë. Krijova një poezi. “Këngë për Flamur” e quajta. Në fakt ajo më lindi vetë së brendshmi, vetëm sa e shkrova unë dhe e interpretova para mijëra gëzimtarëve të ngadhënjimit të vëllezërve tanë veriorë të Kosovës. Qoftë e afërt dita që të shkoj, të gëzoj e të këndoj edhe në Janinë, Prevezë e në Gumenicë një “Këngë për Flamur”, për të përshëndetur pavarësinë e Çamërisë! Prandaj këtu vij me shpirt të marr zjarr të ngrohtë e të dashur dhe ta shpërndaj ndër shqiptarë, atje ku të më shkelë këmba, ku të më rrahë zemra, ku të këndoj këngën e lirisë, ku të flas fjalën kuvendare. Në zjarr ca digjen, ca ngrohen. Zjarri është për dritën e atyre që digjen. Vij këtu, sepse nderoj mesazhin e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me princat e tij, që thuprat veç e veç i thyen dhe një dorë fëmije, ndërsa thuprat e bashkuara s’ka bir nëne e furtunë t’i thyej. Dhe e bekoftë Zoti, që fabula e thuprave të princave të Gjergjit të lërë gjurmë dhe të realizohet me frymëmarrjen e lirë çame në tokat e tyre, që kur bota është zënë… Unë jam një lab nga Tërbaçi i Vlorës. Labohimariot. Kam tre djem. Të madhin e kam dhëndër në Kosovë; të mesmin dhëndër në Çamëri; i vogli ende student. Vij si shqiptar me rrënjë e me degë. Qysh 15 vjeç, kur u largova nga Tërbaçi në Tiranë për shkollim, ma ka injektuar në gjak dashurinë dhe dhembjen për Çamërinë shkrimtari i madh çam e burri i madh shqiptar, Fadil Zeqiri dhe kjo ndjenjë e fuqishme do të jetojë deri në fund të frymës time.
Të dashur vëllezër e motra të Shqiptarisë!
Ndihemi mirë dhe krenarë, që jemi mbledhur së bashku, këtu në Den Haag, ku peshohet drejtësia e botës njerëzore të këtij planeti. Kemi ardhur nga të gjitha viset e banuara me shqiptarë, që nga Presheva në Çamëri, që nga Dibra në Ulqin, që nga SHBA në Gjakovë, nga Vlora në Labëri e Himarë e nga kudo ku banojnë shqiptarë, që ndihen krenarë si të tillë. Jemi mbledhur, se Çamëria, me jetën e saj si një tragjedi biblike, ende dhemb e kullon gjak për dy gjëra: e para, e vranë, e prenë, e përzunë nga trojet e saj; dhe, e dyta, ende nuk është vendosur drejtësia në vend për gjenocidin e pashembullt mbi atë popullatë të pafajshme. Plaga çame dhemb e rrjedh gjak qysh një shekull e kusur, 103 vjet më parë!… Edhe para 72 vitesh, mizorisht u sollën fqinjët jugorë me banorët e pafajshëm çamë. Ndihemi mirë e krenarë për të marrë detyra të larta mbi supe, në zemër, në shpirt, me tru, me përgjegjësi, sepse na ngroh zjarri i ndezur nga atdhetari i ri, çami bujar dhe trim Festim Abdulla Lato; sepse këtë zjarr e mbajnë ndezur simbole kombëtare si shqiptari zjarrmalluar për varret e trojet e të parëve, i urti Sali Bollati; sepse këtë zjarr e mban edhe trimi i fjalës së mençur, i të vërtetës në sy, Koço Danaj. Këtë zjarr e mban edhe Marubi i Vlorës, Çamërisë e Shqiptarisë, bredhi i bardhë me rreth 90 rrathë në trupin e tij të paulur, si lastar kombëtar, Skënder Beqiri, që s’i llogarit fare 87 vitet e jetës së tij me stuhi, po i flak tutje sikur të ishin një pelerinë e vjetëruar, sepse e mban të ri Kauza e madhe, Ideali i lartë-Çamëria. Fotografitë e