Del në dritë libri i znj Çelo: “Koha e Keqkuptimeve dhe çështja e grave”
E mbaj mend veten të vogël, nis rrëfimin e vet Klara Çelo (Mitrushi), e cila sapo ka botuar njç libër me titull “Koha e keqkuptimeve dhe çështja e grave”. Kujtimet m’i shtojnë edhe fotot që daja im Peti m’i ka bërë me shumicë nga porsalindja e deri në përfundimin e Luftës Antifshiste. Nëna më lindi gjatë pushtimit fashist. Nga lufta kujtoj një vendstrehim “tek e Rafaelit”,- komshija jonë. Kur bubullinin “kaçatorët” në qiellin e Korçës, gjyshe Angjelina më rrëmbente së bashku me plakat e mëhallës, hynim në bodrumin e Rafaelit dhe mbulonim veshët me duar. Unë strukesha poshtë fustanit të saj të zi, të gjatë dhe mbështillesha me zhuponët dëborë të bardhë. Nuhasja erën e bukës që gjyshja gatuante në magjen e ashefit, erën e borzilokut që e mbillte në teneqe vaji, që e këpuste dhe e fuste në gjoks. Dëgjoja uturimën e avionëve dhe mallkimet e gjysheve në adresë të “pepinove”. Atë kohë, prindërit më vishnin kuq e zi për Pashkë dhe ditët e shënuara me emra shenjtorësh. Gjyshja nuk ishte shumë besimtare. Kur më merrte me vete (rrallë shkonte) në kishën e Shën Thanasit, më porosiste mos i puthja ikonat se merrja ndonjë sëmundje, e murmuriste se Zoti është në qiell me engjëjt e vet e na sheh nga lart, ndaj të bëhesha e urtë etj, etj. Ishte gjyshe speciale. Kur na vinin vizitë, “ata të malit”, qendroja pranë vatrës, në prehërin e gjyshe Ngjelinës. Kotesha me sy të mbyllur, të ngulur tek ikonat e Shën Marisë prej druri përballë meje, në cepin pranë derës. Ëndërroja. Kaq mbaj mend nga lufta. Në shtëpi mbretëronte paqja.
Fëminia ime
Vitet kalonin pa u ndjerë. Luanim në rrugicën e pjerrët me kalldrem dhe komunikonim ndërmjet deriçkave që bashkonin shtëpitë tona deri në lumë. Shokë të lojnave kisha Pirron me të cilin banonim në një ndërtesë me dy të ndara. Pirua ishte djali i vogël i profesorit Fahredin Angonit, që Enver Hoxha e pushkatoi pas lufte me grupin e nacionalistëve. Luaja me Irini Gjermanin, Marie Lenën, Zana Manushin, Krisanthin e Karmen Turtullin, Taqkë Postolin. Në fotografitë e kohës së luftës kam dalë me grusht nderuar, veshur me ca fustanka të shkurtra ose me pantallonka edhe më të shkurtra. Floket m’i prisnin shkurt, e ngjaja si “djalkë” ndoshta se ne fëmijët u mbushëm me morra e gjyshja mendonte se i sillnin ata “të malit” kurse prindërit mendonin se me flokë të shkurtër i ngjaja heroinës ruse Zoja Kosmodemjanska (?!) Karakterin, mundodheshin të ma ndërtonin sipas modelit të Klara Cetkinit me emrin e së cilës, sa linda, më pagëzoi Kleopatra Maliqi, shoqja jonë e ngushtë, komuniste, e mamit tim, Ollga Mitrushit. Kleopatra ishte një zonjë e bukur, e parfumuar, e veshur me sqimë, me peliçe të shtrenja më puthte sikur më thithte, e më linte në faqe e krahë ca njolla mavi. E shtyja, nuk e doja, i trembesha edhe burrit të saj, dentist, se më shkulte dhëmbët e qumështit pa anestezi
Unë po rritesha
Lufta mbaroi dhe unë po rritesha si “komunistkë e vogël” krenare për këtë ofiq. Kështu më quante Arta bukuroshe, vajza e priftit Papa Naum, komshiu ynë, që sillej rrotull shtëpisë sime. Kisha edhe tre dajo të bukur “thirio” brunë sykaltër. “Kujt i ke ngjarë me këta sy jeshillë si mackë?!” – më thoshte gjyshe Angjelina. Pas lufte, në vitin 1946, isha fëmija i parë i kopështit të parë që u çel në Korçë. Kopështi financohej nga UNRA. Nëna ime, ndante ndihmat e UNRA-s, sepse u bë kryetare e Frontit të lagjes nr. 2 në Korçë. Në kopësht hanim sa zhdëpeshim e na jepnin edhe medikamente me pika, “për fuqi” që i pështyja kur drejtoresha Aleksandra, shoqe me nënën time harronte të më zinte për hunde që t’i kapërdija. Përballë kopështit tonë, prapa kishës së Mitropolisë ishte vendosur Jetimorja. Aty kishte fëmijë, prindërit e të cilëve ishin vrarë ose kishin vdekur gjatë luftës. Me fëmijët jetimë ndava edhe kopështin edhe shkollën 7-vjeçare “1 Maji”. U miqësova me ta, i ftoja në shtëpi të dielave ose ditëve të festave. Edhe sot kujtoj me përmallim ato vajza të mrekullueshme, shoqe në rrugëtimin tim fëminor… Behijen, Bukurijen, Shadijen, Aliqin, Lumturien… Nëse mikeshat e mia e lexojnë këtë liber apo shkrimin që do të botohet, u them se i dua shumë!
