Në 22 vjetorin e themelimit Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka ndarë çmimin “Guximi Intelektual 2023” për aktivisten e njohur Dr. Luljeta Pula-Beqiri.
“Intelektuali i mirëfilltë nuk është vetëm njeriu i shkolluar dhe i arsimuar por në radhë të parë ai i cili ka guximin intelektual t’a thotë të vërtetën pavarësisht rrethanave. Më 1968 është për admirim angazhimi i intelektualëve për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe Republikën për Kosovën. Më 1981, pas demonstratave të 1981 pati një mbështetje të demonstratve nga intelektualët por përkrahje në heshtje. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës asnjëherë nuk qe në nivel të detyrës. Nuk pati ide e as prononcime në kohët më delikate nëpër të cilat po kalonte Kosova. Në vend se t’u prijë proceseve ajo i injoroi. Pas luftës zhgënjim i madh në vend, krim e korrupcion. Inteligjenca hesht. Nuk ka prononcime për depërtimin e islamit politik në vend, e ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit”, ka thënë Pula-Beqiri me këtë rast.
Luljeta Pula-Beqiri ështё një nga intelektualet e njohura brenda e jashtë vendit pёr veprimtarinё e saj patriotike ndёr vite. Ajo me aktivitetin e saj nё vijimёsi ka dëshmuar qёndrim tё guximshёm lidhur me problemet e mёdha kombёtare, shtetёrore e shoqёrore.
Për 44 vite me radhë ishte profesoreshë në Universitetin e Prishtinës doktor i shkencave teknike në fushën e teknologjisë kimike dhe profesoreshë ordinare në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë që nga viti 1976. Pula – Beqiri rrjedh nga një familje intelektualësh nga Gjakova si nga ana e nënës (Edibe Binishi – Pula – veterane e arsimit), ashtu edhe nga babai (Xhevdet Pula – profesor universiteti).
Ajo kontribuoi në etapa të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Veprimtarinë e saj kombëtare e filloi qysh në moshën 16 vjeçare, kur iu bashkua demonstratës së vitit 1968. Prej viteve 80’-ta e deri në vitin 2000, Luljeta parreshtur e ka ngritur zërin kundër represionit dhe padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve në ish – Jugosllavi. Me punën, përkushtimin dhe guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit të gruas në ato vite në Kosovë. Si nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz, ishte dënuar me masën përjashtim nga shkolla për organizimin dhe nxitjen e propagandës kombëtare në mesin e bashkëmoshatarëve të saj.
Mori pjesë edhe në demonstratat e vitit 1981, duke u bërë kështu ndër të rrallët profesorë universitarë, që e përkrahte publikisht këtë nismë. Ishte pjesëmarrëse nëpër të gjitha tubimet kombëtare dhe demonstratat popullore, që nga viti 1981 e deri më 1999. I tërë ky angazhim, rezultoi në arrestimin e saj 8 herë në stacione të ndryshme policore.
Kontributi i saj është i pamatshëm dhe fatkeqësisht sot e kësaj dite nuk është çmuar sa duhet nga shteti. Kujtojmë këtu debatet e saj të forta në studiot e Beogradit, ku vetëm atmosfera e të qenurit shqiptar ishte tejet e vështirë e lëre përballja me figurat më të larta të asaj kohe në ish Jugosllavi.
Shquhet me paraqitjen e saj në Kongresin Amerikan në vitin 1990. Paraqitja e saj ishte mbreslënëse në kohën kur gjërat në ish-Jugosllavi veçse kishin filluar të përkeqësoheshin. Atje foli në emër të nënave kosovare, dhunës e represion që ushtronte Serbia mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Në Kongresin Amerikan, Luljeta Pula- Beqiri është shprehur se janë për demokraci parlamentare, për zgjedhje të lira, sistem shumëpartiak, për pranimin e subjektivitetit politik të popullit shqiptar, për barazi me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe për pranimin e subjektivitetit politiko-juridik të Kosovës i cili do duhet të sanksionohet me shprehjen e lirë të vullnetit të popullit të Kosovës. Në një kohë të atillë, të bësh paraqitje të tillë, duhej guxim e përtej guximit.
