VOAL – BERNË – Duhet një votim popullor për të sqaruar raportet tona me Evropën, nuk ka alternativë tjetër, është e nevojshme të rregullohen raportet me Bashkimin Evropian. Kjo është bindja e presidentes në largim të Konfederatës Doris Leuthard.
Ndërsa Ignazio Cassis mendon se duhet krijuar një instancë e re, një Sekretar Shteti për Evropën.
“Rruga dypalëshe është e rëndësishme dhe do zhvilluar më tej për ta bërë të sigurt,” pohon Leuthard në një intervistë në SonntagsBlick, duke iu referuar të ashtuquajturës marrëveshje kuadër me BE-në, e cila duhet të rregullonte të ashtuquajturatçështje institucionale, që synojnë zgjidhjen e kundërthënieve të interpretimeve të marrëveshjeve, duke kaluar në zbatimin automatik të normave të reja evropiane.
“Duhet sqaruar, pra, raportin tonë me Evropën! Duhet të dimë në cilin drejtim të lëvizim. Për këtë qëllim do të shërbente një votim popullor,” mendon politikania e Partisë Popullore Kristiane të Zvicrës.
“E kuptoj skepticizmin ndaj BE-së,” pohon Leuthard. “Bashkimi Evropian bën shumëçka në mënyrë jooptimale. Por kjo nuk ka alternativë: dy të tretat e tregtisë sonë bëhen me Bashkimin Evropian. Mund ta forcojmë sa të duam bashkëpunimin me Kinën e Indinë, por BE mbetet qendrore. Kemi nevojë për një mekanizëm dhe për raporte të rregulluara me BE-në. Kjo do të shmangte lojërat politike që jemi duke parë aktualisht.”
Në përkeqësimin e klimës mes Bernës dhe Brukselit janë duke kontribuar “ministra më të rinj që e njohin pak Zvicrën dhe prandaj kanë pak mirëkuptim për situatën tonë, për proceset e demokracisë direkte dhe për rrugën dypalësh.” Prandaj qeveria duhet të bëjë më shumë punë bindëse, qoftë jashtë vendit, qoftë brenda vendit.
Lidhur me propozimin e ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis për të krijuar postin e Sekretarit të Shtetit për Evropën, Leuthardt thotë se ai duhet ta ketë të qartë vetë se çfarë ndryshimesh do të sjellë me këtë risi.
Sipas SonntagsBlick për postin e ri mendohet të jetë 52 vjeçari Roberto Balzzaretti, një diplomat i formuar në kohën e ish këshilltares federale Micheline Calmy-Rey.
Komentet