Skënder Beqirit janë një dokument historik me mbi 50 imazhe, edhe nga Trembëdhjeta e mbrapshtë, por sidomos nga përzënia barbare e 1944-ës. Në këtë tubim kemi edhe stoiken Selfiana Zeqiri me të bijën Rudina, gruan fisnike me vajzën zjarrndezur, që vijon stafetën e Kauzës së Madhe të Babait të saj, zgalemit shqiptar jo vetëm për letrarët e rinj në detin e krijimit, por sidomos për Idealin e madh çam të shqiptarisë, ish kryetarin e Përgjithshëm, kryetarin historik të shoqatës Atdhetare – Patriotike “Çamëria”, Fadil Zeqirin, që s’vdes kurrë, se nuk vdes kurrë Çamëria, se nuk vdes kurrë Shqiptaria. Ndihem fatlum, se, më duket sikur këtë zjarr e bekon Naum Veqilharxhi me Kostandin Kristoforidhin, Petro Nini Luarasi me Papa Kristo Negovanin. A nuk është një Veqilharxh i ri, një Kristoforidh i ri, një Petro Nin i ri, një Kristo Negovan i ri ky njeri i uruar, At Nikolla Marku, ky misionar i dëguar si frymë hyjnore në tokë nga Perëndia, apostafat për të bekuar Çëshjen e drejtë çame?! Njeriu që ka mbajtur meshë në nderim të 5000 viktimave të Çamërisë martire e ka emrin At Nikolla Marku. Ky është njeriu që ka zbritur nga zoti, shqiptari me rrënjë e gjak, ai që duhet të jetë në krye të kishës ortodokse shqiptare. Nderim dhe mirënjohje At Nikolla Markut! “Idealet kanë nevojë të kenë rrënjët e tyre, të vaditura me ngjarjet e jetës. Më tepër dashuri për punë e rregull, më tepër butësi e bashkim”, na vjen si e gjallë porosia e dhënë, qysh një shekull më para nga largpamësi me merak, Faik Konica. Ndihet orteku për Çështjen çame, e cila na kërkon përbashkues, jo përveçues. Mediat lokale dhe ato qendrore i kanë fokusuar emisione të tëra faktorizimit të kësaj çështjeje, ku përveç televizionit “6+1 Vlora” në Vlorë, “Apolon” në Fier, Çështja çame është përqëndruar edhe në televizionet e fuqishme të Tiranës, si “Top channel”, “News24”, etj. Gjenocidi i ushtruar padrejtësisht ndaj kësaj populate të pafajshme në vend të saj, në pronë të saj, në punë të saj, në vatrën e saj të zjarrit, nga barbarët e pashpirt grekë është pak të quhet mizor. Ndoshta s’ka libër t’i përshkruaj aq vërtetësisht e dhembshurisht ato hata të zeza, që kurrë mos i ndodhshin kujt; por duhet të ketë një drejtësi t’i verë në vend padrejtësitë. T’i thotë grekut: Ti je fajtori, përgjigju! T’i thotë çamit: Ti s’je fajtor, mere të drejtën tënde, se fajtor pa faj vetëm në këto viset tona të dhembura sheh bota. Jam këtu me ju edhe unë, t’i them botës: Mos rri mënjanëse, mos rri indiferente e mos bëj sehir ndaj këtyre mizorive të dy kryqëzatave të egra të ‘13-ës dhe të ’44-ës në shekullin e 20 -të , që lamë pas. Çamët janë rrënjës në ato troje, janë popullsi indigjene. Greku i vrau në shtëpi të tyre. Europë e dashur! E drejta mënon, po nuk harron. Kemi besim tek drejtësia dhe sot, kur Ora punon për Çamërinë dhe Shqiptarinë, edhe ne duhet të punojmë për këtë Orë të bekuar. Kam një lajm, që më ngroh pak. Dëshiroj të kujtoj se vetëm pak ditë më parë, nga mediat qendrore të Tiranës, dëgjova njoftimin, se, më 2 shkurt 2016, një deputet i Parlamentit shqiptar dhe pikërisht z. Koço Kokëdhima