Po ashtu në takime me qindra diplomatë evropianë dhe botërorë ka lobuar për shtetin e Kosovës, duke ngritur zërin për padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar në ish jugosllavi e veqanërisht në Kosovë. Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit të gruas në Kosovë dhe diasporë.
Përpos librave shkencorë-profesionalë ajo ka botuar librin me kujtime e dëshmi të titulluar, ”Rrëfimi i një jete për Kosovën” dhe është para botimit libri” Helmimet, krimi dhe mashtrimi”.
Libri autobiografik, ”Rrëfimi i një jete për Kosovën” është libër kujtimesh mbi angazhimin e saj kombetar që nga fëmijeria. Ajo shkruan për familjen pasi që kishte ndikim qenësor në formimin dhe edukimin e saj. Në libër përshkruhen ngjarjet, angazhimi I saj kombëtar dhe përfshirja në to, për rrethanat, konjukturën dhe vet realizimin e objektivit për liri dhe pavarësi. Përshkruan pjesëmarrjen në shumë Konferenca ndërkombëtare dhe takimet me shumë liderë shteterorë ndërkombëtarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.
Në libër po ashtu citohen pjeseë të intervistave në media ndërkombëtare, serbe, rajonale dhe vendore. Pos tjerash autoja në libër shpreh dëshpërimin dhe zhgënjimin e thellë me rrjedhat në Kosovën e pas luftës që kanë rrënuar përfundimisht gjithë iluzionet e saj dhe kanë varrosur në pafundësi idealin e jetës së saj.
Luljeta Pula ka dorëzuar për botim dhe pritet që shpejt të promovohet libri “Helmimet, krimi dhe mashtrimi”. Autorja synon të bëj një sintetizim të materialit faktik për helmimet e vitit 1990 me qëllim të krijimit të rrugës për ngritjen e padisë ndërkombetare për dënimin e atij krimi monstruoz kundër fëmijëve që siç e quan ajo, ishte hyrje në gjenocidin mbi shqiptarët që do të bëhej më vonë nga regjimi kriminal i Serbisë. Në libër janë dhënë argumente të shumta shkencore për vërtetësinë e helmimit, janë cituar shumë mjekë kosovarë që kanë kuruar të sëmurët, janë dhënë diagnozat e të sëmurëve dhe shpjegimet shkencore të simptomave të tyre. Pasqyrohen po ashtu prononcimet e shumë mjekëve ndërkombëtarë që kanë analizuar mostrat e të helmuarve, janë cituar organizata të ndryshme ndërkombëtare që kanë hulumtuar helmimin e të 9-ve. Paraqiten dëshmitë autentike të të helmuarve dhe motrave të nderit që kanë kuruar mijera pacientë, janë dhënë prononcimet e rrejshme të mjekëve serbë që sabotonin e abuzonin me të vertetën. Në libër janë dhënë origjinalet e raporteve mjekësore të toksikologëve të dëgjuar dhe institucioneve mjekësore me renome që dëshmojnë helmimin. Po ashtu janë dhënë fragmente nga shumë gazeta vendore, serbe, rajonale dhe botërore për helmimet dhe qasja e tyre e ndikuar nga politika ditore. Në fund është transkriptuar emisioni “Porota”, debati televiziv i Tv Beogradit në të cilin Pula- Beqiri ishte ballafaquar me emrat më të njohur të akademikëve serbë dhe gjeneralëve të ushtrisë Jugosllave, sepse ajo konsideronte se nxjerrja e këtij ballafqimi e shpërfytyron më së miri mashtrimin e madh serb.
