Pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kur LDK në koalicion me AKR’në dhe Alternativën mbetën prapa PAN dhe VV, Gërvalla ka numëruar arsyet pse kryetari i LDK’së Isa Mustafa duhet të dorëhiqet.
Një kërkesë të tillë ajo e kishte bërë edhe më 2014.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Gërvalla ka shpërndarë kërkesën e saj për dorëheqje të kreut të LDK’së të bërë pas zgjedhjeve të 14 qershorit të vitit 2014, kur kjo parti dështoi të ishte fituese e zgjedhjeve.
Vitin e kaluar Gërvalla nuk ishte lejuar të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së edhe pse përfaqësonte degën e kësaj partie në Gjermani.
Ajo ishte penguar dhe tërhequr zvarrë nga sigurimi.
Shkrimi i plotë i Gërvallës në Facebook:
Déjà vu. Kush nuk mëson nga e kaluara është i destinuar ta humbasë të ardhmen.
Ky tekst është publikuar më 14 qershor 2014, një javë pas zgjedhjeve të kaluara.
—
ISA MUSTAFA NUK MUND TË MBETET KRYETAR I LDK-së
LDK ka nevojë për një reformë nga koka deri në këmbë
Tronditja është e rëndë. Askush nuk ka parashikuar që LDK-ja do t’i humbasë kështu këto zgjedhje. As ata që dolën për të votuar, dhe as shumica dërrmuese, e cila vendosi t’i bojkotojë këto zgjedhje. Aq më tepër kur kihet parasysh pakënaqësia e madhe e popullit me qeverinë e Thaçit. Arsyeja kryesore për këtë humbje është mungesa e një linje të qartë, e një muri të pakapërcyeshëm mes LDK-së në njërën anë dhe krimit dhe korrupsionit në anën tjetër. Përgjegjësia për këtë strategji bie mbi kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe ekipin e tij të ngushtë.
(…)
Isa Mustafa e ka shitur shpirtin e LDK-së dhe parimet e saj. Në këtë mënyrë ai ka shitur edhe një pjesë të shpirtit të Kosovës. Ai është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve, për një strategji të gabuar dhe për gabime fatale në analizimin e shkaqeve dhe pasojave të humbjes.
Isa Mustafa para zgjedhjeve pati premtuar që në rast humbjeje do të japë dorëheqje. Edhe këtë premtim e ka shkelur.
Isa Mustafa ka mbaruar. Autoriteti i tij edhe ashtu i vogël brenda LDK-së është thyer. Anëtarët e LDK-së dhe votuesit e saj nuk do ta ndjekin në këtë rrugë. Isa Mustafa ka dështuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe duhet të shkojë urgjentisht, së bashku me ekipin e tij të ngushtë, i cili është bashkëpërgjegjës për strategjinë para dhe pas zgjedhjeve.
Lidhjes Demokratike të Kosovës i nevojitet një rimëkëmbje, e cili nuk mund të bëhet nga asnjë person i vetëm. I nevojitet një grup i përgatitur, i fortë dhe i qëndrueshëm, i përbërë nga personalitete të vjetra dhe të respektuara, si dhe nga persona të rinj dhe me njohuri të gjera, nga të cilët Kosova gumëzhon. Kjo rimëkëmbje duhet bërë tani dhe ajo nuk mund të bëhet me një gardë të vjetër dhe të thyer. Një eksperiment i tillë do të dështonte përsëri.
Detyrat që ka LDK-ja para vetes janë të vështira për t’u kryer nga persona të veçantë. LDK-së tani i nevojiten të gjithë: brenda LDK-së, tek mbështetësit e saj dhe madje pjesërisht edhe tek konkurrentët politik. Nëse LDK vazhdon të jetë kaq e dobët, nuk mund të forcohet as Kosova.
Partitë politike kanë kohë që janë braktisur nga populli. Nëse dëshiron të ringrihet LDK-ja si forca qendrore politike në Kosovë, atëherë ajo duhet të fillojë që tani punën. Nevojitet një kryesi e re, dhe për t’i bërë vend asaj, duhet të largohen ata që janë përgjegjës për këtë gjendje.
LDK duhet të jetë e përgatitur për zgjedhjet e reja, të cilat mund
të vijnë shumë më shpejt sesa që i kemi menduar. LDK duhet të dalë në zgjedhje me një kandidat të sajin për Kryeministër të Kosovës. Ky kandidat duhet të gëzojë besimin e LDK-së dhe të qytetarëve. Ai duhet të ndjekë një linjë të qartë kundër krimit dhe korrupsionit dhe duhet të jetë në gjendje të jetë bindës edhe për miqtë e Kosovës në Evropë dhe SHBA.
Isa Mustafa gabon kur thotë se ka punë më të rëndësishme për të bërë, sesa të japë dorëheqje. Nuk është më e rëndësishme bërja e pazareve rreth ndarjes së posteve dhe krijimi i një kabineti gjigant, për nga numri i ministrave, vetëm e vetëm që të marrë secili nga një post.
Më e rëndësishmja është që Kosovës t’i kthehet nderi dhe dinjiteti. Kjo nuk bëhet me një qeveri të drejtuar nga Hashim Thaçi dhe kjo nuk bëhet as me një qeveri të drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Kosova duhet të vendosë se a dëshiron të jetë Afrikë apo Evropë. Evropa është e humbur nëse nuk e ndërrojmë kursin.
14.06.2014
Komentet