Vitet e pasluftës
Ishin vitet e pasluftës kur ne, kalamajtë e kopshteve, për festat e 11 Majit dhe 29 Nëntorit na hipnin në ca kamionë “plaçkë lufte”, na vishnin me ca fustanka e pantallona prej letre të hollë, kordele të kuqe, lule, po prej letre, dhe mbanim në duar tre flauj: një jugosllav, një sovjetik e një shqiptar, e na mësonin të brohorisnim ENVER-TITO-STALIN! Ulërinim sa na çirej zëri, paçka se ndonjëri përmirej ose mbushte brekët. Për festat e Krishtlindjes ose Shën Vasilit (Vitit të Ri), na jepnin peshqeshe të UNRA-s dhe disa kartolina “Buon Natale”, të mbetura nga lufta. Në kartolina shihnim fëmijë të veshur me të kuqe, një kishëz përballë, bredha të vegjël të mbuluar me lodra e ëmbëlsira, drerë në slita dhe babagjyshë. Jetoja si në ëndërr. Ndërkohë babi më mësonte këngën e varfërisë: “Nallonkat mbajtur në dorë, eci zbathur në dëborë…”.
Gra të shquara
Shqipëria ka nxjerrë edhe gra trimëresha, gra të pushkës e të dijes, gra me virtyte kombëtare virile e të paepura që dhanë jetën për mëmëdhe. Gjejmë modele grash të shquara, si: Dora d’Istria ose Elena Gjika, princesha rumune me origjinë shqiptare; motrat Qiriazi që dhanë një ndihmesë të shkëlqyer në arsimin e grave dhe emancipimin e tyre. Këto zonja formuan shoqërinë e parë të grave “Ylli i mëngjesit”, dhe revistën me këtë emër në SHBA, drejtuar nga Parashqevi Qiriazi, ndërsa revista “Bleta” nga Evdhoksi Gërmenji. Gjatë monarkisë u botuan revistat “Gruaja Shqiptare”, ‘Diana’ dhe ‘Minerva’ ku shkruanin gra gazetare për problemet gjinore etj. Në shtypin e kohës u prezantuan gazetaret e shquara: Motrat Qiriazi, Kaliopi Plasari, Milla Koca, Katerina Cilka, Fanka Eftimi, Marigo Pozio etj. Gjatë viteve 1891-1913 përfunduan shkollën me rezultate të shkëlqyera: Polikseni Dhespoti, Eftali Delinusha, Evanthia Rapi Come, Helidhoni Titu- Falli, Thomaidha Llazo Stefanllari, Olimpi Gorguzi, Persefoni Lluka – Treni, Eleni Trajan, Rufka Kristo, Marianka Trajan, Efigjeni Janaq Pendavinji, Ksanthipi E. Cipi, Praksidhea N. Odesa-Plumbi, Ollga Gurguzi, Elena Llavda, Eftalia Petro, Marianthi P. Fotografi, Theodhora G. Ciko, Theodhora Kristo, Ksanthipi A. Qeleshi etj. Në shtator 1914 Shkolla e Vashave në Korçë u mbyll për shkak të pushtimit grek të Korçës. Në korrik 1914 Shkolla e Vashave u kthye në spital.