Ajo ka marrë pjesë në qindra Konferenca ndërkombëtare, dëshmi për Kosovën në Amerikë dhe Evropë ndër të cilat veçojmë: Dëshminë për Kosovën në Washington më 1990 dhe Dëshiminë për Kosovën në Bon të Gjermanisë. Pastaj Konferencën për çështjen shqiptare që është mbajtur nën patronatin e Parlamentit austriak në Vjenë, shumë takime në shtetet evropiane dhe Amerikë me shtetarë të rëndësishëm ndërkombëtarë, shumë simposiume të organizatave për të drejtat e njeriut në botë ku kurdoherë ka argumentuar nevojën për zgjidhjen e përhereshme të çështjes së Kosovës. Ideja themelore e të gjitha prezentimeve dhe përfaqësimeve të saj insistimi në parimin se Kosova duhet të nxirret nga korniza e ngushtë e të drejtave të njeriut dhe të pranohet si një çështje e pazgjidhur politike me dimension të pastër politik. Dhe natyrisht kërkesa që buron nga ky parim pranimi i të drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosje. Diskutimet e saj janë përcjellur në qendrat shteteve përkatëse dhe kanë pasur ndikimin e tyre.
Kryetari i kësaj Shoqate Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, gjatë ndarjes së Çmimit u shpreh se: “Shoqata e Intelektualëve “Jakova” i ndanë çmimimin “Guximi Intelektual” për vitin 2023 Prof. Dr. Luljeta Pula-Beqiri që në vijimësi ka dëshumar mendim dhe qëndrim të guximshëm lidhur me problemet e mëdha kombëtare shtetërore e shoqërore.”
“Bazuar në Rregulloren për ndarjen e Çmimit “Guximi Intelektual” dhe pasi janë përmbushur të gjitha procedurat e parapara sot në mënyrë solemne Prof.Dr. Luljeta Pula-Beqirit, Shoqata e Intelektualëve ‘Jakova’ i ndanë këtë çmim për vitin 2023. Çmimi i Shoqatës “Guximi Intelektual” sivjet ndahet për të katërtën herë me rradhë”, ka thënë Sefa.
Pas marrjes së çmimit, Pula-Beqiri është shprehur e lumtur që në Gjakovë për të dytën herë po vlerësohet veprimtaria e saj për çka I ka falënderuar anëtarët e ShI “Jakova”. Ajo me këtë rast ka prezantuar para të pranishmëve kumtesën me titull “Roli i inteligjencës së Kosovës në proceset politike dhe kombëtare”.
Kumtesa e prof. Dr. Luljeta Pula-Beqiri
Do të doja fillimisht të them se intelektuali dhe inteligjencia e mirëfilltë nuk nënkupton domosdo njerëz të shkolluar dhe të ditur, njerëz të aftë e të arsimuar por mbi të gjitha ata që kanë guximin intelektual dhe kombëtar t’a thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve, njerëz me dinjitet e integritet personal, moral e kombëtar, njerëz që janë të gatshëm të shkojnë edhe kundër rrjedhës kur këte e kërkon nevoja, interesi I lartë I kombit dhe atdheut.
Në rrugëtimin tonë të gjatë e të mundimshëm drejt lirisë dhe pavarësisë inteligjencia jonë jo gjithmonë ka qenë në rrugën e duhur dhe në nivel të detyrës. Natyrisht rrethanat kanë qenë shumë të vështira dhe nuk ka qenë aspak e rëndë për regjimet t’I ndëshkojnë dhe t’I heshtin zërat kundërshtues individual. Megjithatë jam e bindur se ka mundur të bëhet më shume se që është bërë në radhë të parë nëqoftëse këta zëra nuk do të mbeteshin të vetmuar dhe nese do të kishte një shumësi disidentësh.
