kur pata shkruar se lexuesi nuk i lëshon nga dora romanet e tu pa shkuar deri në faqen e fundit, nuk e kisha lexuar Koha në mes.
Por e kisha atë bindje, dhe m’u vërtetua edhe një herë.
Kjo tërheqje romaneske i kushtohet një aftësie për ta mbajtur lexuesin në një pritje plot kureshtje për vazhdimësinë e ngjarjeve, të fateve të personazheve, gjendjesh shpirtërore të caktuara etj.
Por ky tipar është vetëm njëri nga faktorët që e bëjnë kaq joshës romanin tënd.
Është edhe subjekti, që përfshin një periudhë prej gati gjysmë shekulli të historisë sonë;
është gjetja origjinale sesi e shpie emocionalisht lexuesin të përjetojë një kohë të kadencuar;
është qëndrimi përgjithësisht objektiv ndaj kësaj periudhe kaq të gjatë e kaq të ndërlikuar;
pastaj është stili metaforik i përdorur; janë edhe ato mendimet, që mund t’i quash sentenca e që të bëjnë të reflektosh, si p.sh.
Paratë nuk të bëjnë njeri.
Por tregojnë ç’njeri je. Është pastaj si arrin të japësh me kaq vërtetësi e realizëm tragjizmin e sistemeve, dhe ndodh që absurditetet e kohës t’i japësh edhe në mënyrë lakonike, kur p.sh. pyetjes:
Nga të kemi mor bir?, djali i ri i përgjigjet: Jam nga Lëvizja e Legalitetit. Për të qeshur e për të qarë.
Por… më e rëndësishmja: ndonjë nga personazhet le të mbetej në Shqipëri, se, me gjithë braktisjen e vendit, ja ku jemi unë e ti e vajzat tona.
Shumë përgëzime dhe urime për suksese të mëtejshme, e dashur Monda. Se nuk të gëzojnë vetëm ty këto arritje të bukura të tuat.
Të përqafoj fort
Donika
Komentet