Ngjarje të paharruara
Kujtoj një ditë, rreth vitit 1992, e ulur në tavolinën e punës në Bibliotekë, shfletoja revistën “Ylli i Mëngjesit” e zhytur në lexim, ngre kryet dhe shoh përballë meje një burrë të moshuar që i kishte ngulur vështrimin koleksionit. Me delikatesë e respekt, kërkoi falje dhe më luti nëse mund ta prekte “këtë vepër të vyer”. E habitur iu përgjigja me një “sigurisht”. Mbusha fletën e lexuesit. (Klara Çelo ishte drejtore e bibliotekes së Korçës, shenimi im) dhe, kur e pyeta për emrin, shtanga, kur dëgjova: Aleksandër Kristo Dako. Ishte djali i Sevasti Qiriazit. Ju jeni djali i të nderuarës Sevasti Qiriazi? – e pyeta. Respekte! U bëmë miq. Ato çaste m’u kujtuan gra të tjera që kishin dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, mes tyre Sevasti Qiriazi, bashkëshorte e Kristo Dakos, Evdhoksi Gërmenji, bashkëshorte e Themistokli Gërmenjit, Lina Grameno, nëna e Mihal Gramenos, Niqi Grameno, bashkëshorte e Mihal Gramenos, Katerina Cilka bashkëshorte e Grigor Cilkës, gratë e familjes Turtulli, Panariti, Dishnica, Starova, Cale, Peci etj. Kurse në shoqatën “Ylli Mëngjesit”, në krah të motrave Qiriazi gjejmë patriotet Polikseni Luarasi, Qelidhona Falli, Thomaidha Llazo Stefanllari, motra e saj Marigo Llazo Thodhori, kjo e fundit paskëtaj mësuese e gjuhës shqipe në shkollën e Shëngjergjit në boston të SHBA, Eigjeni Janaqi (Pendavinji), Persefoni Treni, Katerina Cilka, Androniqi Grameno (bashkëshorte e Mihal Gramenos, Eftali Petro, Fanka Eftimiu, Helidhona Zado, Evriq Kristaq etj. Në vitin 1912 shoqata e grave korçare “Ylli i Mëngjesit” drejtohej: Kryetare: Sevasti Qiriazi (Dako); N/Kryetare: Androniqi Grameno; Anëtare: Qelidhona Zado, Katerina Cilka, Eftali Petro, Fanka Eftimiu dhe zonjusha Parashqevi Qiriaz.
Dora që tund djepin, ndryshon botën
Anëtaret e kryesisë përmbushnin këto detyra: shkruese (sekretare); Parashqevi Qiriazi; protokollin: Efigjeni Janaqi (Pendavinji); arkëtare Helidhona Zado dhe Evriqi Kristaqi; libraruajtëse: Eftali Petro. Veprimtaria e kësaj shoqte u shtri në krejt trevën jugore të Shqipërisë. Për vlerat e saj emancipuese e patriotike, Rilindasit e quajtën Shkollën Shqipe të Vashave kurse shoqatën “Fole Kombëtare” në shoqatë dhe në shkollën e vashave nuk kishte dasi fetare. Çështja kombëtare i bashkonte gratë e vashat pa dallim feje. Përjetësisht do të mbeten të skalitura fjalët e arta të Parashqevi Qiriazit drejtuar grave e vashave shqiptare: “Le të mos na gënjejë mendja duke thënë: Ç’mund të bëjmë ne, jemi gra. Mund të bëjmë shumë, ndaj duhet të punojmë me gjithë zemër duke nidhmuar njera-tjetrën e duke pasur ndërmend se Dora që tund djepin, ndryshon botën”
Instituti Kyrias (Qiriazi) (Kamëz Tiranë)
Në prill të vitit 1921, Parlamenti Shqiptar miratoi njëzëri hapjen e këtij instituti. Në tetor 1922 u hap Instituti shkollor për vajza në Kamëz Tiranë ku mësonin edhe bursistë. Shteti financonte ¼ e shpenzimeve vjetore për bursat e nxënëseve. Fan Noli e vlerësonte Institutin privat Kiriaz: “Ky institute do të shkruajë një faqe në historinë e edukatës femërore në Shqipëri. Garanci më e mirë për këtë janë trimëria dhe zotësia e dy zonjushave që e drejtojnë atë (Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi)”. Ndërsa ministri i Arsimit të kohës, Sotir Peci jepte këtë vlerësim: “Prova më e gjallë e nderrimit dhe besimit të plotë është, se Liceja për vajza e Zonjës Sevasti Dako dhe zonjushës Parashqevi Qiriaz, i ka pas mbërritur qëllimit fisnik të ndjekur me një therrori e vështirësi që prej shumë vitesh është të dorëzuarit të bijës sime, Luizës, në duart të tyre…”. Nuk shohim sot për sot asnjë shqiptar tjetër me kapitale morale dhe shkencore kaq të pavarura dhe të shëndosha, sa të jetë e zonja të shtjerë themelet e një edukate themelore mbas nevojave të kombit dhe shekullit, prandaj jam më shumë se i bindur që detyrën ka për ta kryer plotësisht (Zëri i Popullit, 1924, 22 mars)