Kështu fjala vjen ishte impresiv mobilizimi dhe angazhimi i jashtëzakonshëm I intelektualëve më të dëgjuar të Kosovës më 1968. Edhepse fëmijë në atë kohë me shumë interesim e kam përcjellë debatin intelektual dhe politik të asaj kohe për republikën e Kosovës. Ata, pra intelektualët e bënë të veten, ngritën zërin fuqishëm për të kërkuar për Kosovën të drejtën e saj të ligjshme për vetëvendosje dhe pranimin e statusit të Republikës. Më shumë se kaq ata nuk mund të bënin. Zëri i tyre jehoi fuqishëm në vend, entuziazmoi popullin I cili e donte këtë avancim dhe ndikuan fuqishëm edhe në qendrat politike të
vendosjes në Jugosllavi dhe natyrisht në Kosovë. Kam bindjen e thellë se po të kishte guxim më të madh dhe ngulmim shumë më të vendosur politik nga garniture politike e asaj kohe, Kosova që atëherë mbase mund të fitonte statusin e Republikës. Ndjehej një frymë relaksuese dhe një shkallë liberalizimi në atë kohë I cili kulmoi me ndryshimet kushtetuese të 1974-s. Në atë kohë dhe në atë raport forcash, megjithë rezistencën e Serbisë, kjo ndoshta edhe mund të bëhej. Ruaj rezervën time, sepse nuk jam naïve të besoj se megjithë liberalizimin e caktuar në Sërbi hegjemonizmi sërb ishte aty, i tërbuar, I fuqishëm, por i fshehur. Dhe kjo ndodhi vetëm atëherë dhe kurrë më. Të paktën ia vlente që nga ana jonë të bëheshin të gjitha përpjekjet e mundshme dhe të bëhej gjithë cfarë ishte në dorën tonë, që fatkeqësisht nuk u bë. Por ama intelektualët bënë gjithcka që ishte në dorën e tyre dhe ishin ata që krijuan frymën e mahnitshme për realizimin e statusit të Republikës për Kosovën.Fatkeqësisht ishte politika ajo e cila duke mos shkuar gjer në fund në përpjekjet e saja e dështoi këtë. Emri i Republikës do të na ndihmonte shumë në prag të luftës dhe nëse kjo do bëhej rruga jonë për pavarësi të vërtetë do të ishte sigurisht më e shkurtër, të paktën nga aspekti juridik-institucional. Dhe të paktën i ashtuquajturi Komision i Badinterit do të ishte me emrin e republikës për Kosovën shumë më i lehtë. Edhe pse pa luftë lirinë nuk do të mund t’a fitonim, ashtu siç nuk e fituan as republikat e tjera në ish Jugosllavi.
Më pas ndodhën demonstratat e 1981. U dëgjuan në atë kohë shumë vlerësime në masë për ngjarje e 81-shit. Disa nga ato buronin edhe nga eksponentë të dëgjuar të politikës kosovare, me ndikim në atë kohë. Natyrisht shqiptarë. Ata edhe disa, them unë kuaziintelektualë, arritën t’a plasojnë dhe t’a depërtojnë në masë të caktuar tezën, idenë dhe përceptimin për këto demonstrate, ndikimin e tyre në rrjedhat politike të kohës dhe të ardhmes politike të Kosovës. Dolën tezat se 1981-shi ishte produkt I agjenturave të huaja antishqiptare, të mbështetura nga serbët, dhe se ky nuk ishte reagimi I popullit shqiptar. As vazhdim I përpjekjeve tona për liri, drejtësi dhe vetëvendosje e as vazhdimësi e kthesë në planin e Lëvizjes sonë Nacionale. Sipas tyre ky ishte në fakt frenim i lëvizjeve progresiste në shoqëri dhe avancimit të të drejtave kombëtare. E quaj jo vetëm të gabuar këtë vlerësim por më shumë se kaq. Mendoj se kjo është një përdhosje dhe zhvlerësim i një vetëdije të plotë kolektive nacionale të popullit tim. Ndaj nuk e kam pranuar kurrë dhe as që mund t’a pranoj atë. Mund të jetë I diskutueshëm fakti se ishte ajo koha më e përshtatshme dhe më e favorshme apo jo për t’u ngritur në këmbë me 1981, një vjet pas vdekjes së Titos, atëherë kur hegjemonizmi sërb kishte ngritur krye dhe ishte I gatshëm për të dhënë leksionin e dhunës për të tjerët në Jugosllavi. Kjo mbetet të diskutohet.