ka ngritur zërin me forcë, që Greqia të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë, atë ligj sa absurd, aq hipokrit. Heqja e ligjit të luftës nuk bëhet me fjalë poshtë e lartë, por me vendim parlamenti dhe kështu i hapet rruga zhvillimit e përparimit. Ka edhe ndonjë person, që, me gjasë, aq e ka rrezen e kompasit të mendimit e të gjykimit, saqë e cilëson Çamërinë muze, apo që “do ta bëjmë muze”. Jo, Çamëria s’është muze, kurrë s’ka qenë e kurrë s’do të jetë e tillë. Çamëria është një histori jete, histori që dhemb, jetë njerëzore, një histori e gjallë me drama, me elegji, me tragjedi, me lavdi e diell. Në Çamëri patjetër që duhet e do të ketë një muze për masakrat e shovenëve grekokaragjozë, siç i quan kriminelët fqinjë dijetari atdhetar, prof.dr. Eshfre Ymeri. Ky muze i Çamërisë martire do të jetë kujtesa historike e dokumentuar për brezat. Dosja e Çamërisë ka shumë kapituj me faqe të pasura për vete e për të tjerët. Plotësimi i dosjes së madhe me dokumente e fakte tronditëse e rrëqethëse që kanë ndodhur, kërkoi kohë, përgjegjësi, profesionalizëm, krenari kombëtare dhe ndershëmri qytetare. Ende kërkon. Dhe do të kërkojë dhe në vijim dheri në zgjdihjen e saj të plotë. Pa u nxituar, pa u nxehur, me maturi, me tru e diplomaci, patjetër me guxim e trimëri. Dosja e Çamërisë pasqyron pastrimin etnik dhe gjenocidin e pashoq. Eksodi i përgjakur biblik i Lirisë mbush faqe të tëra tmerri, që as Eskili, Sofokliu dhe Euripidi, të tre së bashku, po të ishin gjallë, s’do të kishin atë fuqi shprehëse, jetësore e artistike t’i përshkruanin si në antikitet tragjeditë e shek.XX në Jug të trojeve etnike të Shqipërisë natyrore, atë që ka krijuar Zoti. Pas dorëzimit të Dosjes së Çështjes çame në Pallatin e Drejtësisë Botërore, këtu në Hagë, gjykuesit e globit do të shfletojnë njëra pas tjetrës faqet, që provojnë pastrimin etnik, si provë në planin krahasimtar me të tjerët. Kemi besim se do ta japin drejtësinë. Edhe vetë SHBA po e shikon me vëmendje dhe interes këtë çështje kardinale, thelbësore jo vetëm për shqiptarët e Jugut. E kemi mbështetjen miqësore nga SHBA dhe ky fakt është vlerësim i madh për ne. Ripatriotizimi, rikthimi në trojet e veta, nga është shpërngulur kjo popullatë autoktone shqiptare, del në skenë, pasi të njihet ndërkombëtarisht gjenocidi i ushtruar ndaj asaj popullate, dhe, ky ripatriotizim vjen natyrshëm si e drejtë universale e legjitime. Rikthimi i pronave dhe pasurive çamëve dhe vetë çështja “Çamëria” është një betejë e madhe atdhetarie, një detyrë hyjnore, një betejë profesionalizmi të lartë, sepse, në fund të fundit, siç e cilëson diplomati i njohur, prof.dr. Lisen Bashkurti: “Çështja çame dhe zgjidhja e saj është një luftë nervash”. Por, kur jemi të gjithë të përbashkuar, me një dëshirë, për një qëllim, Çështja e madhe ka për të triumfuar e ky për ne është më i larti synim. Kështu zullumqarët karagjozë do të zihen ngushtë, se ne vetëm diellin pranojmë mbi krye, për Çamërinë shqiptare, kur mblidhemi, bëhemi grusht, dhe, kur hapemi-për Çështjen e madhe bëhemi yje!
Den Haag, Holland, 11.02.2016
Komentet