18 qershor 1921,Shoqëria e vashave “Cvillimi”
Shoqëria e vashave në Korçë me emrin domethënës “Cvillimi” (zhvillimi) është e para shoqatë rinore-femërore-korçare, me vizion të qartë e një pogram bashkëkohor ku theksohej se kjo shoqëri do të punonte për të ndihmuar materialisht të shkollohen nxënëset e familjeve të varfëra të qarkut Korçë, për zhvillimin e trupit e të mendjes si edhe të vetijave e virtyteve të mira tek vajzat. Anëtarësia në këtë shoqatë rinore, ishte nga mosha 13 deri në 20 vjeç, kurse kuota që do të paguanin anëtaret ishte 1 (një) frangë në muaj. Puna për edukimin e të rejave dhe veprimtaritë bamirëse të kësaj shoqate janë vlerë historike në drejtim të barazisë gjinore. Në dy dekadat e para të sheklullit të kaluar, u forcuan themelet për emancipim të mëtejshëm ndëpërmjet shkollimit të vashave, nxjerrjes së tyre nga muret e shtëpisë, nga përgatitja e pajës dhe martesës me shkesi nga burgosja me ferexhe. U ndërgjegjësuan femrat për të studiuar në shkolla mikse e për të ndjekur rrugëtimin e tyre arsimor në Liceun e Korçës, në shkollat kombëtare shqiptare, mdje edhe në universitete ndërkombëtare. Qëllimi i shoqërisë civile femërore korçare ishte edhe harmonia ndërfetare e sociale, që zgjoi si rezultat vetëdijen e femrave për rolin e tyre progresit në familje dhe shoqëri. Si përfundim, tiparet që karakterizonin shoqëritë e para feministe të Korçës, ndikuan kombëtarisht në zhvillimin e shoqërisë civile kudo në atdhe, unitetin ndërfetar e mbi gjithçka dashurinë për mëmëdhenë e gjuhën amtare, në ndeshjen me shovinizimin dhe kozmopolitizmin ekstrem, u dha grave një staturë patriotike dhe intelektuale humane
Sabihaja
Liceu Kombëtar Shqiptar ose Liceu i Korçës, sikurse e quanin korçarët luajti një rol të rëndësishëm në shkollimin e shqiptarëve, mes tyre dhe vajza të shquara. Liceu i Korçës, përgatiti një brez intelektualësh që dhanë ndihmesën e tyre bujare në zhvllimin dhe përparimin e vendit. E para nxënëse e këtij liceu ishte Sabiha Abdurahim Kasimati. Në revistën “Lyceum” (Revue du Lycee de Korça-Albanie) 1936, ku botonin shkrime profesorët francëzë de Kurvil, Andre Brezho shkruanin edhe profesorët shqiptarë Pertef Pogoni, Selman Riza etj. Revista botohej në dy gjuhë shqip dhe frëngjisht, e lexohej nga intelektualët e krejt qytetaria korçare. Në këtë revistë, ndeshim të parën vajzë, “absolvente: Sabiha Kasimatin. Sabihaja, pas përfundimit të liceut, punoi si mësuese në Shkollën Qytetëse të Korçës, e mandej në shkollën Amerikane në Kavajë. Në vitin 1935, shkoi për studime të larta në Torino, ku përfundoi degën Biologji e u specializua në Ihtiokulturë. Në vitin 1939, kthehet në Shqipëri, emërohet mësuese në Shkollën e Vashave në Tiranë. Kjo shkencëtare e shquar, bashkënxënëse në liceun e Korçës me diktatorin Enver Hoxha, në vitin 1952 dënohet me urdhër të këtij të fundit, në “gjyqin farsë të intelektualëve” me pretekstin e hedhjes së bombës në Ambasadën e BRSS në Tiranë. Dënohet me pushkatim. Arsino Bino (Poro), shkrimtare, pas Liceut ndoqi studimet e larta në Bolonjë e kur u kthye në atdhe u bë mësuese e shkëlqyer e Gjuhë-Letërsisë Shqipe dhe gjuhës Frenge. Ndërkohë u dallua si veprimtare e lëvizjes së gruas në Korçë
Prof. Dr. Andromaqi Gjergji, e vlerësuar në fushën e etnografisë Albano-Balkanologjisë, ishte gjithashtu nxnëse në liceun francez. Në Liceun e Korçës studiuan mjaft vajza mes tyre: Eleni Panduku, Vasilika Stratobërda-Buda, Shpresa Frashëri Plasa, Agathoniqi Kote, Smaragda Kovaçi, Dhespina Skëndi etj Respekte për mençurinë e grave të Korçës