Por ama ishte shumë vështirë të kontrrollohej e të dirigjohej gjithë ajo pakënaqësi me pozitën e Kosovës në Jugosllavi, që ishte burim dhe gjenerator I padrejtësisë dhe diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve.
Të mendosh se të tjerët, madje armiq, manipuluan vullnetin e popullit tënd për ta kthyer ate kundër interesave të vetë shqiptarëve, është nëncmim dhe nënvlerësim, madje edhe tallje me intelektin e një populli dhe mendjen e tij. Poashtu poshterim i gjithë asaj sakrifice, vetëflijimi dhe gjithë atyre viktimave të viteve të 80 dhe 81 në vecanti. Organizimi i 81-it u bë nga vetë shqiptarët, ndërsa forca lëvizëse e tij buroi nga vullneti i popullit dhe kundërshtimi I padrejtësisë dhe diskriminimit.Natyrisht askush nuk mund t’a diskutojë faktin se këto demonstrata u shfrytëzuan nga armiqtë tanë dhe se gjatë tyre në to u infiltruan shumë eksponentë të agjenturave të huaja antishqiptare, për t’a ndyshuar karakterin e tyre në përpjekjen për t’iu ndryshuar rrjedhën atyre, dhe për t’i shfrytëzuar dhe përdorur ato në emër të interesave të tyre. Për t’iu dhënë atyre kualifikimin e tmerrshëm që iu dhanë duke I quajtur kundërrevolucion, në emër të të cilit pastaj do ushtronin dhunë të pashembullt mbi shqiptarët të cilën edhe e bënë ndaj një populli të tërë.
Për ata që depërtuan tezën se 81 ishte vepër e Serbisë dhe vazhduan të mbeten në pozicionin e tyre në vazhdimësi, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj edhe sot se ky qëndrim më shumë se vlerësim i gabuar mund të ishte përpjekje e vetë atyre për të krijuar një alibi për veten e tyre dhe për t’ u shfajësuar për qëndrimin e tyre të padrejtë në atë kohë dhe gjykimin kolektiv që atyre u bëhej nga masa e gjërë për pozicionin e tyre oportunist.
Inteligjencia e asaj kohe në heshtje i mbështeti demonstratat e 81-it. Por ama në heshtje. Dhe dënoi dhunën e pashembullt e cila pasoi pas kualifikimit të tyre si kundërrevolucion. Natyrisht dënoi edhe ndëshkimin që iu bë në masë kryesisht intelektualëve me të ashtuquajturin proces të diferencimit ideopolitik. Por e tërë rezistenca bëhej në heshtje. Nuk pati sa kujtoj unë as edhe një prononcim të zëshëm kundër kualifikimit të tyre si kundërrevolucion, as kundër dhunës së tmerrshme e as kundër ndëshkimeve politike kundër inteligjencisë. Krerët politikë të Kosovës së asaj kohe u nënshtruan dhe nuk i dolën krah popullit të tyre.
Më kujtohet si sot renditja e akademikëve të Kosovës si nxënës të dirigjuar nga regjimi për t’I dënuar demonstratat e 81-ët. Përveq dyve të cilët nuk pranuan këtë poshtërim. Inteligjencia e Kosovës edhepse në heshtje I mbështeti demonstratat ajo në atë kohë nuk bëri të duhurën dhe të domosdoshmen. Të bëhej një, dhe të fliste zëshëm në mbrotje të tyre. Heshtja në atë zezonë nuk mjaftonte.
