Dora hapet,
Mbyllet.
Dora
Kap,
Lëshon,
Jep dhe merr,
Vë dhe heq pranga,
Lidh dhe zgjidh zinxhirë,
Vë dhe heq litarin,
Godet dhe përkëdhel,
Ngul dhe shkul,
Ngre dhe shemb;
Mbiell dhe korr,
Hap e mbyll dyer.
Dora lan
Dora lyen;
Dora lan dorën,
E majta lan të djathtën,
E djathta të majtën,
Të dyja lajnë njera – tjetrën;
Dora
Është flori,
Dora është topuz;
Ndan dhe bashkon
Dora, pykë,
Ndan dhe çan.
Dora pajton,
Dora bëhet grusht,
Bëhet pëllëmbë, qëllon,
Të lë pesë gishta në faqe
Dora përkëdhel;
Dor flet me gishta,
Flet pa gramatikë,
Pasintaksë,
Pa morfologji,
Pa gabime ortografike, ortoepike,
Dora bën dhe çbën çdo gjë.
Dora
Autore e çdo vepre,
Autore e çdo ndërtimi,
Autore e çdo konstruksioni,
Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,
Dora firmos lindjet dhe vdekjet,
Dora
Fut dhe nxjerr,
Mbërthen e zbërthen,
Ndez dhe shuan;
Gris
Dhe arnon,
Ngjit
Dhe shqit,
Qep dhe shqep,
Zbardh dhe nxin.
Njeriu s’bën dot pa duar.
Vetëm Zoti bën dhe çbën.
Të bëhet tha Zoti!
Dhe u bë.
U bë dita, nata
Qielli, dielli, hëna,
Yjet.
U bë toka dhe ujërat,
U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja…
U bënë kafshët, shpendët, hidrikët, reptilët, viruset.
Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:
Unë e shëroj djalin tënd madhëri.
Nëse më gjendet një kostum
Që të mos jetë prerë me gërshërë,
Të mos jetë qepur
Me gjilpërë,
Prerë e shpuar,
Vetëm Zoti dhe përrallat presin dhe qepin pa duar…
10 tetor 2010
987654321