Pasoi marrja me dhunë e autonomisë së Kosovës me 1989. Roli i inteligjencisë në kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese të Kosovës edhe në atë kohë ishte modest. Kishte zëra individualë që kundërshtonin suprimimin e autonomisë por ata nuk mjaftonin. Ashtu siç kishte zëra të intelektualëve të rëndësishëm e të dëgjuar që u vunë në shërbim të pushtetit duke thënë se Kosova më këto ndryshime kushtetuese nuk humbë asgjë, duke e humbur kështu autoritetin e tyre profesional, kredibilitetin dhe integritetin moral e kombëtar. Nuk mendoj se edhe po të kishte në masë prononcime të inteligjencisë së Kosovës kundër abrogimit të autonommisë mund të ndryshonte dicka qenësore. Por kjo do të mbante të ngritur moralin e popullit dhe do të inkurajonte vazhdimin e luftës së popullit për mëvehtësinë e Kosovës.
Natyrisht dua të them disa fjalë edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe rolin e saj në proceset politike në Kosovë. Ajo pra, Akademia nuk qe asnjëherë në krye të detyrës. Ata njerëz që quheshin njerëzit më të ditur në vend nuk u dëgjuan kurrë e me kohë të ngrinin zërin për cfarëdo që ndodhte në Kosovë, nuk u dëgjuan kurrë të merrnin anaën e së mirës, e të prononcoheshin për shumë cështje delikate që lidheshin me lëvizjen politike të Kosovës. Nuk u dëgjuan kurrë të kishin një qëndrim të formësuar, këmbëngulës, e të vendosur duke u rreshtuar drejt asaj që ishte interes I Kosovës dhe duke e mbrojtur ate. Nuk folën e nuk kritikuan atëherë kur duhej kritikuar, një varg dukurishë negative që po e dëmtonin Lëvizjen. Nuk mbaj mend të kenë dalë ndonjëherë me një ide të qartë për të ardhmen e Kosovës, të kenë propozuar strategji të caktuar e taktika të caktuara të saj, të jenë prononcuar e të kenë mbajtur qëndrim për lloj-lloj ideshë që dilnin në opinion nga individë që ishin të përfshirë në politikë. Nuk mbaj mend të kishin propaganduar Këshillin e Shpëtimit kombëtar dhe shuarjen e partive politike kur Kosova ndodhej në prag të luftës, nuk mbaj mend të kishin kritikuar përcarjet e krerëve më të lartë të lëvizjes, përqarje që reflektoheshin pastaj jo vetëm në masa por më vonë edhe në frontin e luftës. Ky institucion pra Akademia e shkencave dhe Arteve të Kosovës do duhej të ishte në parim burim I ideve, prijatar dhe nismëtar i proceseve politike në vend. Nuk mbaj mend paraqitje të vlefshme të këtij institucioni, pra Akademisë, përvec disa zhgarravitjeve stereotipe dhe të përgjithësuara pa asnjë vlerë që nuk I bëjnë nder institucionit. Përveq prononcimeve të herëpashershme të individëve të saj. Përveq mungesës së guximit për dalje në opinion me ide origjinale, me qëndrime të prera, imponuese e të vendosura, vetë Akademia ishte dhe mbeti qerdhe e politikës dhe kundërshtive politike.
Erdhi Rambujeja, kjo kthesë tepër e rëndësishme per te ardhmen e Kosovës, dhe inteligjencia përsëri nuk u bë e gjallë. Përveq Kadaresë dhe qëndrimit të tij të prerë, të vendosur, të argumentuar dhe bindës i cili lëvizi për mbarë vendimin e duhur të përfaqësuesve tonë politikë.
Pas gjithë tmerrit të luftës më në fund erdhi liria. Paslufta nuk ishte ajo që kishim pritur. Gjithçka po shkonte ters. Në një vend që sapo kishte dalur nga lufta, një vend që jetonte në varfëri të skajshme, shiheshin hapur uzurpimet, krimi e korrupsioni dhe njëmijë të pabëra të tjera. Dhe asgjë nga ajo që një popull i tërë kishte ëndërruar në Kosovën e lirë. Asaj pra, Kosovës po i vendoseshin pa fije turpi, nderi e ndërgjegje, pranga të reja. Të gjithë ishim dëshmitarë të një përçartje konspirative banditeske. Populli i shikonte me indinjatë me mundim, urrejtje e frikë. Ama ajo që nuk bëhej në kohën e serbit, bëhej tani. Një heshtje, një heshtje e pafund. Një popull i tërë e në veqanti inteligjencia që i kishte ndenjur përballë pa frikë pushtuesit të egër serb, tani kishte vendosur të heshtte. Sepse edhe frika në këto kohë ishte e ligjshme nga ata që nuk hezitonin të hakmerreshin pa hezitim në të gjitha mënyrat e mundshme. Ata që i bënin këto të pabëra ishin individë, ama individë që shtoheshin dita ditës për t’a njollosur pa të drejtë Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve u bënë shumë gabime, demarkacioni, Specialja dhe shumë të tjera. Dhe inteligjencia nuk bëzan. Nuk është se fjala e saj do të ndryshonte shumë në vendimet e pushtetarëve ama fjlala e intelektualit ka peshë në avancimin dhe ndryshimin e mendësisë kolektive, natyrisht gradualisht dhe me kohën.
Një tjetër cështjë që ka pllakosur Kosovën është islami politik. Një numër aq i madh i të rinjve tanë që shkuan për të bërë luftërat e huaja është tmerri ynë. Numër që ndodhet në krye të listës botërore për kokë të banorit. Ku është zëri i inteligjencisë kundër këtij ferri?. Shamia e ferexheja që u luftua para 70 vjetësh na u kthye sërish në këtë vend. Kosova është shtet laik dhe e tillë duhet të mbetet. Nuk ka dëm më të madh që po I bëhet Kosovës se kjo. Serbia është e lumtur me këto zhvillime në këtë plan. Atë që nuk mundi t’a bëjë vetë e e deshti shumë, po ia bëjmë ne vetes tonë.
Intelektuali i mirëfilltë nuk është vetëm njeriu i shkolluar dhe i arsimuar por në radhë të parë ai i cili ka guximin intelektual t’a thotë të vërtetën pavarësisht rrethanave. Më 1968 është për admirim angazhimi i intelektualëve për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe Republikën për Kosovën. Më 1981 pas demonstratave të 1981 pati një mbështetje të demonstratve nga intelektualët por përkrahje në heshtje. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës asnjëherë nuk qe në nivel të detyrës. Nuk pati ide e as prononcime në kohët më delikate nëpër të cilat po kalonte Kosova. Në vend se të iu prijë proceseve ajo i injoroi. Pas luftës zhgënjim i madh në vend, krim e korrupcion. Inteligjenca hesht. Nuk ka prononcime për depërtimin e islamit politik në vend e ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit.
Gjakovë 13 nëntor 2024
Cili do që bahet Kryeministër prej këtyne të majtëve Kryeministër asht fatale për Kosovën dhe LDK-en.
-Ja pse: Që në start kur asht vendos me krijue GRUPIN FAMKEQ P D K-e ( Partia Demokratike e Kosovës )= Anarshi në Kosovë ,ASHT mendue me shlye ,me fshi njihere e përgjithmon L D K-en bashk me Presidentin Dr.Ibrahim Rugova.Me Presidentin Dr.Ibrahim Rugova ja arritën tani ka me LD K-en dhe,dikush po e sjell,po e kurdis Sikurse e kan planifikue.Naim Maloku e ka thanë nji të vërtet se AAK-ja I ka sjell dåm shumë LDK-es!
TË gjitha partit e Jan duke veprue në dam TË LDK-es DHE Jan leva të PDK-es në dam për me luftue LDK-en deri në asgjësimin e saj.
Mentor I TË gjitha këtyne asht Bedridri Islami,me prapasken pasardhsit,zbatuesit e amanet it TË Sigurimit P P SHqiperisé (dobiqët e Milladin Popoviq e Dushan Mugosha).
TANI KA ARDH KOHA ME LËSHUE KUSHTRIMIN :
V O T O PËR K O S O V E N- Dr.Ibrahim Rugovën -LDK-en!